Prishtinë, 29 korrik 2020: Në studimin “Mbi tematikën e rapsodive të De Radës” janë trajtuar aspektet tematiko-motivore të poezive arbëreshe, të klasifikuara në tri grupe të mëdha. Grupin e pare e përbëjnë këngët më të vjetra me tematikë legjendare, midis të cilave mbizotërojnë motivet e baladave si traditë më e vjetër e krijimtarisë arbëreshe, në të cilën janë ruajtur veçori të poezisë mesjetare shqiptare me strukturën e pacenuar mitike dhe etnopsikologjike që e karakterizon traditën legjendare të popullit tone.
Në grupin e dytë në veprën e De Radës janë radhitur këngët epike historike, të cilat u kushtohen ngjarjeve të shekullit XV, epokës së Motit të Madh, siç e quanin arbëreshët epokën e Skënderbeut. Në këtë rast studiuesi konstaton se këto këngë me ngjarje edhe heronj historikë dhe gojëdhanorë tradicionalë, me elemente mjaft të theksuara mitologjike, shënojnë një faze shumë të rendësishme të shndërrimeve të poezisë popullore shqiptare në relacionin miti-historia, pra, prej këngës epike legjendare kah ajo thjesht historike. Në poezinë arbëreshe të këtij lloji janë ruajtur edhe veçoritë karakteristike të baladave, prandaj nga kjo periudhë mund të pohohet se rrjedhin baladat e para historike në poezinë shqiptare.
Në grupin e tretë tematiko-motivor, janë këngët e mbledhura e botuar nga De Rada, në të cilat mbizotërojnë motivet lirike, malli dhe nostalgjia për atdheun e të parëve të arbëreshëve të Italisë, tema të ndryshme nga jeta e përditshme e arbëreshëve, motive të ndryshme si ato të dasmës, të dashurisë e të tjera.
Në këtë studim për Jeronim de Radën janë trajtuar drejt edhe vlerat e veçanta artistike të poezisë arbëreshe.
Këngës popullore i kushtohet edhe punimi për interesimin e gjuhëtarit tonë të shquar, Eqrem Çabejit, për poezinë popullore shqiptare, në përgjithësi dhe për atë të arbëreshëve, në veçanti. Në vështerimin studimor e prof. dr. Fazli Sylës theksohet ndihmesa e Eqrem Çabejin për të dëshmuar vjetërsinë e poezisë popullore arbëreshe në bazë të vlerësimit të shtresave të saj gjuhësore. Albanologu ynë i madh konstaton se në poezinë popullore të arbëreshëve të Italisë kemi dy shtresa gjuhësore, atë të fundit të mesjetës dhe të pragut të kohës së re. Në këtë punim theksohet edhe rendësia e veçantë e shkrimeve të Eqrem Çabejit, sidomos për disa nga motivet më të vjetra të këngëve, të cilat janë marrë edhe me aspektin krahasimtar me traditën më të gjerë të krijimtarisë së popujve të Ballkanit që nga koha e motiveve më të lashta me origjinë homerike.
Prof.dr. Fazli Syla edhe në këtë vepër është marrë me disa aspekte të veçanta të poezisë populllore të kaçakëve, të cilat duke trajtuar në mënyrë sintetike e plotësojnë konceptin e përgjithshëm të librit që ka të bëjë kryesisht me këngët tona historike. Aspektet e veçanta të traditës së përgjithshme të krijimtarisë popullore, sidomos të këngëve historike, janë trajtuar edhe në relacionin krahasimtar me poezinë e shkruar. Nga kjo problematikë dallohet punimi “Tradita popullore në veprën e Esad Mekulit”, ku autori konstaton se poeti ynë është frymëzuar nga tradita popullore, sidomos nga kënga e lahutës nga epika dhe baladat, që janë karakteristikë për mjediset rurale e vendlindjes së tij. Megjithatë, autori konstaton se në poezinë e Esad Mekulit ky ndikim nuk është aq i dendur në planin e strukturës formësuese, sa në planin më të gjerë të ideve, në porosinë e fjalës poetike dhe në misionin e saj artistik.
Shikuar në përgjithësi, libri “Kënga dhe ngjarja historike” – vepra e dytë e studimeve folklorike të prof. dr. Fazli Sylës, e përcakton atë si studiues më të thelluar të vlerave historike dhe poetike të këngës sonë popullore.
Vepra e tretë “Çështje të folkorit shqiptar” trajton disa probleme të rëndësishme të folklorit dhe përgjithësisht të kulturës popullore shqiptare. Ajo paraqet një mozaik të komponuar me shumë kujdes, qoftë sa i përket pjesës së studimeve, qoftë edhe për atë që e përbëjnë recensionet për librat e karakterit studimor dhe për ata me materiale folklorike.
Studiuesi Fazli Syla 1935 – 2020
Në pjesën e parë të studimeve ai trajton problematikën e këngëve popullore shqiptare që lidhen me periudhën e rëndësishme të Rilindjes sonë, me atë të Shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar, pastaj me mbrojtjen e tërësisë së territorit dhe me vazhdimësinë tematiko-motivore të këngëve tona popullore, me periudhën e tyre prodhuese e riprodhuese deri në kohën tonë. Që të tria këto çështje në këtë vepër i karakterizon vlerësimi objektiv shkencor i vlerave folklorike, por edhe visioni historik i çështjes kombëtare, që lidhet me realitetin e periudhës kur janë shkruar këto punime.
Është me interes të veçantë se autori e ka konstatuar unitetin e përgjithshëm që mbizotëron brenda këngës historike shqiptare, pa marrë parasysh dallimet formale sa i përket mënyrës së interpretimit dhe strukturës së përgjithshme morfologjike të këtyre këngëve. Duke pasur parasysh qasjen integrale në studimin e poezisë popullore shqiptare dhe vetë unitetin që lidhet me mbrotjen e hapësirës territoriale të shqiptarëve, që është objekt i folklorit, autori i ka trajtuar çështjet historike dhe folklorike brenda procesit të vazhdimësisë së përpjekjeve të popullit tonë për çlirim dhe bashkim kombëtar, duke mos i përfillur kufijtë e imponuar dhunshëm nga situatat politike që janë pasojë e padrejtësive të mëdha që faktori ndërkombëtar ua ka imponuar shqiptarëve me Konferencën e Ambasadorëve në Londër meë 1913. Për shkak të kohës kur janë shkruar këto studime dhe tematikës së këngëve tona historike, që lidhen me çështjen e pazgjidhur shqiptare në suaza ballkanike, në disa raste këtu është i hetueshëm edhe dimensioni i veçantë i aktualitetit që vihet në shërbim të interesave kombëtare të periudhës më të re të historisë sonë.
Çështja e dytë e pjesës së parë të kësaj vepre ka të bëjë me vlerësimin shkencor lidhur me mbledhjen, botimin dhe studimin e folklorit shqiptar, sidomos punëve që janë bërë në këto drejtime pas Luftës së Dytë Botërore, që këtu ballafaqohet edhe me aspektin e veçantë të botimeve me të suksesshme të materialeve folklorike, siç janë “Visaret e Kombit” – seri shumë e njohur në folkloristikën shqiptare, që është bërë në periudhën e mëparshme. Edhe në këtë pjesë të librit autori duke vlerësuar drejt qasjen integrale, konstaton se folklori ndër ne, ndonëse nuk është mbledhur në mënyrë sistematike në të gjitha trevat, prandaj ka edhe shpërpjestime në aspektet krahinore, në fushën e studimit në të gjitha kohërat është trajtuar si unitet i një mozaiku, që ka lidhjet e brendshme të paraqitjes unike të mendësisë kombëtare dhe të pasurisë së trashëguar artistike, e cila është bartur ndër brezni deri në kohën tonë. Duke i ballafaquar dy periudhat e rëndësishme të mbledhjes dhe të botimit të folklorit tonë, duke vlerësuar lart pasurinë që përmbajnë “Visaret e Kombit”, si një nga seritë e botimeve më të suksesshme të pasurisë sonë poetike popullore, autori në këtë pjesë të veprës së tij angazhohet edhe për studimin më të thelluar të poetikës së folklorit, larg nga kufizimet e kuptimeve të parcializuara dhe mendësisë krahinore për t’i mbitheksuar vlerat vetanake, që në thelb paraqesin folklorizmin diletant, me të cilin nuk ka asgjë të përbashkët dituria për folklorin.
Në vazhdim prof. dr. Fazli Syla e zgjeron bazën e interesimeve të tij dhe merret me një çështje krejtësisht të re të studimeve folklorike, me aspektet krahasimtare të letërsisë popullore me letërsinë e shkruar. Në këtë rast objekt i interesimit dhe i qasjes së veçantë të autorit janë dy shkrimtarë të shquar të dy periudhave të rëndësishme të zhvillimit të letërsisë shqipe: Pjetër Bogdani, autori më i dalluar i qarkut të shkrimtarëve të vjetër të Veriut dhe Naim Frashëri, romantiku ynë më i njohur, veprat e të cilit paraqesin bazën e zhvillimit të poezisë sonë të re.
Studimi “Elemente të poezisë gojore në veprën e Pjetër Bogdanit”, i ka konstatuar drejt të gjithë përbërësit e folklorit tonë, të cilat dëshmojnë një të vërtetë të madhe se në krijimin e personalitetit intelektual të këtij teologu dhe mendimtari shqiptar, pos shkollimit në rrethanat kulturore të kohës, ka dorë edhe kultura popullore në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë gjuha jonë për të cilën ai vetë shprehet me dashuri aq të theksuar,
Aspektet e njëjta të raporteve të letërisisë së shkruar me pasurinë e përgjithshme të traditës sonë kulturore prof. dr. Fazli Syla i trajton me sukses në veprën e popullarizuar të Naim Frashërit “Istoria e Skënderbeut”.Edhe në këtë rast autori vënë në dukje se tradita popullore e përvetësuar nga Naimi, qoftë si mënyrë e përjetimit të botës nga vetë autori i veprës epike, qoftë edhe si qasje humaniste e pranuar nën ndikimin e veprës së autorit më të hershëm shqiptar, Marin Barletit, e përshkon tërësinë e kësaj vepre, në të cilën krahas historisë së epokës së lavdishme të Skënderbeut janë trajtuar edhe probleme të tjera etike dhe filozofike, që lidhen edhe me vetë aktualitetin e veprës.
Pjesa e parë e veprës “Çështje të folkorit shqiptar” mbyllet me dy shkrime të veçanta sintetike për dy mbledhësit dhe studiuesit më të dalluar në folkoristikën më të re shqiptare: Qemal Haxhihasanin dhe Anton Çettën, të cilët, falë punës së madhe për mbledhjen, botimin dhe studimin e folklorit, u bënë prijetarë në këto fusha brenda institucioneve të specializuara shkencore në Tiranë e në Prishtinë, duke ngritur metodologjinë e punës së tyre në nivelin e shkollave të veçanta folkloristike prej të cilave kanë mësuar brezat e rinj të studiuesve shqiptarë. Këto shkrime edhe pse kanë pikënisje të caktuar që lidhet me jubiletë e folkloristëve tanë të shquar, krahas ndjeshmërisë dhe devocionit ndaj tyre, paraqesin edhe vlerësimin objektiv për punën e madhe që kanë bërë këta pionierë të folkloristikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Pjesa e dytë e veprës përbëhet nga recensionet vlerësuese dhe sqaruese për disa vepra të botuara nga fusha e etnologjisë dhe e folkorit, siç janë: “Rugova – monografi etnologjike”, botimi Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që është hartuar nga një grup autorësh, nën udhëheqjen e Mark Krasniqit, “Etnologjia flet” të dr. Drita Halimit – Statovcit, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Të dyja këto recensione i karakterizon qasja analitike dhe vlerësimi i drejtë për dimensionin e veçantë kulturor që përfaqësojnë këto vepra brenda traditës sonë.
Dy vlerësimet e tjera kanë të bëjnë me veprat nga fusha e studimeve folkorike: “Letërsi folkorike” të autorëve Ramazan Bogdani dhe Agron Xhagolli me me përmbledhjen e shkrimeve të Anton Berishës me titull “Mbi letërsinë gojore” .Fazli Syla thekson në mënyrë të veçantë rëndësinë e tyre, jo vetëm si qasje ndaj problematikës së studimeve folkorike, por edhe si rezultat i qëndrueshëm që hap shtegun për studime të matejshme në këtë fushë.
Pjesën e fundi të veprës janë tri recensione për botimet e lëndës folkorike, dy për botimet e rëndësishme të Degës së Folklorit të Institutit Albasnologjik të Prishtinës ”Këngë Popullore të Rilindjes Kombëtare” dhe “Këngë dasme” dhe një për veprën “Lirika popullore në Trevën e Tetovës dhe të Gostivarit” të përgatitur nga Edibe Osmani. Në këto recensione, krahas vlerësimit të veçorive artistike të lëndës së botuar, autori e ka çmuar drejt edhe punën e përpiluesve të këtyre blejve
Vepra “Çështje të folkorit shqiptar” mbyllet me një bibliografi bukur të kompletuar të punimeve të këtij autori, e cila do të jetë një ndihmesë e veçantë për të gjithë ata që do të jenë të interesuar për ta studiuar veprimtarinë e këtij folkoristi, i cili ka bërë punë shumë të vlefshme edhe në fushën e arsimit dhe të shkencës, qoftë me anë të shkrimeve të veçanta analitike, qoftë edhe duke kryer detyra të rëndësishme për organizimin institucional të arsimit dhe të shkencës në Kosovë.
Edhe vepra e tretë e studimeve folklorike të prof. dr. Fazli Sylës “Çështje të folklorit shqiptar” është një përmbledhje e suksesshme e studimeve dhe e shkrimeve të tjera nga fusha e kulturës sonë popullore, që do t’u hyjë në punë studiuesve të sotëm dhe të gjithë të tjerëve që në të ardhmën do të merren me çështje të folklorit dhe përgjithësisht me ato të kulturës sonë tradicionale.
Vepra e katërt e prof. dr. Fazli Sylës “E kaluara në poezinë tone popullore”, shikuar përgjithësisht, është një përzgjedhje nga studimet e mëparshme, të cilat janë rishikuar dhe plotësuar me aspekte të reja nga këndvështrime të veçanta analitike, por edhe nga një riradhitje e veçantë, që përfaqësohet brenda tri terësive të papërkufizuara formalisht, por të hetueshme brenda këtij libri. prandaj mund të thuhet se autori na ka sjellë kështu një lëndë pothuajse krejtësisht të re me interes të veçantë, sidomos për studiuesit e folklorit, por edhe për të gjithë ata që interesohen për vlerat e përgjithshme të artit tonë popullor.
Vepra e prof. dr. Fazli Sylës “E kaluara në poezinë tone popullore” përbëhet nga 22 njësi studimore. Duke filluar nga shkrimi që lidhet drejtpërdrejt me aktualitetin e manifestimit të njëqindvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar, pjesa dërrmuese e studimeve merret me të kaluarën tonë historike dhe me mënyrën se si është paraqitur ajo në epikën tonë popullore. Shikuar përgjithësisht, në studimet e pjesë së parë të librit trajtohen aspekte më të gjëra të rolit të këngës sonë popullore historike si moblizuese shpirtërore për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut të shqiptarëve, për vazhdimësinë e qëndrësës dhe format e saj të organizuara individuale e grupore brenda lëvizjes së kaçakëve, për këngët që shënojnë vetëdije më të formuar kombëtare gjatë periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Brenda kësaj tërësie trajtohen edhe aspektet etiko-morale, që e karakterizojnë mendësinë e popullit shqiptar, e në mënyrë të veçantë të protagonistëve të këngëve tona historike, pastaj të antagonistëve të tyre, por edhe të personave të tjerë, midis të cilëve kënga jonë epikë i demaskon sidomos tradhtarët dhe besëprerësitë, që paraqiten veçmas në këngët individuale për kaçakët dhe dukuritë e tjera të shëmtuara, që janë pjesë e etikës dhe estetikës së këngës populllore shqiptare. Midis veçoriveë karakteristike të poezisë sonë populllore, me të cilat është marrë gjerësisht autori i kësaj vepre, duhet ta përmendim edhe anën etnopsikoologjike dhe mitologjike, në mënyrë të veçantë adhurimin e trimërisë, të burrërisë, të heroizmit e, sidomos kultin e armës, të cilën shqiptari e ka adhuruar si mjet të domosdoshëm për mbrojtje individuale dhe të përbashkët të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.
Një pjesë e punimeve të përzgjedhura në këtë libër merren me karakteristikat e përgjithshme dhe të veçanta të folklorit tonë, me karakterin e tij njohës, me aspektet e mbledhjes, të klasifikimit dhe të studimit të tij, si edhe me organizimin institucional të këtyre punëve në kuadër institucioneve tona shkencore dhe përgjithësisht të studimeve të folklorit tonë. Të gjitha këto çështje autori i ka trajtuar me anë të një analize të hollësishme shkencore dhe në këtë bazë edhe ka nxjerrë përfundime të vlefshme për pasurinë e trashëgimisë sonë folklorike dhe të kulturës sonë tradicionale në përgjithësi.
Pjesën e tretë të punimeve të përzgjedhura të veprës“E kaluara në poezinë tonë popullore” e përbëjnë studimet që kanë të bëjnë me aspekte të historikut të folkloristikës sonë, me zanafillën e ndikimeve folklorike në veprat e letërsisës së shkruar, duke filluar nga autori i litëersisë sonë sakrale fetare, Pjetër Bogdani, pastaj Jeronim de Rada, Naim Frashëri e deri te Esad Mekuli. Po këtu, janë edhe analizat vlerësuese për veprat madhore të e folklorit tone si “Bëleta shqiptare” e Thimi Mitkos, “Rapsodi të një poemi shqiptar” të të De Radës, pastaj vëllimet që përfaqësojnë vlerat kulminante të folkloristikës shqiptare “Visarët e Kombit”. Brenda kësaj pjese përfshihen edhe vlerësimet prof. Eqerem Çabejit për poezinë tone popullore dhe jepet një analizë e përgjithshme shteruese për punën e madhe të fokliristëve shqiptarë, Qemal Haxhihasani dhe Anton Çetta, të cilët përfaqësojnë edhe dy shkolla të përparuara në fushën e botimeve dhe të studimeve folklorike të kohës sonë.
Vepra “E kaluara në poezinë tone popullore” e prof. dr. Fazli Sylës, që përmbyllet me një bibilografi të plotë të punimeve të këtij autori, paraqet një sintezë të mirëfilltë shkencore të veprimtarisë së tij të pasur në fushën e studimeve folklorike, e cila do ta plotësojë një mungesë të ndjeshme në fushën e botimeve të studimeve të mirëfillta për kulturën tonë tradicionale, në përgjithësi, dhe për poezinë popullore, në veçanti.
Duke pasur parasysh se veprat e mëparshme të këtij autori, të botuara këtu e tridhjetë vjet më parë, tashmë janë të rralla edhe në biblioteka të koleksionarëve të librave dhe në ato publike, do të ishte punë e mirë të ribotoheshin si tërësi, mirëpo disa nga botuesit në kohën tonë, midis të cilëve është edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës deri sot nuk e kanë gëzuar, pos me ndonjë përjashtim fare të rrallë, përkrahjen financiare institucionale për ribotime të lëndës folklorike e as të studimeve për këtë. Prandaj, përzgjedhja nga veprat studimore të prof dr. Fazli Sylës që përfshihet brenda këtij libri është e mirësardhur, sepse sadopak do ta plotësojë një mungësë të këtillë në publikimin e veprave tona shkencore, të cilat si vlera të dalluara do t’i shërbenin edhe studiuesve të brezit më të ri të folkloristikës sonë.
Në fund të këtij veshtrimi të përgjithësuar për veprimtarinë e prof. dr Fazli Sylës e shoh të udhës të konstatoj se kontributi i tij për folkloristikën shqiptare, për kulturën dhe për arsimin tonë, në përgjithësi, është shumë i madh, prandaj veprimtaria e tij krijuese në këto fusha dhe aktiviteti i tij praktik në jetën tone kulturore, shkencore dhe shoqërore meriton të trajtohet në mënyrë shumë më të plotë me anë të një studimi të përgjithshëm monografik.
– FUND –
______________
DR.SADRI FETIU: FAZLI SYLA – STUDIUES I FOLKLORIT SHQIPTAR (I)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=10328