DR.MOIKOM ZEQO: A JANË POLITIKANËT POPULLI?!

Pashtriku.org, 02. 11. 2104 – Në emër të popullit pushteti përdoret për vete, pra privatizohet, klanizohet, shpërdorohet, shpesh barbarisht, djallëzisht….Politikanët nuk janë populli. Nëse e marrin votën nga populli dhe nuk bëjnë gjë për të, kjo është forma më e tmerrshme e grabitjes, edhe nëse votimet janë korrekte. Ky manipulim është shumë herë më i rëndë, me përgjegjësi të pashlyeshme. Politikanët nuk janë populli. Edhe nëse dalin nga gjiri i popullit…
Është një pyetje e thekshme dhe e pashmangshme:
• a janë politikanët populli?
• A janë ata një përfaqësim simbolik apo një identifikim?
• Janë për popullin apo kinse për popullin?
• A është populli realisht sovrani apo kinse sovrani?
• E delegon populli pushtetin politik që ndërmjet të deleguarve të ushtrojë këtë pushtet për vetveten, apo të deleguarit e mandatuar e konsiderojnë këtë delegim thjesht si atribut të vetvetes?
• A ka një mekanizëm kontrollues dhe gjykues ndërmjet popullit që voton dhe të votuarve, për të vërtetuar se si pushteti i mandatorëve përputhet ose jo me substancën e pushtetit mandatues?
• Apo politikanët mund të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan me pushtetin e dhënë nga populli pa çarë kokën fare për popullin?
• Politikanët marrin atë që u jepet për të mos i kthyer popullit asgjë?
• A është kryesor dhe i patjetërsueshëm populli apo politikanët?

Kjo është enigma e sfinksit për doktrinën demokratike, jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen.

*   *   *

Pyetjet janë të qarta, përgjigjet ende jo bindëse, por edhe okulte, më shumë teorike se sa praktike. Ana empirike e demokracisë është plot kontradikta, ndryshe nga ana retorike. Këtu profetizohet edhe shqetësimi i Rusoit (Jean-Jacques Rousseau – sh.b) dhe Tokëvilit për të papriturat dhe shpërdorimin zhgënjyes të demokracisë funksionale. Zanafilla e termit “demokraci“ është antike, një nga novacionet mendore më të mëdha të njerëzimit. Është përkthyer si demos – popull dhe kraci – sundim. Demosi antik ishin vetëm njerëzit e quajtur të lirë, po përjashtoheshin skllevërit dhe gratë. Pra, demosi nuk ishte i tërë populli, por një kategori e atributshme dhe e pozicionuar e tij. Sot e drejta e votës i ka shkundur dhe rrëzuar kufizimet.
Por, manipulimi i votimeve jo vetëm që ekziston, por është bërë akoma më i sofistikuar. Barazia formale e votimit, lufta kundër manipulimit, nuk ka zgjidhur dot çështjen përmbajtësore, si vallë deputetët që populli i zgjedh me votë të lirë, pushtetin e deleguar ta përdorin jo thjesht në emër të popullit, por pikërisht për të. Se në emër të popullit pushteti përdoret për vete,
– pra privatizohet,
– klanizohet,
– shpërdorohet,
– shpesh barbarisht,
– djallëzisht.

Ja dilema. Ja sfera okulte më e plotfuqishme e kryemanipulimit. Emancipimi i shoqërisë demokratike përpiqet t’i kthjellojë nocionet, të fuqizojë institucionet që garantojnë besueshmërinë dhe drejtësinë. Kam thënë se Shqipëria sot ende ka një klasë (para)politike, jo nga pasioni i nihilizmit shterp.
Argumentet janë detyruese dhe kundërshtuese.
Ka 20 vjet që votimet janë të deformuara, akoma jashtë standardeve, të paktën formale, ku nuk ekziston vjedhja e votës së qytetarit ose që blihet. E kemi tregun mafioz të blerjes së votave dhe të deputetëve, pavarësisht emrave të tyre dhe ngjyrave partiake. Në këtë treg të kobshëm e zëmë vendin e parë në Europë. E vështirë ta mohosh këtë.
– Sa do të vazhdojë ky treg?
– Nuk e përcaktojmë dot.

Këtu duhet të nisë reforma e parë politike për politikën në Shqipëri. Përzgjedhja personale e emrave të deputetëve nga kryetarët e partive galvanizon klientelizmin ndaj kryetarëve dhe meritokracia kthehet në një fjalë boshe, në koncept të vdekur, kurse populli që voton listat e kryetarëve nuk përzgjedh vetë, këtë të drejtë ia kanë rrëmbyer kryetarët partiakë. Këtu duhet të marrë jetë reforma e dytë politike për politikën. Statusi i sovranit të mos cenohet. Këto 20 vjet, kryetarët e partive të mëdha janë bërë gati të përjetshëm. Asnjë prej tyre, me ndonjë përjashtim, postin sipëror të kryetarit s’e konceptojnë të përkohshëm, por të pakufizuar, në formë mesianike.
– A duhet të jetë kështu?
– Kush e thotë?
– Pse e thotë?
– Egocentrizëm pa të ardhme.

Reforma e tretë politike për politikën është që kryetarët e partive të mos kenë më shumë se tre mandate. Kjo është demokratizimi real i vetë partive që aspirojnë demokracinë. Postet e Kryeministrit, të spikerit të Parlamentit kanë detyrimisht status jashtë partiak, për të gjithë qytetarët, nuk mund të partitizohen në mënyrë groteske dhe antijuridike. Këtu zanafillohet reforma e katërt politike për politikën. Realizimi i kësaj do të jetë absolutisht më e vështira. Programet e partive duhet të kenë të përbashkët progresin dinamik të shoqërisë shqiptare, d.m.th partneritetin, dhe jo konfliktualitetin e vrazhdë dhe vetëshkatërrues.
Ja pika e reformës së pestë politike për politikën. Zgjedhja e modelit ekonomik, që e kundërshton klientelizmin absurd dhe e bën vendin partner të denjë ekonomik, do të ishte reforma e gjashtë politike e politikës. Por, në Shqipëri realiteti është ekstremisht ndryshe. Klasa (para)politike shqiptare është ende e paemancipuar, jashtë standardeve të politikës demokratike dhe moderne. I mungon vizioni, dhe sidomos kultura demokratike. Po kështu nuk mund të jetë përgjithmonë. Padyshim. Politikanët janë një pakicë, se populli, si shumica e shumicës është realisht në pakicë kundrejt politikanëve, pavarësisht se cila parti apo koalicion partish qeveris? Ky është thelbi.
Njeriu është krijuar të mendojë në mënyrë të lirë, krejtësisht të lirë. Poeti i madh portugez, Fernando Pessoa ka shkruar:
“Në një vend me votë universale zotëron populli?
– Jo.
– Zotërojnë partitë.

D.m.th, fakti aristokratik vazhdon të qëndrojë!
– A është kjo demokracia?
– Kështu ëndërrohet?

Politikanët si pakicë mund të bëhen të urryer nga populli, pavarësisht përgjërimit demagogjik.
Në një tregim futuristik para vdekjes, shkrimtari Jorge Luis Borges, duke përshkruar një realitet të së ardhmes, tallet me skotën e politikanëve të sotëm. Ai thotë: “Nga të gjitha ofiqet, ai i politikanit qe, padyshim, më publiku. Një ambasador apo një ministër kabineti qe një lloj sakati, i cili e kishte të nevojshme të vozitej në do vetura të gjata e të zhurmshme, i rrethuar prej motoçiklistësh e shpurash ushtarake dhe i përgjuar prej fotografëve të paduruar“. Ironia është e hollë, qesëndisëse, përbuzëse. Përfundimtare.
Pushtetarët shqiptarë, sa janë në fuqi janë të plotfuqishëm, mediatikë të bezdisshëm, pasurohen panginjshmërisht, por kur u mbaron mandati janë gati askushi, harrohen. Shpagim historik dhe popullor. Politikanët nuk janë populli. Nëse e marrin votën nga populli dhe nuk bëjnë gjë për të, kjo është forma më e tmerrshme e grabitjes, edhe nëse votimet janë korrekte. Ky manipulim është shumë herë më i rëndë, me përgjegjësi të pashlyeshme. Politikanët nuk janë populli. Edhe nëse dalin nga gjiri i popullit.
Klasa (para)politike shqiptare duhet të bëjë një revolucion mendor, ndryshimin më të madh konceptual, të shndërrohet në një klasë politike të vërtetë. Demokracia nuk është thjesht ndërrimi i kuajve në karrocën e pushtetit. Vendi është në një katrahurë politike, në prag të një ngërçi ekonomik, torturuar nga një korrupsion galopant, mafioz. Vrasja e shpresës dhe besimit tek demokracia është dëmi kriminal që politikanët i kanë shkaktuar Shqipërisë.
Jemi në prag të ndryshimeve pozitive? Të ekzorcizmit? Koha do ta tregojë. Politikanët mediokër dhe të këqij (kaq të shumtë, kaq egocentrikë, po dhe kaq budallenj!) nuk do të përfillen nga populli. Politikanët vizionarë mund (dhe duhet të bëjnë) diçka për popullin.

Tiranë, 11. 03. 2011

……………………………………………………………

(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, SH.B)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura