Tiranë, 7 dhjetor 2020:
1.MAGJIA E IDENTIFIKIMEVE
Eruditi francez heretik dhe kokëkrisur Roland Barthes, tepër i hidhur, po edhe naiv, në ashpërsinë e tij të pazëvendësueshme, në librin “Mitologjitë” Paris, 1969 shkruan se mekanizmi i mitologjizimit jo vetëm nuk është zhdukur dhe amortizuar në kohërat moderne, po përkundrazi, është përshtatur dhe sofistikuar çuditërisht me një fjalë, është rritur valenca e tij teknologjike, në përputhje me principet universale të kibenertizmit.
Nga ana tjetër mitologjizimi si proces i “kimisë” shpirtërore të individëve dhe popujve është më tepër një mbijetesë e këndshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme e “alkimisë” shoqërore, që ende shndërron gjithçka në “arin e dyshimtë të mitit”.
Tregu i lirë, masmedia botërore, sidomos TV etj., përbëjnë sot laboratorin gjigandesk dhe delikat të mitologjizmit bashkëkohor.
Kushti i parë veprues i mitologjizimit është identifikimi, alibia e të përafërtave të të ngjashmëve, ose të të kundërtave. Sipas Barthes-it, të vëmendshëm dhe zhbirues, dy janë ngjyrat kryesore të universit e në këtë rast edhe të planetit tonë modest: e verdha dhe e gjelbërta.
Roland Barthes (1915 -1980)
E para përfaqëson arin, si kuitensencë të mallrave dhe të gjithçkaje.
E dyta përfaqëson dollarin, si ekuivalencë, sozie, dublikat të arit, pra edhe të tërë atributeve të tij të plotfuqishme.
E verdha është e gjelbërta dhe e gjelbërta është e verdha, ngjyra të dyfishta dhe të tmerrshme, ngjyra analoge dhe alkimike.
Këto dy ngjyra kanë zëvendësuar perënditë biqefale ose biseksuale të mitologjisë babilonase dhe të fenikasve të vjetër, ose kanë unifikuar dualizmin e perëndive monoteiste të Abrahamit dhe Moisiut të hebrenjve, perëndinë që ndëshkon me anë të të qeshurit, të Zarathustrës së Iranit, konceptin e shkrirjes universale të trupit dhe shpirtit, dmth të Nirvanës së mundimshme dhe të ekstazës së budizmit dhe të brahmanizmit lindor, portretet antropomorfe të krijuesve të gjenezës së krishterimit dhe të islamizmit planetar.
Ari dhe dollari janë materia e gjallë e tregut të lirë.
A ka treg të lirë pa ar dhe dollarë?
Nuk ka!
A ka pushtet dhe hierarki të pushtetit pa ar dhe dollarë?
Nuk ka!
Këto janë pyetje naive.
Përgjigjet janë të vetëkuptueshme tmerrësisht të shkurtra.
Po libri i Roland Barthes-it nuk merret me këtë problem posaçërisht.
Ky libër shpjegon dhe shtjellon disa ide të jetës shoqërore, sidomos mitet e figurave publike, personaliteteve të politikës, të analfabetëve, faronikë të mafias dhe të kamorras, të trafikantëve të drogës, prostitutave, armëve deri dhe të kapsulave atomike etj. etj.
Nën optikën e librit të Barthes-it po guxoj, (ndonëse më mungojnë aftësitë shpotitëse të analizave të mëdha të epokës) të bëj disa paralele të arsyetimeve dhe rolit të mitologjizmit në Shqipëri.
Padyshim disa të pafajshëm, që për çudi flisnin dhe gjuhë të huaja, përveç shqipes së vrazhdë (që diktatura dinake e paskish kthyer në formën moderne letrare,- duke e shmangur nga dialektalizmi ” i mrekullueshëm”) folën edhe për kohën zero dhe turmat akoma më naive dhe të pafajshëm, se sa ata, shkatërruan gjithçka.
Parimi i identifikimit kishte arritur në zenit.
Në mesjetë sendet identifikoheshin me njerëzit.
Një njeri që e urreje mjafton t’i bëje një figurinë të ngjashme dhe ta shpoje me gjilpëra në pikat jetike dhe njëkohësisht mortale dhe njeriu do ta pësonte në largësi, me siguri të plotë.
Në Shqipëri duheshin djegur qytetet, duheshin prishur shkollat, kanalet vaditëse, trenat, sepse qenë ndërtuar nga duart e mallkuara të komunistëve, për të arritur në idenë e identifikimit të vetë njerëzve.
Ky sekret i mitologjizimit të sendeve dhe njerëzve krijoi një tautologji të mesjetës, bile e tejkaloi.
Identifikimi i emrave dhe njerëzve është një aspekt tjetër interesant dhe i leverdisshëm.
Mjafton ta quash një parti “demokratike” për të qenë të tërë tesermbajtësit e saj “demokratë”.
Ata që kanë qenë më parë” komunistë të tërbuar” bëhen kështu “demokratë të llahtarshëm”.
Ndërrimi i emrave është dhe ndërrim i identiteteve.
Emrat e ndryshëm përcaktojnë identitete të ndryshëm.
Kjo është kaq e thjeshtë, siç ironizonte me trishtim të papërballueshëm, deri në melankoli inteligjente, po krejt të padobishme edhe Migjeni, kur shkruante “Hokus okus! Të bahet dritë! Dhe drita u ba…”
Po identifikimi më madhështor dhe i lakmueshëm deri në vetësakrifikim të ngjashëm me të heronjve të eposeve bjeshkatarë ose të një zakoni ritual japonez etj., është ai i posteve me njerëzit. Kur njeriu arrin te posti i Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit, Presidentit të Shtetit, ahere ata në Shqipëri janë gjithçka.
Ata janë vetë postet dhe postet janë vetë ata.
Si ajo fjala magjike, formula e kabalës Abrakadabra, që lexohet njësoj edhe nga njëra anë dhe nga ana tjetër, edhe sipas leximit të alfabetit latin, edhe sipas leximit të alfabetit arab.
Me anë të këtij mekanizmi elegant, po edhe vulgar qeveria është vetë shteti.
Kurse njëshi i pushtetit është vetë kombi.
Do dorëheqjen e Qeverisë je shkatërrues i shtetit!
Kritikon Presidentin, ke sharë paturpësisht vetë kombin! Kuptohet, që ky identifikim magjik, apo kjo magji e identifikimit është monopoli i pakundërshtueshëm dhe më i paprekshëm i së vërtetës.
Nuk ka më arsyetim të mendjes, por ka arsyetim të forcës. Nuk ka më dialog, po ka vetëm monolog.
Nuk ka më pluralizëm, po ka vetëm monizëm, bile monoteizëm.
Nuk ka më alternim ciklik të pushtetit, po ka pushtet të përjetshëm. Kryeministri, Kryetari i parlamentit, Presidenti janë Triniteti i shenjtë misterioz, ose një metaforë e trefishtë dhe njëkohësisht e vetme e universit dhe e Providencës (për kakofoninë e Presidencës – çka shpjegon atributet tokësore dhe qiellore, që teologët e llojit të shën Thoma Akuinit – për dreq – i kanë ngatërruar si të ndryshme – shënimi im M.Z.)
Kjo mënyrë të konceptuari në “ne” dhe “ata” ose në “unë” bën dallimin në “të perëndishëm” e në “vdekatarë”.
Kjo logjikë absurde dhe zbavitëse krijon një kufi absolut të plotfuqishmërisë së “ne” dhe “unë” jemi mishërimi i së Mirës dhe Dritës, Kurse “ata dhe të tjerët” janë mishërimi i së Keqes dhe Territ.
“Ne” dhe “Unë” jemi kombi.
Kurse “ata” dhe “të tjerët” janë antikombi.
“Ne” dhe “Unë” jemi kombi.
Kurse “ata” dhe “të tjerët” janë barbaria.
Ky totalitarizëm është një pragmatizëm i rreptë.
Kështu shqiptarët berishianë janë kombëtarë,- Shqiptarët – o Djall i Madh – që janë socialistë, si dhe të partive të tjera janë antikombëtarë, janë serbë, grekë, vampirë, armiq të paralindur, të parapërcaktuar, të pandryshueshëm, të përjetshëm, kanibalë, të ndyrë, të kafshëruar, sodomikë, kriminelë, lebrose, madje përhapës të infeksioneve të mortajës biblike dhe të Sidas.
Filozofi spanjoll Hose Ortega Y Gaset (1883-1950) stilist brilant dhe jo pa ndikime anarkiste, përherë ka dyshuar në identifikimet e shumëllojta në histori, të heronjve me masat, të njerëzve me sendet, sepse masa e popullit “Ka humbur çdo aftësi për njohje, kështu, që mund të pranojë vetëm politikën e çmendur, të pafrenuar dhe të pamatur, sepse kjo politikë e çliron njeriun nga jeta intime, prandaj epoka jonë është ajo e politicizmit integral”.
Kjo bie ndesh me teorinë e Roland Barthes-it, po filozofi me origjinë austriake Karl Poper që rron sot në SHBA në librat e tij të fundit bestseller, i ka dhënë të drejtë Barthes-it, ndonëse analizat e këtij të fundit i quan “hipnotizuese, si vetë realiteti i pakëndshëm”.
Sidoqoftë, magjia e identifikimit ka forcë mrekullibërëse në Shqipëri.
Këtë gjë e dinë mirë robotët shekullorë të TV, të cilët për mercenarizëm partiak dhe krahinor, identifikohen, ose bëjnë shumëfishimin e identifikimit të pushtetit te një emër të vetëm.
Natyrisht, për mite kanë nevojë popujt e paqytetëruar, kryesisht ballkanikë, pa harruar faktin, se ballkanasit kanë qenë Demiurgë pjellorë të mitologjive të lashta, për çudi, qytetëruesit, e parë të Europës.
Në fillimin e mijëvjeçarit të tretë shqiptarët po përjetojnë, ashtu si ethet e sëmundjeve të shenjta ritin e mitologjizmit.
Ky mitologjizim ka perënditë sipas shkallës hierarkike si dhe simbolet dalluese të forcës së pushtetit, kryesisht të formës së shkopinjve të policëve dhe aktivitetit të fshehtë të shikasve.
Në këtë mjedis të çuditshëm partitë, gazetat, personalitetet nuk i shpëtojnë dot mitologjizmit, sidomos ndarjes së madhe të qytetarëve në berishianë dhe në armiq.
Shqiptarët kanë një numër të pakufishëm armiqsh, sepse janë vetë të tillë, duke shpallur papushim njëri tjetrin.
Çështja kombëtare shqiptare në vend që të na bashkojë për çudi po shërben për të na ndarë. Pse? Sepse, ata që na pretendojnë, se posedojnë monopolin e çështjes kombëtare shqiptare kanë të drejtën supreme, pra dhe hyjnore për të përcaktuar kombëtarët dhe antikombëtarët.
Në fund të librit të tij Barthes-i nuk harron ta futë lexuesin në një grackë dinake: ai shton, si rastësisht dhe si kot se çdo veprimtari mitologjizuese në kohërat moderne ka edhe karakter të mirëfilltë humoristik ose burlesk.
Bëhet një lojë, ose një komedi mendore e pabesueshme, shton ai me përkorje, çka përbën një formë të dyshimtë të një ateizmi të rrezikshëm, ndonëse me dantella mitesh si në paradat e modave. (1993)
2.HËNA, TEMPULLI I RROMËVE
Dhe ti do të jesh një endacak dhe ikanak mbi tokë
Zanafilla (4-12)
Ju lutem, mos e besoni që e kam shkruar unë këtë libër për rromët!
I keni parë vizat në fytyrat e shkëmbinjve?
Ato janë grafika shekullore të erërave, të Diellit dhe të shiut. Ndoshta keni menduar ndonjëherë për disa shkrime në qiell të bëra nga alfabetet e befta dhe misterioze të vetëtimave?
Akoma më tej, a i keni parë nervat e gjetheve, rrathët e trungjeve, apo vijën e hepuar të vargmaleve në horizont? Të gjitha shkrimet e mësipërme janë libri më i madh i botës dhe i njerëzimit. Askush nuk flet mençurisht dhe si duhet për këtë libër. Për të mediat elektronike janë të panjohura, njerëzit e thjeshtë harrojnë shpesh se ekzistojnë shkrime më të rëndësishme sesa ato që botohen në librat e të gjithë gjuhëve të botës.
Ju lutem përsëri mos e besoni se e kam shkruar unë këtë libër.
Unë kam guxuar i druajtur dhe plot dyshimet që të deshifroja diçka nga autorët e mëdhenj të natyrës, nga fantazia dhe pasionet e gjithhershme të elementëve të botës Në të vërtetë ky libër është një libër kozmogonik, por krejt ndryshe nga idetë poetike dhe tepër të thjeshtëzuara të filozofëve zhurmëmëdhenj dhe kokëshkretë.
Libri im (i juaji dhe i askujt) për rromët është vetëm një ftesë intime, herë herë një klithmë, një vetëqortim, një fantazi dalldisëse, një udhëtim i pashpresë prej argonauti të fjalës plot mëkate dhe pa saktësi. Rromët janë të vjetër sa njerëzimi.
Që të gjithë ne pavarësisht nga racat dhe gjuhët, pavarësisht nga shprehitë dhe kultura, jemi rromë. Jemi rromë ashtu siç edhe vetë rromët janë ne. Politika dhe teknologjia, teoritë sociologjike, shkencat dhe formulat gjenetike na kanë bërë kaq të marrë dhe të paturpshëm saqë ndryshimet e parëndësishme t’i shpallim si ndryshime të mëdha dhe të përjetshme. Rromët janë ndër popujt më të stërlashtë të botës, ata e kanë prejardhjen nga vetë djepi i popujve indoevropianë. Gjuha e tyre e çuditshme ka mbijetuar e sakatosur dhe e depërtuar plot plagë nga fjalët e të gjithë gjuhëve. Ata më shumë sesa një popull janë shpesh një paragjykim, më tepër sesa njerëz janë qenie të klasifikuara midis njerëzve dhe kafshëve. Ata janë të braktisur në shekuj nga perënditë, nga mëshira dhe drejtësia, nga përdëllimi dhe dashuria.
Rromët janë jeta plot paradokse e këtij planeti të vockël që vërtitet në kozmos, duke qenë identikë me fatin shtegtar dhe të amshuar të rromëve.
Rromët janë populli i lëvizjes, një shembull i aporive të Zenonit, të Akilit, që nuk e arrin kurrë breshkën.
Rromët lëvizin në një perpetuum mobile, ata janë lëvizja e kohës më e rëndësishme sesa lëvizja mekanike e orëve që gjoja e tregojnë me anë të numrave zodiakal këtë kohë të padukshme.
Rromët janë populli i fillimit të botës dhe mbase populli i mbarimit të saj.
Ata nuk kanë pasur kurrë shtet të tyre, as biblioteka dhe as arkiva. Kronikat janë të pamëshirshme dhe përherë të padrejta për fatin e tyre.
Rromët kanë lëvizur të rënduar dhe këmbëpërgjakur nga një dënim i rëndë, misterioze dhe gati i pashpjegueshëm, ashtu si Agasfari, ose Juif Errante, i cili vetëm mund të vraponte dhe nuk mund të ndalonte kurrë, asnjëherë, në asnjë moment, madje as në amshim.
Ky libër është përgatitur prej meje në vitin 1992. Shumë poezi janë shkruar më përpara, në kohë të ndryshme, në harkun e dhjetëvjeçarit 70 dhe 80. Ose dhe më pas.
Mbasi botova disa cikle, ishte pikërisht Dritëro Agolli, që nguli këmbë që t’i përmblidhja poezitë në një koleksion të veçantë.
Tani kanë kaluar vite dhe pikërisht në fundin e vitit 1998, dy vjet para se të mbarojë shekulli XX, m’u shkrep befas në kokë në mënyrë të përkorë, por edhe rebele, me një dhimbje të llahtartë dhe intimitet gati vulgar që ta jepja për botim librin ku unë jam vetëm një ndërmjetës ose thjeshtë një njeri kurioz, i pikëlluar dhe i zhgënjyer nga gjithçka, me një durim të lashtë sa gurët, sa ujërat dhe me një fantazi të plagosur egërsisht nga motivet e përsëritura në të gjithë mijëvjeçarët.
Tashmë nuk mund t’i shmangem këtij libri, ndonëse botimi i tij është mënyra më e mirë për ta larguar përfundimisht tej nga vetja ime.
As vetë nuk e di me saktësi krijimin e këtij libri.
Parabola e fëmijës që i kërkon Zotit t’i japë vetëm zogun e tij, më është thënë mua gjatë një mesnate, kur po rrija dhe bisedoja me disa miq, në një hotel pranë detit, në Durrës, nga shkrimtari i madh turk Jashar Qemal. Shpikja, pra është e tij.
Nuk mund të them me siguri nëse edhe J. Qemali duhet ta ketë gjetur vetë diku këtë subjekt domethënës nga epet alegorike islamike dhe përrallat magjike të Lindjes. Jashar Qemal më tha se do të shkruante një libër me këtë parabolë. Pavarësisht nga kjo, përjetimi im poetik është krejtësisht vetjak dhe kam shfrytëzuar me ndershmëri mundësinë e deshifrimit simbolik, që, praktikisht është i pafund.
Motivet që lidhen me F.G.Lorkën janë një peng rinor i kujtesës sime të harlisur, një rikthim emocional i disa vizioneve të ndritshme, por edhe të errëta, që mua më dukej se i kisha harruar dhe se nuk do të kisha kurrë më fuqi për t’i rikujtuar.
Ndaj, në këtë rast, habitem me veten time dhe mendoj se tekat e kujtesës janë krejtësisht të parashikueshme.
Ndoshta teoria budiste, që e huazoi edhe Pitagora, e metapsikozës, e shtegtimit të shpirtit mbas vdekjes në trupa të tjerë ka një kuptim të vërtetë dhe mbushamendës për rastin rromëve.
Ndoshta shpirtrat tanë mbas vdekjes, mbasi të na braktisin, do të shtegtojnë dhe do të mbijetojnë te fëmijët e porsalindur të rromëve. Ndoshta shpirtrat e mbretërve dhe të perandorëve të harruar babilonas dhe egjiptianë kanë shtegtuar që para njëzet shekujve dhe janë tek rromët e sotëm. Ndoshta dhe shpirtrat e dinozaurëve dhe të kuajve, të luanëve dhe të salamandrave, të zogjve dhe të gjarpërinjve etj., kanë kohë që mbijetojnë nën lëkurën e zeshkët të rromëve. Sa pak dimë se ç’bëhet nën këtë epidermë të njerëzimit. Nën të racat janë të përziera dhe jo të veçuara, popujt dhe gjuhët janë të shkrira dhe jo të ndara. Nën të është tërë historia, e kaluara dhe e ardhmja që paraqitet përherë vetëm si e tashme, një përditshmëri e vrazhdë dhe e egër, plot instinkte dhe fisnikëri, të njëjta me atë të dukurive astronomike dhe metereologjike, të drurëve dhe të luleve.
Libri im është një mënyrë për të parë secili vetveten ose më saktë për ta riparë.
Dikur Merimeja i mahnitur nga rromët shkroi librin e tij të papërsëritshëm për Karmenin, të shoqëruar me një esse të hollë linguistike për dialektet e panumërta të rromëve të panumërt. Pushkini i zeshkët me një origjinë të largët gjaku arab bëri poemën e tij të veçantë. Më shumë nga të gjithë Hygoi në romanin “Shën Maria e Parisit” krijoi Zhyljetën cigane Esmeralda dhe Romeon e shëmtuar Kuazimodo duke përmendur shtegtimet e rromëve si dhe Shqipërinë e vogël. Poeti i madh grek Kosta Pallamasi në kryeveprën e tij “Dekalogu i Evgjitit” e quan veten “profet të ateistëve ciganë”. Ky qerthull poetik i hatashëm më ka rrethuar kudo si orbitat e planetëve. Po libri im është megjithatë diçka krejt tjetër, i pangjashëm, sui generis. Ndoshta kam synuar paturpësisht dhe i padenjë për të shkruar një epos poetik për rromët.
Nuk besoj se teknologjia është e ardhmja e njerëzimit, nëse vdes shpirti i njeriut.
Besoj se shpirti i njeriut është më shumë se gjithçka.
Fati i rromëve vërtitet si Hëna rreth e qark plantit tonë.
Ne mund t’i mbyllim sytë, mund ta mohojmë këtë Hënë, të tregohemi skeptikë dhe hokatarë të pandreqshëm me të.
Por Hëna është pikërisht se ka qenë dhe do të jetë pikërisht se është. Dhe Hëna është Tempulli i Rromëve sepse është më e ngjashmja dhe më e pranueshmja për ta.(Durrës, 05 tetor 1998)
3.THELLËSIA E RREME E BUKURIVE TË TRUKUARA
Vdis në boshllëk Van Gog! Zhduku nga bota e nëmur Rembrant! Vrit veten Leonardo Da Vinci !
Kompozimi i vijave dhe ngjyrave tani është si loja e pokerit. Ose si Kabala! Piktura bëhet digjitale, loja mendore komplikohet si rastësi. Historia nis në Romë, mes galerive të tendencës e kritikëve shokë udhëtimesh.
Ishin dikur tre miq që flisnin në një bar për punët e tyre, në shoqërinë e një gote wiski. Sot janë të tre, sërish bashkë, në Galerinë Civica, gjithmonë në Romë, me një ekspozitë pikturash, paksa të çuditshme, “Piktura digjitale bashkohore”. Alessandro Gianvenuti, Matteo Basilè dhe Giuseppe Tubi janë artistë që kanë ecur shumë në fushën e tyre dhe gjatë gjithë kohës bashkë. “Ajo që i bashkonte në fillim ishte përdorimi i përbashkët i mjetit elektronik, përfytyrimi i pikturës, karakteret formale”, rrëfen Marziali në katalogun e ekspozitës. “Pastaj është pjekuria stilistike, koherenca në përmbajtje”. Rezultati që shihet sot: janë katër salla të ish-fabrikës “Peroni” të mbushura me ngjyra dhe me shpikje. Ku fakti më tërheqës është instrumenti digjital, që shpesh mundëson të bëhen operacione kozmetike më shumë se artistike. Kësaj radhe është përdorur për të realizuar vepra të vërteta. Nga të tre Alessandro Gianvenuti, me universin e tij jo rutinor, por shumë të thjeshtë, shpreh shpirtin më pop. Stampimet e tij në Pcv Silver duken si fetuse të mëdhenj: duar, këmbë, buzë me ngjyra të forta, e që nganjëherë shprehin ankth. Më i ndërtuar e më i vuajtur, më klasik në një farë sensi me një univers viziv me hapësirë nga imazhet në fetus deri në plake.
Ndërsa Matteo Basile, Fëmijë arti, merr distancat nga qëndrueshmëria e trupit. Gianvenuti shprehet për to se kolegu i tij vë në lojë fetuse të tjerë, mbeturina të jetës sonë të përditshme. Kështu në fytyra të mëdha, buzë e pjesë të tjera të trupit vihen numra telefonikë, kode dhe fragmente të tjera markash. Si të ishin tatuazhe artificiale që iu shtohen tatuazheve të vërtetë, që Basile i përdor vazhdimisht. Shumë e ndryshme, por e rafinuar është puna e Giuseppe Tubi. Imazhi digjital i të cilit sfumohet duke u bërë më piktoresk e grafik në të njëjtën kohë. Pakapshmëria e tij të bën të mendosh për imazhet video, e jep një efekt të çuditshëm tredimensional i bërë i mundur nga manipulim shumë i zgjuar i pixel. Tubi është një virtuoz i teknologjisë që përdor e shpërdor sipas dëshirës. Duke filluar që nga përdorimi “i situatës”, që arriti ta bëjë diçka krejt individuale, të emrit e të punës së tij. Nën emrin e tij janë të fshehura shumë identitete, një pjesë e Walt Disney, si dhe shpikje të tjera. Bashkimi bëhet i padukshëm dhe në këtë mënyrë ai e paraqet që nga viti 1995. Vetë kuratori i ekspozitës Marziali që tregon historinë, dhe pranon se ka të bëjë me të vetëm nëpërmjet letrave, të marra përmes galeristit të tij Stefan Dello Schiavo. Me të gjithë ngarkesën që kjo zgjidhje mbart me vete, është i rëndësishëm fakti i një bashkëpunimi me botën më ambicioze se komunikimi, me lehtësinë e aparencës me një peshë të rreme të artit me “A” të madhe. Zgjedhje që nuk është bërë si rruga më e shkurtër, por një ballafaqim me botën ku jetohet. Për këtë meriton të dëgjohet pikëpamja e Gianluca Marziali se “arti digjital me kriteret e shumtë që përdor nga piktura, fotografia dhe komunikimet e tjera, përmes saj të konsoliduara, duke mos harruar të paraprijë, tani më shumë se kurrë, përveç impaktit estetik, duket se merr pjesë në një lloj aludimi. Për fat të keq flitet për thellësinë e rreme të një bukurie të trukuar mirë. Eksperienca në fushën digjitalit, tregon në diskriminim mes atij që përdor kompjuterin dhe atij që abuzon me të. (2000)