Prishtinë, 30. 08. 2016: Njëri nga aksionet më simptomatike të Vetëvendosjes, e që ndërlidhet me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ishte ai i vendosjes së tabelës me mbishkrimin “Mirë se vini në Republikën e Kosovës” dhe flamurit kombëtar në pikën ku do të duhej të ishte kufiri me Malin e Zi. Ky akt simbolik nga ana e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, bëri që shteti malazez të reagojë me notë proteste. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi i dërguan notë proteste Prishtinës, duke e paralajmëruar që të parandalojë aktivitetet e ardhshme të ngjashme. Ndërkaq, pa mbërri nota e protestës në Prishtinë, Podgorica dërgoi në terren patrollat e policisë dhe largoi tabelën me mbishkrimin: “Mirë se vini në Republikën e Kosovës” dhe flamurit kombëtar.
Teksti i notës në tërësi është skandaloz. Ndërkaq fjalia e parë, ku potencohet se “… persona të paidentifikuar nga Republika e Kosovës kanë vendosur në territorin e Malit të Zi një tabelë me stemën e shtetit të tyre si dhe flamurin e Republikës të Shqipërisë”, është kulmi i prepotencës diplomaike me bazë frymën shovene, që nuk shpërfill as normat më elementare të diplomacisë.
Qeveria e Malit të Zi, në tekstin e mëtejmë të notës së protestës na konstaton se u bëka fjalë “për një provokim të rëndë politik nga ana e qytetarëve të huaj brenda territorit të një shteti mik, në të cilin është shkelur sovraniteti dhe integriteti territorial i yni dhe janë vënë në dyshim marrëdhëniet shumë të mira mes Republikës së Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës”!
Pas këtij konstatimi me ngjyresa të theksuara të demagogjisë, Ministria e Malit të Zi i kërkon autoriteteve të Kosovës që të identifikojnë kryesit e kësaj vepre” dhe i bën thirrje qeverisë së Kosovës që “të parandalojë aktivitete të tilla në të ardhmen”, meqë veprime të kësaj natyre, paralajmron Podgorica zyrtare “mund të kenë implikime negative” .
Reagimi i qeverisë së Kosovës ishte fare i vlashkët, për të mos thënë kurrfare. I mjerë ishte edhe reagimi i ca të ashtuquajturëve intelektual oborrtar, ndonjëri nga ta edhe profesor
universitar.
Në zërin për shtetin, në fjalorin politik të Oxfordit, shteti përcaktohet si “një tërësi e dallueshme institucionesh politike, qëllimi i veçantë i të cilave është organizimi i sundimit, në emër të interesit të përbashkët, brenda një territori të caktuar . Ndërkaq për Andrew Heuwud, shteti shikohet në ndërlidhje të plotë me vetë përkufizimin mbi politikën. Nëse në kuptimin e saj të gjerë, “politika është veprimtaria nëpërmjet së cilës njerëzit bëjnë, ruajnë dhe përmirësojnë rregullat e përgjithshme sipas të cilave jetojnë”, shteti mbetet struktura nëpërmjet së cilës ata i realizojnë këto qëllime. Meqë, “shteti është një organizatë politike që e përcakton juridiksionin sovran brenda kufijve të përkufizuar territorial dhe ushtron pushtet nëpërmjet një grupi institucionesh të përhershme, këto institucione janë ato që njihen si publike”, në atë që janë përgjegjëse për organizimin e përbashkët të jetës shoqërore dhe financohen me shpenzimet e publikut. Shteti kështu mishëron institucionet e ndryshme të qeverisjes, por ai gjithashtu shtrihet te gjykatat, industritë kolektive, sistemi shoqëror i sigurisë e kështu me radhë; ai mund të identifikohet me krejt “trupin politik”
Brenda Evropës Perëndimore mund të njëjtësohet një numër formash shtetërore sipas epokave të ndryshme historike. Në ekonominë skllavopronare të antikitetit, shteti – në këtë kontekst instrumenti si pronë e zotëruesve kolektivë – ekzistonte qoftë në formën e një mbreti helenistik dhe ithtarëve të tij, qoftë në formën e një perandori romak dhe të aristokracisë perandorake.
Në organizimin e saj të brendshëm, Roma e kësaj epoke nuk kishte demokraci të drejtpërdrejtë, por u zhvillua nga monarkia në republikë (latinisht res publica “punët publike”), që qeverisej nga një senat i sunduar nga aristokracia romake.
Nëse qytetet-shtete të Greqisë na e kanë lënë si trashëgim demokracinë e drejtpërdrejtë, si formë të qeverisjes, që në një mënyrë a tjetër është përcjellë deri në shoqërinë moderne (Zvicra aplikon të ashtuquajturën demokraci të drejtpërdrejtë moderne), kontributi i Romës së lashtë është përcjellë deri te shteti modern nëpërmjet të Drejtës Romake dhe në dallimin e qartë që bën ajo ndërmjet asaj që është publike dhe asaj që është private.
Shtetet absolutiste lindën në shekujt gjashtëmbëdhjetë në Evropën Perëndimore – tudorët në Angli, habsburgët në Spanjë dhe burbonët në Francë. Këto shtete dinastike evropiane kishin shumë tipare institucionale që janë karakteristike për shtetet moderne. Krijimi i ushtrisë së përhershme, i burokracisë së centralizuar, i sistemit qendror të taksave, i marrëdhënieve diplomatike me ambasada të përhershme dhe ngritja e doktrinës ekonomike të merkantilizmit në politikë shtetërore të tregtisë, janë produkt i kësaj epoke. Që nga kjo periudhë, shtetet janë organizuar në të shumtën e rasteve mbi bazën kombëtare. Në këtë kohë termi shtet hyn për herë të parë në politikë. Makiaveli mendohet se ishte i pari që e përdori konceptin e shtetit për t’iu referuar një qeverie sovrane brenda një territori të dhënë, në dorëshkrimin e shumëqarkulluar të “Princit”, të përfunduar më 1513 dhe të botuar më 1532.
Me kontributet e tyre rreth përkufizimit të shtetit në historinë e mendimit politik shquhen Bodini dhe Sir Thomas Smithi, të pasuar nga Valter Ralajh (Walter Raleigh), Hobsi dhe Loku. Mirëpo, përkufizimi më i pranuar i shtetit modern mbetet ai i Maks Veberit në veprën e tij “Politika si profesion”. Veberi i thekson tri aspekte të shtetit modern: territorialitetin, monopolin e mjeteve të dhunës fizike dhe legjitimitetin. Pa institucione shoqërore që kërkojnë monopolin e ushtrimit të ligjshëm të dhunës brenda një territori të caktuar, argumenton Veberi, do të krijohej shumë shpejt anarki. “Shteti është një komunitet njerëzor që (me sukses) pretendon monopolin e përdorimit të ligjshëm të forcës fizike brenda një territori të dhënë” , konstaton Veberi.
Etimologjia e nocionit sovranitet
Parafjala latine “super” (lart, mbi); “superus” (lart në sipërfaqe) në Mesjetë ekzistonte edhe nocioni “superanus”; nga kjo shprehje në të folmen e përditshme frënge u derivua adjektivi “souverain” (sovrain, sofrain, sobrain dhe të ngjashme), si dhe substantivi: “suverainete” (sovrainetez) – dhe për rrjedhojë lindi permutacioni që e përplotësoi nocionin e dëshiruar. Nga krejt kjo, edhe teoricientët e sovranitetit si teori e përhapën pikëpamjen se fjala është për shprehjen e përditshmërisë “supremus” ose “supremitas”.
Zhan Bodin (Jean Bodin, 1530-1596) konsiderohet si njëri prej të parëve që e kishte përdorur nocionin sovranitet, respektivisht si njëri prej të parëve që kishte koncipuar në teorinë e tij sovranitetin si shënjues të një shteti. Tek Bodini, nocioni sovranitet ishte i paramendueshëm vetëm në ndërlidhje me atë të monarkisë. Ndërkaq Tomas Hobsi (1588-1679) angazhohej për heqje dorë (vullnetarisht) nga sovraniteti i individit në dobi të autoritetit të shtetit – si formë e vetëdijesimit shtetformues, duke nënkuptuar me këtë rast sovranitetin e brendshëm.
Për dallim prej Hobsit, Gjon Loku (1632-1704) i jep përparësi “sovranitetit të popullit”, duke e trajtuar atë si pikërëndesën e shtetit, duke sjellë kështu në pikëpyetje sundimin absolutist. Sipas tij, meqë populli është vetë sovrani, ai ka të drejtë edhe për kryengritje të brendshme.
Përcaktimi i kufijve si akt diplomatik
Në konceptin e së drejtës ndërkombëtare, por edhe në konceptin e marrdhënieve ndërkombëtare, ku shteti shndërrohet në aktor i vetëm veprues, kufijtë nuk mund të caktohen njëanshëm. Demarkacioni (Demarche nga frëngjishtja) përcakton një akt diplomatik përmes të cilit palët, përmes marrveshjes, njohin tërësinë territoriale të shtetit fqinjë.
Marrëveshja e nënshkruar në Vjenë më 26 korrik 2015 në Kosovë ka prodhuar një valë protestash dhe kundërveprimi nga masat e gjera, nga opozita dhe së fundmi edhe nga intelektualët më eminent të Kombit – njohës të kësaj çështje në rrafshin profesional, por edhe emra që peshojnë në ndërgjegjen e Kombit.
Ratifikimi i asaj marrëveshje nga Kuvendi i Malit të Zi nuk d.t.th fare se marrveshja mund të konsiderohet e përmbyllur. Rrjedhimisht insistimi i qeverisë malazeze përmes notës së protestës për të cilësuar zonën ku ishte vendosur tabela me mbishkrimin ““Mirë se vini në Republikën e Kosovës” dhe flamuri kombëtar, si territor i shtetit të malit të Zi, është akt i papresaedan jo vetëm diplomatik.
Kjo marrëveshje, po nuk u miratua nga Parlamenti i Kosovës, respektivisht po u cilësua nga Gjykata Kushtetuese si akt antikushtetues edhe nëse tumiret nga Kuvendi, nuk prodhon efekte juridike dhe rrjedhimisht shndërrohet në nul.
Në një rast të kësaj natyre, rinegocimi i marrveshjes fillon nga zeroja. Këtë fakt ntar juridiko-
politik, e dinë edhe malazezët. Prandaj sjellja e tyre është irrituese.
Podgorica ka cenuar sovranitetin shtetëror të Kosovës
Duke ndërhyrë dhe hequr tabelën në fjalë dhe Flamurin Kombëtar, qeveria e malit ët Zi de fakto ka cenuar sovranitetin shtetëror të Kosovës dhe parimet bazë të fqinjësisë së mirë.
Me Paqen e Vestfalisë (1648), le ti kujtojmë lexuesit se, fillon epoka e sistemeve shtetërore moderne që i përgjigjet njësisë së shtetit sovran me autoritetin e tij të pakufizuar brenda territorit përkatës. Shteti sovran shndërrohet kështu në aktor të sistemit ndërkombëtar. Shih për këtë Imanuel Kanti flet për pacenueshmërinë e jashtme të sovranitetit shtetëror. Ky koncept është aktual edhe sot.
Hegeli në një shkrim të tij mbi “Kushtetutën e Gjermanisë” (1802), nënvizon gatishmërinë për reagim ndaj çfarëdo forme të cenimit të sovranitetit të jashtëm apo të brendshëm të shtetit si shënjues qenësor të sovranitetit shtetëror.
Njohësit e kësaj fushe tashmë e kanë të qartë se është piërisht Mali i Zi ai që ka cenuar sovranitetin shtetëror të Kosovës, ndërkaq janë strukturat përgjejgëse të sigurisë, përfshirë edhe KFOR-in, që kanë toleruar këtë nëpërkëmbje të sovranitetit.
Nëkëto rrethana, populli mund të veproj si njësi sovrane politike (“jus belli”) në dobi të mbrojtjes së sovranitetit shtetëror.