DR.SADRI FETIU: NUK DUHET TË HESHTIM – AMBASADORI GREG DELAWIE E THOTË TË PAVËRTETËN!

Prishtinë, 04. 04. 2016: Duke folur lidhur me demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, pos të tjerave, tha: “Në fakt pika kufitare që i ka ndarë këto dy vende është e njëjtë me atë që i ka ndarë me shekuj. Përpjekjet e disa politikanëve, që të japin disa teori të tyre, për një çështje që është e vendosur me shekuj, është vetëm një përpjekje e tyre për retorikë nacionaliste dhe për përfitime politike. Kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në rregull, por kauza e disa politikanëve për këtë çështje është e rreme. Kjo kauzë e rreme duhet lënë prapa krahësh”. (“Epoka e re”, 1 prill 2016, f. 3.)
Në qoftë se edhe nxënësit e shkollave fillore të Kosovës, që kanë mësuar pak histori për periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në shekullin XIX, për Luftërat Ballkanike të fillimit të shekullit XX, e din mirë se kufiri me Malin e Zi nuk ka qenë aty me shekuj, siç pohon ambasadori, atëherë shtrohet pyetje a duhet të heshtim para kësaj të pavërtete të këtij diplomati, që flet vazhdimisht përçart e, madje, edhe i fyen të tjerët duke i quajtur konstatime e tyre “ide bizare të retorikës nacionaliste” ose “ kauza të rreme”!?

Në qoftë se pushtetarët e sotëm të Kosovës që për shkak të keqpërdorimeve të shumta, që shkojnë deri në kufij të krimeve, për t’i ruajtur privilegjet e veta janë të detyruar të jenë servilë ndaj administratorëve e diplomatëve të jashtëm dhe ta kyqin gojën, intelektualët e mirëfilltë, në radhë të parë historianët, duhet t’ua thonë të vërtetat se kufijtë nuk kanë qenë gjatë shekujve këtu ku janë sot, por kanë ndryshuar për shkak të ekspansionit të vazhdueshëm të shteteve sllave, Malit të Zi dhe Serbisë, të ndihmuara nga Rusia dhe me bekimin e fuqive evropiane, në dëm të viseve shqiptare, në tërësi, dhe ndaj atyre të Kosovës, në veçanti.
Kjo duhet t’i thuhet qartë, shqip dhe anglisht, sot zotit Delawie dhe të gjithë diplomatëve të tjerë, si për kufirin e Malit të Zi, ashtu edhe për kufirin e Kosovës me Serbisë, që të paktën në kohën e sotme të mos dëmtohet Kosova, ashtu siç është sakatosur në të kaluarën. Po nuk u reagua me kohë ndaj njëanshmërive dhe të pavërtetave, nuk do të jetë çudi që diplomatët e këtillë të papërgjegjshëm, nesër kur do të bëhet demarkacioni i kufirit me Serbinë, të thonë se kufiri ka qenë me shekuj tek ura e Ibrit në Mitrovicë dhe do të harrojnë që në shekullin XIX Serbia ka bërë pastrimin etnik të territoreve, duke dëbuar me dhunë popullsinë shqiptare nga më shumë se 600 vendbanimeve të Sanxhakut të Nishit dhe ka marrë një territor edhe më të madh seç është Kosova e sotme. Unë mendoj se nuk duhet të heshtim para të vërtetave të sotme dhe atyre historike, prandaj i ftoj të gjithë intelektualet që të reagojnë gjithnjë ndaj të pavërtetave, qoftë edhe në rastin kur ato i thotë një ambasador i superfuqisë botërore – ShBA-së. Njëkohësisht është e nevojshme qe t’i bëhet apel administratës amerikane, që të paktën t’ua tërheqë vërejtjen diplomatëve të vet që të mos e komprometojnë renomenë e këtij shteti të respektuar me deklarata të këtilla krejtësisht të pavërteta.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura