DR.MOIKOM ZEQO: STEFAN GASPËR EPIROT DURRSAKU – POET SHQIPTAR I SHEKULLIT XVII

Tiranë, 24. 06. 2014 – Stefan Gaspëri, i mbiquajtur më vonë, si Epirot Durrsaku, ka lindur në qytetin e Durrësit në fillim të shekullit XVII. Ai ishte biri i Nikollës dhe i Marisë, prindër që më vonë u konvertuan në fenë islame. Që në fëmijëri, tek ai spikati një zgjuarsi e pazakontë, prirje për kulturë dhe janë të njohura tri letra të Frang Bardhit që ai ia rekomandon Stefan Gaspërit për të studiuar në kolegjin LORETO të Italisë. Këtu, në këtë kolegj, ka studiuar vetë, përpara Stefanit, Frang Bardhi, i cili në fakt ishte vetëm dy vjet më i madh se sa shoku i tij. Miqësia midis Stefanit dhe Frangut qe e madhe, me një vlerësim të ndërsjellë intelektual dhe vazhdoi deri sa rrojtën që të dy. Pas mbarimit të kolegjit Loreto, po me anë të ndihmës që i dha Frang Bardhit Stefani, pas vitit 1637 shkoi në Romë, ku studioi filozofi, vetëkuptohet dhe teologji, duke fituar gradën e doktorit. Në një libër të shkollës në Romë, për Stefan Gaspërin shënohen këto të dhëna: “Zotëron gjuhën shqipe, latine e italiane, është me shtat të shkurtër dhe me sy ngjyrë ulliri, ka shumë talent dhe një inteligjencë të mirë. Përsa i përket moralit, është i përshtatshëm për të qenë një punonjës i mirë i fesë në qytetin e Durrësit, në Shqipëri. Moshën e ka rreth 27 vjeç”. Këto shënime mbajnë datën e vitit 1635, vit kur Stefani duhet të ketë mbaruar në fakt kolegjin Loreto. Vetëkuptohet që vlerësimi është tepër pozitiv dhe e tregon 27-vjeçarin shqiptar si një shpresë intelektuale për të ardhmen. Për shumë kohë Stefan Gaspëri jetoi në Itali. Në vitin 1644, siç na njofton arkipeshkvi i Durrësit, Mark Skura, Stefani ndodhej në fshatin e Luzit, pranë Durrësit dhe Kavajës, dhe akuzohet në Selinë e Shenjtë, për faktin që prindërit e tij janë kthyer në ritin muhamedan, ndërsa i biri ishte kuadër i kishës katolike. Ky fakt flet për atë që Stefan Gaspëri shihej me dyshim nga eprorët e tij, dyshim që patjetër binte edhe mbi vetë Frang Bardhin, si të thuash tutori, propozuesi dhe inkurajuesi i Stefanit.


Fjalori latinisht – (epirotik, 1635) i Frang Bardhit.

Më 18 korrik të vitit 1671 e deri në fillim të vitit 1672 Stefan Gaspëri ndërmerr një udhëtim të gjatë nëpër Shqipëri, me mision nga Propaganda fide. Përshtypjet e udhëtimit, vëzhgimet e tij ai i sendërton në një relacion të gjatë, ku ka shumë të dhëna ekskluzive me karakter historik, gjuhësor dhe shoqëror, relacion ky gati 150 faqe, që përbën në thelb një libër të tërë. Ky libër është shkruar në italisht dhe pjesërisht është botuar në vitet ’30-të te Hylli i Dritës në Shkodër. Ka ardhur koha që ky libër të përkthehet në gjuhën shqipe dhe të botohet si një nga librat më interesantë dhe më substancialë të një autori shqiptar në krejt kulturën e shekullit. Më 28 maj 1637 Stefan Gaspëri vendoset në Zadrimë, si titullari i lartë fetar, ku edhe vdes, në vitin 1680, në moshën 72-vjeçare. Për fat të keq, nuk dimë asgjë për reliket dhe varrin e tij, si dhe për dorëshkrimet dhe librat e mbetura të pabotuara. Stefan Gaspëri përmendet në kulturën shqiptare edhe për dy poezi, që i ka botuar në vitin 1635 për nder të shokut të tij të ditur Frang Bardhit, brenda botimit prej këtij të fundit të “Fjalorit latinisht-shqip”. Fakti që Bardhi e quan për nder të veçantë vlerësimin e Stefan Gaspërit, duke i përfshirë poezitë e Stefanit në këtë fjalor, ky fakt, përtej njohjes intime dhe shoqërore në rrafshin kulturor dhe shkencor, merr një peshë të posaçme antologjike. Të dy poezitë, poeti ynë nga Durrësi, i nënshkruan me emrin katërgjymtyrësh Stefan Gaspër Epirot Durrësaku, që do të thotë se emri i tij familjar, Stefan Gaspëri, është përcaktuar qëllimisht nga autori me emrin Epirot, që në këtë shekull përkthehet-shqiptari dhe durrsaku për të shpallur botërisht vetëshqiptarinë e qytetit të Durrësit.
Po botojmë të dy poezitë:
Poezia e parë:

Porsa lindi Titani i ri, gëzime të reja iu dhanë tokës
Me dritë të artë pikturoi ujrat gjenia jote
Frang, i dhe shumë të mira dheut
Fara e zgjedhur që hodhe meriton lëvdata
Kuptohet se lëvdatat e pavdekshme thurin krenarinë
Duke patur të pavdekshëm emrin tonë
Poezia e dytë:
Ashtu si Virgjili, Augusti dhe Homeri, që përjetësoi Akilin,
Po të mund të shkruanim prapë për ty do të ishte pak ose asgjë.

Të dy poezitë janë shkruar në latinishten humaniste të shkëlqyer të kohës dhe kanë karakter të mirëfilltë laik. Poezitë reflektojnë kulturën shumë të lartë të Stefanit dhe njohjen nga ai përsosmërisht të kulturës së dyfishtë greko-romake. Stefan Gaspëri e quan Frang Bardhin një titan të ri, dhe kjo figurë mitologjike i përshtatet shkëlqyeshëm epokës së titanëve të Rilindjes Italiane dhe Evropiane. Kështu Stefani citon dy kryepoetë të njerëzimit, Homerin dhe Virgjilin.
Është gati një fatalitet dhe profeci e çuditshme që Stefan Gaspëri i drejtohet Frang Bardhit duke bërë një paralele të Akilit, “kryepersonazh i Iliadës”, lartësuar nga Homeri, i cili dihet që pati një jetë tepër të shkurtër, po me lavdi shumë të madhe. Edhe Frang Bardhi, si Akili, pati një jetë të shkurtër, vdiq 36 vjeç, por e pasoi pasvdekjen e tij një lavdi e madhe. Siç shihet, Stefani në mënyrë apologjike e ngre lart rolin e Frang Bardhit në kulturën kombëtare shqiptare. Nuk dimë nëse ka shkruar poezi të tjera poeti ynë nga Durrësi. Sidoqoftë dy poezitë e tij janë nga më të spikaturat në shekullin XVII në krejt kulturën e vendit tonë, por të denja për t’u futur në çdo antologji të poezive latinisht, më saktë të epigrameve të latinitetit mesjetar, latinitet i cili lëvrohet deri në ditët tona.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura