DR.SHABAN SINANI: ‘DHEUT PJESËN E VET’ – NJË STUHI EMOCIONESH

Pashtriku.org, 15. 04. 2014 – Ndërsa po lexoja librin e ri poetik të Xhemajl Rudit, të titulluar “Dheut pjesën e vet” – për herë të fundit si dorëshkrim, sepse ditën e nesërme do të dorëzohej për shtyp – duke u përpjekur për të futur në vështrim autorin, poezinë e tij dhe kohën e popullit të vet, ndërmend më erdhi një ngjarje e vërtetë me poetë dhe mendime poetësh për fatin e popullit dhe fatin e individëve, për detyrën e poetëve dhe përgjithësisht të njerëzve publikë në kohëra të vështira.
Në gushtin e vitit 1998, një grup poetësh, artistësh dhe studjuesish të albanologjisë: nga Tirana, nga Prishtina e nga Tetova, me ftesë të qendrës kulturore “Arkitekt Kasemi” të Skraparit, ishim mbledhur bashkë për të marrë pjesë në festën tradicionale “Ditët e Tomorrit”.

Pas konferencës shkencore, përurimit të librave të rinj të autorëve nga Skrapari, ekskursionit në majën e “Malit të Të Mirit”, siç dëshironte ta shqipëronte Naimi, në mbrëmjen e fundme ishte radha e një bashkëbisedimi të paharrueshëm me shkrimtarët Dritëro Agolli e Xhevahir Spahiu.
Në Kosovë bëhej luftë dhe tashmë të gjithë, duke përfshirë edhe ata që patën thënë se njerëzit e ushtrisë çlirimtare ishin ,,terroristë’’, ose, më së paku, ,,të frustuar’’, kishin ardhur në një mendje se atdhetarizmit deklarativ i kishte dalë boja. Fronti kërkonte njerëz të vendosur të luftës.
,,Nesër do të nisem për në Pashtrik’’, tha krejt papritur në bisedë e sipër një prej poetëve të ardhur enkas nga Prishtina për të marrë pjesë në mbrëmjen letrate. ,,Duhet të bashkohemi me UҪK-në. Nuk kemi ç’presim më!’’
Ktheva kryet dhe e pashë poetin me shikim miratues, gati me ndjenjë qortimi për veten. Po mendoja se ishte diçka shumë e bukur dhe njëherësh shumë e rëndësishme që një poet i njohur i Kosovës, një ditë pas asaj feste letrare, do të nisej ,,drejt e në front’’.
Ndërsa po e përfytyroja poetin me veshjen e njohur të ushtarit të lirisë, po aq papritur sa pohimi i tij për të shkuar në luftë, jo vetëm për mua, por për të gjithë sa ishim në tryezë, erdhi pyetja – apo më saktë ankimi – që Dritëro Agolli shqiptoi – sikur të kishte folur me vete :
,,E ç’do të bësh ti në UҪK? Ti s’ke luftuar ende me vargje për UҪK? -në! Bëje këtë luftë më parë pastaj nisu! UҪK-ja do ta ketë një ushtar në vendin tënd. Por një poet nuk ka ku ta gjejë!’’
Për pak kohë u bë një heshtje e ngrirë. Ishte përmendur krejt befas një gjë delikate, një nga ato gjëra që shpesh njerëzit duan t’i shkulin nga mendja. Nuk duan as vetë ta besojnë se sa afër këtyre gjërave kanë qenë. Heshtja ishte e rëndë dhe e hidhur. Pyetja e Dritëroit kishte të bënte me një të shkuar jo dhe aq të largët. Me atë të shkuar të pabesueshme, kur UҪK-ja, në mos organizatë terroriste, grupim marksistësh nostalgjikë apo diçka tjetër e ngjashme, tek e mbramja, nuk kishte si t’i shpëtonte cilësimit ,,lëvizje e shthurur katundesh‘‘.¨
,,Ju lutem, ju lutem! – tha poeti. – Unë e kam bërë luftën me poezi. Tani do të shkoj në UҪK si një ushtar!‘‘ – thoshte Ali Podrimja.
,,E çfarë ke shkruar ti për UҪK-në? – pyeti në një mënyrë gati të pamëshirshme Dritëroi.
– A nuk na e thua?!‘‘
Biseda po bëhej çdo fjalë e më e rënduar. Dritëroi, përveçse me peshën e njohur të mendimit të tij në formulimin e ideve të reja të lëvizjes kombëtare, fliste edhe me të drejtën morale të një prej të parëve personalitete shqiptarë që pati thënë herët dhe publikisht se ndihej i penduar që, ashtu siç kishin ardhur punët dhe përgjegjësitë e tij, nuk ishte ende i lirë të nisej për në Drenicë, atje ku mbrohej nderi i Kosovës dhe i Shqipërisë.
“Unë kam shkruar marshin e UҪK-së!” – foli me nervozizëm poeti.
Poeti nuk kishte rrugë tjetër, veçse të recitonte ,,marshin‘‘. Ashtu sikurse pritej nga toni paralajmërues i bisedës, ishte një poezi e shuar, e vakët, me figura të largëta, të turbullta, me varg të çrregullt; një poezi e zakonshme neo-hermetike, pa kohë dhe hapësirë, doemos pa palë dhe ushtri.
Ishte, pa fjalë, një poezi e shtirur.
Të gjithë prisnim me tension çfarë do të thuhej. Vetë autori i ,,marshit‘‘ dukej se e ndiente atë që do të ndodhte. Vargjet i dilnin nga goja pa entuziazëm, pa ngasje, pa shpirt.
– ,,Pëh! Kjo jo marsh që s‘është, por s’është as poezi! – tha Dritëroi me të njëjtën vendosmëri të ashpër, si dhe më parë.
– Doni të dini se si duhet te jetë një marsh ?! Doni ?! Jua tregoj unë !’’
Ai u ngrit ngadalë nga tavolina e mbushur me pije e meze, kërkoi me sy e me shenja pak vëmendje dhe nisi të recitojë përmendësh një prej vjershave të tij më të reja, ,,Baladë për Ismail Qemalin’’, shkruar pikërisht në ditët kur qeveria e shoqërive financiare të rrënuara kishte vendosur të urdhëronte aviacionin ushtarak për të goditur me raketa ajer-tokë popullin kryengritës të Vlorës.
Ritmi marshues dhe fryma heroike ndryshoi gjithë mjedisin. Ai kishte të drejtë. Dritëroi bëri të njohur modelin. Si mund të bëhej lufta, trimëria, rezistenca dhe bashkimi progresiv me forcën e vargjeve.
Pas kësaj poeti kërkoi të dinte nëse atë natë do të flinim aty dhe lypi leje të shtrihej sepse kishte pakëz dhimbje koke.
Pikërisht ky episod m’u kujtua duke lexuar për herë të fundit, si redaktor, librin e Xhemajl Rudit, ,,Dheut pjesën e vet’’. Ky është libri i tretë i këtij autori, dhe mban këtë titull, që lexuesi ngurron për të zgjedhur si ta kuptojë: në përmbajtjen e figurshme apo në një kuptim të drejtpërdrejtë.
Ky libër është shkruar në një kohë kur zgjedhjes së autorit, ,,dheut pjesën e vet’’, rinia e Kosovës i dha kuptimin e heroizmit të një kohe moderne.
Autori i këtyre poezive, për rrethana që lidhen me fatet vetjakë dhe të bashkësisë, ka qenë larg teatrit të ngjarjeve që tronditën botën në kapërcyell prej njërit mijëvjeçar në tjetrin. Duke mos qenë protagonist i drejtpërdrejtë i këtyre ngjarjeve, autori duket se vuan mundimin e mungesës në rreshtat e ushtrisë çlirimtare dhe prandaj ngutet të paraqitet tek lexuesi i vet, që ia beson ndjenjat dhe mendimet, për të dëshmuar provën e tij të luftës dhe qendresës me poezi.
Libri ,,Dheut pjesën e vet’’ vjen si një stuhi emocionesh, me një paradigmë të larmishme gjendjesh dhe përjetimesh: që prej ekzaltimit prej ngjarjeve heroike të vitit 1999, prej admirimit të bëmave të shokëve të të njëjtit qëllim e ideal, ankimit ndaj vetes dhe kohës që nuk ishte bashkë me ta, klithmës kundër përçmuesve dhe dredharakëve, tronditjes për krimet e përbindshme që dhunuan Kosovën, shpresës se një ditë e re afrohet, hezitimit për të gëzuar para kohe, frikës prej horizontit të dyshimtë, deri tek paralajmërimi kritik për lojën me fitoren. Mund t’i shohim të gjitha këto gjendje njërën pas tjetrës.
Poezia e Xhemajl Rudit del në këtë vëllim më e pjekur dhe më sigurt. Figurshmëria e saj është e natyrshme, pa sforcim. Një figurë sjell vetvetiu tjetrin dhe kështu formohet poezia, e cila shpesh funksionon si një mendim tërësor i figurshëm. Kjo përbën, ndoshta, modelin e poezisë që buron prej thelbit të ngasjes poetike të autorit.
Me këtë vëllim Xhemajl Rudi konsolidon zërin e vet poetik në polifoninë e larmishme të shpirtit letrar shqiptar. Poezia e tij vjen prej çastesh jetësore, të zakonshme apo të jashtëzakonshme qofshin, të përjetuara në tendosje emocionale poetike. Nga këto çaste jetësore autori ndërton figurativisht dhe bën publike raportet e veta si krijues me kohën, me vendin, me popullin e vet.
Të vendosësh veten në raport me një kohë delikate është diçka e guximshme dhe njëherësh e rrezikshme. Sidomos me një kohë heroike, siç ishin vitet në kapërcyell të njërit mijëvjeçar në tjetrin. Është, ndoshta, po aq e rrezikshme sa edhe ta vendosësh veten në rreshtin e ushtarëve të frontit. Sepse poezia të tradhton. Ti nisesh të bësh të njohur kumtin e solidarietit me një kohë epike dhe, nëse emocioni apo mendimi është i pavërtetë, në vend të këtij kumti lexuesi mund të marrë të kundërtën. Brehti thoshte se, siç ka mendime të shtirura, ashtu ka dhe mund të ketë dhe emocione të rreme.
Ka qenë përvoja e jetës së autorit që e ka mbrojtur atë në këtë rishfaqje, pas ,,Rrjedhë autoktone’’ dhe ,,Duke mbledhur kohën’’, dy vëllime që shkuan më herët tek lexuesi jo pa vëmendjen e kritikës.
Xhemajl Rudi, me këtë vëllim, dëshiron të riafirmojë veten si poet, dhe njëherësh të vendosë veten në raporte të dukshme me referenca themelore. Mendoj se ia ka arritur të dyjave. Ai ishte një luftëtar lirie me poezi.

 

 Dr.Shaban Sinani – Tiranë, shkurt 2001

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura