GJOKË DABAJ: NË SELANIK JETOJNË 70000 SHQIPTARË (NË REND TË DITËS: PËRKUJDESJA GTJITHSHQIPTARE)

Durrës, 08. 04. 2013 – Këtë lajm, lajmin që në Selanik jetojnë rreth 70000 shqiptarë, e morëm këto ditë nga mediat e këtushme, në Tiranë. Në Selanik u hap një shkollë shqipe. Mori pjesë edhe kryetari i bashkisë i atij qyteti. Është kjo një shenjë, që tregon se në shtetin grek ka edhe pushtetarë demokratë e përparimtarë. Po këto ditë, u bë edhe vëllamërimi midis bashkisë së Durrësit dhe bashkisë së Selanikut. Një tjetër dëshmi kjo, që në Ballkan, me gjithë ekzistencën e shumë pushtetarëve me formim të cunguar e anakronik, siç janë ata të Beogradit, psh në bisedimet shqiptarposhtërues me Prishtinën, ka edhe përpjekje progresiste, të cilat synojnë marrëdhënie normale midis popujve.
Selaniku është qyteti ku, në të gjithë shekujt e shkuar kanë jetuar me mijëra arbër, gjegjësisht shqiptarë. Në Mesjetë, krejt Fusha e bukur e Selanikut, veçanërisht pjesa perëndimore e saj, ka qenë e banuar me arbër. Aq shumë arbër ka pasur atje, sa disa studiues, të frymëzuar së prapthi, janë përpjekur ta marrin Fushën e Selanikut si shembull ekspansioni demografik të etnitetit arbër. Dmth si një dukuri negative, ndonëse s’ka qenë ashtu. Qyteti i Selanikut ka qenë përherë, më shumë se i familjarizuar me popullsi shqiptare të të gjitha shtresavet. Aty, midis tjerësh, po e marrim si shembull, lindi, u rrit dhe u shkollua Mustafa Qemali, shqiptari i madh, i cili ia hapi Turqisë rrugët e demokratizimit, të përparimit e të modernizimit dhe të cilin, me të drejtë, populli turk e quajti Ata-turk, Ati i turqvet. E vura në dukje këtë fakt, për të dëshmuar që, të lindësh e të jetosh në Selanik, mund të jesh shqiptar e të punosh si progresist edhe për një komb tjetër (dhe s’e hedh veten poshtë), mund të jesh grek e të punosh për mbarëvajtjen edhe të etnitetevet të tjerë, të shqiptarëvet, të turqvet apo të hebrenjvet të atyshëm (dhe mbetesh i nderuar). Mund të jesh turk dhe të japësh kontributin tend në të mirë të atij quyteti, natyrisht, nëse nuk pengohesh, apo ndalesh brutalisht prej gjithfarë rrymash antiqytetëruese shoviniste.

Kur flasim për popullsi arbërore në ato hapësira, ne, pashmangshëm, na shkon mendja te pyetja:
– Pse nuk ekziston më ajo popullsi?
Dhe përgjigjja është:
– Ajo popullsi arbërore, e shumtë e Mesjetës, nuk ekziston sot, sepse NUK E PAT PRAKTIKUAR SHKOLLIMIN NË GJUHËN ARBËRISHTE. Erdhi shekulli XIX dhe Selaniku u mbush prapë, tashmë jo me arbër, por me pasardhës të tyre, me shqiptarë. Jo pak, por 70000 (shtatëdhjetë mijë).
Pyetja e parë është:
– A do të rrezistojë kjo popullsi pa u asimiluar, dmth pa u asgjësuar në pikëpamje kulturore?
Dhe përgjigjja është:
– VETËM NËSE ZBATON SHKOLLIMIN NË GJUHËN SHQIPE!
Kryebashkiaku i Selanikut duhet përgëzuar dhe duhet falenderuar për disponimin e tij dashamirës ndaj bashkëqytetarëvet të vet shqiptarë. Mirëpo tashmë, jo ai, por vetë ne duhet ta dimë që, në Selanik, nuk mjaftojnë, as 1, as 2, as 5 shkolla shqipe. Në Selanik duhen aq shkolla shqipe, sa të jenë të mjaftueshme për një popullsi 70-mijëshe, e cila shumë shpejt mund të bëhet 100-mijëshe. Atje duhen shkolla fillore të mjaftueshme, duhen shkolla të mesme e, më në fund, atje duhen edhe universitete në gjuhën shqipe. Nëse kjo nuk ndodh në Selanik, faji nuk do të jetë më, as i ndonjë kryebashkiaku (që mund të jetë, por edhe mund të mos jetë si ky i tashmi), as i qeverisë greke, sado që atje mund të vijnë parti me gjithfarë kahjesh.
Mbështetur në këto që thashë, për ne shqiptarët mbetet në rend të ditës, kërkesa më e ngutshme, të cilën tashmë e kemi publikuar në vazhdimësi, me përsëritje të herëpas’hershme, në portalin “Pashtriku”:
– KRIJIMI I INSTITUCIONIT TË PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE!
Nëse do të ekzistonte ai INSTITUCION, ne sot do të numd të krijonim e të vinim në funsionim në atë qytet një numër të mjaftueshëm FJALËMIRASH TË GJUHËS SHQIPE. Fjalëmirat e Gjuhës Shqipe do të bëheshin promotor i hapjes dhe i funksionimit normal të shkollavet në gjuhën shqipe dhe kështu do të arrihej të mbijetonte dhe të zhvillohej një kulturë, e cila, jo vetëm Selanikut, por krejt kulturës mesdhetare, i ka sjellë dhe do t’i sillte vetëm të mira.

=============================


GJOKË DABAJ: PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE (PLATFORMË)
https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=1276

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura