DR.MOIKOM ZEQO: LIBËR I DËSHMISË DHE I PROTOGONIZMIT

Tiranë, 3 nëntor 2019: Ndodh shpesh, që në një gjendje të përhumbur mendore, kërkoj forca të fshehta, për të shkruar diçka për një libër, që e kam lexuar me këndellje, madje me entuziazëm, por, nuk e kam të lehtë, nuk arrij të jem i shpejtë, por i improvizuar për të shkruar përshtypjet, qoftë empirike, qoftë të abstraguara për subjektin libror, por edhe autorin.
Një rast i tillë më ndodhi në një libër dorëshkrim, që më dha për ta lexuar miku im i zemrës dhe i mendjes, Besim R Cengu.
Mund të them se shkrimet eseistike i kisha lexuar herë pas here në shtypin e printuar, por nuk e kisha menduar strukturën e organizuar në bazë të kritereve të tipologjisë dhe të kronologjisë. Besimi ka botuar libra e shkrime që unë i çmoj lart.

Një çast historik mishëronte personalitete njerëzorë, duke krijuar sinkretizimin e kohës dhe njeriut, intimitetin e ngjarjes me fuqinë e mendimit. Pikërisht ky çast historik ishte vitit 1999, që “mbartte mbi supet e njëzet shekujve” si dhe “të vitit të fundit të mijëvjeçarit të dytë”, Eposin e Luftës për Çlirimin e Kosovës.
Besim Cengu, i cili kishte qenë drejtues i informacionit i Radio Kukësit dhe i gjendur në vorbullën sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare të “ndryshimit suprem” të një Kauze, që refuzon të jetë vetëm diçka e dikurshme, e vetënishme, qoftë edhe si tragjedi e ngurtësuar, për të “kapërcyer” drejt një kuptimshmërie të re të kohës, që është “e Ardhmja e Ndryshuar”.
Libri i botuar nga autori, ka një peshë të rëndë, siç është rëndesa e tokës. Jo vetëm për brendinë e trajtimin të problemeve kulturore dhe estetike, por edhe të përdorimit të një gjuhe të zgjedhur dhe elokuente. Ky është libri i dëshmisë dhe libri i protogonizmit.
Mjafton vetëm ky libër për ta bërë të nderuar emrin e Besim R Cengut dhe për të treguar se është kërkues, gërmues, analitik dhe origjinal në shkrimet e veta.
Natyrisht autori nuk është thjesht një regjistrues faktesh, por “zbulimtar i shpirtit”. Jo rastësisht i lindur në strukturën epike të Kukësit, në trupin e maleve për të mbartur vetë gjenezën e historisë, njeri i kulturuar dhe me dituri të admirueshme, me pasion proverbial për gjuhën amtare dhe letërsinë shqipe, Besim R Cengu e ka krijuar koleksionin e shkrimeve të tij, duke qenë “vetvetja për të tjerët”, i përkushtuar për bashkohësit, i pakursyer për shkrimtarët dhe poetët, pa kërkuar asnjë lavdi për veten, përkundrazi “duke dhënë gjithçka të vetes në pambarim”.
Të gjitha ç’ka artikulova më sipër, e përbëjnë një grixhë mendimesh, që tregojnë njohjen time për Besim R Cengun, madje dhe përtej njohjes vetiake.
Megjithatë, për të qenë i sinqertë, nuk e pata të lehtë për të shkruar menjëherë dhe me ngut një Parafjalë të shpejtë dhe përfaqësuese.
Mu desh ta rilexoj librin me titullin e pazakontë “Fjala si algjebër semantike”, një titull që ka shumë abstragim.
Ky libër përbëhet nga tre pjesë të tipologjizuara.
Në pjesën e parë, autori Besim Cengu synon për të kuptuar pikërisht ndërlikimin e realitetit të sotëm, ndërsa moda e zhveshjes së miteve, në vend që ta qartësojë, ndodh që e mjegullon ose e mistifikon. Esetë ku ngre probleme aktuale të artit të shkrimit në përgjithësi, kulturës së gjuhës shqipe etj.
Besim Cengu, është një studiues i mirëfilltë.
Ai hulumton dhe “kurracohet” brenda historisë së letërsisë, përgjithësisht kulturologjisë. Por ai ka përzgjedhur zhanrin më të vështirë dhe më të ndërlikuar, atë të esesë, duke u zhvendosur nga tradita e artikulimit analitik, që vetëm citon dhe komenton.
Pikërisht, Besim R Cengu e lëvron eseistikën me sukses të plotë. Kjo duket qartë kur ai shkruan për Pjetër Bogdanin si poet, posaqërisht, për Migjenin, shkrimtarin emblematik të letërsisë universale.
Këto ese shprehin kulturën, por edhe sensin e hollë estetik, dashurinë dhe përkorjen, “kirurgjinë konceptuale”, për të bërë ballafaqimin e metaforave dhe të ideve, duke rindërtuar kësisoj profilet e dy njerëzve gjenialë si Pjetër Bogdani dhe Migjeni.
Një nënndarje e dytë e titulluar “Tipare dhe tipologji të prozës bashkëkohore”, krijon dimensionimin e disa eseve të tjera ku do të përmendja, shënimet për Musine Kokalarin, optikën qartësuese mbi romanin e Jusuf Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, kushtuar dijetarit Gjon Nikollë Kazazi, që ka meritën e befasishme dhe të patjetërsueshme për zbulimin epokal të librit të parë në gjuhën shqipe të Gjon Bdek Buzukut.
Por njëkohësisht nuk duhen harruar as vëzhgimet eseistike për krijimtarinë e Nexhat Çoçajt, Shefqet Dibranit (të librit të tij në letërkëmbimin me poetin e shquar Agim Spahiu), për prozën e Petrit Palushit, apo dramat e autorëve Bilbil Hereni dhe Remzi Ademaj (i cili qe udhëheqës dhe ideator i luftës së Kosovës, por edhe shkroi dramën “Hana”, i cili u vra në pritë nga regjimi serb më 15 gusht 1998).
Po kaq interesante dhe reflektuese është edhe pjesa e tretë e librit, që titullohet “Poezia, dritë e flakës së ndezur në udhë”. Analizë serioze dhe vështrim i thellë për krijimtarinë e Migjenit, këtij poeti gjenial që hapi udhë të re në opusin krijues kombëtar. Mjafton të lexosh esetë për poetët e tillë si Bajazit Cahani, Dedë Shkurti, Trëndafile Visha, Servet Bytyqi, Bislim Axhami, Demir Reshiti etj, për të kuptuar një ndjesi qendërzuese të Besim R Cengut për të reflektuar mbi një variant antologjik të poetëve të trevës verilindore të Shqipërisë për të treguar qoftë edhe në detaje disa nga karakteristikat e tyre, që padrejtësisht shpesh mbulohen ose janë mbajtur në harresë.
E rekomandoj leximin e këtij libri të suksesshëm të Besim R Cengut.
Nuk është aspak një libër i thjeshtë, apo formal, por është një libër i vërtetë dhe substancial për autorin.
Duke e parë edhe me syrin e një kriticizmi profesional dhe artistik, do të doja që në përgjithësimet e tij estetike, Besim R Cengu të shkruante në të ardhmen edhe për autorë të tjerë të rëndësishëm të letërsisë tonë, sidomos për shkrimtarët me emër por pak të studiuar të Kosovës.
Unë e përgëzoj autorin për stilin e tij të përpunuar dhe lakonik.
Jam i gëzuar për inteligjiencën dhe prirjet e tij të holla, herë herë të papritura, duke bërë edhe intrigimin e vëmendjes së lexuesit për ta bërë që të lëvizë mendimi i tij për të shkundur plogështinë dhe banalitetin e ditës.
Esetë e këtij libri vërtet mund të semantizohen “si algjebër mendore”, por në të vërtetë këto ese tregojnë shikimin zhbirilues, të guximshmën, për të gjetur dhe kuptuar sekretet e poezisë dhe prozës dhe atij rendi simbolik të fjalëve, i cili lëviz, zhvillohet dhe transformohet periodikisht sipas një algoritmi të fshehtë të vetë mbijetesës së fjalëve në shekuj.
Moikom Z.
Tiranë; më 02 Korrik 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura