DR.MOIKOM ZEQO: PËR NJË PARADIGMË TË RE TË NJOHJES DHE HUMANIZMIT

Tiranë, 31. 10. 2014 – Libri me i ri i Profesor Servet Pëllumbit Kultura filozofike dhe misticizmi, përbën një shtjellim dhe sintezë që lidhet me shqetësimin dhe hulumtimin e procesit në mijëvjeçarë të njohjes njerëzore. Bëhet fjalë për dy mendime të përgjithësuara, si mendimi mitologjik dhe mendimi shkencor. Mendimi mitologjik, siç e ka treguar Cloude Levi Strauss, Mircea Eliade dhe James Freyzer ka lindur që në ftillëzimet e Homo Sapiensit dhe të antropogjenezës, pra, që në prehistori dhe në matriarkat kur ky mendim mitologjik shumëfizohet si politeizëm pagan dhe në patriarkat dhe më pas në formën e feve monoteiste. Animizimi, shpirtizimi i dukurive natyrore bën që njeriu primitiv të krijojë botën virtuale të misticizmit, një botë simbolike dhe përherë të dyzuar, ku vetë qenia njerëzore bëhet e varur nga përfytyrimi dhe imagjinata e saj. Por, që në gjenezë mendimi ka edhe zhvillimin e arsyes e të zbulimit dhe kështu zanafillohet mendimi shkencor.
Mendimi mitologjik dhe ai shkencor kanë ecur paralelisht duke patur përherë ndryshueshmëri raportesh dhe pozicionesh me njëri-tjetrin. Mendimi i përballur dhe i vërtetuar nga faktet është quajtur që në fillim si natyroro-filozofik dhe filozofët antikë ishin njëkohësisht edhe dijetarë. Më pas mendimi filozofik artikulohet si disiplinë e veçantë, si një dije e dallueshme, që në lidhje me shkencat paraqitet si çështje themelore botëkuptimore, që merret me çështjet e raportit të mendimit me qenien, e shpirtit me natyrën dhe shoqërinë. Por edhe mendimi filozofik nuk paraqitet unik, por me një dikotomi midis dy shkollave: idealizmit dhe materializmit.

 

– Profesor Servet Pëllumbi –

Filozofi anglez Bertrand Russel është shprehur se filozofia qendron midis teologjisë dhe shkencës: lufta midis teologjisë dhe shkencës e ka një “tokë asnjanëse”, “një realitet të tretë”, që është pikërisht filozofia. Por kjo ide është e thjeshtëzuar dhe një klasifikim mekanik, sepse filozofia është një dije njerëzore që e ka objektin e saj të studimit: pikërisht të përgjithësimit dhe të saktësisë dhe të dialektikës të vetë të menaxhuarit, për të bërë sinteza botëkuptimore të enigmave dhe të arritjeve shkencore.
Njerëzimi ka krijuar një kulturë filozofike të madhe dhe të mahnitshme dhe kjo traditë nuk mund të shuhet dhe nuk mund të shmanget. Në shekullin e XXI, me epokën që ne e quajmë si epoka post-moderne ku revolucioni teknologjik dhe kibernetik ka arritur në nivele të epërme, madje të pabesueshme vihet re edhe ajo që quhet kriza e filozofisë.
– A është më e nevojshme dhe orientuese në filozofi?
– A duhet kultura filozofike?
Kjo është premise kryesore e librit të Profesor Servet Pëllumbit. Paradigma e kulturës filozofike dhe misticizmit është analiza e një krize universale dhe të gjithëmbarëshme. Është kriza ballafaquese e vlerave me antivlerat. Ja, pse duhet kultura filozofike: për të saktësuar dhe për një ekuilibër të qartë të mendimit të shëndoshë e mbijetues.
Autori i librit, me një dituri të gjerë dhe me instrumentin e referencave shkruan substancën e arsyetimeve sipas disa sytheve (kapitujve) si:
– Mendimi i ri dhe inercia e së vjetrës;
– bota nën qerthullin e “përplasjeve” të qytetërimeve (dhe feve të mëdha);
– tiparet e misticizmit të sotëm;
– antiutopitë dhe “idetë e çmendura”;
– bota e hapësirave pa brigje të kibernetikës dhe universi virtual;
– “profetët”, shkencëtarët dhe astrofizika;
– fitoret e mëdha shkencore;
– të dy matricat social-kulturore, dmth feja dhe shkenca;
– filozofia e kulturës në perspektivën e filozofive komperative etj.
Autori i librit beson tek filozofia e etikës si një kushtetutë e së ardhmes, ku njeriu do të jetë masa e të gjitha gjërave, tek kultura e vërtetë si krijuese e kuptimshmërisë së jetës. Pikërisht në historinë e feve të mëdha dhe tek figura të tilla si Zarathustra, Buda, Krishti, Muhameti heton dhe strukturon një etikë të vetë njerëzimit si diçka primordiale, shprehimisht të vijueshme për humanitetin e qenies dhe historisë.
Ndaj Profesor Servet Pëllumbi mendon se edhe problemet politikologjike të demokracisë e kanë kusht ekuacionin politika nuk duhet shkëputur nga morali. Të shumta janë përsiatjet për gjetjen e së vërtetës në kushtet e sotme kur misticizmi i vjetër është fuqizuar nga misticizmi i ri në kaosin informativ, kur njeriu tjetërsohet dhe shndërrohet në një banor WWW-je dhe gjoja humbasin identitetet përcaktuese por edhe ato që quhen rrëfimet e mëdha të njerëzimit siç thotë filozofi freng Jean Baudrillard kthehen në një simulacrum, pra në një kopje të kopjeve ose në një eskatologji negative (sipas Francis Fukuyama). Një tjetër filozof si Michel Foucault, që në 1984 ka bërë thirrje për një ridimensionim të iluminizmit të ri, për një rilindje të mendimit.
Autori i njohur edhe si personalitet publik dhe politik, është ndër të rrallët që përherë i ka dhënë rëndësi teorisë, teorisë së një demokracie autentike dhe e një politike të emancipuar. Por thelbi i librit rikthen atë që thamë më sipër: paradigmën e kulturës filozofike dhe misticizmit dhe me të drejtë lartëson kulturën filozofike si një domosdoshmëri jetike. Nëse ka një “krizë” të filozofisë, kjo nuk do të thotë se nuk janë premisat latent dhe të patjetërsueshme të një rilindjeje filozofike.
Libri në fjalë plotëson koleksionin e librave të Profesor Servet Pëllumbit dhe është një rritje cilësore dhe serioze e profilit të tij si filozof dhe veprimtar politik, si njeri dhe studiues.

– Njëra nga veprat e Prof.Servet Pëllumbit –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura