DR.MOIKOM ZEQO: ROMANTIZMI, VIKTOR HYGOI DHE DE RADA

Tiranë, 24 shtator 2017: Viktor Hygo (1802 – 1885), shkrimtar i jashtëzakonshëm, me një talent kaq të rrallë sa duket sikur ka dalë nga mungesat e shekujve në një formë vullkanike dhe të papërsëritshme. Ai lindi 215 vite para si ndryshim i madh i kalendarit.
Fama e Viktor Hygoit shpjegon librat e tij në poezi dhe në prozë. Këto libra janë edhe një herealdikë inkandeshente e Romantizmit Francez dhe Europian, me një sqimë dhe autoritet kaq të padiskutueshëm saqë, gjenia e Viktor Hygoit dukej se ishte sui generis, për të mos u përsëdytur.
Në 1829 Viktor Hygoi boton librin e tij poetik “Orientalet”. Parafjala e shkruar prej tij në këtë libër paraqet një optikë grishëse dhe të pazbehur deri në ditët tona.
Hygoi tregon se koncepti i Orientit kishte një fuqi magjike depërtuese në poezinë e tij.
Ai thotë se “ngjyrimet orientale” kanë ardhur si nga vetvetja, për të lënë gjurmë në krejt mendimet e tij, në krejt ëndërrimet e tij, ëndërrimet dhe mendimet e tij kanë qenë, thuajse pa i kuptuar, edhe hebraike, turke, greke, persiane, arabe, madje edhe spanjolle, sepse Spanja është ende Orienti, Spanja është gjysmë afrikane, Afrika është gjysmë aziatike.
I njohur me këto kultura të Orientit Hygoi kishte përvetësime të forta, sepse shihte brenda tyre një poezi të lartë, ku ai shuante etjen. Sepse, në Orient në aspektin poetik gjithçka është e madhe, e pasur, e çuditshme, hapësira plot dete poezie.
Ndaj, ky qytetërim i largët është edhe i afërt, ashtu siç është “Epoka moderne” (ajo e kohës së Hygoit) brenda shekullit të Luigjit XIV, apo lashtësia brenda Romës dhe Greqisë, por edhe brenda Orientit.
Tërë këto plazma poetike shkapërderdhen dhe harlisen edhe në Mesjetë për të ujitur edhe pyllin e Romantizmit.
Hygoi nënvizon se: “tashmë baraspesha e Europës duket gati e prishur, statuskuoja europiane është e krimbur dhe e plasaritur, po kërcet nga ana e Kostandinopojës.

Viktor Hugo (1802 – 885)

Gjithë kontinenti po anon nga Orienti. Do të shohim gjëra të mëdha.
Barbaria e vjetër aziatike ndoshta nuk është aq e zhveshur nga njerëz të mëdhenj saç pandeh qytetërimi ynë.
Duhet rikujtuar se ajo prodhoi të vetmin kolos që ky shekull mundi ta vërë ballëpërballë Napoleon Bonopartit, atë njeri gjeni, me të vërtetë atë Ali Pasha që është për Napoleonin çka është tigri për luanin, skifteri për shqiponjën.”.
Në librin “Orientalet” janë disa poezi dhe poema me motive shqiptare.
Poezia “Dervishi” tregon një subjekt, atë të takimit të Ali Pashë Tepelenës, i cili takohet me një dervish që e mallkon për krimet, dhe në këtë ballafaqim i pafrikshmi dhe tirani Ali Pashë Tepelena thoshte nga anatema: “motivet shqiptare kanë lidhje pikërisht me epokën e luanit të Janinës.
Në to madhështia është e hibridizuar me tmerrin, trimëria me krimin. Është një përshkrim fantazmagorik me potenciale të mëdha ndjesore dhe reflektuese.
Viktor Hygoi e përmend emrin e Shqipërisë në romanin e tij “Katedralja e Shën Mërisë”.
Por pika e takimit më e famshme e Viktor Hygoit me Shqipërinë është pikërisht fjalët që ai ka thënë për De Radën.
Këto fjalë hygoiane paraqiten si kredenciale të mëdha lavdie për poetin tonë.
Ato janë përmendur nga shumë autorë që e kanë studiuar De Radën, citohen edhe sot në studimet e përgjithshme, por ato kërkojnë një vështrim afirmativ të plotë.
Studiuesi Mikelanxhelo La Luna ka shkruar për paradigmën “De Rada dhe Franca”. Ai ka hulumtuar dhe ka reflektuar.
Ai i kushton një syth më vete gjykimit të Viktor Hygoit mbi De Radën dhe siç thotë ai pikërisht për Milosaon.
Siç thotë vetë De Rada kur ishte më 1834 vetë në Napoli nisi të fillojë mesimin e frëngjishtes dhe në këtë gjuhë lexoi shkrimtarë e poetë, tekstet e teatrit frëng, por edhe përkthimet e veprave të Shekspirit, Shilerit, Gëtes dhe Kalderonit.
Ai lexonte filozofët materialistë dhe iluministë francezë, por që i shkaktojnë turbullira në paradoks e në mëndim.
Pa dyshim që De Rada e ka njohur krijimtarinë e Viktor Hygoit, të paktën disa nga librat përfaqësues të tij.
Babai i De Radës, Mikele, i dërgon të birit një letër nga Koriliano më 5 janar 1840 duke e këshilluar De Radën t’i dërgojë një kopje të “Odeve shqiptare” Viktor Hygoit. Mikele shkruan:
“I dashur bir,
Mbasi t’i shtypësh “Odet shqiptare” nuk duhet t’i kursesh paratë që nevojiten për t’i dërguar një kopje Viktor Hygoit, dhe nëse do të mund të shtypen në përkthim me shtyp në Paris, mund të lidhesh me kohë me ndonjë botues, nëse nuk do mund ta financosh këtë punë vetë. Të kesh megjithatë shumë kujdes, dhe nëse s’të pëlqen ndonjë ode, lëre mënjanë, vendose alfabetin edhe në këtë vepërz, dhe përpiqu që ajo të mos jetë më e dobët sesa Milosao.”.
De Rada është e sigurtë që i ka dërguar Viktor Hygoit me postë Milosaon, por edhe ndonjë kopje klandestine të Canti Storici Albanesi Di Serafina Topia, Napoli, 1839, të bllokuara nga censura.
Por çfarë ndodhi më vonë?
A i mori në duart e tij krijimet e De Radës? Kuptohet të përkthyera në italisht.
Vetë De Rada tek Autobiologjia nuk e përmend fare këtë histori, ndonëse edhe për shkak të prirjes së tij për famë do t’i pëlqente patjetër që ta shënonte.
Përse nuk e përmend De Rada historinë e tij nëpërmjet postës me Hygoin? (Dihet se De Rada nuk e ka takuar kurrë fizikisht Hygoin).
Kjo heshtje duket e çuditshme. Por ndoshta edhe e pa shpjegueshme.
Viktor Hygoi vdiq në vitit 1885.
De Rada ishte gjallë, por nuk shohim që ta përmendtë Hygoin në publicistikën e tij a në shkrimet e tjera, ku ai nuk lë pa përmendur shumë emra të famshëm.
Ajo që e shton më tepër çudinë është se arbëreshi Vincens Dorsa që në vitin 1844, pra 41 vjet më parë se sa të vdiste Viktor Hygoi citon dhe tregon publikisht vlerësimin e Hygoit për De Radën.
Në një letër të shkruar nga Kozenca Dorsa thotë se ka botuar në numrin XVIII të “Il Calabrese” një recension mbi këngët e Serafina Topisë, vepër me të cilën sipas tij De Rada tregonte se kishte arritur pjekurinë e tij të plotë poetike.
Po këtu vë në spikamë edhe lëvdatën e Hygoit, i cili e quan De Radën “një poet origjinal dhe sublim”.
Letrën Dorsa e shkroi pak ditë pas takimit me De Radën në Napoli.
Në këtë letër Dorsa thotë se “pati kënaqësinë t’ju sodisë nga afër, dhe nderimi për ju u rrit njëqind fish. Por si t’ua shprehja? Rasti u shfaq me këngët tuaja të Serafinës.
Këto bënë tek unë ashtu si te pak njerëz të zellshëm dhe të pasionuar përshtypje më të madhe, meqë ju kanë vulosur namin e drejtë, si një poet origjinal dhe sublim, dhe elozhet ledhatuese me të cilët një herë Viktor Hygoi ju nderoi dhe bashkë me ju kombin tuaj.”.
Nga teksti nuk del qartë se kush e ka thënë këtë të dhënë për Viktor Hygoin.
A mos ndoshta vetë De Rada në bisedë me mikun e tij, siç ndodh rëndom midis njerëzve të artit i ka thënë atij se atë (De Radën) e ka vlerësuar vetë Viktor Hygoi dhe Dorsa e ka besuar këtë gjë si të mirëqenë, ose me vërtetësi absolute dhe pa ngurruar e ka botuar në shtyp, duke e bërë një fakt publik?
Ka gjasa që të ketë ndodhur kështu.
Dorsa në artikullin e tij “Canti albanesi di Serafina Topia principessa di Zadrina nel secolo XV volti in italiano ter Giralamo de Rada. – Napolo, Presso, domenico, capasso 1843” botuar në periodikun e Kozencës “Il Calabrese”, faqe 138-139 e citon më të plotë atë që ka thënë Viktor Hygoi. Ja teksti i Dorsës:
“Viktor Hygoi ka thënë se “ai që dëshiron të shohë realizimin e përkryer të poezisë moderne romantike, të lexojë Këngët e Milosaos të Zotit Jeronim de Rada.” Kështu shkrimtari shumë i shquar i Francës, e vlerësonte poetin shqiptar.”.
Dy tekstet vlerësuese që i dedikohen Hygoit nuk janë identike.
Po këto vlerësime të shpallura në shtyp u parapëlqyen.
Studiuesi Markianovi e vlerëson citimin e Hygoit, e vlerëson, “si një gjykim të ri dhe të vërtetë edhe pse të paplotë dhe sipërfaqësor”. Markianovi citon diçka me shumë interes.
Ai thotë se e ka gjetur vlerësimin e Hygoit për De Radën te vëllimi “Studi letteari”, Vittoria, Velardi, 1881 të Francesko Mangos, ku lexon: “Deri dhe Viktor Hygoi si poet i njerëzishëm (humanist), e shihte përkryerjen e poezisë romantike moderne te “Milosao” (faqe 40)”. Ndërkaq, studiuesi Vittorio Guatieri në monografinë e tij “Girolamo de Rada, poeta albanese”, Palermo, Sandrom, 1930, faqe 69, shënimi IV, nuk beson në autencitetin e vlerësimit hygoian.
Gualtieri mbështet tezën, që në dallim nga vlerësimet e tjera të rëndësishme si ato të Lamartinit, të Mistralit, të Tomazeos, të Kantusë, De Rada nuk flet kurrë për Hygoin në veprat e tij.
Problemi shkencor për të zhbiriluar dhe sqaruar këtë të vërtetë ose të pavërtetë asnjë hedhje poshtë apriori të dëshmisë hygoiane për De Radën, por as edhe një afirmim apo besim të verbër për gjithçka.
Nëse Hygoi do të kishte dërguar një letër (cripta manent) De Rada do ta kishte botuar patjetër.
Ndoshta ka mundësi që vlerësimet për De Radën Hygoi mund t’i ketë bërë te të tjerët në formë bisedimore, pastaj në formë e një thënie të dëgjuar nga njerëz deri diku të besuar, i është përcjellë De Radës dhe padyshim që kjo gjë e ka ngazëlluar.
Për mendimin tim vlerësimi i Viktor Hygoit për De Radën nuk është bërë në formën epistolare.
Studiuesi shqiptar Dashnor Kokonozi për vite të tëra u përpoq ta sqaronte këtë enigmë.
Ai shkoi edhe në ishullin Xhersi, ku Viktor Hygoi jetoi mbi 20 vjet, si emigrant politik gjatë kohës që në Francë ishte në fuqi Napoloni III dhe pati rastin të shikonte skedat dhe inventarin e librave të bibliotekës së Hygoit.
Në të vërtetë ai e gjeti një shënim që në bibliotekën e Hygoit ka qenë një vepër e De Radës, konkretisht “Këngët e Serafina Topias”.
Pra, lidhja e De Radës me Hygoin nëpërmjet postës e ka një dëshmi konkrete: arritjen e një libri të De Radës te biblioteka e gjeniut të Francës.
Por, është e pamundur ta sqarosh të vërtetën nëse Hygoi e ka lexuar këtë vepër, dhe për më tepër është shprehur për të.
Nga pikëpamja konceptuale është në stilin dhe në natyrën e Viktor Hygoit ato shprehje lakonike që i atribuohen. Marrim të dy tekstet, qoftë edhe apokrife të Hygoit.
1.“Një poet origjinal dhe sublim”. Ky gjykim është i vërtetë për pjesën e parë të vlerësimit. De Rada është padyshim dhe pa asnjë mëdyshje një poet original.
Sublim? Vlerësime të tilla të epërme janë të shumta në prozën e Hygoit.
Po duke menduar me gjakftohtësi mund të themi se në të vërtetë jo vetëm në këngët e Serafinës, por edhe në tërë artin e tij, kategoria e sublimes gati mungon.
2. Citati tjetër: “Ai që dëshiron të njohë realizimin e përkryer të poezisë moderne romantike të lexojë “Kënët e Milosaos” të zotit Jeronim de Rada”.
Le ta analizojmë këtë tekst të shkurtër dhe lakonik.
Teksti është një vlerësim sipëror. Hygoi e quajka De Radën si realizuesin e përkryer të poezisë moderne romantike, është diçka tepër e skajshme për ta besuar.
Që poezia deradiane ka modernitet poetik kjo nuk mund të mohohet.
Po si vallë Hygoi duke lexuar një vëllim të vogël të përkthyer në italisht të De Radës të ketë arritur në këtë konkluzion madhor, pa lexuar asgjë tjetër dhe pa e ditur në substancë krijimtarinë tjetër të De Radës?
Nga ana tjetër, Hygoi, ishte një nga kolosët e Romantizmit Europian.
Moderniteti i tij i poezisë romantike ka përmasa universale.
Ka më tepër logjikë që statusin e “realizmit të përkryer të poezisë moderne romantike” Hygoi ta nënkuptonte me të drejtë për veten e tij.
Do të ishte shumë retorike dhe emfatike që Hygoi t’ia kursente vetes këtë status dhe t’ia atribuonte një shqiptari poet, por krejt të panjohur në Francën letrare, ku ngriheshin shëmbëlltyra të pashembullta poetike në atë kohë, si Artur Rembo dhe Sharl Bodler, për të cilët Hygoi me të drejtë ka shprehur vlerësimin dhe nderimin e tij.

Jeronim de Rada (1814 – 1903)

Nga ana tjetër del sikur Hygoi i paska lexuar “Këngët e Milosaos”, por rnë shënimet e bibliotekës së Hygoit nuk flitet për këtë fakt, siç e vë re Kokonozi.
E gjithë kjo histori sa intriguese aq edhe interesante e përbën megjithatë një dukuri.
Një dukuri e cila ka qenë e lëvruar dhe e përhapur edhe në shekuj.
Për mendimin tim thëniet e Hygoit për De Radën nuk janë asgjëkundi të shkruara, edhe ndonëse mund të jenë thënë në trajtë shprehjesh në biseda të rastit, prapëseprapë ato kanë një karakter apokrif, ndonëse në thelbin e tyre ato e tregojnë qoftë edhe tërthorazi se madhështia dhe lartësia poetike e De Radës kishte mbërritur deri në Francë, dhe jo dosido, dhe jo rastësisht, por deri tek “Katedralja Nodre Dame e Romantizmit” që ishte vetë Viktor Hygoi.
Nëse ne akoma edhe sot i citojmë këto vlerësime për De Radën nuk është se bëjmë ndonjë blasfemi.
E vërteta më e qenësishme buron nga vetë substanca poetike e “Milosaos”.
Statusi artistik i “Milosaos” është i tillë që dinjitetin dhe vlerësimin t’i shtjellojë në mënyrë kaq të besueshme sa ato që thuhen, që mund të jenë thënë ose mund të mos jenë thënë për Milosaon t’i abstrajojë dhe t’i strukturojë në një logjikë të pranueshme.
Nëse i quajmë apokrife thëniet e Hygoit për shkak të korrektesës dhe akribisë shkencore gjithsesi kjo jo vetëm nuk e ul vlerën e De Radës, por e bën atë një motiv njerëzor të ndërlikuar të epokës së tij, një tipologji të shkrimtarit europian të shekullit XIX , të sharmit, të vlerësimeve, të pohimeve dhe të mohimeve, të lavdërimeve dhe të vetëlavdërimeve, të të vërtetave reale dhe të vërtetave apokrife, duke dhënë më besnikëri adekuate klimën e kohës.

– Dr.Moikom Zeqo –

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura