PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE (IX)

Pashtriku, 7 qershor 2020:
Viti 1981, siç ka thënë me të drejtë veprimtari i çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, e ndryshoi historinë. Zjarri i rezistencës së vitit 1981, jo vetëm nuk u shua më, por erdhi duke u rritur nga viti në vit, deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëbimin e forcave serbe nga Kosova, më 1999

***
Demonstratat e vitit 1981 e ndryshuan historinë
Organizatat ilegale atdhetare ishin organizatore të demonstratave
Pashtriku: Megjithatë, historia duhet ta dijë se cila nga organizatat atdhetare të kohës, të Lëvizjes së re Kombëtare u priu demonstratave të 11 e 26 marsit 1981, përkatësisht, demonstratave të mëdha, mbarëpopullore, të 1 dhe 2 prillit 1981?
Hajrizi:
Së pari dua të them që dëshmitë e pjesëmarrësve të zhvillimeve historike kanë vlerë, por historiografia duhet t’i fusë në makinën e kritereve shkencore për desubjektivizim dhe verifikim të saktësisë. Së dyti, kryengritjes së vitit 1981 i ka paraprirë veprimtaria e gjatë përgatitore, frymëzuese, edukuese e mobilizuese e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për këtë do parë faktografinë, dokumentet arkivore dhe informacionin kredibil. Së treti, unë kam shkruar gjerësisht për kryengritjen dhe rolin e OMLK-së, në librin “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”, por këtu pikëpamjen time do ta sintetizoja shkurt: Kryengritja e vitit 1981, u përgatit gjatë nga Lëvizja Kombëtare, shpërtheu spontanisht dhe u organizua po nga kjo lëvizje. Lëvizja Kombëtare Shqiptare përbëhej nga shumë organizata, disa prej të cilave u përmendën më parë. Shkenca është ajo që do ta vlerësojë kontributin përgatitor dhe organizativ në kryengritje, të secilës nga këto organizata veç e veç dhe të Lëvizjes Kombëtare bashkë.

Sa i përket OMLK-së për të cilën mund të flas më me kompetencë, që nga themelimi ka vepruar për zgjerimin dhe shkallëzimin e rezistencës kundër regjimit pushtues, duke filluar nga greva e demonstrata dhe deri në luftën e armatosur në një rrethanë të përshtatshme historike. Gjithë kjo veprimtari shumëdrejtimëshe do të çonte një ditë drejt një kryengritjeje të përmasave të asaj të vitit 1981.
Shkëndija e parë e kësaj kryengritjeje shpërtheu natën e 11 marsit të vitit 1981. Karakteri i asaj demonstrate ishte kryesisht social, por si çdo shkëndijë edhe kjo mund të ndizte zjarrin e madh dhe të evoluonte, shkallë-shkallë në kërkesat dhe përmbajtjen e përmasat që pati në vazhdim. Shikoni si nisën aktualisht demonstratat në Hong Kong me shkas të një projektligji jo aq jetik, por ku evoluuan në karakterin e tyre. Ndonëse thuhet se demonstratën e 11 marsit ndër të parët i filloi një student veprimtar i organizatës sonë, Abdullah Tahiri, (dëshmor i kombit), ne vazhdimisht kemi konsideruar se 11 marsi është nisur dhe organizuar nga studentët, pa na shkuar kurrë ndërmend të pretendojmë autorësinë mbi to.
Në atë pranverë kemi biseduar dhe po përgatiteshim për demonstratë, por nuk kishim asnjë vendim që ta fillonim pikërisht më 11 e 26 mars, apo më 1 e 2 prill. Më 11 mars veprimtarë studentë të organizatës sonë kanë marrë pjesë aktive, kurse më 26 mars nga anëtarësia jonë, jo vetëm kanë marrë pjesë më shumë, por edhe disa prej tyre kishin rol drejtues. Kjo demonstratë, fillesën e saj e kishte te Stafeta e Titos, e cila duhej të defilonte atë ditë nëpër Prishtinë, d.m.th, demonstrata po merrte karakter politik.
Organizata jonë, duke e shqyrtuar situatën e re, vendosi të organizonte gjithë anëtarësinë për pjesëmarrje në shpërthimet e ardhshme, të cilat nuk ishte vështirë të parashikoheshin, të merrte rol organizues, orientues dhe drejtues. Kështu kanë vepruar edhe organizata të tjera të Lëvizjes Kombëtare. Në masivizimin e demonstratave pas asaj të 26 marsit, veç Lëvizjes Kombëtare, ndikoi fuqishëm edhe trajtimi mizor i forcave speciale serbe që u bënë studentëve, bijave e bijve të popullit që u zemërua nga kjo sjellje fashiste e shoviniste.
Duke dalë në ballë të demonstratave, Lëvizja Kombëtare i orientoi e organizoi ato, pamundësoi ndikimin e provokatorëve dhe siguroi pastërtinë e drejtësinë e luftës.

Në Lëvizjen e madhe të vitit 1981, me qindra mijë pjesëmarrës, nuk u dëgjua asnjë urrejtje, asnjë parullë shoviniste kundër popullit serb. Ky fakt ishte vërejtur dhe çmuar edhe nga opinioni demokratik ndërkombëtar. Gazeta e cituar “Frankfurter Algemaine” e datës 27 prill 1981 konstatonte: “Turbullirat në Kosovë ishin më të ashpra dhe me përmasa më të mëdha sesa jepen zyrtarisht. Ndërmjet datës 1 dhe 4 prill nuk mbeti asnjë zonë e krahinës pa bërë në forma të ndryshme, demonstrata e greva…Të gjithë vrojtuesit vërtetojnë se demonstratat e shqiptarëve, pavarësisht karakterit nacional, nuk janë të drejtuara kundër pakicës serbe”.
Më 1 prill, shumë veprimtarë të OMLK-së kanë dalë në ballë të demonstruesve të rrugëve të Prishtinës që shpinin drejt qendrës dhe aty e gjithë demonstrata është orientuar nga veprimtarët tanë, e sidomos nga ilegali, Hydajet Hyseni. Më 2 prill, (një natë më parë vetë demonstruesit ishin pajtuar që të nesërmen të vazhdonte demonstrata), dy nga militantët e OMLK-së, Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi, si organizatorë dhe në ballë të demonstratës, me flamur në dorë, ranë dëshmorë në qendër të Prishtinës.
Demonstratat ishin vepër e përbashkët e të gjithëve, prandaj nuk mund askush veçantë t’i përvetësojë.

Regjimi jugosllav/serb, nxitoi që ashpër ta akuzonte Tiranën zyrtare për organizim dhe përkrahje të demonstratave të rinisë, studentëve dhe punëtorëve…?
Kryengritja ishte vepër e popullit trim, të papërkulur
HAJRIZI:
Janë bërë shumë përpjekje për ta mjegulluar këtë kryengritje qëllimshëm dhe sipas interesave të ndryshme, të brendshme a të jashtme. Më 1981 zyrtarët jugosllavë deklaronin se demonstratat i ka organizuar Tirana zyrtare, shërbimet sekrete të Bashkimit Sovjetik dhe të Bullgarisë, “mërgata reaksionare shqiptare”, reaksioni perëndimor etj., duke u përpjekur që kryengritjen ta paraqisnin si të importuar nga jashtë.
Nga Kryesia e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Stane Dolanc, në një konferencë shtypi më 6 prill 1981, thoshte: “Forcat më reaksionare të botës edhe fashiste dhe më dogmatike, të cilat në këtë rast, sigurisht janë bashkuar dhe kanë adoptuar një platformë.“ Si jehonë kësaj deklarate vinte në Kosovë, më 5 maj të atij viti, diskutimi i zyrtarit të lartë, Azem Vllasi, në mbledhjen e Kryesisë së Komitetit Krahinor të LKK: ”Armiku….doli me parullat, qëllimet me planet që janë përgatitur në shtabet e fuqive reaksionare, të cilat gjithmonë kanë punuar dhe punojnë kundër Kosovës dhe Jugosllavisë vetëqeverisëse dhe socialiste.”

Anëtari kryesisë së RSF të Jugosllavisë, Lazar Kolishevski, më 29 prill 1981, para funksionarëve më të lartë të Federatës, ka thënë: “Politika shqiptare ndaj nesh vazhdimisht është e ngjyrosur me nacionalizmin e hapur dhe aspirimin për bashkimin e Kosovës Shqipërisë” Ndërkaq, më 14 maj 1981, qeveria jugosllave, lidhur me zhvillimet në Kosovë, i paraqiti qeverisë shqiptare protestë zyrtare për “Përzierje brutale të RPS të Shqipërisë në punët e brendshme të RSF të Jugosllavisë”.
Me këto pohime pompoze pa asnjë bazë dhe argument, gazeta gjermanoperëndimore “Frankfurter Algemaine” e datës 9 prill 1981, gjente ngjashmëri identike: “Kur u vjen uji deri në fyt, diktaturat fashiste të Amerikës Latine dhe vetadministrimi jugosllav reagojnë siç duket në mënyrë bukur të ngjashme. Gjëja e parë është fajësimi i armikut të jashtëm.”
Politika shoviniste e Beogradit në Kosovë i kushtoi shumë popullit shqiptar, por edhe vetë Serbisë e Jugosllavisë. Në mbledhjen e gjatë të KQ të LK të Serbisë, më 5 maj 1981, zyrtari i larë serb, Nikola Stojanoviq, duke folur për gjendjen e krijuar nga Kryengritja në Kosovë, thoshte: “Megjithëse kurrë nuk e kishim lehtë, që nga lufta e deri tashti asnjëherë nuk ishim në situatë më të komplikuar”
Gazeta amerikane “Boston Globe” e 18 qershorit 1981, pasi konstaton se më 1913 fuqitë e mëdha e bënë Shqipërinë të pavarur por ia dorëzuan Kosovën monarkisë serbe, përfundon në mënyrë profetike: “Kosova është bota e tretë e vogël e Jugosllavisë: e varfër, krenare, e fyer dhe e padurueshme. Mënyra se si do t’ia dalin mbanë pasuesit e Titos kësaj çështjeje do t‘i tregojë shumë botës mbi të ardhmen e Jugosllavisë”.
Viti 1981, siç ka thënë me të drejtë veprimtari i çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, e ndryshoi historinë. Zjarri i rezistencës së vitit 1981, jo vetëm nuk u shua më, por erdhi duke u rritur nga viti në vit, deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëbimin e forcave serbe nga Kosova, më 1999
Gazeta franceze “Figaro” e 30 qershorit të vitit 1981, në një artikull për Kosovën prekte qëllimin themelor programatik të demonstratave: “Popullsia e saj shpresonte dhe parashikonte një republikë të Kosovës të pavarur dhe të barabartë me republikat e tjera jugosllave. Që nga kjo kohë është shënuar në këtë krahinë lindja dhe rritja e një korrenti të favorshëm për pavarësi”.

Si përfundim mund të them që kryengritja e vitit 1981 ishte vepër e vetë popullit të Kosovës, të frymëzuar, organizuar dhe drejtuar nga Lëvizja e tij Kombëtare. Nuk mund të studiohet shkencërisht kryengritja e vitit 1981 pa e njohur rolin e Lëvizjes Kombëtare në to dhe pa e trajtuar thelbin e saj me parullat qendrore, „Kosova –Republikë“ dhe „Vetëvendosje“ e „Bashkim“.
Historiografia jonë duhet ta studiojë shkencërisht Kryengritjen e vitit 1981, mbi bazën e faktografisë dhe t’i japë asaj dimensionin historik, rolin e vendin që meriton në të kaluarën e lavdishme të Kosovës.
Studimet duhet të hulumtojnë në hollësi veprimtarinë e secilës organizatë të Lëvizjes sonë Kombëtare të viteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë, materialet faktografike të veprimtarisë së tyre, përvojën praktike dhe teorike, jetëgjatësinë e qëndresës, përgatitjen dhe shtrirjen e anëtarësisë, ndërtimin strukturor etj. dhe vetëm atëherë do të shihet kontributi i secilës dhe të gjithave bashkë në kryengritjen e vitit 1981. Studiuesit i kanë të gjitha kushtet për ndriçimin e kësaj periudhe historike të Lëvizjes së re Kombëtare, me informacionin e bollshëm arkivor, me dëshmitarët e gjallë dhe me distancën e mjaftueshme të kohës.
– VIJON –
________________________
PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÒªËSHTJES KOMBËTARE (VIII)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10104

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura