DR.MOIKOM ZEQO: REXHEP QOSJA – NJERIU I KOHËS DHE KOHA E NJERIUT (26 QERSHOR 1991)

Pashtriku.org, 02. 02. 2016:
Epoka e divorcit ka nofulla kimere
Migjenit i rritet e Rexhep Qoses mjekra
Kompjuterat e gëlltisin poetin me nofulla germe
e qentë në gazeta… ja lëpijnë eshtrat!
Kam lexuar dhe rilexuar këto ditë librin e Rexhep Qoses “Populli i ndaluar”, (Prishtinë 1990).
Vëmendja e tendosur, shumëfishimi i pamjeve, akribia e analizave, shqiptarësia e patjetërsueshme, të tëra së bashku, ravizojnë profilimin e Njeriut të Kohës. Rexhep Qosja është padyshim Njeri i vërtetë dhe i madh i Kohës.
I kujt kohe? Vetëm i Kohës së Njeriut, i kohës së lirisë, që parakupton sa lirinë e individit aq dhe të kombit.
Mund të thuhet, se Rexhep Qosja, si rrallë kush, është dimensionuar me jetën e tij vetjake prej intelektuali tribun në tragjedinë dhe fatet e kombit shqiptar.
Më 25 qershor të këtij viti Qosja mbushi 55 vjetorin e jetës së tij.
Nuk është një zakon rutinor, as gjest ceremonial për të përshëndetur jubileun kuptimplotë të njërit, nga njerëzit më të mëdhenj të kombit shqiptar të të gjitha kohërave.
Në vend të një letre, apo të një telegrami përshëndetës preferoj të shpreh disa mendime për këtë personalitet të rrallë, për të cilin trimëria intelektuale është metafora e ndritshme dhe shprehëse e dinjitetit kombëtar.

Popull i ndaluar! Një titull i jashtëzakonshëm, një titull, që shpreh një të vërtetë nga më të rëndat dhe më paradoksalet në Evropën e sotme të qytetëruar. Nuk është fjala vetëm, për të treguar, se shqiptarët në Kosovë dhe në viset e tjera në Jugosllavi i janë nënshtruar një verdikti dhe një anateme inkuizicioniste. Ata janë shpallur një popull i ndaluar, të përjashtuar nga statusi kushtetues, të mohuar nga liria, të ofenduar përbindëshist.
“Shpirti i Vlladan Gjorgjeviçit është ringjallur në trajtën më të panjerëzishme”, shkruan në mënyrë lakonike Qosja. Edhe fjala, për shovinizmin më të tërbuar të kontinentit, shovinizmin serb, i cili tenton të fabulojë histori të rreme, shqiptarofobe, ku liria është një tabu ekzistenciale, një aparteid mendor, ndërsa serbokroacia është gjithçka.
Rexhep Qosja është një intelektual i fuqishëm. Zëri i tij është zëri i ndërgjegjes së shqetësuar kombëtare. Ai me dinjitet të pazakontë demaskon filozofinë fashistoide dhe vampirizmin politik të shovenëve, që i tremben me tmerr lirisë dhe të drejtave të kombit shqiptar, ashtu si Drakulla, që i trembet dritës.
Rexhep Qosja, duke qenë një krijues dhe studjues i formatit evropian ngre problemet tragjike të popullit të vet, duke i ndërkombëtarizuar sepse njohja e së vërtetës është një nga shprehjet autentike të lirisë, jo vetëm, për një popull, por për tërë bashkësinë e popujve. Në këtë mënyrë, duke luftuar për emancipimin e kombit shqiptar Qosja reflekton kudo.
Mund të thuhet se masa e emancipimit të shqiptarëve, dhënie e lirive dhe e të drejtave, që i takojnë është dhe masë e emancipimit të vet popujve evropianë.
Pse e them këtë?
Jo, për të mohuar nivelin e arritur të emancipimit të Evropës, por për të thënë, se pikërisht ky emancipim vihet në gjendje paradoksale dhe penguese, përderisa popullit shqiptar, që jeton në Kosovë dhe në viset e tjera të Jugosllavisë nuk i ka arritur të drejtat e tij më elementare, pa të cilat, nuk mund të ekzistojë dhe denatyrohet vetë vizioni i Evropës së ardhme të Bashkuar.
Rexhep Qosja nuk bën një retorikë të instrumentalizuar të ditës, ai nuk është prestigjator i bujshëm i iluzioneve politike.
Përkundrazi ai shpall kudo të vërtetën, ashtu siç është demaskon monstruozitetet, terrorin psikik, dhunën verbale, tërë regjizurat e sofistikuara të skenarëve të përgjakshëm dhe të llahtarshëm antishqiptarë.
Ai flet me fakt në atë kuptim, që është dhe vetë mishërimi i personifikuar i fakteve. Është plotësisht i ndërgjegjshëm për misionin e madh por dhe tejet të vështirë.
Nuk i frikësohet pasojave. Nuk i intereson fati i tij vetjak. Prej kohësh ai nuk mendon dhe vepron si individ, por si një ndërgjegje kombëtare.
Te ky njeri i vetëm ka një kolektivitet të habitshëm popullor. Tek ai, mbijetojnë fjalët shqipe të Bogdanit dhe të Nolit, të Naimit e të Ismail Qemalit, gjithçka, që formulon qartë dhe pa asnjë dyzim Testamentin e vetëm të pafallsifikuar të shqiptarësisë, të çështjes kombëtare.
Ky testament është për Qosen gjaku dhe mendimi, jeta dhe pavdekësia.
Rexhep Qosja nuk di të heshtë.
Heshtja për të është statusi i skllavërisë mendore, që është skllavëria më e keqe nga të gjitha skllavëritë.
Qosja është luftëtar i denjë.
Një luftëtar i Fitores. Për të disfata është gjithashtu një status i skllavërisë, diçka e tejkaluar përgjithmonë. Dituria e tij polivalente e bën të sigurtë, të qartë, të pakundërshtueshëm, përherë fitimtar. E pra, beteja është e llahtarshme, një nga betejat më të çuditshme dhe më të egra, që janë bërë ndonjëherë në fushën intelektuale në këtë fundshekull. Pa qenë i kompletuar me dituri dhe pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore, nuk mund të bësh sfidë dhe të marrësh pjesë në këtë duel të përbindshëm.
Është fjala për të përballuar, shpeshherë dhe i vetëm, një mitologji të egër të mas medias, që është krijuar për shqiptarët, mitologji, që vetkupohet ka kuçedra dhe kimera të gjalla politike, që e kanë persekutuar popullin shqiptar e kanë konstruktuar për të një ferr asgjësues dhe një strategji të destruktimit dhe të zhdukjes së njeriut shqiptar në përgjithësi.
Me qindra politikologë, pseudodijetarë, shkrimtarë delirantë, të shpërfytyruar nga paranoja e shovinizmit, kanë botuar libra të pafund, ku në formën e alibive shkencore kërkojnë ta paraqesin karakterin dhe tipin shqiptar, ashtu siç e kanë paraqitur antropologët dhe etnologët e parë kolonistë mentalitetin primitiv e prapambetjen e fiseve autoktone në Guinenë e Re dhe Kaledoninë e Re në shekullin XIX.
Qosja e sulmon dhe e ç’vlerëson tërë këtë butafori, duke vërtetuar, se atentatet ndaj kulturës e ndërgjegjes kombëtare shqiptare ndaj qytetërimit iliro-shqiptar janë aq të shëmtuara, sa që, kulti i shpifjes, brutaliteti dhe asgjësimit total është kulti i vetëm i shovinizmit.
Qosja e ngre kulturën e vendit të vet, sepse e di, që albanofobia është parathënia e zhdukjes së vetë kombit.
Gjuha totalitare dhe e egër e Sllobodan Milosheviçit nuk tregon forcë dhe arsyetim, por delir dhe frikë. Qosja i kupton në thelb tërë ata politikanë dhe pushtetmbajtës, të cilët ashtu si Nostradamosi bëjnë horoskopin e Kosovës, duke përfunduar në profecinë e zhdukjes së të gjitha të drejtave të saj, jo vetëm, të drejtave kushtetuese, por edhe të drejtave më të mirëfillta njerëzore.
Qosja është parë gjithashtu mendimtar, një eseist i shkëlqyer. Ai nuk i përket asnjë partie politike, sepse mbi të gjitha politikat është kombi.
Ai thotë qartë: “me politikë kurrë nuk jam marrë, politikës kurrë nuk i kam takuar. Dhe nuk i kam takuar politikës, sepse kam dashur t’i takoj popullit tim, jo për një kohë, por përgjithmonë”.
Në fakt ai i beson vetëm një filozofie politike: sistemit të dijeve kombëtare, të vërtetuar në shekuj, që janë testi i ndërgjegjes së vërtetë të njeriut shqiptar, për të cilin liria është dinjitet dhe dinjiteti është gjithashtu liri.
Qosja hedh tutje tërë mbishtresat politike, tërë truket e neveritshme të politizimeve të shumta dhe të rrezikshme, me të cilat është mbushur jeta sot. Ky mendoj është një mesazh i pamohueshëm konkret, që duhet ta dëgjojnë, që të gjithë. Përndryshe, ne shqiptarët, do të biem pre e gënjeshtrave të reja, instrumentalizimeve politike të fjalës e duke u çliruar nga kultet e vjetra, do të robërohemi nga kultet e rinj, duke mbivlerësuar të tjerët do të përjetësojmë nënvleftësimin tonë. Është ora historike për ta kuptuar përfundimisht këtë gjë.
Duke perifrazuar Migjenin, ne s’duhet të humbasim më në lojën e përgjakshme të historisë njerëzore.
Për Rexhep Qosen demokracia dhe liria janë ajri i mushkërive të mendimit, të ekzistencës së kombit. Çështja jonë kombëtare vërtet është e komplikuar, por mbi të nuk rëndon përjetësisht fataliteti. Qosja e di se ndarja me një moskomunikim të pashembullt të dy pjesëve të të njëjtit komb, sikur ato të ekzistonin veç e veç, në dy planete të ndryshëm, është vetëm një absurditet i qëllimshëm i kobshëm, politik, një formulë arkaike e padrejtësisë, së vetme në llojin e vet, që ka sot për sot Evropa, që theksohet akoma më tepër, sidomos, mbas prishjes së murit të Berlinit, që krijoi simbolikën e re politike shpresëdhënëse të Europës së ardhme.
Sa shumë jetë, sa shumë fate, sa shumë tragjedi, sa shumë liri dhe sa shumë shpresë ka në jetën e një njeriu të vetëm si Rexhep Qosja.
Në 55 vjetorin e tij ka të drejtë ai për të bërë një sfidë edhe ndaj moshës. Madje, të duket se ai, më shumë se kurrë ka fituar një rinim të çuditshëm, që pak kush e arrin, që vetëm njerëz të rrallë kanë të drejtë ta gëzojnë. Dhe megjithatë për Qosen dhe ky rinim nuk është pronë e vet, por e të tjerëve.
Për intelektualët e mëdhenj ndodh gjithmonë dukuria e mrekullueshme: sa më shumë që japin, aq më shumë fitojnë, egoja e tyre vetiake humbet, sepse ata bëhen alter egoja e popullit të vet.
Tiranë, 26 qershor 1991

_______________
Nga arkivi i Moikomit:
DR.MOIKOM ZEQO: LETËR E HAPUR PROFESOR REXHEP QOSES (22 JANAR 1993)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=4928
***

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura