Tiranë, 12 shkurt 2018:
EMRI BIBLIK I SARDËS SHQIPTARE
Bibla e shenjtë është një kryethesar i jashtëzakonshëm kulturor dhe mitik i njerëzimit.
Krishterimi i hershëm iliro shqiptar përvetësoi ide por edhe toponime të marra drejtpërdrejt nga Bibla e Shenjtë. Shfletoj një nga librat më të çuditshëm të Biblës së shenjtë, pikërisht librin “Apokalipsi”.
Ky libër vizionar, i quajtur ndryshe edhe si “Zbulesa” është krijuar nga Shën Gjoni, kur ai ishte internuar në ishullin Patmos në Egje.
Shën Gjoni është autor i ungjillit, që mban emrin e tij, që sot është ungjill sinoptik dhe kanonik, si dhe është autor i disa letrave apostolike të përfshira në Biblën e Shenjtë. Shën Gjonit ju shfaqën vizionet apokaliptike në ishullin Patmos dhe ai ja citonte të tëra këto vizione një shokut të tij të internimit Prohorit.
Është e çuditshme, por në kodikët e lashtë të Shqipërisë janë disa miniatura me vlerë historike, që paraqesin Shën Gjonin në ekstazën e vizioneve dhe Prohorin, që shkruan fjalët e librit.
Libri “Apokalipsi” është libri që ka ndikuar më shumë në metaforikën mesianike të letërsisë botërore.
Ky libër i jashtëzakonshëm dhe profetik është komentuar më shumë nga çdo libër tjetër i botës.
Edhe Isak Njutoni në fund të jetës së tij është marrë me shpjegimet mistike të Apokalipsit.
Shën Gjoni në Patmos i drejton 7 (shtatë) letra disa kishave të Azisë.
Këto janë kishat e Efesit, Smirnës, Pergamit, Tiatirës, Sardës, Filadelfias dhe Laocidesë.
Letra e pestë i është dërguar kishës së Sardës.
Këtu del për herë të parë emri Sarda si qytet në Azinë e Vogël dhe si një nga bërthamat e krishterimit të hershëm.
Është e habitshme por pikërisht në antikitetin e Vonë në shek. VI pas Krishtit, emri biblik Sarda, bëhet emri i një qyteti të hershëm arbëror. Ky qytet në antikitetin e vonë por në shek. XII-XIV është qendër peshkopate dhe përmendet në trajtën “Sardarencis”.
Sot qyteti i ndërtuar mbi një kodër është kthyer në ishull për shkak të liqenit artificial, që u krijua me ndërtimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës më 1973.
***
Gërmimet e para arkeologjike në qytetin e Sardës, që më vonë në mesjetë u quajt Shurdhah, buzë Drinit, 8 km në hyrje të Shkodrës u bënë në vitet 1967-70 nga një ekip arkeologësh, të drejtuar nga arkeologia mesjetarologe Dr. Hëna Spahiu (ndjesë pastë, se ka vdekur më 1992).
Hëna Spahiu ka meritën që shkroi studimin e parë arkeologjik të së ardhmes.
Ajo zbuloi një varrezë arbërore të shek. 6-8 dhe gjeti fibula, unaza, të kulturës së hershme shqiptare që njihet me emrin kultura e Komanit.
Qyteti i Sardës ka një sipërfaqe prej 5 ha dhe përbëhet nga dy rrethime, qyteti Akropol është i rrethuar me një mur 400 m si perimetër dhe qyteti i poshtëm është i rrethuar me një mur 700 m si perimetër.
Brenda në qytet janë mbeturinat e kullave në trajtë katërkëndëshe dhe trekëndëshe të pajisur me nga një hyrje, si dhe gërmadhat e gati 12 kishave.
Këto kisha janë të tipit bazilikë dhe janë tipike të stilit romak dhe lidhen me krishterimin perëndimor të kishës së Romës.
Kisha kryesore e quajtur si kisha e Zojës ruhet gati e plotë por është ndërtim dyduarsh, në të dytin është dyfishuar si hapësirë e brendshme dhe si mur.
Kjo kishë ka gjurmë të sakta afreskesh, ngjyrat e të cilave kanë humbur nga erozioni.
Një kishë pranë saj ka të ruajtur mirë pjesën e absidës si dhe dy dritare të njohura të stilit romanik që duhet të kenë qenë më vitrazhe.
Të dyja këto kisha shumë pranë njëra tjetrës përbëjnë kryeqendrën e Sardës dhe kanë shërbyer si një zonë rezidenciale e peshkopit dhe të princërve të familjes së dukagjinasve.
***
Vizitori ende sot çuditet me këto monumente kulti të stilit romanik.
Ato më kujtojnë kishat romanike të qytetit të Shasit pranë Ulqinit si dhe disa kisha romanike, që ruhen ende sot në qytetin mesjetar të Drishtit dhe sidomos në atë të Danjës.
Në kodrën e Sardës janë dhe mbeturinat e një pallati princëror, të shtruar me pllaka guri dhe me dritare monumentale romanike.
Kjo gjë të kujton një pallat emblematik të stemës së familjes Dukagjini, tepër të njohur në heraldikën shqiptare.
Një pjesë e murit të poshtëm të Sardës futet në ujrat e liqenit. Tashmë në thellësinë e liqenit duhet të vëzhgosh duke patur atributin e arkeologjisë nënujore.
Nën ujë janë dhjetëra monumente sidomos të zonës të përgjithshme qytetare të jetës ekonomike dhe shoqërore, kurse mbi kodrën mbi ujë ruhet dëshmia e qendrës feudale dhe e rezidencës fetare dhe princërore.
***
Në Muzeun Historik Kombëtar kemi ekspozuar fotografinë e portës monumentale më tipike të mesjetës që ruhet sot në Shqipëri.
Për fat të mirë, 1976 Instituti i Monumenteve ka realizuar punime restauruese me vlerë në Sardë.
Që nga viti 1970 e deri më sot asnjë ekspeditë arkeologjike nuk ka shkuar në kodrën e Shurdhahut. Shurdhahu paraqet sot një qytet arkeologjik mesjetar të klasit të parë që mund të bëhet objekti i një turizmi ekologjik të tokës dhe të liqenit por edhe të një turizmi shkencor.
Shënimet që kanë lënë udhëtarët e huaj si Teodor Iben, Hahni, Nopçja etj., tregojnë se Shurdhahu është një nga qendrat ku është formuar etnogjeneza arbërore sepse jo larg Shurdhahut është edhe kalaja e Dalmacisë së Komanit ku është zbuluar koleksioni më i madh i varreve me kulturën e hershme arbërore.
Po bëj një apel për shtetin shqiptar dhe shkencën arkeologjike që ta kthejnë vëmendjen edhe ndaj Shurdhahut.
***
Thashë më sipër se emri Sarda është një emër i njohur biblik.
Shtegtimi i toponimeve biblike në Shqipëri ka qenë një gjë e zakonshme në historinë tonë.
Kështu në mesjetë qyteti antik Orikum, pranë Vlorës është quajtur me emrin e qytetit hebraik Jeriko, kurse në Mirditë kemi edhe emrin Sabaste, që është një toponim i Azisë së Vogël.
Këto lëvizje toponimike janë studiuar nga Farlati dhe Shtjefën Gjeçovi.
Emri Sarda përmendet shpesh në dokumentet kishtare të mesjetës.
Ky emër ka të njëjtën rrënjë me emrin e qytetit Sardika, që sot quhet Sofia në Bullgari.
Interesi për Sardën është jo vetëm filologjik dhe biblik por edhe historik edhe kombëtar për ne shqiptarët. Qyteti e ka mbaruar jetën e vet në fillim të shek. XV.
Nuk dihen arsyet pse ndodhi vdekja e qytetit.
Vetëm kujtesa historike është mbijeta e tij.
MENÇURIA POPULLORE NË SHEKUJ
Motivi i parë: Shkrimi mbi lëvore druri
Dijetari i njohur i antikitetit Plutarku, në veprën e tij „Jetët paralele, shkruan dhe për jetën e Pirros së madh të Epirit.
Kur Pirroja ishte 2 vjeç të atin e tij e rrëzuan nga froni. Atëherë disa shoqërues besnikë të Pirros e morën atë, për ta çuar te ilirët taulantë, pikërisht te prijësi i tyre Glauku, në qytetin e Dyrrahut.
Natën dhe ditën ata iknin me shpejtësi, për të shpëtuar nga ndjekësit, të cilët kërkonin Pirron për ta vrarë.
Në një moment shoqëruesit e Pirros u ndodhën përpara një të papriture: përpara u doli një lumë i rrëmbyer, të cilin nuk e kapërcenin dot, se nuk kishin lundër, ose ndonjë mjet tjetër notimi.
Ndjekësit po afroheshin.
Ç‘duhej bërë?
Ta dorëzonin fëmijën në duart e vrasësve?
Njëri nga shoqëruesit, tregon Plutarku, mori një lëvore druri dhe shkroi mbi të me një majë të mprehtë thike një mesazh, kërkonte ndihmë.
Përtej lumit u dukën disa ilirë.
Frynte erë dhe zërat e shoqëruesve të Pirros nuk kuptoheshin nga ilirët e bregut të përtejmë.
Atëherë lëshuan në lumë lëvoren e drurit të shkruar. Mbas një farë kohe ilirët e morën atë, kuptuan rrezikun e madh, që kërcënonte Pirron dhe menjëherë morën një lundër u afruan në bregun ku rrinte grupi i vogël i ikanakëve dhe i hodhën shëndoshë e mirë përtej lumit.
Ndërkaq ndjekësit arritën te lumi, po tashmë ata nuk mund të bënin asgjë.
Pirron e mori dhe e rriti në Dyrrah Glauku,mbreti i taulanteve, i cili kur djali mbushi moshën 12 vjeç e çoi në Epir, duke e vendosur në fronin mbretëror.
***
Plutarku në faktin, që tregon për lëvoren e drurit hedh dritë dhe për një çështje të kulturës së lashtë.
Është fjala ndoshta për një shkrim, të cilin e shkruanin dhe e kuptonin njësoj si ilirët molosë të Epirit dhe ilirët taulantë të Durrahut.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 317 para erës sonë.
Motivi i dytë: Shpatat e fshehura në amfora
Një dijetar tjetër i lashtë Polibi ka shkruar mbi një ngjarje të çuditshme në vitin 229 para erës sonë.
Disa anije ndalojnë në limanin e Durrahut dhe u luten vendasve, që t’i lejojnë për të hyrë brenda portave të qytetit, për të mbushur amforat me ujë të pijshëm.
Në fillim durrahasit nuk dyshuan.
Por ardhësit kishin fshehur brenda amforave shpata të tyre.
Kjo të kujton menjëherë diçka homerike – motivin e Kalit të Trojës.
Por vendasit syçeltë e kuptuan menjëherë rrezikun dhe me armë në dorë i nxorën e i hodhën jashtë mureve të kështjellës së qytetit.
Amforat me shpata të fshehura nuk arritën të luanin rolin, që luajti në mënyrë fatale kali i drunjtë.
Durrahu nuk pati fatin tragjik të Trojës.
Motivi i tretë: Forca e qëndresës
Në shekujt XI-XII ushtri të panumërta normane rrethuan kështjellën e Durrësit.
Rezistenca e arbërve të qytetit qe madhështore.
Forca e kësaj qëndrese qe edhe në mençurinë e syçeltësinë e vendasve.
Prijësi i normanëve, Robert Guiskardi në fillim deshi t’i mashtrojë durrsakët.
I paraqiti përpara mureve të kështjellës të veshur me rroba ceremoniale një perandor të rremë të Bizantit.
Një nga njerëzit e Robertit luante kështu një rol teatri. Asokohe Durrësi përfshihej në kufijtë e perandorisë bizantine.
Durrsakët u treguan indiferentë e u tallën me perandorin e rremë.
Asnjë dinakëri e pushtuesit norman nuk do t’i detyronte ata që të dorëzonin qytetin e tyre.
Durrsakët rezistuan.
Kronikat flasin për shumë mençuri të tyre, që i përdorën në mbrojtje.
Motivi i katërt: Kursimi i ujit
Kronikanti bizantin Laonik Halkokondili ka shkruar për luftërat e shqiptarëve në shekullin XV kundër pushtuesve osmanë.
Për një kështjellë të shqiptarëve ky kronikan tregon faktin e mëposhtëm.
Jeniçerët e sulltanit arritën të pushtonin burimin e vetëm të ujit që gjendej jashtë mureve të kështjellës. Kështjellarët vendosën të luftojnë deri në fund.
Por rezervat e ujit brenda kështjellës ishin të pakta. Nga ana tjetër nuk duhej vetëm ujë për të pirë, por edhe për të gatuar.
Atëherë mbrojtësit therën dhentë që i kishin për ushqim dhe me gjakun e tyre gatuan bukën.
Kështu ata kursyen ujin.
Motivi i pestë: Kali i ushqyer me grurë
Në një legjendë popullore të kohës së Skënderbeut bëhet fjalë për një nga rrethimet e kështjellave shqiptare. Këtë herë mbrojtësit përdorën një mençuri tjetër. Rrethuesit qenë të lodhur nga lufta, por vazhdonin të besonin te fitorja, sepse kishin të dhëna që rezervat ushqimore brenda në kështjellë qenë shumë të pakta dhe kështu shqiptarët do të dorëzoheshin nga uria.
Po shqiptarët me grurin që u kishte mbetur ushqyen një kalë, të cilin e lanë të dilte nga porta e kështjellës. Turqit e vranë kalin, i hapën barkun dhe panë se ishte ushqyer me grurë.
Duke menduar tani se shqiptarët kishin rezerva aq të mëdha gruri sa ushqenin me to dhe kafshët i ranë daulleve të tërheqjes dhe lanë rrethimin e kështjellës.
Motivi i gjashtë: Pishtarët e Skënderbeut
Për kështjellën mesjetare të Ishmit është dhe një legjendë, që lidhet me emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Turqit, që e rrethuan kështjellën qenë aq të shumtë, sa radhët e tyre dukeshin sikur s’do të mbaronin kurrë. Kështjellarët qenë një numër jo shumë i madh. Skënderbeu me forcat e tij vendosi t’i sulmonte turqit natën nga krahët.
Ai u dërgoi lajme kështjellarëve, që dhe ata të sulmonin në të njëjtën kohë.
Sulmi u bë në mesnatë. Kështjellarët morën dhitë që kishin brenda u vunë në brirë pishtarë dhe në errësirë e lëshuan kopenë e tyre nga kështjella drejt armikut. Njëkohësisht sulmuan dhe vetë duke mbajtur pishtarë në duar.
Sulmi qe i papritur.
Turqit u lemerisën.
Ata shihnin në terr pishtarët dhe s’mund të kuptonin se një pjesë e tyre mbarteshin nga dhitë.
Sulmi i shqiptarëve qe i suksesshëm.
Turqit u tërhoqën.
Që nga ajo kohë thotë legjenda Skënderbeu për të nderuar kujtimin e dhive urdhëroi të bënin një kokë dhie mbi përkrenaren e tij të luftës. (FUND)
____________________
MOIKOM ZEQO: SINOPSE HISTORIKE DHE KULTURORE (1)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=7286
***
DR.MOIKOM ZEQO: SINOPSE HISTORIKE DHE KULTURORE (2)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=7287