Prishtinë, 19 shtator 2020:
Veriu i Kosovës dhe Sanxhaku në dritën e gjeopolitikës serbe
Dialogu me Sebinë i ndërmjetsuar nga Brukseli, që startoi si teknik më 2011 dhe përfundoi si politikë me 2015-ën [sic!], gradualisht i është nënshtruar agjendës politike të Serbisë me BE-në dhe po shkon në dobi të gjeopolitikës serbe. Insistimi gjithnjë e më hapur për aneksimin e veriut të Kosovës, si dikur ai i Toplicës [1878], duhet të shihet në funksion të prerjes, izolimit të Sanxhakut nga Kosova. Serbia e ka parasysh se, me gjithë suksesin në politikat asimiluese, banorët autokton të Sanxhakut, që tutje mbesin shumicë, sado që deklarohen si boshnjakë, me gjithë substratin sllav dhe bjerrjen e gjuhës (sidomos nga brezi i ri), ata, megjithatë, veten e ndjejnë shqiptarë. Kështu do ta ndjejnë ata veten, madje edhe më shumë, kur të faktorizohet kombi shqiptar në Evropën Juglindore. Rrjedhimisht ata lidhjen me Mitrivicën dhe Kosovën i konsiderojnë jetike.
Në dritën e përmbushjes së agjendës politike, që do të jetë në përputhje me interesat gjeopolitike dhe në dobi të gjeopolitikës serbe, do parë edhe pushtimi i majës së Pançiqit nën hundët e KFOR-it francez, por edhe intencat për t’i shtënë në dorë majat e Shalës së Bajgorës, liqenin e Ujmanit dhe segmente të shfrytëzuara të Trepçës në veri.
Interesat gjeostrategjike të Serbisë (gjithësesi edhe të Rusisë) janë cenuar me dështimin e puçeve në Podgoricë dhe Shkup dhe mbi të gjitha me aderimin e këtyre dy shteteve në NATO. Në këtë rrafsh, pra në përputhje me këto interesa, duhet shikuar edhe refuzimin kategorik të Serbisë për aderim në NATO, qoftë edhe në një të ardhme të largët, pavarësisht pjesëmarrjeve të saj në misionet e ndryshme ushtarake të partneritetit me SHBA-të.
Ndërkaq në dritën e gjeopolitikës serbe do shikuar edhe suksesi që ka arritur ajo në kuadër të procesit të Berlinit, duke u imponuar si lokomotiva tërheqëse e rajonit (!) Sidoqoftë, si Berlini edhe Brukseli e kanë tashmë të qartë se intenca e Beogradit për dominim të rajonit, duke mos e njohur tutje Kosovën, është e rrezikshme për sovranitetin, jo vetëm të Kosovës, por edhe të Bosnjës. Veriu i Kosovës prandaj shihet nga Beogradi i ndërlidhur me Sanxhakun, e madje edhe me të ardhmen e Bosnjës, respektivisht Republikës Srpska.
Dr.Sadri Ramabaja
Në prag të Luftës së Parë Ballkanike, në atë tablo të përgjithshme të raporteve ndërkombëtare, lufta e Tripolipanisë [Libisë së sotme] do t’iu shërbejë satelitëve të Rusisë në Evropën Juglindore (Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria) për shpërfaqjen e apetiteve për zgjerim territorial në dëm të Perandorisë Osmane, që nënkuptonte de fakto aneksim të ri të territoreve shqiptare. Sanxhaku i Pazarit të Ri, që ishte në përbërje të vilajetit të Kosovës me qendër Shkupin, por që në rrafshin gjeostrategjik konsiderohej si një ,,pykë territori” ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, duke shërbyer tutje si urë lidhëse e natyrshme mes Shqipërisë veriore (pra atë botë vilajetit të Kosovës) dhe Bosnjës, ishte tepër i rëndësishëm në rrafshin gjeopolitik për t’i lidhur Serbinë me Malin e Zi. Shih për këtë, rusët vazhdimisht u kërkonin atë botë satelitëve të tyre që të lidhin aleanca ushtarake për veprim të koordinuar antiosman. Të inkurajuar prej diplomatëve dhe agjentëve rusë, shkruan Norman Rich, shtetet sllave plus Greqia, hynë në bisedime të cilat rezultuan në formimin e koalicionit antiturk.9
Hallka e parë në këtë koalicion, vazhdon Rich, ishte një marrëveshje për aleancë ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë e nënshkruar më 13 mars 1912.
,,Mirë, kjo është mrekulli, tha ministri i Jashtëm rus Sazanov, kur dëgjoi për aleancën, – 500.000 bajoneta për ta mbrojtur Ballkanin. Kjo duhet ta bllokojë përgjithmonë rrugën për depërtimin gjerman dhe pushtimin austriak’’.10
Aneksimi i Kosovës dhe Sanxhakut (1912) dhe ndarja e këtij të fundit me Malin e Zi, është produkt i kësaj strategjie pansllave. Aneksimi i veriut sot, qoftë përmes një marrëveshjeje, ku firmën nga pala shqiptare do të mund ta vinte ndonjë nga marionetat e imponuara nga qendrat e vendosjes që gjatë luftës (1998), qoftë përmes një ‘blic krige’ të akorduar paraprakisht, është vetëm një shtojcë e asaj që ishte realizuar më 1912!
Diskursi nacionalist iracional serb në raport me Kosovën, me fokus veriun e saj, ka parapavijë të pastër strategjike. Nëse në epokën e luftrave ballkanike, serbët tentonin të kishin dalje në det, ata tashmë ndjehen tërësisht të hendikepuar dhe pjesërisht edhe të izoluar! Interesi parësor gjeostrategjik i Serbisë atëbotë ishte projektuar në dobi të vënies nën kontroll të aksit Veri-Jug, që nënkupton grykën Moravë-Vardar, duke siguruar daljen në Selanik dhe përmes pushtimit të Kosovës, krijimin e parakushtit për pushtimin e Shqipërisë dhe me këtë edhe qasja në portin e Durrësit.
Për pothuajse nëntë dekada (1912- 1999), Serbia nuk arriti dot ta zhbënte qenien shqiptare në Kosovë, megjithëse gëzoi mbështetjen herë të hapur, e më shumë të heshtur të disa fuqive të Perendimit dhe Turqisë. Të kujtojmë këtu shkarazi marrveshjen e Titos të vitit 1953 (në Rjekë) me ministrin e Jashtëm Turk, Ismet Inonu, që ishte de fakto vazhdim i projekteve të akademikut Serb Vasa Çubrilloviq (1936 dhe1944) për shpërnguljen e shqiptarve nga Kosova, Sanxhaku dhe Maqedonia për në Turqi, e deri te projekti i shtatmadhorisë serbe të titulluar me emrin e koduar ,,Patkoi”[1999], i cili iu kishte ofruar gjermanëve dhe pastaj u bë publik nga shërbimi i fshehtë bullgar.
Krijimi ndërkohë i dy shteteve të pavarura (Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës) i ka varrosur përgjithmonë projektet e sipërpërmendura të Serbisë për dalje në det. Ndërkaq insistimi për ndarjen e Kosovës (aneksimin e veriut), duket se ka të bëjë me interesin gjeostrategjik serb që konsiderohej i përmbyllur, e që ndërlidhet ekskluzivisht me Sanxhakun si ,,tokë serbe”, ose Rashkën e dikurshme. Konservimi i tij si interes jetik serb, sikur i ushqen tutje shpresat e Beogradit për rikthimin e Malit të Zi brenda Serbisë dhe sferave të interesit rus në në një të ardhme jo të largët, siç logarisin qarqet pansllave në Moskë e Beograd.
Kambanat e alarmit për ringjalljen e kurthit të Tukididit ndërkohë po bien sërish. ,,Një çështje e hapur (e që e pret Brukselin) është në derë. Europa i ka neglizhuar keq këto dekadat e fundit të gjashtë vendet e Ballkanit. BE-ja ju afron atyre perspektivën e plotë për aderim, madje Serbisë dhe Malit të Zi duke iu premtuar se kjo perspektivë do të duhej bërë realitet që në vitin 2025. Sidoqoftë, bisedimet me këto vende janë tek në fillim: Përplasjet (grindjet) mes Serbisë dhe Kosovës kanë tutje ndikimin e vet, gjendja e brendshme në Bosnjë është e pa shpresë e kaotike, ndërkaq në Kosovë rendi juridik nën ndikimin e MAFIAS”,11 konkludon Theo Sommer, në një studim të tij të gjatë.
Për disa nuanca, momentumi politik dhe tavolina e diplomacisë rreth dialogut Kosovë-Serbi, na rikthen në javët e para të pragfillimit të Luftës së Parë Botërore dhe dilemat që kishte Berlini për situatën e krijuar. Kjo mëdyshje e Gjermanisë është paraqitur në mënyrë më të hollsishme prej Gotlib Fon Jagov-it, kreut të shërbimit të Jashtëm Gjerman, në një letër të 18 korrikut drejtuar Linkovskit, ambasador gjerman në Britani, për t’i shpjeguar se përse gjermanët e quanin me rëndësi të dorës së parë mbështetjen ndaj Austrisë.
“Nëse austriakët nuk do të hidheshin tani në veprim, ata do ta humbnin rastin e fundit për rehabilitim politik dhe qëndrimi i tyre në Ballkan do të shkatërrohej përgjithmonë. Rezultati do të qe vendosja e hegjemonisë ruse në Ballkan, një zgjerim i palejueshëm i pushtetit dhe ndikimit rus, si për Gjermaninë, ashtu edhe për Austrinë”.12
Përpjekja e Rusisë për akomodim afatgjatë në Serbi [baza në Nish, agjentura e shpërndarë mbi 3000 veta gjithandej në Serbi, madje edhe në veri të Kosovës nën petkun e organizatave humanitare dhe specialistëve të fushave të ndryshme] dhe gjithsesi në Spska Republika në Bosnje, duke mbështetur aneksimin e veriut të Kosovës dhe nënshtrimin e plotë të Sanxhakut, nga Berlini i sotëm, nëse jo nga Brukseli, do të duhej të cilësohej si akt i palejueshëm dhe gjithësesi i patelorueshëm. Në këtë frymë, mbase, duhet shikuar edhe punimet e fundit të samitit të Berlinit, dy javë më parë, ku vendosmëria e Angela Merkel, sikur zmbrapsi për një momet të gjithë ata që ëndërronin për një ripërkufizim të ri në rajon, që do të ishte në kurriz të Kosovës dhe interesave jetike të Kombit përgjithësisht. Shih për këtë, Beogradit duhet t’i bëhet e qartë se, kufijtë që ia ka përcaktuar Serbisë në perendim Konferenca e Dejtonit [1995], duke krijuar një entitet shtetror serb brenda Bosnjes [Republika Sërbska] dhe ata që u shenjuan më 17 shkurt 2008 me aktin e shpalljes së pavarsisë së Kosovës, në jug të Serbisë, janë të pacenueshëm.
Insistimi për ripërkufizim (razrgraniÃÂenje) me shqiptarët, flet se Beogradi nuk e njeh hartën politike të Europes Juglindore. Madje në Beograd ka koka aq të nxehta sa nuk hezitojnë të ringjallin aspiratën e shekullit XlX për shndërrimin e Serbisë në një Sardenje të Ballkanit, pra të krijojnë një supershtet të bashkuar në Ballkan nën zotërimin serb. Aleksander Vuçiqi, presidenti serb, është njëri nga ata pinjollët e shovinizmit serb që e sheh Beogradin si kryeqytetin e këtij shteti, ndërkaq procesin e Berlinit në dobi indirekte të kësaj ideje!
Argumenti i përsëritur që dëgjohet në qarqet diplomatike gjithandej, e veçmas në Bruksel, më theks gjatë këtyre 8 viteve të dialogut mes Kosovës e Serbisë [2011–2019], që duket se gjen një lloj statisfaksioni në diskursin juridik të Gjykatës Ndërkombtare në Hagë, i aplikuar sidomos gjatë kohës sa gjykohej Hitleri i Ballkanit, presidenti serb Sllobodan Millosheviq, është se lufta e UÇK-së për lirinë e Kosovës është zhvilluar jo kundër popullit serb, pra ajo nuk cilësohet siç ishte luftë mes dy kombeve, por kunder regjimit të Millosheviqit,e që rezulton të mos jetë krejt korrekt. Populli serb, veçanrisht ata në Kosovë, që njihen si kolonë të ngulitur gjithandej në zonat më strategjike, kryesisht brenda periudhës 1916–1966, por edhe pjesa dërmuese e kombit gjithandej në Serbi e Bosnjë, brenda hapësirës serbe, me entuziazëm ishte lidhur me kauzën e Millosheviqit që barazohej në dy teza:
E para, zgjidhja e madhe, Jugosllavia nën hegjemoninë Serbe dhe
e dyta – zgjdhja e vogël, krijimi i Serbisë së Madhe.
Që të dyja këto teza kanë burimin në vetë natyrën e nacionalizmit serb, që në qendër ka ekspansionin territorial.13
Në rrethana normale, siç pohonte figura më e spikatur ndërmjet atyre që bënë paqen në vitin 1814 [ në Vjenë], Vilhem fon Humbold (që cilësohet si njëri nga filozofët dhe eruditët më të mëdhej të kohës së tij), populli francez duke mbështetur me aq zjarr kauzën e Napoleonit për pushtimin e Evropës ,,kish humbur çdo të drejtë për një paqe bujare”. [N.Rich:2006]. Po në këtë linjë gjykimi, është edhe raporti që do të mbajë popullin gjerman me kauzën e Hitlerit për pushtimin e Evropës dhe Botës gjatë LDB.
Në këtë rrafsh nuk bën përjashtim as populli serb dhe elita e tij. Këtë e verifikoi sërish, pas dy dekadash, vetë presidenti serb, A. Vuciq, në fjalimin që kishte në një tubim me qytetarët serbë në Mitrovicë (në pjesën që realisht Serbia e mbanë të aneksuar -2018], duke iu rikthyer edhe mitit për ,,djepin Serb”! Natyrisht insistimi për Kosovën si ,,djep serb” ka të bëjë me të vërtetën për aq sa kanë të bëjnë edhe malverzimet e tij për Rashkën si ,,djep serb”, për Shumadin a Timokun si ,, djep serb” etj.
Të sjellim në vëmendje faktin se, Serbia prej vendosjes së serbëve në Ballkan
[shek.Vll], respektivisht që kur krijuan shtetin (1844), kanë ndërrruar jo më pak se 10 kryeqytete, prej Prizrenit, Krushevcit, Smederevës, Nishit e deri te Beogradi, tipike kjo për popujt nomadë e joautoktonë.
Natyrisht historia është në anën shqiptare. Është pikërisht Kosova, Dardania antike, aty ku shqiptarët filluan betejën politike e ushtarake si Komb [Lidhja Shqipetare e Prizrenit-1878] për formimin e shtetit modern shqiptar. Por cilat janë motivet politike që elita serbe rikthen artikulimin vend e pa vend të mitit serb për Kosovën? Miti serb për Kosovën “ngerthen në vete edhe element religjiozë, që nënkupton se pas Golgotës vjen ringjallja, duke marrë kështu elemente të Dhjatës se Re, përkatsisht simbolin e vuajtjes [ kalvarit dhe ringalljes]”. [ A. Xhaferi: 2004].
Duke e paraqitur kombin serb në rolin e viktimës, ndërkaq të tjerët, shqiptarët dhe perendimorët [NATO], si agresor, dhe në emër të mitit serb, elita serbe dikur edhe sot kërkon leje, respektivisht po përgatit alibinë për aneksimin e veriut. Dhe kështu sërish çet kokë kurthi i Tukididit, por kësaj radhe këtë gjakim të Sërbisë sikur po e ushqen edhe Brukseli, respektivisht shtetet që po tumirin ndarjen e Kosovës, qoftë edhe nën platformën e akorduar mes Thaçit e Vuçiqit për ndryshimin e kufijëve!
Por, duke ia aneksuer veriun e Kosovës Serbisë, Brukseli do të duhej ta kishte të qartë se hyn në detyrime komplekse: Në atë të ruajtjes së paqes së pamundur në rajon! Qarqe të diplomatëve të shteteve tradicionalisht mike të Serbisë, që për objektiv duket se kanë restaurimin e Serbisë së Madhe, pra realizimin e tezës së dytë të Millosheviqit me të cilën ai operonte në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, duke e trajtuar si partner të përbashkët nesër edhe Bashkimin Europian. Por, sidoqoftë, ky veprim asesi nuk është dhe nuk mund të jetë garancë për paqe dhe siguri të qëndrueshme në Evropën Juglindore.
EPILOG
Karl Poperi, sociologu i njohur amerikan, duke egzaminuar shoqëritë postkoloniale dhe nevojat e mëdha për kooperim, insiston me të drejtë se shoqëritë moderne duhet të jenë të hapura, jo vetëm në kontekstin aktual, por edhe në relacion me ardhmërinë. Bazuar në politikën e vazhdueshme të krijimit të balancave mes fuqive të mëdha, pra në vetë realpolitikën, ndarja e Kosovës sot edhe mund të imponohet si akt vendimmarrës nga të fuqishmit, ngjajshëm si edhe iu imponua dhënia e 2500 ha tokë Maqedonisë Veriore dhe 8200 ha kullosa, burime strategjike uji e maja malesh, Malit të Zi [ 2018], por vendimi i imponuar mbi bazat e shpifura etnike për ndarjen e Kosovës pengojnë qartas hapjen e perspektivës së paqes afatgjate dhe ardhmërisë prosperuese.
Janë një varg argumentesh të forta që flasin në të mirë të ruajtjes së tërsisë teritoriale të Kosovës dhe procesit të integrimit ndërshqiptar. Kosova aktuale, në këta kufij që ia kanë përcaktuar elitat politike-ushtarake sllave (serbe, malazeze, e maqedone fill pas Luftës së Dytë Botërore), nuk prezanton as përafërsisht hapësirën që kishte Vilajeti i Kosovës në dekadat e fundit të Perandorisë Osmane. Pra, këta kufi që ka Kosova sot, ishin në dëm të realitetit demografik, historik, gjeografik, ekonomik para së gjithash të shqiptarëve. Prandai theksimi i ndryshimit të sërishëm të këtyre kufive në dëm të Kosovës, siç insistohet, është tërësisht i papranueshëm. Fundja, ky argument nuk është aplikuar tek asnjë njësi federale e ish Jugosllavisë, që tashmë janë të pavarura.
Kundër ndarjes së Kosoves flasin edhe argumentet e natyres gjeopolitike. Republika e Kosovës mëton të jetë pjesë e natyrshme dhe aktive e botës së lirë demokratike, si pjesë përbërse e kryevlerave të kësaj bote-siç janë NATO dhe BE-ja.
Argumentet që i potencon pala serbe për ndarjen e Kosovës janë tërësisht të paqëndrueshme për epokën moderne, pikërisht për vlerat mbi të cilat është ngritur BE-ja. Ndërkaq Beogradi nuk parashtron dot argumente të qëndrueshme të natyrës gjeostrategjike, meqë kufijt aktual të Kosovës nuk pengojnë komunikimin e Serbisë me Malin e Zi dhe me këtë edhe Detin Adriatik, si dhe me Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Detin Egje. Përkundrazi, cënimi i kufive të Kosovës tutje, provokon luftë të re shqiptaro- serbe.
_____
(Burgu i Lipjanit – mars 2019 / Prishtinë, shtator 2019)
_________________
Shënime e fusnota
1 Theo Sommer, Cina FIRST – Die Welt auf dem Weg ins chinesische Jahrhundert’, Hamburg/München 2019, f.353
2 Graham Allison, “Destined For War”, Londër 2016
3 Th.Sommer, po aty, f. 355
4 http://cdn1.vol.at/2006/10/Serbien.pdf
5 https://abcnews.al/bolton-shba-nuk-do-te-nderhyje-ne-ceshtjen-e-territorit-mes-serbise-dhe-kosoves/
6 https://www.t-online.de/nachrichten/ausland/usa/id_82664902/trump-und-xi-us-praesident-will-mit-china-welt-probleme-loesen.html
7 Th. Sommer, po aty
8https://www.zeit.de/zustimmung?url=https%3A%2F%2Fwww.zeit.de%2F2017%2F39%2Fchina-investitionen-einfluss-europa
9 Norman Rich, Diplomacia e fusqive të mëdha, Tiranë 2006, f.426
10 Po aty
11 Theo Sommer, po aty, f. 439
12 N.Rich, po aty, f 464
13 Arbën Xhaferi: Vepra 3
– FUND –
________________
DR.SADRI RAMABAJA: NË KURTHIN E TUKIDIDIT – LUFTA E RE SHQIPTARO – SERBE (ANALIZË MBI GJEOPOLITIKËN RAJONALE) / I /
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10527
***
DR.SADRI RAMABAJA: NË KURTHIN E TUKIDIDIT – LUFTA E RE SHQIPTARO – SERBE (ANALIZË MBI GJEOPOLITIKËN RAJONALE) / II /
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10531