Pashtriku.org, 24, 10. 2014 – “Ka emra të hierarkisë që janë dhe do të mbeten në historinë e letërsisë shqipe. Kush mund t’i shmangë emra të tillë si Barleti, Buzuku, Bogdani, Bardhi, Onufri, Shpataraku, David Selenica, De Rada, Naim Frashëri, Serembe, Fishta, Noli, Mjeda, Poradeci, Ali Asllani, etj., por të tillë do të mbeten në hierarki edhe emra të përjashtuar padrejtësisht si, Koliqi, Camaj, Bilal Xhaferri, sidomos Konica i madh. Një nga intelektualët më të shquar, më eruditë dhe mendjemprehtë të të gjitha kohërave, apo poeti i madh Zef Skiroi, i cili gati nuk përmendet fare, etj., janë edhe shumë emra të tjerë që duhen përmendur me nderim. Por ne nuk kemi akoma histori të vërtetë të letërsisë shqipe, është e nevojshme që të bëhen histori gjithëpërfshirëse dhe shkencore të historisë së letërsisë, duke mos harruar edhe atë që është thënë dhe thuhet e letërsisë shqipe të të gjithë trojeve etnike, ku hyjnë emrat e ndritur të shkrimtarëve dhe personaliteteve të Kosovës, etj…” – kështu thotë Dr.Moikom Zeqo, në një intervistë të zhvilluar me shkrimtarin Shpëtim Kelmendi.
SH.KELMENDI: Nëse letërsia në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar nuk do të kishte pësuar shtrëngesa të tmerrshme ideologjike dhe dogmatike, persekutimin e lirisë krijuese, mendoni se do të kishte patur zhvillime më të mëdha dhe cilësore?
M.ZEQO: Një filozof dhe poet i quajtur Pol Valeri, ka thënë se historia nuk bëhet asnjëherë me “sikur”. Historia është një akt i kryer. Ideja se si do të ishte bërë historia sikur të kishte ndodhur ndryshe, i takon vetëm arsyetimit të mirëfilltë, por jo asaj që është kryer. Jam i bindur që, një lloj liberalizmi, një lloj frymëmarrje që pati letërsia në vitet shtatëdhjetë, po të mos qe anatemuar do të kishte dhënë rezultate shumë herë më të mëdha, madje do të ndryshon diçka thelbësore në substancën e letërsisë shqipe. Por i tmerrshmi plenum i katërt ndodhi. Tashmë masakrimi i letërsisë dhe kjo terapi inkuizicioniste, flet për plagët e letërsisë. Etapa nga plenumi i katërt deri më 1991, është e gjatë dhe më absurdja, pa krahasim edhe me të tëra vendet e tjera evropiane, ndaj dëmi ka qenë i pallogaritshëm. Ky është fakt. Por, dialektika e këtij fakti është gjithashtu e çuditshme. Pikërisht në fillim të viteve shtatëdhjetë kur shkruhej poezia më interesante, më europiane e letrave shqipe. Kam thënë se, historia e modernitetit të poezisë shqipe ka tre stacione kryesore:
– poezia moderne e viteve tridhjetë (ekspresionizmi i Migjenit të kujton ekspresionizmin e Georg Trakli-t),
– poezia e viteve gjashtëdhjetë, që bëri një revolucion estetik, por për fat të keq e dyzuar, edhe me programin politik (poemat jubilare, partishmëria, etj.) dhe
– poezia e viteve shtatëdhjetë, e cila në njëkohësi edhe me poezinë në Kosovë i largohet estradizmit politik, formave butaforike të politikës, duke e afruar poezinë shqipe me rrafshin e poezisë më të mirë të kultivuar edhe në Europë. Për fat të keq kjo poezi pati një goditje politike, por edhe shkrimtarët e njohur të kohës nuk u treguan të gjerë, të guximshëm, për t’i përkrahur kolegët e goditur. Tashmë kjo çështje i takon historisë së letërsisë.
Moikomi i madh i ditëve të sotme,
tek Koka e Konstandinit të Madh, në Kalanë e Beratit.
* * *
SH.KELMENDI: Mbas vitit 1991, me shkatërrimin e sistemit totalitar dhe të pluhurizimit të metodës së realizmit socialist, a mendoni se letërsia shqipe ka arritur lartësi cilësore, ashtu siç duhet?
M.ZEQO: Kalimi i Rubikonit politik mbas vitit 1991 është tejet i rëndësishëm, është një kapërcim konceptual, u krijuan kushtet shoqërore për një liri të pakufizuar krijuese. Por çështja e talentit, është një çështje që nuk përcaktohet nga sistemet politike. Diktaturat apo sistemet demokratike janë autentike me historinë politike. Kurse talenti letrar dhe artistik i takon historisë së artit dhe letërsisë. Nuk mund të jenë identike këto dy histori, ndonëse nuk janë të shkëputura. Analistët, me të drejtë do të tregojnë mynxyrën e diktaturave, shtypjet denigruese të politikës. Do të shënohen edhe përgjegjësitë për konjukturat apo implikimet politike. Por, në historinë e artit dhe të letërsisë do të mbeten veprat më të arrira, pavarësisht kronologjisë historike. Mendoj se, letërsia e pesëdhjetë viteve në diktaturë ka patur arritjet e saj, të cilat nuk kanë të bëjnë me diktaturën sipas një identifikimi mekanik. Aq më tepër që nuk mund të ketë boshllëk për një etapë gjysmëshekullore. Mbas vitit 1991, liria krijuese veproi sipas një paradoksi. Shumë talente të njohur në diktaturë, nuk e përballuan lirinë, sepse qenë të rutinizuar apo të narkotizuar me mungesën e lirisë. Talentët e vërtetë e përballuan, dhe liria krijuese qe gjithçka për ta. Mediokriteti në art dhe letërsi, armikun më të madh të të gjitha kohërave ka lirinë krijuese. Ndaj nuk duhet ngatërruar asnjëherë kultura e vërtetë nga subkultura. Është për t’u përshëndetur që forcat krijuese të shqiptarëve janë në lëvizje. Ka shumë njerëz të talentuar që, mbas vitit 1991, tregojnë shpresa për një perspektivë europiane të letërsisë shqipe, mendoj se letërsia ka ecur përpara këto vite, vetëm me shëmbëlltyrën e veprave më të arrira estetike. Kurse prurjet e mëdha të mediokritetit janë thjesht një çështje tregu.
SH.KELMENDI: Mendoni se hierarkitë letrare dhe artistike janë të përcaktuara njëherë e përgjithmonë?
M.ZEQO: Ka emra të hierarkisë që janë dhe do të mbeten në historinë e letërsisë shqipe. Kush mund t’i shmangë emra të tillë si Barleti, Buzuku, Bogdani, Bardhi, Onufri, Shpataraku, David Selenica, De Rada, Naim Frashëri, Serembe, Fishta, Noli, Mjeda, Poradeci, Ali Asllani, etj., por të tillë do të mbeten në hierarki edhe emra të përjashtuar padrejtësisht si, Koliqi, Camaj, Bilal Xhaferri, sidomos Konica i madh. Një nga intelektualët më të shquar, më eruditë dhe mendjemprehtë të të gjitha kohërave, apo poeti i madh Zef Skiroi, i cili gati nuk përmendet fare, etj., janë edhe shumë emra të tjerë që duhen përmendur me nderim. Por ne nuk kemi akoma histori të vërtetë të letërsisë shqipe, është e nevojshme që të bëhen histori gjithëpërfshirëse dhe shkencore të historisë së letërsisë, duke mos harruar edhe atë që është thënë dhe thuhet e letërsisë shqipe të të gjithë trojeve etnike, ku hyjnë emrat e ndritur të shkrimtarëve dhe personaliteteve të Kosovës, etj. Shkenca letrare ka kështu jo thjesht zbulimin e arkeologjisë së letërsisë, por njohjen e tërë substancës letrare dhe emrave kontribues, që duhet të kenë një vlerësim të padiskutueshëm. Mendoj se shkrimtarët, të gjithë, pavarësisht pozicioneve politike, kanë vendin dhe rolin e tyre në historinë e letërsisë. Të gjithë do të jenë bashkë, Kadareja, Agolli, Rreshpja, Xoxa, Kuteli, Shuteriqi, Marko, Trebeshina, Arapi, Koreshi, Pipa, Esat Mekuli, Pashku, Rugova, Qosja, Shkreli, Dedaj, Beqir Musliu, Starova, Kraja, etj. Lista e këtyre emrave nuk është shteruese, prandaj edhe emra të tjerë të ndritur të brezave më të rinj që nuk janë pak, kanë vendin e tyre të respektuar në hierarki. Por, ai që i përcakton përfundimisht dimensionet e kësaj hierarkie është vetë historia, jeta. Hierarkitë nuk i caktojnë njerëzit e veçantë. Karakteri subjektiv i shijeve, nuk ka të bëjë fare me hierarkinë që krijon historia e letërsisë, e cila sipas Jakobsonit është gati një sistem autonom i brendabrendshëm. Unë më tepër përqendrohem në simbolikën e shëmbëlltyrave. Shumë shkrimtarë të shquar, që nuk ua kam përmendur emrat, kanë të drejtën e kësaj loje të brendshme autonome të letërsisë për fiksimin e vlerave të tyre. Kemi të bëjmë me një sistem të hapur, përfundimisht dhe përjetësisht.
SH.KELMENDI: Ç’rol luan Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë?
M.ZEQO: Unë nuk besoj në funksionet tautologjike. Nuk mund të rindërtohet roli i kësaj organizate ashtu siç ka qenë. Në epokën demokratike, roli i kësaj organizate duhet të jetë ashtu siç janë organizatat analoge në të gjithë botën. Pika referimi të veprimtarive, të njohjeve, të diskutimeve, por jo pika përcaktuese. Talenti ka jetën e pavarur nga çdo lloj organizate të këtillë. Shpresoj vetëm në një organizatë të hapur, pa shtrëngesa, absolutisht pa direktiva, pa mllefe, pa përjashtime dhe pa klane. Një shoqëri e hapur sipas konceptit të Poperit. Kjo hapje është forca. Mbyllja është e kundërta. (Botuar në gazetën “Drita”, 02.01.2007)