Tiranë, 25. 05. 2016: Në 80 vjetorin e lindjes së personalitetit të jashtëzakonshëm Rexhep Qosjes – që për çudi dhe turp nuk po festohet fare as në Shqipëri dhe as në Kosovë, po ribotojmë disa shkrime të Dr.Moikom Zeqos të viteve 1991 – 1994 kushtuar këtij intelektuali të shquar, të cilat në vitin 1994 u përmblodhën në librin me titull: “REXHEP QOSJA DHE ÇËSHTJA KOMBËTARE SHQIPTARE.”
***
NJERIU I KOHËS DHE KOHA E NJERIUT
Epoka e divorcit ka nofulla kimere
Migjenit i rritet e Rexhep Qoses mjekra
Kompjuterat e gëlltisin poetin me nofulla gërme
e qentë në gazeta… ja lëpijnë eshtrat!
Kam lexuar dhe rilexuar këto ditë librin e Rexhep Qoses “Populli i ndaluar”, (Prishtinë 1990)
Vëmendja e tendosur, shumëfishimi i pamjeve, akribia e analizave, shqiptarësia e patjetërsueshme, të tëra së bashku, ravizojnë profilimin e Njeriut të Kohës. Rexhep Qosja është padyshim Njeri i vërtetë dhe i madh i Kohës.
I kujt kohe? Vetëm i Kohës së Njeriut, i kohës së lirisë, që parakupton sa lirinë e individit aq dhe të kombit.
Mund të thuhet, se Rexhep Qosja, si rrallë kush, është dimensionuar me jetën e tij vetjake prej intelektuali tribun në tragjedinë dhe fatet e kombit shqiptar.
Më 25 qershor të këtij viti Qosja mbushi 55 vjetorin e jetës së tij.
Nuk është një zakon rutinor, as gjest ceremonial për të përshëndetur jubileun kuptimplotë të njërit, nga njerëzit më të mëdhenj të kombit shqiptar të të gjitha kohërave.
Në vend të një letre, apo të një telegrami përshëndetës preferoj të shpreh disa mendime për këtë personalitet të rrallë, për të cilin trimëria intelektuale është metafora e ndritshme dhe shprehëse e dinjitetit kombëtar.
Popull i ndaluar! Një titull i jashtëzakonshëm, një titull, që shpreh një të vërtetë nga më të rëndat dhe më paradoksalet në Evropën e sotme të qytetëruar. Nuk është fjala vetëm, për të treguar, se shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera në Jugosllavi i janë nënshtruar një verdikti dhe një anateme inkuizicioniste. Ata janë shpallur një popull i ndaluar, të përjashtuar nga statusi kushtetues, të mohuar nga liria, të ofenduar përbindëshist.
“Shpirti i Vlladan Gjorgjeviçit është ringjallur në trajtën më të panjerëzishme”, shkruan në mënyrë lakonike Qosja. Edhe fjala, për shovinizmin më të tërbuar të kontinentit, shovinizmin serb, i cili tenton të fabulojë histori të rreme, shqiptarofobe, ku liria është një tabu ekzistenciale, një aparteid mendor, ndërsa serbokroacia është gjithçka.
Rexhep Qosja është një intelektual i fuqishëm. Zëri i tij është zëri i ndërgjegjes së shqetësuar kombëtare. Ai me dinjitet të pazakontë demaskon filozofinë fashistoide dhe vampirizmin politik të shovenëve, që i tremben me tmerr lirisë dhe të drejtave të kombit shqiptar, ashtu si Drakulla, që i trembet dritës.
Rexhep Qosja, duke qenë një krijues dhe studjues i formatit evropian ngre problemet tragjike të popullit të vet, duke i ndërkombëtarizuar sepse njohja e së vërtetës është një nga shprehjet autentike të lirisë, jo vetëm, për një popull, por për tërë bashkësinë e popujve. Në këtë mënyrë, duke luftuar për emancipimin e kombit shqiptar Qosja reflekton kudo.
Mund të thuhet se masa e emancipimit të shqiptarëve, dhënie e lirive dhe e të drejtave, që i takojnë është dhe masë e emancipimit të vet popujve evropianë.
Pse e them këtë? Jo, për të mohuar nivelin e arritur të emancipimit të Evropës, por për të thënë, se pikërisht ky emancipim vihet në gjendje paradoksale dhe penguese, përderisa popullit shqiptar, që jeton në Kosovë dhe në viset e tjera të Jugosllavisë nuk i ka arritur të drejtat e tij më elementare, pa të cilat, nuk mund të ekzistojë dhe denatyrohet vetë vizioni i Evropës së ardhme të Bashkuar.
Rexhep Qosja nuk bën një retorikë të instrumentalizuar të ditës, ai nuk është prestigjator i bujshëm i iluzioneve politike.
Përkundrazi ai shpall kudo të vërtetën, ashtu siç është demaskon monstruozitetet, terrorin psikik, dhunën verbale, tërë regjizurat e sofistikuara të skenarëve të përgjakshëm dhe të llahtarshëm antishqiptarë.
Ai flet me fakt në atë kuptim, që është dhe vetë mishërimi i personifikuar i fakteve. Është plotësisht i ndërgjegjshëm për misionin e madh por dhe tejet të vështirë.
Nuk i frikësohet pasojave. Nuk i intereson fati i tij vetjak. Prej kohësh ai nuk mendon dhe vepron si individ, por si një ndërgjegje kombëtare.
Te ky njeri i vetëm ka një kolektivitet të habitshëm popullor. Tek ai, mbijetojnë fjalët shqipe të Bogdanit dhe të Nolit, të Naimit e të Ismail Qemalit, gjithçka, që formulon qartë dhe pa asnjë dyzim Testamentin e vetëm të pafallsifikuar të shqiptarësisë, të çështjes kombëtare.
Ky testament është për Qosen gjaku dhe mendimi, jeta dhe pavdekësia.
Rexhep Qosja nuk di të heshtë. Heshtja për të është statusi i skllavërisë mendore, që është skllavëria më e keqe nga të gjitha skllavëritë.
Qosja është luftëtar i denjë. Një luftëtar i Fitores. Për të disfata është gjithashtu një status i skllavërisë, diçka e tejkaluar përgjithmonë. Dituria e tij polivalente e bën të sigurtë, të qartë, të pakundërshtueshëm, përherë fitimtar. E pra, beteja është e llahtarshme, një nga betejat më të çuditshme dhe më të egra, që janë bërë ndonjëherë në fushën intelektuale në këtë fundshekull. Pa qenë i kompletuar me dituri dhe pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore, nuk mund të bësh sfidë dhe të marrësh pjesë në këtë duel të përbindshëm.
Është fjala për të përballuar, shpeshherë dhe i vetëm, një mitologji të egër të mas medias, që është krijuar për shqiptarët, mitologji, që vetkupohet ka kuçedra dhe kimera të gjalla politike, që e kanë persekutuar popullin shqiptar e kanë konstruktuar për të një ferr asgjësues dhe një strategji të destruktimit dhe të zhdukjes së njeriut shqiptar në përgjithësi.
Me qindra politikologë, pseudodijetarë, shkrimtarë delirantë, të shpërfytyruar nga paranoja e shovinizmit, kanë botuar libra të pafund, ku në formën e alibive shkencore kërkojnë ta paraqesin karakterin dhe tipin shqiptar, ashtu siç e kanë paraqitur antropologët dhe etnologët e parë kolonistë mentalitetin primitiv e prapambetjen e fiseve autoktone në Guinenë e Re dhe Kaledoninë e Re në shekullin XIX.
Qosja e sulmon dhe e ç’vlerëson tërë këtë butafori, duke vërtetuar, se atentatet ndaj kulturës e ndërgjegjes kombëtare shqiptare ndaj qytetërimit iliro-shqiptar janë aq të shëmtuara, sa që, kulti i shpifjes, brutaliteti dhe asgjësimit total është kulti i vetëm i shovinizmit.
Qosja e ngre kulturën e vendit të vet, sepse e di, që albanofobia është parathënia e zhdukjes së vetë kombit.
Gjuha totalitare dhe e egër e Sllobodan Milosheviçit nuk tregon forcë dhe arsyetim, por delir dhe frikë. Qosja i kupton në thelb tërë ata politikanë dhe pushtetmbajtës, të cilët ashtu si Nostradamosi bëjnë horoskopin e Kosovës, duke përfunduar në profecinë e zhdukjes së të gjitha të drejtave të saj, jo vetëm, të drejtave kushtetuese, por edhe të drejtave më të mirëfillta njerëzore.
Qosja është parë gjithashtu mendimtar, një eseist i shkëlqyer. Ai nuk i përket asnjë partie politike, sepse mbi të gjitha politikat është kombi.
Ai thotë qartë: “me politikë kurrë nuk jam marrë, politikës kurrë nuk i kam takuar. Dhe nuk i kam takuar politikës, sepse kam dashur t’i takoj popullit tim, jo për një kohë, por përgjithmonë”.
Në fakt ai i beson vetëm një filozofie politike: sistemit të dijeve kombëtare, të vërtetuar në shekuj, që janë testi i ndërgjegjes së vërtetë të njeriut shqiptar, për të cilin liria është dinjitet dhe dinjiteti është gjithashtu liri.
Qosja hedh tutje tërë mbishtresat politike, tërë truket e neveritshme të politizimeve të shumta dhe të rrezikshme, me të cilat është mbushur jeta sot. Ky mendoj është një mesazh i pamohueshëm konkret, që duhet ta dëgjojnë, që të gjithë. Përndryshe, ne shqiptarët, do të biem pre e gënjeshtrave të reja, instrumentalizimeve politike të fjalës e duke u çliruar nga kultet e vjetra, do të robërohemi nga kultet e rinj, duke mbivlerësuar të tjerët do të përjetësojmë nënvleftësimin tonë. Është ora historike për ta kuptuar përfundimisht këtë gjë.
Duke perifrazuar Migjenin, ne s’duhet të humbasim më në lojën e përgjakshme të historisë njerëzore.
Për Rexhep Qosen demokracia dhe liria janë ajri i mushkërive të mendimit, të ekzistencës së kombit. Çështja jonë kombëtare vërtet është e komplikuar, por mbi të nuk rëndon përjetësisht fataliteti. Qosja e di se ndarja me një moskomunikim të pashembullt të dy pjesëve të të njëjtit komb, sikur ato të ekzistonin veç e veç, në dy planete të ndryshëm, është vetëm një absurditet i qëllimshëm i kobshëm, politik, një formulë arkaike e padrejtësisë, së vetme në llojin e vet, që ka sot për sot Evropa, që theksohet akoma më tepër, sidomos, mbas prishjes së murit të Berlinit, që krijoi simbolikën e re politike shpresëdhënëse të Europës së ardhme.
Sa shumë jetë, sa shumë fate, sa shumë tragjedi, sa shumë liri dhe sa shumë shpresë ka në jetën e një njeriu të vetëm si Rexhep Qosja.
Në 55 vjetorin e tij ka të drejtë ai për të bërë një sfidë edhe ndaj moshës. Madje, të duket se ai, më shumë se kurrë ka fituar një rinim të çuditshëm, që pak kush e arrin, që vetëm njerëz të rrallë kanë të drejtë ta gëzojnë. Dhe megjithatë për Qosen dhe ky rinim nuk është pronë e vet, por e të tjerëve.
Për intelektualët e mëdhenj ndodh gjithmonë dukuria e mrekullueshme: sa më shumë që japin, aq më shumë fitojnë, egoja e tyre vetiake humbet, sepse ata bëhen alter egoja e popullit të vet.
Tiranë, 26 qershor 1991
***
Çfarë është Shqipëria sot?
Një klithmë e thekshme e Dhimbjes?
Një ëndërr kimerike?
Një Shpresë përtëritëse e së Ardhmes?
Mes apostrofimeve të vërteta apo të rreme të kohës ngrihet emri i ndritur i Rexhep Qoses. Ky emër ka të mbrujtur logjikën e pakundërshtueshme të historisë, dinjitetin, (për fat të keq kaq shumë të mohuar!) krenarinë naimiane të të qenit shqiptar.
Në momentin e emergjencës historike, kur vargu i psalmit të Davidit “Abisus abisum invocat”, (“Humnera humnerën thërret”), duket se po bëhet një realitet fatal, njerëz të pafrikshëm e seriozë si Rexhep Qosja, dinë të sfidojnë si askush. Dinë të konstruktojnë optimizmin konceptual, etik, besojnë tek e Ardhmja e kombit, te plotfuqishmëria e ndërgjegjes kombëtare.
Qosja, ky korife i inteligjencës shqiptare, i nivelit ballkanik e europian, dëshmon shkëlqyeshëm, se kombi është mbi partitë dhe jo partitë mbi kombin, se Demokracia është dimension human, pajtim e bashkim kombëtar, kurse Anarkia është tmerri i kuçedërshëm dhe alibia e mafias antikombëtare, se mençuria dhe forca autoritative e arsyes është një betejë e të gjithëve, që duhet fituar me çdo kusht, se shansi historik nuk duhet humbur, për një pjatë thjerrëza, se vampirizmi politik ndaj shqiptarëve do të dështojë, se shqiptarofagitë e shovenëve të Ballkanit nuk do të kenë sukses. Të jesh ndërgjegjja erazmike e shqiptarëve, të mos përkulesh, të jesh fisnik në sakrifica, larg pozave të politizuara të heronjve të mas medias, të jesh i thjeshtë e largpamës, i palëkundur në qëndrime e në strategjinë e fitores, do të thotë, të jesh Rexhep Qose.
Të jesh me të do të thotë të jemi së bashku!
Përshëndetje Rexhep!
Shqiptarët nuk vdesin kurrë!
Tiranë, 10 janar 1992
***
Secili të flasë për turpin e vet
Bibla
Si një konfirmim, për analizën dualiste të situatave politike shqiptare, gazeta pushtetare RD botoi, më 17 tetor, një paskuil të vëllimshëm, të sforcuar, kontrovers, të (ish) shefit të sektorit politik të ZP, (ish) komunistit Bashkim Trenova.
Stili primitiv, i mjerë, tautologjik, kopjonte stilin e dikurshëm të artikujve punistë kundër revizionizmit, me nëntituj pompozë, me zellin e spikatur e bile të ngutur për demaskimin “asgjësues”, pa asnjë kompromis.
Rexhepofagu B. Trenova ka zbuluar (sic!?), Makbethin e çështjes tonë kombëtare, dmth akademikun prof. Rexhep Qosen.
Sharjet e panumërta, pezhorativat banale etj., tentojnë të bëjnë një autodafe të Qoses, Satana antikomb, kryearmiku i shqiptarëve të të gjitha kohërave.
Sipas komunikuesit dhe anatemuesit ka dy Qose brenda një njeriu të vetëm: një burrë të madh të letrave shqipe, me shkrime të një “rëndësie të veçantë”, që përbëjnë një “kontribut të jashtëzakonshëm”, në kulturën shqiptare, pra, të thelbit të kombit dhe një tjetër Qose, dvojnik, sozie djallëzore, qenie kriminale, me të gjitha atributet e nënnjeriut, kanibalit, agjentit, të Bishës së Apokalipsit të demokracisë berishiane.
Po kush do mbetet në histori?
Qosja i parë, apo Qosja i dytë?
Qosja i dytë e ka gëlltitur Qosen e parë dhe kështu arrijmë në teorinë e parapëlqyer të Zeros, të asgjësimit, ose të vetasgjësimit.
Nëse, Qosja i parë është një intelektual i jashtëzakonshëm shqiptar, si dhe në nivel europian, Qosja i dytë është shkërbeu mostër, vampiri Drakula i shqiptarizmës.
Nëse, Qosja i parë është një emër i madh i nderit, Qosja i dytë është një emër i dyshimtë i turpit.
Nëse, Qosja i parë është ithtar i Naim Frashërit, Qosja i dytë është agjenti i fshehtë dhe njëkohësisht publik i fashistit Milosheviç.
Nëse, Qosja i parë është shqiptar, Qosja i dytë është serb, domethënë, Qosiç.
Nëse, Qosja i parë do të mbetet përherë i tillë për kombin, Qosja i dytë do të përjetësohet kuçedërshëm e shumta për disa, të cilët pretendojnë se janë gjithçka.
E gjithë kjo, është kaq perverse dhe idioteske sa njeriu normal, i çliruar nga dhuna e propagandës partiake, vetëm mund të qeshë e madje të gajaset.
Po megjithatë, serioziteti i së vërtetës, që mbart kjo çështje është tejet i rëndë, bile llahtarisht paradoksal.
Kjo tregon bindshëm, qartë, raportin shtrëngues të pushteteve me lirinë, se si është, kur nuk duhet të ishte, siç është, po krejt ndryshe.
Shtypi zyrtar e mbiquan veten pronar të së vërtetës analitike dhe të lirisë së shtypit, pra, shtypit jo zyrtar, opozitar, ose të pavarur, i mbetet të jetë në statusin e nënshtypit, të dorës së dytë, të shtypit shërbyes, të shtypit maxhordom, të shtypit puthadorës, të shtypit… që s’është shtyp.
Atë, që e shkruan pena nuk e pret dot sopata, thotë një maksimë e lashtë.
Asgjë, nga ato, që janë shkruar nuk do të mund të fshihet, ose të asgjësohet, qoftë dëshmitë e nderit, qoftë të turpit.
Së fundi, dua të kujtoj një shembull historik të këtij shekulli.
Askush më shumë se filozofi e shkrimtari i madh francez Zhan Pol Sartri nuk e ka kritikuar më ashpër Presidentin De Gol.
Po, megjithatë, ky President e vlerësonte shumë lart Sartrin, me urdhër të tij i qenë shpërndarë tërë policëve të Francës fotografia e Sartrit, për ta njohur, me urdhrin suprem, që në asnjë mënyrë të mos arrestohej, as të prekej, sepse Sartri ishte megjithatë sipas De Golit “nderi i Francës dhe i epokës”.
Tiranë, 17 tetor 1993
KUSH E KA IZOLUAR REXHEP QOSJEN
Në Prishtinë jeton i izoluar në shtëpinë e tij Rexhep Qosja. Ky është një simbol shumëkuptimësh, një simbol tipik, i jashtëzakonshëm i izolimit.
Rexhep Qoses i kanë marrë pasaportën dhe është dënuar për tre vjet të mos udhëtojë jashtë Prishtinës.
Autori, që shkroi metaforën tragjike të Popullit të Ndaluar, është vetë, kështu, një Njeri i Ndaluar! Kemi një identifikim të çuditshëm. Një përputhje të plotë. Një përfaqësim universal. Një tretje dhe ngjizje të individit dhe kombit.
Rexhepi është i Ndaluar, sepse dhe Kosova është e Ndaluar – Rexhepi është i izoluar, se edhe Kosova është e izoluar. Rexhepi persekutohet, se edhe Kosova persekutohet!
Rexhepi vuan se Kosova vuan.
Ky (s)’është një precedent europian!
Po kush e ka izoluar Rexhep Qosen?
Janë ata, që e kanë izoluar vetë Kosovën!
Për këtë izolim janë të interesuar shqiptarofobët serbë, shovinistë.
Po tjetër? A ka të tjerë që gëzohen nga ky izolim? Padyshim, që ka! Për këtë izolim janë të interesuar edhe segmente të caktuar të politikës në Shqipëri dhe në Kosovë. Arsyeja e kësaj mosarësyeje absurde? Kushti i tmerrshëm për t’i mbyllur gojën Rexhep Qoses. Për të kufizuar në maksimum ndikimin e tij autoritativ në mjediset shqiptare, po edhe ndërkombëtare. A ka një kombinim, një marrëveshje infernale të tërë atyre, që janë të interesuar, për ta mbyllur këtë burrë të fortë në një vetmi të detyruar, në një moskomunikim të rëndë? Këtë unë nuk e di. Por parandiej, se nuk është aspak e thjeshtë ideja makabre dhe realizimi qesharak i këtij izolimi.
A kanë protestuar Komitetet e të Drejtave të Njeriut Komunitetet e Helsinkit në Kosovë dhe në Shqipëri për këtë ngjarje të pashembullt?
Më kujtohet, se para ca kohësh, Rexhepi ka thënë, se Komiteti i Helsinkit në Kosovë ka protestuar edhe për burgosjen e shkurtër së Vuk Drashkoviçit, po nuk ka patur kurajë qytetare dhe njerëzore të protestojë për burgosjen haluçinante të Fatos Nanos në Shqipëri. Ky shembull tregon shumë. Është tepër shprehës. Tepër zbërthyes për të vërtetën që mbart.
Kush ka protestuar në Shqipëri për represionin ndaj akademikut dhe personalitetit kombëtar Rexhep Qosja?
Shqipëria është shtet sovran. Ka institucione. Ka president. A ka protestuar Berisha? A është shprehur publikisht për këtë gjë?
Shqipëria ka mundësi, që me anë të kanaleve diplomatike, me anë të institucioneve dhe organizmave ndërkombëtarë të protestojë e të sensibilizojë opinionin e Europës dhe të SHBA-së për sfidën primitive që i është bërë Rexhep Qoses në Prishtinë.
Jo Shqipëria, po ata, që sot e përfaqësojnë Shqipërinë, heshtin.
Po heshtja është miratim. Është cinizëm. Është pabesi. Është imoralitet i paharruar ndaj Rexhep Qoses.
Rexhep Qosja po përjeton fatin e popullit të vet. Ky nuk është turpi, po nderi i tij. Nuk është veçim nga populli, po bashkim në thelb me popullin.
TVSH hesht. Shkrimtarët dhe akademikët shqiptarë heshtin. Asnjë miting. Asnjë manifestim pro Rexhep Qoses, për OKB dhe Këshillin e Europës. Akademikët dhe intelektualët e Europës heshtin, se nuk kanë informacion, se pikërisht, në fundin e shekullit XX, një njeri i fuqishëm i racës së tyre krijuese është pa telefon dhe pa pasaportë. Është një lloj personazhi ovidian brenda vendit të vet. E kanë ofenduar si askush. E kanë persekutuar. I kanë përgatitur një linçim intelektual. E kanë rrethuar me dezinformim keqdashës, duke e kthyer padashur në një klandestin të shenjtë të kombit shqiptar.
Ky klandestin i patrembur është i tillë për armiqtë e shqiptarëve. Po jo, për vetë shqiptarët.
Ai ka bërë shumë për bashkëkombësit. Pra meriton, që edhe bashkëkombësit të bënin diçka për të.
Po secili përgjigjet për veprimet e tij.
Secili konstrukton turpin, apo nderin e jetës.
Historia regjistron gjithçka. Heshtja është e gënjeshtër. Indiferenca është e rreme. Alibitë janë të përkohshme.
Jo Rexhep Qosja, po të tjerë janë të izoluar.
Bumerangu i izolimit kthehet te ideatorët e izolimit.
Viktimizuesit bëhen vetë viktima.
Po diçka e keqe – shumë e keqe, është arritur. Mekanizmi i poshtërisë ka funksionuar verbërisht.
Në këto momente tepër delikate të historisë ata që kanë frikë nga fjala e Qoses kanë mundur me stërmundim dhe ekstremizëm, që ta bllokojnë disi këtë demijurg rebel të gjuhës shqipe.
Ani, Rexhep! Le të vetëkënaqen këta mazohistë të pandreqshëm me iluzionin e tyre pervers!
Ti je gjallë! Librat e tu janë të pavdekshëm.
Po më kryesorja është populli që nuk asgjësohet dot kurrë! Ky është dhe kriteri i mbijetesës tënde, o Rexhep Qosja me halle të mëdha, po edhe me shpresa vigane.
Përshëndetje, o trim i mençur!
Durrës, 5 korrik 1994
NË VEND TË PASTHËNIES PËR LIBRIN “REXHEP QOSJA DHE ҪËSHTJA KOMBËTARE SHQIPTARE “
J’ai vu des archipels sideraux! et des iles
Don’t les cieux delirants sont ouvert au vogueur:
– Est-ce en ces nuis sans fonds que tu dors et t’exiles
Million d’oiseaux d’or, future Vigueur?
Arthur Rimbaud “Le bateau ivre”*
Shkrimet e këtij libri nuk kanë karakter të mirëfilltë doktrinar. As nuk pretendojnë të jenë thjeshtë një sfidë.
Janë një shqetësim i gjallë, përvëlues. Një shpresë midis Apokalipsit dhe Mbijetesës.
Bashkimi Kombëtar i shqiptarëve është prova e emancipimit, purgatori i tyre, shmangia e kushtueshme e iluzioneve dhe naiviteteve, e mitit të dyshimtë të politikanëve të sotëm.
Kombi shqiptar i ngjan një centauri haluçinant në rrafshin ballkanik dhe europian.
Atë që nuk e bëjnë dot politikanët, shpresoj ta bëjnë shkrimtarët dhe intelektualët, si dhe vetë gjuha e pashpërbërëshme dhe e plotfuqishme shqipe, kultura e identitetit, kapërcimi i krizës dhe realizimi vizionar.
Duke u mbështetur më tepër te të tjerët se sa te vetvetja shqiptarët po vonohen përsëri.
Të instrumentalizuar nga politikat e mëdha globale, ata rrezikojnë të mos respektojnë vetveten, të viktimizojnë historinë e tyre, të deformojnë dimensionin e së ardhmes.
Ky libër lidhet me emrin e Rexhep Qoses jo rastësisht.
Ky është tashmë jo emri i një njeriu, po një institucion mendor kombëtar.
Të jesh i lirë shpirtërisht do të thotë gjithçka.
Qosja, ky korife krenar e i papërkulur i vetëdijes sonë nuk është as sibilin, as i vetmuar. Për të mund të citohen vargjet e “Ultima verba” të Hygoit:
Njëmijë po të mbeten do të mbetem dhe vetë
Dhe njëqind po të bëhen nuk tundem që aty
I dhjeti do të jem po qe se mbeten dhjetë
E në mbettë veç një do të jem unë ay!
Këtë libër e paraqes si një dlirësim, si një arsyetim. Për të provuar para së gjithash konceptin tim të lirisë së vërtetë dhe jo alibike.
Një shkrimtar ka thënë dikur se nën lëkurën prej gomari të popullit fshihet një luan.
Durrës 2 tetor 1994
*) “Kam parë arkipelagët yjorë dhe ishujt/ku qiejt delirantë janë të hapur për lundërtarin/ në këto netë pafund si flenë të mërguar/ njëmilion zogjtë e artë o Fuqi e Ardhmërisë?” Artyr Rembo “Anija e dehur”.