BEDRI ISLAMI: A ËSHTË NDIHMUAR ADEM JASHARI NGA ORGANIZATA? IBRAHIM KELMENDI: TRI ZONA TË UҪK’së JANË FINANCUAR NGA NËNDEGA E LPK NË GJERMANI

Pashtriku.org, 23. 03. 2016: /Një pyetje e herëshme: Si ishte qëndrimi ndaj Adem Jasharit dhe zonës së Drenicës?/
(Bedri Islami – B.I.)
– …) Tashmë dihet ngjarja epike e Familjes Jashari. Ka pasur gjithnjë debate në lidhje me këtë strukturë themelore të Ushtrisë sonë, zonën operative të Drenicës, që drejtohej pikërisht nga Adem Jashari. Me dhjetëra herë është thënë, po ndihmohet apo nuk po ndihmohet, ka përparësi apo nuk ka. Ka pasur edhe zëra se ai është një njeri i pabindur, disi rebel, etj. Kjo nuk ka ndodhur vetëm në kohët e fundit, por që kur ai ka filluar rezistencën e tij. Ademi ishte anëtar i rëndësishëm i Lëvizjes, do të jetë njëri nga ata që bënë presion në Organizatë për të filluar aksionet. Pas rrethimit të parë të tij dhe të bashkëluftëtarëve, mes të cilëve edhe dy vëllezërit, Rifati dhe Hamza, ka përpjekje në Organizatë për t’i ndihmuar më konkretisht. Dy drenicakë, Ramiz Lladrovci dhe Hashim Thaçi, do të shkojnë në qendrën e Organizatës dhe do të bisedojnë me Ramadan Avdiun. Kërkesa e tyre ishte: Të ndihmohet Adem Jashari! Nga katër mitraloza që kishte atëherë Organizata, njërin prej tyre do ta dërgojnë tek ai. Më pas, tre të tjerët, pra tre mitralozat e tjerë, do të kapen nga policia serbe në kontrollet e bastisjet e tyre. Edhe atëherë, kur më është besuar detyra e drejtuesit të organizatës, por edhe tash, kam pyetur: Përse nuk u dërguan të gjitha armët tek ai, qoftë edhe si strehë e sigurt.
Por, për ty unë kam tani dy pyetje brenda së njëjtës:
– E para, a është ndihmuar Adem Jashari nga Organizata, kur dhe nga kush, cila pjesë, ka qenë ndihmë e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, e rregullt apo me raste dhe,
– e dyta, cili ka qenë qëndrimi i Organizatës ndaj tij, korrekt, apo i lëkundshëm, qoftë edhe në individë të veçantë?

Adem Jashari, Rexhep Selimi, Xheladin Gashi – Plaku, Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe Hamëz Jashari, në Kullën e Jasharëve në Prekaz (1996)

(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – E kam të vështirë të jap përgjigje tepër konkrete, sepse është tematikë e ndjeshme. Së pari, më duhet të të them se pas vitit 1996 e sidomos pas ngjarjes tragjike të 31 janarit 1997, ku u vrane Zahiri, Hakifi dhe Edmondi, Adem Jashari ishte figura kryesore e luftës në Kosovë. Ka shumë faktorë pse e bënë të tillë, por, mbi të gjitha, vetë figura e tij të impononte respekt e besim. Organizata ka gjetur tek ai përsonifikimin e njeriut me virtyte të jashtëzakonshme dhe e ka mbështetur pa mëdyshje. Por ai ka qenë një njeri që i ka bërë vend vetes, si thonë shprehimisht. Jo vetëm se ishte njeri trim, por edhe i fjalës, njeri i besës, i zoti për luftë, i lindur për këtë gjë. Mbështetja e Adem Jasharit dhe e luftëtarëve rreth tij ka fillesë që në vitin 1992, ai e ka pasur këtë mbështetje fillimisht nga ata që e kanë njohur nga afër, pastaj nga strukturat e duhura.
A ka qenë e plotë kjo mbështetje, kjo duhet parë në raport me kohën, me njerëzit dhe me mundësitë.
Duke qenë bashkë me Fehmiun, qoftë në Kryesi të Nëndegës së Lëvizjes në Gjermani, qoftë shokë tepër të ngushtë, kam qenë pranë burimit të informimit të dorës së parë për Zonën e Drenicës. Qysh në vitin 1996 Kryesia e Nëndegës (së LPK’ë – sh.b) u ishte përgjigjur pozitivisht kërkesave të tri zonave të Ushtrisë sonë, kishim caktuar konkretisht njerëzit ndërlidhës, siç informova më herët:
– Sabri Kiçmarin e Ali Ramën me Zonën e Lllapit;
– Fehmi e Ramiz Lladrovcin me Zonën e Drenicës dhe,
– Xhemail Fetahun e Sali Kelmendin me Zonën e Dukagjinit.
Këto kishin ndodhur në bashkëpunim e me aprovim të Ali Ahmetit, për të cilin po besonim, se duke qenë anëtar i Sektorit të rëndësisë së veçantë, rrjedhimisht ishte edhe kompetent.
Qysh atëherë zuri të përvijohej një dukuri fraksionizmi në Sektor, rrjedhimisht në bërthamë të shtabit të përgjithshëm, që duhej të konsolidohej e mandatohej në Shtab të Përgjithshëm, meqë Ushtria nuk ishte organizatë e pavarur politike demokratike, që të votonte anëtarët e Shtabit, e as individët të vetemëroheshin për komandant. Ishte Lëvizja ajo që e kishte formuar, po e udhëhiqte politikisht, po e financonte dhe, prandaj, duhej të formonte Shtabin dhe ta mandatonte atë për komandim. Në kuadër të këtyre përcaktimeve, Lëvizja kishte formuar Sektorin e rëndësisë së veçantë, si bërthamë fillestare të Shtabit. Fatkeqësisht rrjedha nuk u zhvillua gjithnjë siç ishin planifikimet e përcaktimet, meqë Xhaviti kishte përvetësuar Azemin, ose anasjelltas, për të vepruar kokë më vete. Ndërkaq ata, siç do të dëshmohet më vonë, ose nuk ishin në gjendje t’i ushtronin përgjegjësitë (nuk kishin lidhje me zona të UÇK-së), ose nuk donin! Unë qysh atëherë, që do të thotë qysh në maj të vitit 1998, i kam akuzuar si komplotistë me fjalën e paraqitur në mbledhje të KP (Këshillit të Përgjithshëm – sh.b), fjalë që e kisha parapërgatitur me shkrim.

Tiranë, 1997: Qerim Kelmendi, Ali Ahmeti (anëtar i Sektorit të Rëndësisë së Veçantë), Ramush Haradinaj dhe Adrian Krasniqi.

Me që jemi tek kjo tematikë, që nga viti 1996 e deri kur ndodhi Epopeja e Jasharëve në Prekaz, Xhaviti e më shumë Azemi, ngulnin këmbë se Adem Jashari me bashkëluftëtarë nuk duhej të përkraheshin, sepse nuk ishin në UÇK. I cilësonin si “grup kaçakësh”, si “grup i Drenicës”. Këtë e pat shprehur me mllef vetë Xhaviti në mbledhjen e Kryesisë së Lëvizjes, në mars të vitit 1997, kur u thirra për të dhënë llogari pse po i dërgonim në zona mjetet financiare të Nëndegës dhe të Fondit në Gjermani dhe, po me mllef e në mënyrë ultimative, ju thashë se do t’ua dërgojmë, sa kohë që ata do të na kërkojnë, meqë Kryesia dhe Sektori kanë humbur lidhjet me ta, ose nuk po duan t’i përkrahin. Arsyetova se kërkesat e zonave i kishim me shkrim, me zë, përmes ndërlidhësve. Edhe aty pata thënë se për të gjitha veprimet tona është informuar Ali Ahmeti, si kompetent që ishte. Kishim ndihmën dhe angazhimin aktiv e miratimin e tij, pa ditur ende se cilat raporte i kishin ata brenda për brenda.
Me të dalë nga mbledhja me rastisi të takoj Jashar Salihun dhe Xhavit Hoxhën dhe gjithë mllef i informova, sepse doja ta kisha miratimin e Jasharit për ato veprime, meqë ishte Kryetar i Fondit “Vendlindja Thërret”. Tani mund të quhet shpërdorim, meqë ata nuk janë më gjallë, por e vërteta është se Jashari më dha të drejtë. Këtë e dëshmon bashkëveprimtaria e mëtejme, tepër e ngushtë dhe asnjëherë nuk m’u ka hidhëruar kur bëja veprime “krye në vete”, si më akuzonin Xhaviti e Azemi, e disa nga anëtarët e Kryesisë. Këta të fundit, në parim, duke i dalë në mbrojtje centralizimit demokratik, siç ishin normat statutore të Organizatës.
(Bedri Islami – B.I.) – Pas marsit të vitit 1998 do të kemi masivizim të jashtëzakonshëm të luftës në Kosovë. Si e pret Organizata këtë zhvillim të ri, ishte ajo e përgatitur apo jo? E keni mendimin se drejtues të veçantë të saj, të Lëvizjes, para marsit të vitit 1998, dhe që ishin jashtë Kosovës, mendonin se mund të drejtonin luftën nga perëndimi?
(Ibrahim Kelmendi – I.K.) – Pas Epopesë se Jasharëve ndodhi shpërthimi i kryengritjes së armatosur që përfshiu kryesisht Zonën e Drenicës dhe Zonën e Dukagjinit. Edhe Sektori, edhe Kryesia u zunë në befasi. Megjithatë, shpërthimi i kryengritjes së armatosur nuk na zuri fare të papërgatitur. Koha tregoi se strukturat e organizuara në Kosovë i qëndruan valës së parë të goditjes dhe u bënë gati për të pritur ofensivat e tjera. Pikërisht kjo parapërgatitje do të jetë edhe shkaku kryesor që rifilloi me shpejtësi të jashtëzakonshme ringritja e strukturave të luftës, tashmë në të gjitha zonat, ndodhi kthimi në Kosovë i dhjetra aktivistëve të shquar të organizatës, të cilët morën përsipër drejtimin e luftës, thuajse në të gjithë zonat. Lëvizja, si forcë politike dhe ushtarake, bëri shndërrimin e saj, ajo kaloi e gjitha në luftë, duke dhënë shembullin se, në kohë lufte, nuk ka vend dhe kohë për partizim politik.
Pra, është fakt do të thoja, se kjo periudhë, aq sa ishte edhe kthesa e madhe dhe piku i provës, aq edhe dëshmoi se puna që ishte bërë në vite, nuk po shkonte dëm. Në të gjitha këshillat popullore të Lëvizjes, kudo në Perëndim, momenti i parë i hutimit ishte shumë i shkurtër, si duket, me shpejtësi, zuri vend idea se tashmë ishte koha kur gjithçka duhej të ishte përfundimisht në shërbim të luftës. Mirëpo ndodhte edhe një paradoks. Fatkeqësisht pjesëtarët e Sektorit vazhdonin të mendonin se Ushtrinë tonë, që duhej të kishte vetëm disa dhjetëra ushtarë deri në atë kohë, do ta koordinonin e komandonin nga jashtë. Mendoj se ka pasur efekt të dobishëm, futja në Kosovë, që në mars të vitit 1998 e një grupi shokësh të Organizatës, të cilët i dhanë hov luftës. Kur me to u bashkuan edhe ushtarakët profesionistë, atëherë mendoj se filloi me të vërtetë strukturimi i UÇK-së.

(Titulli është i pashtriku.org)

(***)
– Shkëputur nga libri: (Bedri Islami “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – / Një pyetje e herëshme: Si ishte qëndrimi ndaj Adem Jasharit dhe zonës së Drenicës?/ – faqe 371 – 375)
________________________________
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 1)
IBRAHIM KELMENDI: “FEHMI LLADROVCI PARASHIKONTE FILLIMIN E LUFTËS” & BEDRI ISLAMI: “NUK E KAM KUPTUAR KU QËNDRON KOMPLOTI I XHAVIT HALITIT”
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5109
***
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 2)
BEDRI ISLAMI: KRYESIA E LPK’së NDËRTOI SEKTORIN E RËNDËSISË SË VEҪANTË & IBRAHIM KELMENDI: XHAVIT HALITI DHE AZEM SYLA NUK U DËRGONIN FINANCA ZONËS SË DRENICËS, DUKAGJINIT DHE TË LLAPIT!
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5112
***
Nga bashkëbisedimi Bedri Islami & Ibrahim Kelmendi – (Pjesa 3)
BEDRI ISLAMI: ILIR KONUSHEVCI DHE ARDIAN KRASNIQI SË BASHKU ME TË TJERË, I VUNË THEMELET UҪK’së. IBRAHIM KELMENDI: ILIRI KISHTE GOXHA ANKIME KUNDËR XHAVIT HALITIT DHE AZEM SYLËS! (FOTO ARKIVORE/
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5115
***
Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin: (Pjesa 4)
DISKUTIMI (I SHKURTUAR) I IBRAHIM KELMENDIT NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM (KP) TË LPK’së, 23 MAJ 1998
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5119
***
Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin: (Pjesa 5)
DISKUTIMI (I SHKURTUAR) I IBRAHIM KELMENDIT NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM (KP) TË LPK’së, 12 DHJETOR 1998
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5128
***
Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin” (Pjesa 6)
IBRAHIM KELMENDI: “XHAVIT HALITI DHE AZEM SYLA ISHIN KUNDËR SHKUARJES SË FEHMI LLADROVCIT NË KOSOVË” & BEDRI ISLAMI: “REXHEP SELIMI MË KA THËNË SE NE ISHIM TË DËSHIRUAR TË KISHIM NJË NJERI SI FEHMIU”/
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=5142

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura