DR.MOIKOM ZEQO: PARAFJALA E LIBRIT ‘DE RADA RISHPIKJA E ARBËRISË’

Pashtriku.org, 13. 11. 2014 – (Si udhën e engjëllit, Verë, të shoh dhe trembem. De Rada) – Në dyqind vjetorin e lindjes së poetit u krijua një mundësi për t’u rikthyer me një vëmendje të tendosur te krijimtaria deradiane për të parë se çfarë nuk është thënë për mënyrën më eksplicite dhe më të thekshme. Ky libër për De Radën përfaqëson një koncept të veçantë të shtjellimit. Që në rininë e hershme kam qenë i magnetizuar nga emri i De Radës. Padyshim që “Milosao” ka qenë epiqendra që më ka thithur vëmendjen, për arsye se ajo është Poema Princeshë e Shekujve të Poezisë Shqipe. Por, nuk mund ta shkruaja librin tim pa lexuar në përgjithësi librat që kishin shkruar të tjerët për De Radën. Nuk e di pse, por në vetëdijen time De Rada përherë më është dukur si një poet i vetmuar. Bëhet fjalë për një vetmi sublime, që grish në lartësi të epërme. Jam habitur kur kam parë se sa shumë libra janë shkruar për të për gati një shekull e gjysmë nga studiues të huaj dhe shqiptarë. Sa më shumë jam thelluar në atë që quhet bibliografia deradiane, për çudi prapë nuk shkëputesha nga ndjesia ime fillestare që e konsideronte De Radën si një poet të vetmuar. Kjo nuk ka të bëjë me interesimin e pafund dhe të çdo çastshëm për De Radën.
De Rada është klasiku ynë më i madh i Romantizmit Shqiptar. Prandaj librat që janë shkruar për të, për shkak të pamatshmërisë së detajeve dhe të hollësirave, shpesh më dukeshin se nuk arrinin dot të koncentroheshin te fakti se si ky klasik i poezisë moderne shqiptare është perceptuar dhe analizuar shpesh në mënyrë të njëtrajtshme dhe në mënyrë dekorative. Ne nuk kemi përpara De Radës ndonjë figurë tjetër krijuese – përjashto këtu Pjetër Bogdanin e pavdekshëm, që mund të quhet një klasik i përmasave të mëdha.
Problematika e leximit të një klasiku të tillë si De Rada është përherë një çështje e niveleve të kulturës së leximit.
Italo Calvino (“Si të lexojmë klasikët”, Aleph, Tiranë, 2014) ka thënë: “Leximi i një klasiku duhet të na rezervojë disa të papritura në lidhje me imazhin që ne kishim më parë për të. Për këtë arsye nuk është kurrë e padobishme këshilla për një lexim të drejtpërdrejtë të teksteve origjinale, duke shmangur sa të jetë e mundur bibliografinë kritike, komentet, interpretimet… Asnjë libër që flet për një libër nuk thotë më tepër se sa vetë libri në fjalë. Klasik konsiderohet libri që konfigurohet si barasvlerës i gjithësisë, njësoj si talismanët antikë. Me këtë përkufizim i afrohemi idesë së librit të plotë, siç e cilësonte Mallarmé.”

Kjo optikë e Calvino-s për mua është kryesore. Edhe Jorge Luis Borgesi në të gjitha analizat e tij brilante dhe erudite nënvizonte se për të kuptuar librat e vërtetë duhen lexuar tekstet e tyre origjinale, kurse leximi i librave referencialë, të kritikës dhe të analizave për këto tekste mund të jetë një mundësi për të kuptuar diçka, por gjithsesi nuk janë shumë të domosdoshëm për të arritur në esencën semantike apo në përvojën perceptuese dhe ndjesore që japin tekstet origjinale.
Përgjithësisht bibliografia deradiane përbëhet nga një kritikë e vijuar dhe e kujdesshme në rrafshin bibliografik apo në rrafshin filologjik, që shpesh të kujtojnë një lloj nëpunësie intelektuale, ku komenti apo komentet e komenteve duket sikur mund të japin, por në fakt nuk mund ta japin dot, fuqinë krijuese dhe identitetin e krijimtarisë deradiane. Nuk mund të mohoj dot se edhe kritika bibliografike dhe ajo filologjike kanë vendin e vet dhe arsyen e ekzistencës. Por, ndërkaq mendoj se librat e shkruar për shkrimtarët e mëdhenj sipas Harold Bloom-it dhe George Steiner-it për mua janë modele më të mëdha dhe më të rëndësishme, sepse ato janë modele konceptuale. Prandaj, ngulmimi im dhe qëllimi im ka qenë të jetë një libër konceptual për De Radën.
De Rada ka diçka ekskluzive që nuk e ka asnjë krijues tjetër i letrave shqipe. Ai është Ati i vërtetë ose shpikësi institucional i Letërsisë Moderne Shqipe në mënyrë të mëvetëshme.
Para tij letërsia shqipe paraqitej e hibridizuar, siç është p.sh. letërsia e stilit barok e Mesjetës, që përfaqësohet nga katër B-të e mëdha: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi. Tek ata letërsia ende nuk është e mëvetshme sepse është njëkohësisht edhe kronikë historike, edhe poezi, edhe kozmogoni, edhe teologji, edhe filozofi.
De Rada është krejt ndryshe. Ai është poeti “i yjeve që premtojnë fate të mëdha”. Kryevepra e tij “Milosao” jo vetëm që është vepra e tij e parë madhore, por është e tillë edhe për krejt letërsinë shqipe në krejt ditët tona. Artisti është si një zgjatim i vetvetes, një lloj kartëvizite e përpunuar në mënyrë të veçantë në librat e tij. De Rada ka letërkredencialet e ftillëzimit të letërsisë moderne shqipe dhe i tillë do të mbetet përgjithmonë.
Në të gjithë doracakët dhe librat e historisë së letërsisë shqipe, kam vënë re një shpoporcion: mungon saktësimi qoftë edhe në rrugë kronologjike i rolit parësor të De Radës, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si publicist, historian, estet, filozof, mitolog dhe filolog në Rilindjen Kombëtare. Mendoj se kjo gjë duhet korrigjuar dhe se duhet nënvizuar se përfaqësuesi më i madh dhe më i veçantë është pikërisht De Rada.
Krijimtaria e De Radës të kujton një botë marramendëse të krijimit ku realiteti dhe imagjinata ka një mpiksje magjike. Nuk ka një përcaktim më përputhës dhe më të saktë se sa vetë vargjet e De Radës që thotë se e shikon përballë stinën e verës si udhën e engjëllit, por edhe trembet. Një përcaktim i shkëlqyer me një lakonizëm të rrallë. Kështu e ndjen veten çdo studiues apo lexues i De Radës. Para librave të tij ai shtanget, ndjen kënaqësi dhe një sensibilitet të hollë, por edhe ka pakuptimshmëri dhe duket sikur në Univers simbolet e De Radës përfaqësojnë edhe një kod kriptologjik. Për De Radën forma është mishi i brendshëm i përmbajtjes, nuk është thjesht një rrobë. De Rada konceptoi që në fillim një ëndërr sublime dhe inkandeshente: ai pati vetëdijen e shqetësuar për të Rishpikur Arbërinë.
Një njeri i vetëm, i lindur në një fshat të humbur të Kalabrisë në një kohë kaotike plot shpërthime inkandeshente, me ide të reja revolucionare, disa herë edhe apokaliptike, që shenjonin ndryshimin e vetë historisë europiane, arriti të ketë një forcë të brendshme gati të pabesueshme për të krijuar artin e tij të pavdekshëm.
De Rada ndërkohë është dhe shkrimtari më i komplikuar i krejt letrave shqipe. Ai është i pari që është marrë me estetikën dhe deri më sot nuk njoh asnjë shkrimtar shqiptar, që të ketë shkruar një traktat estetik. Arti i De Radës ngërthen ndërkaq disa nga problemet më të mëdha dhe më substanciale, siç është moderniteti i poetikës, teoria e fragmenteve të ndërlidhura jo në mënyrë simetrike, kuptimi i brendshëm i vargjeve, organizimi i fjalëve me një stil në dukje minimalist të të shkruarit, ku eliptizmi dhe lakonizmi e afrojnë gjuhën poetike me gjuhët natyrore, që ruajnë ngjyresat fillesat fillestare të shenjimit dhe të semantikës.
Romantizmi Deradian është diçka më vete dhe i dallueshëm në atë që quhet “Romantizmi Shqiptar” i shekullit XIX.
Ky libër përfaqëson një shtjellim të lirë dhe një mëtim për një prerje vertikale të subjekteve dhe të ideve. Duke qenë e pamundur për të bërë një sistem reference të hollësirave dhe të detajeve që nuk kanë të bëjnë me thelbin e artit, vetvetiu unë jam përqendruar: së pari në leximin e veprave origjinale të vetë De Radës dhe së dyti në librat më kryesorë dhe më të rëndësishëm për krijimtarinë e tij.
Libri i parë dhe më i rëndësishëm nga pikëpamja konceptuale për De Radën është libri i Gualtierit. Studiues të tjerë janë marrë seriozisht me De Radën duke sjellë ndihmesa të konsiderueshme. Në këtë rast dua të përmend monografinë për De Radën të dijetarit Jup Kastrati, që është edhe vepra e tij e jetës, të cilën e kam pasur parasysh përherë.
Studime të rëndësishme janë bërë nga Eqrem Çabej, Dhimitër Shuteriqi, Rexhep Qosja dhe Klara Kodra. Padyshim që nuk duhen harruar emrat e rëndësishëm të studiuesve arbëreshë si Francesko Altimari dhe Mateo Mandala.
Që në vitin kur vdiq De Rada, më 1903, mund të themi se u ravijëzuan dy konceptime studimore për të. Një është shkrimi i Faik Konicës, i cili e vlerëson De Radën, por duke ngritur lart aspektin historik dhe atdhetar, duke treguar një mungesë gati të plotë mosvlerësimi për artin e De Radës, gjë që është e pabesueshme dhe gati paradoksale. Dhe shkrimi i nxënësit të De Radës, Luigj Gurakuqit, i cili i jep vlerësimin më të lartë për të si poet dhe artist. Të gjithë librat që janë shkruar për De Radën janë midis këtyre dy skajeve, por bëjnë plotësime, klasifikime, por jo gjithmonë duke përdorur kritikën krahasimtare të veprës së De Radës, jo thjesht në raport me letërsinë shqipe, por edhe me atë europiane e botërore.
Duhet thënë se libri më i plotë dhe më i arrirë në konceptin kritik dhe cilësues është libri i Arshi Pipës për De Radën. Kështu që bibliografia kryesore, që ka të bëjë me De Radën është e mjaftueshme edhe në pikëpamje minimaliste, sepse për nga përmbajtja ka arritje më të larta.
Ishte e pamundur që të mos shkruaja për ftillesën dhe madhështinë e Romantizmit Europian që përfaqëson një nga ndryshimet më të mëdha estetike dhe artistike të të gjitha kohërave. Është e vërtetë që rrymat dhe shkollat artistike të mëpasshme duke përfshirë edhe surrealizmin, edhe ekspresionizmin, por edhe artin postmodern, janë skajëzime dhe predikate të Romantizmit.
Kështu që, thënia e filozofit francez Edgar Morin për domosdoshmërinë estetike te një Romantizëm i Ri, nuk është aq e lehtë saqë mund të anashkalohet, nuk është aq e padukshme sa të mos vihet re.
Sythet e librit paraqesin epokën, historinë si zgjatim i gjeografisë, pra si një projektim shpirtëror, vetë jetën e dyzuar dhe kontradiktore të De Radës, konceptet e tij estetike (që i kam shtjelluar më gjerë) duke pasur si epiqendër pikërisht Milosaon, këtë kryevepër pa një të dytë. Për të qenë më i lehtë leximi dhe për të pasur një shijim më estetik kam përfshirë edhe përshtatjen time afër origjinalit të tekstit të Milosaos, që ndryshon nga përshtatjet e mëparshme, sepse është ruajtur besnikëria autentike.
I kam dhënë rëndësi edhe një indeksi të një përzgjedhje të disa prej shkrimeve më të rëndësishme të De Radës, si dhe të disa shkrimeve nga autorë evropianë, që janë pak të njohura ose aspak të njohura për De Radën dhe krijimtarinë e tij.
Të shkruash një libër konceptual për De Radën, është fjala për një libër të përsosur, ngjan si diçka utopike dhe gati e panjohur. E rëndësishme është t’i afrohesh kuptimshmërisë së veprës deradiane sa më afër, e të kuptosh universalizmin e saj; artin e çuditshëm të De Radës dhe vizionin e tij artistik, e sidomos prirjen e tij genuine të një moderniteti të vazhdueshëm që e lidh poetin De Rada habitërisht, më afër poetëve të sotëm modernë, se sa ndonjë nga poetët tanë të shquar të së kaluarës.
Kështu De Rada paraqet një bashkëkohësi të pandërprerë dhe vepra e tij poetike është padyshim e nivelit europian dhe botëror, sidomos me “Milosaon”. Nëse “Milosao” ende nuk ka njohje ndërkombëtare që e meriton, kjo nuk ka të bëjë me vetë artin e saj, po me vetë artin e saj që lidhet me përkthimin apo me arsye jashtë letrare. De Rada përfaqëson një Rikthim të Madh të origjinave të Letërsisë Moderne Shqipe, ku ai është njëkohësisht edhe tempulli edhe meshtari i tempullit. Veprat e De Radës të kujtojnë mendimin e Niçes, i cili i cilëson krijimet artistike si “ca botë të vogla perspektive, që nuk përfaqësojnë botën, por gjendjen e forcave jetësore të krijuesit të tyre”. Nëse “Milosao” është një monadë në letërsinë shqipe, është e tillë jo vetëm se ka qenë, por edhe se do të jetë.
Ky libër është konceptuar esencialisht në formën e teksteve eseistikë të mirëfilltë; me një durim dhe ngulmin të pazakontë pothuaj i lexova në mënyrë shteruese qoftë krijimtarinë e De Radës, qoftë edhe librat në pjesën më të madhe të mundur të bibliografisë mbi shkrimtarin. Për shkak edhe të parapëlqimit dhe të vetëdijes për të ecur në hullinë e një kritike konceptuale, për të mos pasur mbingarkesa dekorative apo referenca të parëndësishme jam mbështetur në një bibliografi kryesore, por shumë më e rëndësishme nga pikëpamja cilësore. Kam përvijuar tezat e mia, disa prej të cilave të pathëna në kritikën për De Radën. Jo se kam guxuar për t’i thënë, por se ashtu më rezultojnë pas një analize të gjatë dhe intensive. Një mënyrë e tillë e të shkruarit respekton edhe karakterin e epërm intelektual, por edhe grishjen për një lexim më masiv.
Dy proceset, siç është ai i shkrimit të librit dhe ai i leximit, nuk janë identike. Procesi i leximit institucionalizon disiplinat e kritikës dhe opinionet, shijet dhe kundërshijet. Të tërë ata që flasin për një poet të madh nuk mund të shkëputen edhe nga subjektiviteti i tyre.
Teoria e Roland Bartit e “vdekjes së autorit” mbivlerëson analizën e tekstit në vetvete duke e shkëputur edhe nga rrethanat biografike të krijimit. Analiza e strukturave tekstore krijon kështu zbulime të veta të brendshme, ku gramatika e stilit paraqitet e komplikuar dhe tejet e mistershme.
Më e saktë është teza e Jakobsonit, i cili ka thënë se ajo që e bën artistike një vepër letrare është “literaliteti”. Kështu që, librat analizues për të njëjtin subjekt, pra që mund të quhen edhe si libra sinoptikë, të përafërt pavarësisht ndryshueshmërisë për të vërtetuar vlerën monumentale të një krijuesi si De Rada, jo vetëm që nuk e shterojnë leximin, por e pasurojnë e bëjnë më të hapur dhe e shtojnë pafundësisht interesin për rileximin.
Ky është edhe qëllimi im modest për të shpalosur një lexim të ri për De Radën.
Shpresoj që në një kohë tjetër të ardhme t’i rikthehem përsëri këtij libri për të plotësuar ato që nuk pata mundësi edhe për shkak të kohës së kufizuar që kisha në dispozicion.
Moikom ZEQO –  Tiranë, II. XI. MMXIV

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura