DR.MOIKOM ZEQO: KARIZMA POLITIKE DHE PARADOKSI I SAJ

Pashtriku.org, 21. 11. 2104 – Karizma politike zotëron skenën mediatike dhe publike ekstremisht në Shqipëri këto njëzet vjet. Duket se ka një afirmim të pakundërshtueshëm, duke qenë në thelb një paradoks i frikshëm dhe i kotë. Karizma është gjithmonë një mit, një alambikim subjektiv funksionues dhe i kushtueshëm deri në një shpërdorim të lodhshëm, deri në alergji dhe sfilitje sizifiane. Midis politikës karizmatike dhe politikës institucionale ka një kufi ndarës të madh dhe pafundësisht dallues, kundërthënës. Filozofi i politikës, Maks Veberi, në një studim testamental është marrë me këtë çështje të dyzimit dhe më tepër të moskuptimit kolosal në konceptimin dhe praktikën e përditshmërisë politike intensive. Veberi bën një analizë kirurgjikale të pamëshirshme, por krejtësisht të drejtë dhe të dobishme për çmitizimin jetik dhe perspektiv të karizmës politike.
Për Veberin karizma është një totem mediatik, me një parakuptim të kthimit të politikës reale në një religjion laik ritual. Karizma politike mistifikon egon, aftësitë e politikanit (kushdo qoftë ai, i kujtdo partie, sistemi a programi politik), krijon maskën e tij të dukshme, duke fshehur fytyrën e vërtetë. Karizma politikë është teatër, regjisurë virtuale, pra një realitet artificial, që jo vetëm nuk përputhet, por i kundërvihet realitetit të vërtetë, madje edhe vetë figurës reale njerëzore të politikanit. Këtu zanafillohet paradoksi vdekësor, gërryes, spektakolar, efemer dhe gjithmonë në boshllëk, pra pa asnjë të ardhme konkrete, mbijetuese.

(Karizma është një totem mediatik – Max Veber)

Karizma është fragmentare, aspak e vijueshme pafundësisht, pra bazohet mbi përkohshmërinë që ka si atribute koniunkturat krejtësisht të lëvizshme dhe pafundësisht të ndryshueshme. Karizmatiku i gëzohet përherë të tashmes, por jo të ardhmes, ai i frikësohet kujtesës afatgjatë dhe çdo lloj kriticizmi inteligjent, që nuk mund të ndalet, as të manipulohet dot. Fitoret politike në këtë kuptim nuk janë asnjëherë fitore të qëndrueshme në histori, pavarësisht se mund të paraqiten si fakte të kronikës së përditshmërisë vulgare, kaq shumë të pashmangshme dhe ciklike.
Maks Veberi e artikulon këtë dukuri në një rrafsh krahasimtar botëror. Për Veberin “tipat më të pastër të sundimit karizmatik janë sundimi i profetit, i heroit të ditës, i demagogut të madh. Tipi i urdhërdhënësit është udhëheqësi. Tipi i njeriut që bindet është “dishepulli”. Njerëzit i binden tërësisht dhe ekskluzivisht udhëheqësit, personalisht atij, për hatër të cilësive të tij personale, të jashtëzakonshme, apo jo, dhe jo për shkak të pozitës statutore apo të dinjitetit shoqëror dhe vetanak të secilit, i binden gjithashtu vetëm për aq kohë sa atij i atribuohen këto cilësi: karizma e tij sprovohet, duke dëshmuar zotërimin e tyre. Nëse ai “braktiset “nga perëndia e tij, apo nga fuqia e tij prej heroi karizmatik, apo njerëzit humbasin gradualisht ose befas besimin në cilësitë e tij prej udhëheqësi, sundimi i tij bie tatëpjetë. Shtabi administrativ seleksionohet sipas karizmës dhe përkushtimit personal dhe nuk seleksionohet sipas kualifikimit profesional. Mungon koncepti racional i lidhjes së karizmatikut me ithtarët e tij, rënia e tij është automatikisht edhe rënia e të tjerëve të klonuar prej tij.”
Prandaj, nënvizon Veberi i madh, përcaktuese për shkallën e legjitimitetit të ithtarit, ose të dishepullit të mandatuar është vetëm misioni i ngarkuar atij nga udhëheqësi karizmatik, ku në vend të racionales triumfon irracionalja. Çdo totem ngrihet mbi besimin, zhbërja e besimit zhduk vetë totemin. Politika karizmatike e zhbën historinë personale të çdo heroi karizmatik, sepse pas tij vjen një tjetër hero karizmatik që e mohon paraardhësin sipas një logjike asgjësuese. Politika karizmatike nuk ka logjikë tjetër. Nuk e mohon askush, është e pamundur ta mohosh, se heronjtë karizmatikë të dy partive të mëdha në Shqipëri luftojnë me njëri-tjetrin, siç do të luftojnë edhe pasardhësit e tyre me ata vetë, ta zëmë mbas 10, ose 20 vjetësh më vonë.
Po çfarë janë 10, apo 20 vjet për një histori të politikës shqiptare?
Ahere këta karizmatikë të plotfuqishëm dhe të pakundërshtueshëm, të zëvendësuar nga të tjerë karizmatikë, të saktë të skualifikuar prej tyre, qoftë edhe për shkak të ciklit biologjik, do të mund të reflektonin përtej inatit ndaj çdo ideje të ndershme apo shkencore kriticista, aspak personale, aspak koniunkturale ndaj tyre për kotësinë e bujës, spektaklit manipulues të tmerrshëm në shoqërinë shqiptare, diçka me të vërtetë jo vetëm për të tjerët, por shumë më seriozisht për veten e tyre në raport me historinë dhe të ardhmen e pashmangshme.
Heronjtë karizmatikë janë gojëtarë, artikulojnë fuqishëm idetë e sqimës vetanake, por asnjëherë nuk mendojnë seriozisht se karizma politike e mitizuar, siç e cilëson Maks Veberi (dyshoj pafajësisht se a e kanë lexuar Veberin ndonjëherë!) është e kundërta e politikës së vërtetë, dobisjellëse dhe vizionare jo thjesht për ata vetë, por për të gjithë pa përjashtim. Heronjtë karizmatikë kanë ithtarë, por asnjëherë bashkëpunëtorë me dinjitet dhe dituri të përparuara politike, sepse kultura karizmatike është në substancë vulgare dhe nuk i reziston emancipimit, për të cilin ngul këmbë Maks Veberi. Është pikërisht kultura institucionale më e fuqishme dhe më e epërme se çdo lloj kulture karizmatike e paqëndrueshme, për shkak të natyrës së demokracisë funksionale, sidomos në një shoqëri të hapur urbane, pa komplekse primitive, patriarkale. Pra edhe pa totema karizmatikë.
Emrat e kryetarëve të partive janë në substancë mandatorë, pra të limituar. A nuk i ka të tilla mandatet presidenciale demokracia amerikane? Pra aspak jo mandate totemesh, por personalitetesh, më të fuqishmit e krejt botës globale, të vetëdijshëm, kushtetutshmërisht për mandatet e plotfuqishme, ekskluzive, por njëkohësisht të limituara prerë. Lufta politike midis partive nuk është thjesht midis emrave vetjakë të kryetarëve mandatorë, por ballafaqime kriticiste në emër të përparimit dhe ndryshimit dinamik, të pandalshëm të të gjithëve dhe jo vetëm të elektorateve adekuate midis programeve të mençura, inteligjente, diturake, vizionare të përfaqësuara prej institucioneve të sistemit politik, që janë pikërisht partitë, që përherë kapërcejnë moshat fizike, aktive të regjistrimit të mandatimit të kryetarëve, kushdo qofshin ata në pambarim.
Po si kuptohet kjo gjë?
A duhet kuptuar kjo situatë paradoksale?
Nëse politika është dituri, ahere emancipimi i politikës është pashmangshmërisht emancipim i diturisë. Procesi i kuptimshmërisë nuk ka fund, por as ngurtësohet. Politika e vërtetë (termat publicistikë “e vjetër”, “e re” janë zbukurime baroke, por gjithsesi të kota) mund të jetë kuptimshmëri e vështirë, shpesh e vonuar, por nuk mund të pengohet as të shmanget dot.

Tiranë, 18. 01. 2011

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura