BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: PSE VETËM KOSOVARËT DUHET TË BËHEN MË KATOLIK SE PAPA?

 Prishtinë, 4. 6. 2016: (Myslimanët “problematikë” të Kosovës) – Gjatë mandatit tim janë arrestuar qindra qytetarë të Kosovës të dyshuar se kanë qenë përkrahës të ISIS-it dhe se kanë luftuar në anën e krijesave vrastare siç, pa dyshim janë Al Nusra dhe ISIS , në mesin e të cilëve ka imam që kanë predikuar “ islamin radikal “ . Kështu , kohë më parë ka deklaruar ish presidentja Jahjaga që në politikë ka marrë vesh sa edhe Lekë Dukagjini në programin Windous. Mirëpo , kjo nuk i ka penguar të shetis nëpër tërë botën e sidomos në shtetet që ia kanë njohur Kosovës primatin për luftimin e ekstremizmit fetar në Ballkan dhe Evropë në ndërkohë që askush nuk ka informata se kush e ka formuar Al Nusran dhe ISIS-in , dhe kujt i shërbejnë këto krijesa kriminale, që në emër të fesë , i vrasin besimtarët e të njëjtit besim sikur edhe qytetarë të pafajshëm nëpër shtete të ndryshme të botës ! Përkundër përpjekjeve që Kosova të paraqitet si vatër e ekstremizmit fetar dhe qendër për rekrutimin e ushtarëve për këto dy organizata të cilave nuk iu dihet as atësia e as misioni , Kosova është larg e të qenit potencial destabilizues dhe regjenerues për “ radikalizëm islamik “. Pas përfundimit të luftës Kosova ishte bërë fidanishte për të gjitha dukuritë negative dhe për këtë flamurin e mbanin ndërkombëtarët, ata të perëndimit sikur edhe ata të lindjes apo shteteve islamike. Perëndimorët nuk kishin fare interesim të hulumtojnë veprimtarinë e “radikalëve islamikë “ sepse, qëllimi i tyre ishte që ata të mos shkojnë në shtetet perëndimore kurse në Kosovë mund të bënin ç’të donin ! Ishte kjo lajthitje strategjike sepse Kosova nuk ishte fare atraktive apo me interes për këta radikalë islamikë por pikërisht ishin shtetet perëndimore cak i interesit të tyre ! Në Kosovë lulëzuan edhe ekstremistët fetarë ortodoks, katolikë dhe sekte të panumërta të “ besimeve “ tjera që kishin fonde të fuqishme dhe vepronin, pa iu nënshtruar asnjë kontrolli. Edhe diplomatët ndërkombëtarë në Kosovë kontribuan për t’i mbuluar problemet reale siç ishin; korrupcioni shkatërrues , papunësia dhe varfëria e madhe, projektet jashtëzakonisht të dëmshme politike për Kosovën që e krijuan pastaj një shtet krejtësisht të hendikepuar, iu kthyen problemeve të fesë thuaja ekskluzivisht asaj të besimit islam . Ndërkombëtarët e as disa sharlatanë vendorë nuk merreshin fare me parandalimin e dukurive negative por të gjitha dështimet dhe të gjitha problemet i mbulonin me tapetin e “radikalizmit islam “. Objekti i papërfunduar i Kishës Ortodokse Politike serbe të Millosheviqit në hapësirën e Universitetit të Prishtinës , në vend që me një procedurë të shpejtë të rrënohej apo t’i ndërrohej përdorimi ( ishte ndërtuar me vendim politik me ligje diskriminuese të regjimit të Millosheviqit ) u mor në mbrojtje dhe mos të habiteni fare nëse nesër bëhet ;” objekt kulturor i një rëndësie të veçantë e mbrojtur nga UNESC-o“ Tash, nuk po shtrohet fare çështja e rrënimit por ka brenga është pse nuk kanë aplikuar për procesin e legalizimit ! Kur Patrikana e Pejës uzurpoi pronë publike dhe e ndërtoi murin rrethues duke ia ndryshuar rrjedhën lumit, një tarak ambasadore botërisht pati deklaruar se kjo është e papërfillshme nëse kemi parasysh faktin se në Kosovë ka me dhjetra mijra ndërtime pa leje ! Ndërkombëtarët patën filluar ndërtimin e rrugës anësore (dytësore) për ata që udhëtonin në relacionin Prishtinë – Gjilan sepse kështu kërkonin popat e Graçanicës . Madje, në disa raste ishte mbyllur kjo rrugë ! Së fundi , Gjykata Kushtetuese ndërkombëtare “ e Kosovës “ ia fali Manastirit të Deçanit 27 hektarë tokë , pronë publike kurse disa politikanë neoçetnik ( çetnikë të rinj ) nuk janë të kënaqur dhe kërkojnë më shumë tokë për Kishën ortodokse serbe, mundësisht tërë Dukagjinin që ata e quajnë Metohija apo pronë e kishës. Sa për fillim ! Presidentja e Enka Behtell and ambasador Dell , nuk u deklarua fare për këtë sepse angazhohej për arrestimin e “radikalëve islamikë “. Ndërkombëtarëve e as vendorëve nuk iu pengonte fashisti me kamillaf, Amfillohije Radoviq , shovonisti Otac Sava apo Teodosije që kishin bekuar paramilitarët serbë për krime monstruoze ndaj shqiptarëve dhe që i kishin strehuar këta paramilitarë në kisha dhe manastire ku torturoheshin shqiptarët por merreshin me Shefqet Krasniqa , hoxhë Irfana e Qazima që merrnin vesh në politikë sa edhe presidentja e Dellit e që tash dëshiron të bëhet kampione në luftimin e ekstremizmit fetar ( lexo atij mysliman ) kur nuk është në gjendje t’i shkruaj dy fjali të vetme kundër ekstremizmit tjetër . Kjo është mënyra më e pandershme për të vjelur fonde duke sajuar rreziqe dhe duke bërë përpjekje të mbijetojë në skenën politike vendore dhe ndërkombëtare. Është dashur dhe duhet të luftohen të gjithë ekstremizmat , pa përjashtim dhe jo në mënyrë selektive siç po e bënë shoqja e Dellit dhe pasuesi i saj . Madje, po shkohet aq larg në injorancë saqë po flitet për formimin e një qendreje në Kosovë për luftimin e terrorizmit , natyrisht me fondin 20 milionësh , thuaja se 1.800.000 qytetarë të Kosovës qenkan terroristë. E pandershme dhe e paturpshme , skajshmërisht !

Plagjiatura e lejuar
Shkëlqesia e Tij , Presidenti i Kosovës , Z. Hashim Thaçi i I-ë , majatas e djathtas po shpërndan lavdata se Sekretari Xhon Kerri paska deklaruar se Kosova qenka kampione e rajonit në luftimin e ekstremizimit në rajon . Këtë meritë po ia adreson vetes së tij dhe po mburret më këto arritje ! Ka të drejtë të mburret me këtë por do të kishte të drejtë që e ka edhe detyrim të deklarojë se Kosova është kampione e rajonit në luftimin e korrupcionit , zbutjes së varfërisë , uljes së papunësisë , mbrojtjtes së integritetit territorial dhe shtrirjes së sovranitetit në tërë vendin e që nuk është as përsëafërmi kështu ! Presidenti i Kosovës gjithashtu , me mburrje , dhe këtu e përkrah 100% , ka deklaruar se i ka prirë Marshit të Nderit të komunitetit LGBT gjë që nuk e kanë bërë as Daçiqi , Vuçiqi , Gjukanoviqi dhe Ivanovi. Më duket se as Nishani nuk e ka bërë këtë dhe këtu Thaçi vërtet është kampion ! Terrorizmi dhe radikalizmi fetar i cili tash po identifikohet me radikalizëm islamik , janë e keqe dhe rrezik global dhe duket se Kosovës i ka rënë hise të bëhet kampione për luftën kundër tyre të udhëhequr nga një ish presidente dhe presidenti aktual i Kosovës. Nëse Kosova ka rol kryesor në këtë luftë atëherë roli dytësor iu takon SHBA –ve, Anglisë , Francës , Gjermanisë dhe shteteve të tjera të cilat, të jemi të sinqerë nuk kanë as kapacitet profesional , vullnet politik e as gatishmëri për sakrificë që e ka Kosova për ta udhëhequr këtë luftë ! Konferenca e fundit në hotelin e Bacit , ku u ndanë dy mirënjohje për tolerancë fetare , Vinçenco Palas nga Shën Exhidio që angazhohej për autonomi kulturore të Kosovës dhe i njohur për Marrëveshjen për Arsim si dhe kryebashkiakut të Londrës , Sadiq Kan ( i cili , po t’i mos fitonte zgjedhjet në Londësr askush nuk do të dinte se ekeziston diku ) ishte një huqje qëllimi por mundësi përfitimi për OJQ –në që e organizoi këtë farsë . Për të mos dështuar krejtësisht kontribuan dy prijës fetarë dhe biznesmenë të suksesshëm që janë bërë të pandashëm sikur Gjara dhe Gjura apo Boro dhe Ramizi , Naim Tërrnava dhe Lush Gjergji . Mungonte Otac Sava që ishte i zënë me nguljen e hunjve , në tokë të huaj !
Naim Tërrnava , kur duhej të deklarohej kundër disa ekstremistëve që nuk kishin të bënin asgjë me besimin islam , heshti sikur varri ! Tash, kur duhet të deklarohet në mbrojtje të besimtarëve të besimit islam, përsëri është mbuluar me heshtje varri ! I ka munguar guximi të deklarohet kundër një të keqeje të mëparshme ( një besim i imponuar dhunshëm ) kurse tash i mungon guximi të mbrojë ata që e meritojnë të mbrohen , besimtarët e vërtetë të cilët vetëm duan t’i kryejnë detyrimet ndaj Zotit e jo që fenë ta përdorin për qëllime karrieriste , politike apo si fushë për përfitime materiale. Përgjegjësia kryesore për gjendjen në BIK dhe mohimit të të drejtave fetare , si të drejta njerëzore i takon Myftiut të Kosovës me Kushtetutë personale dhe të bindurve ( kundër çdo parimi njerëzor dhe fetar ) të atyre që e rrethojnë!
Dom Lush Gjergji asnjëherë nuk ka kundërshtuar ndërtimin e Katedrales katolike mbi themelet e një shkolle me renome të cilën e kanë zhvendosur në një lokacion që, përveç atyre ( nxënësve dhe arsimtarëve ) që detyrimisht shkojnë atje, askush nuk e di ku është ajo shkollë! Ky gojëtar fetar si mbulesë për Katedralen dhe të tjera e ka Gonxhe Boajxhiun , Nëna Terezen e cila, jam i sigurt se e ka fituar Çmim Nobel në mënyrën më të ndershme të mundur duke u kujdesur për të varfërit dhe të sëmurët nga lepra. Katedralja e Prishtinës është ndërtuar me urdhër dhe vendim politik të Himë Govës që padrejtësisht dhe arbitrarisht ia ndau lokacionin më të vlefshëm dhe më strategjik në Prishtinë ! Natyrisht , të gjithë jemi dëshmitarë se pas kësaj Vatikani e njohu shtetin e Kosovës përmes Papa Benediktit të XVI që deklaroi se Kosova është djep i Serbisë ! Departamenti për konvertim brenda Kishës katolike , ku Lushi është alfa dhe omega keqpërdori Meshën e Krishtlindjeve duke bërë konvertim grupor gjatë meshës dhe në prani të medieve dhe disa injorantëve politikë të Kosovës . A nuk ju ngjanë kjo sikur kalimi i disa anëtarëve të partisë, nga një parti në tjetrën që po ndodhë kohëve të fundit ! Feja dhe biznesi
Feja në Kosovë ka ndikuar në procesin e privatizimit shkaku se Kosovën , me pëlqimin e ndërkombëtarëve që tani po kërkojnë nga Kosova ta luftojë ekstremizmin fetar , në fakt Kosovën e ka shndërruar në koloni ekonomike të Turqisë duke rrëmbyer me para të imta asetet më të vlefshme ekonomike. Pse kemi kthyer prapanicën dhe e kemi shitur te Orienti , është meritë e madhe e Shkëlqesisë që po shkëlqen sot në Kosovë! Kisha ortodokse po zhvillon ekonomi dhe tregti të mbyllur me Serbinë, Greqinë dhe Rusinë . Me përjashtim të Prizrenit ku po kontribuon në jetën e natës përmes kafeterive që i ka lëshuar me qera ! Kisha katolike e Kosovës , rreth Katedrales është duke ndërtuar qendër tregtare ku do të marrin qera të majme. Duket se as me këtë nuk janë të kënaqur dhe po kërkojnë zgjerimin e biznesit ! Nuk jam i sigurt nëse apetitet e saj do të përmbushen nëse e fitojnë Albi Mallin dhe Grand Storen, për fillim! Tash e kemi komunitetin hebraik në Kosovë të cilit i është ndarë toka për ndërtimin e Sinagogës hebraike . Plotësisht kanë të drejtë sepse ka shumë hebrenj në Kosovë në mesin e të cilëve janë dy kryehebrenj , ish bashkëvuajtsi im në llogoret e Jugosllavisë, Ruzhdi Shkodra dhe Shkëlqesia aktuale të cilët, çdo herë kur i kam takuar ishin duke lexuar Talmudin dhe Toran ! Ruzhdiu është i përkryer për rabin lokal kurse Shkëlqesia e Tij, për rabin ndërkombëtar ! Kierarkia është vëllaçko në pyetje! Nëse Jerusalemi e ka Murin e Vajtimit apo të Lotëve , Kosova ka me kilometra dhe qindra kilometra Mure të Vajtimit apo të Lotëve prandaj jemi më çifut se vet çifutët ! Falë këtyre dy kryeçifutëve, Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës ! Marëdhëniet tregtare kanë filluar moti !
Radikalizmi fetar dhe liberalizimi i vizave
Besimi është çështje krejt personale dhe shpirtërore , Askujt nuk duhet t’i interesojë se kush çfarë besimi ka apo t’ia imponojë një besim që është në kundërshtim me përcaktimin personal. Zoti na ka krijuar si njerëz , së pari pastaj jemi ndarë në baza kombëtare kurse besimi është shkalla e tretë e kësaj ndarjeje. Asnjëherë nuk mund të jeni besimtar i mirë nëse jeni njeri i keq dhe e kundërta! Asnjëherë nuk e pranoj një autoritet shpirtëror që interesin fetar e vë mbi interesin kombëtar dhe shtetëror . Këtu nuk ka kompromis . Së fundi , feja po përdoret , nga ndërkombëtarët si pretekst për shtyrjen e liberlizimit të vizave . Arsyetimi është qesharak dhe i pamoralshëm ! Po të ishte kështu , si ndodhi që Bosnja përfitoi liberalizimin e vizave në kohën kur aty kishte baza të xhihadistëve që kishin luftuar në anën e Bosnjës dhe pas përfundimit të luftës nuk ishin kthyer në vendet e tyre . Apo , rasti edhe më i rendë; si ndodhi që Serbia të përparojë aq larg dhe me aq shpejtësi në proceset e integrimeve evropiane përkundër faktit që Kisha ortodokse serbe ishte frymëzuese , mbështetëse dhe zbatuese e një politike gjenocidale ndaj popujve të tjerë në Ballkan kurse ndaj shqiptarëve dhe Kosovës e mbanë edhe sot të njëjtijn qëndrim ! Sipas kësaj logjike edhe Anglia do të duhej të përjashtohej nga BE sepse xhihadisti Xhon ishte nga ky shtet. E mos të flasim për Belgjikën , Francën , Gjermaninë apo shtetet tjera që kanë shumë qytetarë që i shërbejnë ISIS-it dhe Al Nusras! Tash , po u dashka të verifikohet sa xhami qenkan ndërtuar në Kosovë pas përfundimit të luftës dhe kush i paska ndërtuar ato ?! Askush , me këtë rast nuk pyet se sa xhami janë shkatërruar gjatë luftës në Kosovë ?!
Përkundër respektit të madh që e kam për Shkëlqesinë e Tij e sidomos pas guximit që t’i prijë Marshit të Nderit të komunitetit LGBT, si aktivist shumëvjeçar për të drejtat e njeriut që jam , megjithatë duhet te refuzoj ftesën e tij se: “duhet të bëhemi më katolik se Papa në rrugën drejt Evropës ….”! Duke respektuar çdo besim dhe duke i përmbajtur parimit jetësor se njerëzit çmohen për shkak të sjelljeve, karakterit dhe kontributit në dobi të njerëzimit , edhe unë e respektoj besimin tim prandaj nuk mund të bëhem as katolik e as Papë e lëre më, më katolik se Papa. Nëse ky është kusht për liberalizimi të vizave , po pëshurri në viza sepse kam menduar se kusht për liberalizimi të vizave janë shteti i së drejtës , funksionimi i ligjit, lufta kundër korrupcionit , drejtësi sociale, tolerancë etnike dhe edhe tolerancë fetare! Pikërisht në këto fusha na mungojnë kampionët prandaj Shkëlqesi, krijo mundësi të hyjmë në këto gara , së pari vetëm si lojtarë , ju si udhëheqës e pastaj , në bazë të rezultateve mund të bëhemi kampion ose të largohemi nga liga fare! Ta ndajmë fenë nga shteti dhe ta ndajmë politikën nga feja. Çka është e Cezarit t’ia japim Cezarit , çka është e jona , ta marrim ne !
Gjithë besimtarëve të besimit islam iu uroj Muajin e Shenjt të Ramazanit. Agjërim të lehtë dhe shëndet të mirë !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura