Tiranë, 10. 04. 2014 – Kam para syve dorëshkrimin e librit “Misioni Holandez – Koloneli Tomson” të autorit të përkushtuar Fluturak Gërmenji, mikut tim të hershëm. Libri ka një përmasë arkivore dhe përbën një plotësim dhe risi për gjithçka është shkruar për Kolonelin Tomson deri më sot nga shqiptarët. Ka një bibliografi të gjerë të studimeve dhe krijimtarisë letrare të shqiptarëve për Tomsonin. Dhe kjo nuk është e rastësishme. Tomsoni u vra për shqiptarët, nderimi për të vetëkuptohet dhe artikulohet përherë. Tomsoni nuk do të harrohet. Shkrimtari dhe publicisti Fluturak Gërmenji ka vite të tëra që punon për këtë libër. Dhe libri është informacion dhe nderim, është një skalitje në kujtesë. Ky libër i dobishëm duhet të lexohet nga të gjithë.
Optika e librit është shumë e gjerë. Përshkruan veprimtarinë e të gjithë oficerëve holandezë në Shqipërinë e vitit 1914. Ka shumë detaje dhe citime nga kronikat e kohës, është shfytëzuar arkivi ushtarak holandez për Tomsonin, figurë e dy popujve: Holandës dhe Shqipërisë. Sharmi heroik dhe i sakrificës është mëse i qartë dhe i përhershëm.
– Koloneli holandez Tomson –
Fluturak Gërmenji e ka këtë libër veprën e jetës së tij, ka bërë gjithçka.
Një mrekulli e librit është koleksioni fotografik i kohës – gjë shumë impresionuese dhe e pashlyeshme. Libri është shkruar me stil të kjellët dhe me objektivitet. Ky libër është një lapidar shkrimor për Tomsonin. Por libri nuk ka qenë i lehtë për t’u shkruar. Përkundrazi. Dhe autori ia ka dalë me sukses. Figura e Tomsonit lidhet me një nga periudhat më të ndërlikuara por edhe konfuze të historisë së Shqipërisë. Kjo ndërlikueshmëri e bën flu subjektin. Tomsoni qe një i huaj dhe u bë motivi i historisë shqiptare në brigjet e Durrësit. Ai nuk iu shmang dhe nuk iu tremb provës fatale! Gjaku i tij skuqi tokën tonë me një natyralitet tronditës dhe përfundimtar.
Ky libër më ringjalli shumë emocione dhe kujtime…
Në qytetin e Durrësit, mbi një platformë të gurtë, ku janë vendosur tre topa të mëdhenj venecianë të mesjetës, ka qenë monumenti i veçantë i kolonelit holandez Tomson. Ky monument ishte diçka e pazakontë për Durrësin. I vetmi simbol, që kapërcente dete dhe hapësira që nga Holanda e largët. Monumenti kishte një shtyllë mbi të cilën qëndronte një shqiponjë bronxi, krahëhapur. Në shtyllë ishin edhe gërmat metalike, epitafike. Vite më vonë, kur punoja në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, kam parë skulpturën bronxore të shqiponjës. Kjo shqiponjë u vodh pas vitit 1992. Monumenti i Tomsonit humbi kështu relikën historike. Nuk dihet emri i skulptorit. Kurse emrat e dy artitekëve, të cilët kanë modeluar platformën ku qëndrojnë topat, janë shënuar me skalitje. Këto topa venecianë, do të kenë qenë përdorur në kullën e rrumbullaktë, që njihet me emrin Torra. Aty luftoi më 7 prill 1939 Mujo Ulqinaku.
Vjersha e famshme e Fan Nolit për vrasjen e Tomsonit, ka qenë e çuditshme dhe kumbuese. Ritmi i saj të kujton një apel kushtrimtar. Sa herë që kaloja pranë Torrës, ripërsëritja në heshtje vargjet e Nolit “Tek ura, tek ura…”. Bëhet fjalë për Urën e Dajlanit, e cila lidhte qytetin ishullor të Durrësit, të rrethuar nga deti dhe nga këneta, me tokën që vinte drejt plazhit të Gjirit të Durrësit. Në fëmijërinë time të hershme, tek Ura e Dajlanit unë zija peshk me grep dhe nuk mund të harroj dot lëvizjet e baticës dhe të zbaticës, që alternonte deti me kënetën e kripur. Më kujtohen pulëbardhat e mëdha, çuditërisht edhe pelikanët. Këta pelikanë ka një gjysëm shekulli që nuk janë parë më. Këto parandjenja ishin të realitetit dhe jo të fantazisë sime. Mos vallë pulëbardhat që ende duken, e dinë akoma sekretin e zhdukjes së pelikanëve? Mos pelikanët kanë shkuar në viset boreale?
Figura e Kolonelit Tomson më ka interesuar vazhdimisht. Sakrifica e tij dhe vetmohimi për shqiptarët, më është dukur unike. Në ndërgjegjen time emri i Tomsonit ka rrëzëllitur. Në vitin 1999 në zyrën time në Muzeun Historik Kombëtar, Shoqata “Miqtë e Tomsonit” bëri një akt të bukur. Dhuroi një kostum ushtarak holandez të vitit 1914, të ngjashëm me kostumin origjinal të Kolonelit Tomson. Akoma dhe sot ky kostum ndodhet në arkivin e Muzeut Historik Kombëtar. Trupi, që duhej të ishte, nuk është më! Si drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, bëra një projekt për të testuar kujtimin e Kolonelit Tomson, për të bërë një ekspozitë të veçantë për të, me shumë fotografi origjinale të kohës, në bashkëpunim me Ambasadën e Holandës. Kjo veprimtari u bë.
………………………………………
Princi Vilhelm von Vid në Durrës, 7 mars 1914:
***
Me këtë rast u botua edhe një libër i shkruar nga J. Fabius, “Gjashtë muaj në Shqipëri”, libër dokumentar për ngjarjet, për kohën kur u vra Koloneli Tomson. J. Fabius ishte një ushtarak, që së bashku me Tomsonin dhe disa oficerë të tjerë holandezë erdhën për të organizuar strukturën ushtarake të Shtetit Shqiptar të Princ Vidit. Misioni prej gjashtë muajsh në Shqipëri i dha rast këtij dëshmitari okular, të shkruante një lloj ditari, me vëzhgime të mprehta dhe tepër interesante. Fabius shkroi një libër që e mbaroi në Hagë në vitib 1917. Misioni Ushtarak Holandez përfaqësohej nga burra të kulturuar, por të guximshëm.
Jan Fabius lindi në Holandë në 5 korrij 1888. Ndoqi studimet në Akademinë Ushtarake Mbretërore. U specializua për artileri. Në 1912 mori detrën e korrespondentit për Luftën Ballkanike. Pati takimet e para me shqiptarët dhe u njoh me situatën kaotike në Shqipëri. Më 1914 iu bashkua Misionit Ushtarak Holandez në Shqipëri. Ky mision ishte nën komandën e Gjeneralit De Veer. Si dhe të Kolonel Tomsonit. Është autor i shumë librave. Përveç librit për Shqipërinë ka përmbledhur edhe korrespondencat e tij për Ballkanin. Në 1916, u caktua si lajmdhënës i luftës në Tirol të Austrisë. Kujtimet e tij i botoi në librin “Përmes Europës në zjarr”. Në 1919 ishte lajmdhënës i posaçëm në Bashkimin Sovjetik. Në 1919, bashkëpunonte me shtypin holandez që nga Darlini. Gjatë viteve 1933-1939 u vendos në Tokio. Shkrimet e tij nga Japonia e bënë të njohur në shtypin holandez. Në 1939 ai shkoi me një mision ushtarak në Indonezi, ish-koloni e Holandës. Këtu u kap rob dhe u burgos së bashku me familjen në një kamp japonez në Java, nga viti 1942 deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945. Më 3 tetor 1946 u kthye në Hagë, ku vdiq më 30 korrik 1963, në moshën 76 vjeç.
Libri i Jan Fabiusit është i dyfishtë. Është një lloj ditari shkrimor, por njëkohësisht edhe fotografik. Fotografitë janë kaq të rralla, saqë mund quhen një pasurim pamor i veçantë i historisë së Shqipërisë në vitin 1914. Disa nga këto fotografi lidhen me Durrësin, unë kam parë në to disa nga shtëpitë e vjetra si edhe disa monumente që sot nuk janë më. Fjala vjen, është një fotografi që tregon Pusin Toponas. Ky pus i famshëm kishte një strukturë të sipërme të ngjashme me puset tipologjikë venecianë. Nga përdorimi i gjatë i litarit të kujtonin një skulpturë abstrakte. Tek Pusi Toponas durrsakët kanë marrë ujë deri në vitet ’60 të shekullit të kaluar. E mbaj mend shumë mirë këtë monument, i cili anash kishte edhe katër shtylla të lashta, të marra nga tempujt e shembur antikë. Analiza shkrimore është autentike. Fabiusi e thotë që në fillim se nuk dinte asgjë për Shqipërinë. Ata erdhën në një botë krejt të panjohur dhe shpejt ai nisi t’i njohë shqiptarët. Pa dyshim, që ka lexuar ato libra që ekzistonin deri atëhere për shqiptarët. Libri nis me një citat të Paul Kenis: “Asnjë mërzitje dërrmuese e përhershme, e ditëve të njëllojta, nuk i jep kënaqësi zemrës së arratisur. Asnjë ditë e përhershme pranvere, nuk është më e pastër se flamurët e stuhisë idhnake të vjeshtës, ose ajri i kuqërremtë dimëror.” Shprehet kështu vështirësia e një kohe, që krijon nostalgji. Fabius thotë se shqiptarët vinë nga ilirët e vjetër, por ai ka vështirësi për ta kuptuar gjuhën shqipe.
Shqipëria e vitit 1914 ishte një paradoks. Mjerimi ishte i tejskajshëm. Qeveria e Princ Vidit, ndonëse u konceptua si një shpresë, ishte tepër dekorative. Të njëjtën periudhë e ka përshkruar në një shkrim të tij, kroati i madh euridit Miroslav Kërlezha. Kaotizmi ballkanik koncetrohej me kaotizmin shqiptar. Shqipëria ishte mikrokozmosi i mikrokozmosit ballkanik. Shqipëria anadollake mëtonte të lidhej me Europën Perëndimore. Oficerët holandezë lëviznin në tërë Shqipërinë. Qeveria e Princ Vidit, siç thuhet në libër, ishte e minuar nga Esat Pasha dhe Myfit Libohova. Vendi ishte i përçarë. Fabius pikturonte hetimet e tij në Vlorë e në Shkodër, flet për ekipet e oficerëve të huaj, në mënyrë të veçantë përqëndrohet në mjedisin e Durrësit.
Jo shumë larg shtëpisë time në Durrës, është akoma dhe sot një shtëpi e madhe, e cila në kohën e Fabiusit ishte hoteli. Me një penë të hollë, si të Cvajgut, përshkruhet gjithçka. Fabius ka simpati për shqiptarët. Sipas tij, ata kishin talent të madh për gjuhët e huaja. Përshkruan personalisht intrigat e oficerëve të huaj kolegë, plogështinë dhe kotninë, marrëdhëniet me vendasit, ankthin e Luftës së Parë Botërore. Durrësi kishte gërmadha të lashta antike, por Fabius për fat të keq e anashkalon arkeologjinë. Megjithatë, libri i tij lexohet me një frymë. Nuk di ndonjë libër tjetër të vitit 1914 në Shqipëri që të ketë një atmosferë të tillë. Kapitulli ku tregohet vrasja e Kolonelit Tomson është i saktë dhe rrënqethës. Koloneli Tomson qendronte para magazinës së karburantit, në limanin e sotëm, organizonte mbrojtjen kundër rebelëve që kishin sulmuar Durrësin. I pafrikshëm dhe mospërfillës për jetën e tij ai lëvizte pa pushim. Ishte i ekspozuar nga plumbat. Kështu, u qëllua dhe u plagos rëndë. Vrasja e tij bëri një përshtypje gjëme. Fabius e përshkruan me dhëmbje këtë moment. Ai nuk harroi të shkonte në shtëpinë e Tomsonit për të ruajtur dokumentet që ndodheshin atje. Pastaj shkoi në pallatin princëror të Vidit. Princ Vidi u trondit. Trupin pa jetë të Tomsonit e kishin vendosur në një barrelë. Në Pallat u varën flamujt në zi, ku u realizua funerali, në krye të të cilit ishte vetë Vidi. E vendosën në një vëndvarrim të përkohshëm, deri sa të vinte nga Holanda anija luftarake për ta marrë. Trupi pa jetë u mbështoll me disa flamuj holandezë, u mbyll në një arkivol metalik, që u fut në një arkivol më të madh prej druri. Kështu u rivarros Koloneli Tomson.
***
Mbretëria e shkurtër e Vidit përfundoi tragjikisht. Ajo ishte, në një farë mënyre, një krijesë artificiale e Fuqive të Mëdha. Vidi nuk tregoi vullnetin dhe përkushtimin e duhur. Ishte tip i butë, i mungonin vetitë e burrë shtetit të vërtetë. Nuk e luajti dot atë rol, që duhej në Shqipëri, si fjala vjen, mbreti Oton në Greqi. Mbas rënies së Vidit, Shqipëria pati një situatë të kuçedërshme. Por periudha 6-mujore ndihmoi në ndërkombtarizimin e emrit të Shqipërisë. Fuqitë e Mëdha nuk e mohonin dot ekzistencën e saj dhe mbretërimi i Vidit ishte, në një farë mënyre, një motiv ndëlidhës me Europën Perëndimore. Shumë dokumente janë në kancelaritë europiane, ende të pazbuluara dhe të pabotuara.
Holanda dhe Shqipëria! Para disa kohësh shkrova një shkrim për shkrimtarin e madh holandez, Harry Muliche. Më ngjan se motivi i Holandës është ringjallur. Mungojnë, pa dyshim politikanët. Mungon edhe ajo këngë që e kam dëgjuar në fëmijëri për Holandën: “Atje në Holandë, në vëndin e ullinjve.” Dikush ka thënë se duhet të ishte një lapsus: Jo në vendin e ullinjve, por në vendin e mullinjve. Dihet se Holanda ka qenë e famshme për mullinjtë e saj. Holanda i ka ende disa mullinj gjigandë të shpirtit europian që funksionojnë pa pushim: Emrin e Erazmit të Roterdamit dhe të Van Gogut. Sa herë kam qenë në Amsterdam, në urat e tij, që çuditërisht më kujtojnë Venedikun, më vjen ndër mend Ura e Dajlanit, vendi ku u vra Tomsoni. Ura e Dajlanit nuk ekziston sot. Brezat e rinj nuk e dinë atë. Por unë, tashmë i rënduar nga mosha, rikthehem përherë e më shumë në fëmijëri. Urat nuk mund të zhduken kurrë…
Retrospektia e mësipërme është ngacmim edhe nga libri i Fluturak Gërmenjit. Nëse një liber prek nervin e përfytyrimit, atëhere është një libër me kuptimin e vërtetë të fjalës. Mirë do të ishte që ky libër të përkthehej në gjuhët europiane dhe, përveç përmbledhjes në holandisht, të botohet i plotë në këtë gjuhë, gjuha amtare e Tomsonit, të cilën ai s’e ka harruar kurrë, edhe pse tani është në amëshim.
– Busti i Kolonelit holandez Tomson në Durrës –
——————————————-
(Ilustrimet i përgatiti kryredaktori i pashtriku.org, sh.b)