DR.SULEJMAN ABAZI: ‘TESTAMENTI’ KRIMINAL, QË PO NA VRET EDHE SOT!

Tiranë, 25 tetor 2017: (Mbi “testamentin” më ogurzi të antishqiptarit të tërbuar – TITO) – Ky “testament” kriminal antishqiptar, i ka kushtuar popullit shqiptar nën ish Jugosllavi me mijëra e mijëra të vrarë e të zhdukur. Sot trojet shqiptare që kanë qenë nën ish Jugosllavi, po vuajnë pasojat e “litarit që ka lënë jashtë varrit” marrshalli dinak dhe i egër, antishqiptar.
Me joshjen “kushtetuese”, ai çoroditi dhe goditi rëndë faktorin shqiptar, vrau, zhduku dhe tentoi asimilimin e shqiptarëve nëpërmjet “bashkim vllazërimit”.
Këtë ende nuk po e kuptojmë dhe pikërisht këtu duhet filluar.
Ky litar ogurzi, është shkak i situatës në Maqedoni, në Kosovë dhe Mal të Zi.
Me lakun e tij rregjimi kriminal titist i Beogradit ngatërroi rëndë edhe shtetin amë në Tiranë.
Ndarjet e kufijve politike nën ish Jugosllavi, janë “litari jashtë varrit”.
Këtë e pësuan trojet shqiptare, me mbetjen e tyre brenda Malit të Zi, futja e tre komunave serbe brenda kufijve të Kosovës, krijimi i republikës fantazmë të Maqedonisë, vertikalizimi i enklavave serbe brenda territoreve shqiptare, mbetja e hipotekave të trojeve shqiptare në Beograd dhe shumë plagë të tjera, që sot ende nuk gjejnë shërim.

Ai, na la brenda territoreve shqiptare një strukturë spiunazhi, me mbi 45 mijë të rekrutuar, të cilët në konceptin ushtarak, janë një armatë e madhe që punojnë dinakërisht “nën rrogoz”, kundër interesave shqiptare.
Ujkun e kemi brenda në vathën tonë, ai po bën kërdinë!
Shkunduni o politikanë shqiptarë mburravec e kapitullantë, servilë e të shitur, kolaboracionistë deri në tradhëti, ose shkunduni nga vendi, ose largohuni nga jeta e popullit tonë, përfundimisht duhet të largoheni.
Njerëz patriot dhe atdhetarë; mjaftë më me përçarje dhe mendjemadhësi provincial.
Me paaftësinë tonë, po i bëhemi barrë e rëndë lëvizjes kombëtare.
Egoizmi dhe mungesa e dashurisë për njeri tjetrin, po na verbojnë sytë. T’i vëmë shpatullat punës, jo me fjalë e deklarata boshe, por me punë duke zbritur në mes të popullit, që sot vuan pasojat e kriminalizimit politik.
Nëse kauzën tonë të SHQIPTARIZMËS PËR BASHKIM, do ta kthejmë në një lëvizje mbarëpopullore për veprim, nuk do të ketë forcë që të na ndalë.
Të ndalojmë luftën midis nesh për shkaqe të militantizmit politik.
Falanga titiste antishqiptare po punon natë e ditë si urithi në errësirë për ta shkatërruar kombin tonë deri në shpërbërje.
Ushqeni, ndihmoni dhe mbështeteni me çdo çmim dorën e djathtë të Kombit, në mbrojtje të interesave tona, kundër politikave kapitulluese të njerëzve që janë vënë në shërbim të antishqiptarizmit.
Lereni mënjanë nacionalizmin e sëmurë dhe kthejuni tek mëmëdhedashuria e Rilindasve tanë, tek patriotizmi i vërtetë, atdhedashuria dhe patriotizmi i vërtetë, siç e kemi pasur traditën tonë shekullore, që na bëri të mbijetojmë.
Brenda nesh duhet të rregullojmë shumë gjëra, që na i ka shkatërruar pikërisht ky “litar jashtë varrit” të një prej armiqve më të rrezikshëm kundër Kombit Shqiptar, i cili edhe në varr po na vret me “testamentin” e tij racist, ultranacionalist, antishqiptar.
A nuk i shikojmë edhe sot njerëzit e shërbimit jugosllav që po na vrasin natën dhe po na “qajnë” ditën?!
Mos kërkoni dosjet e tyre, por shikoni dhe vlerësoni bëmat e tyre ogurzeza.
Po bashkëjetojmë me ta, pa e kuptuar se po i hapim gropën vetes.
Mos harroni Kodin e Nderit tonë, që buron nga besimi tek Kombi, atdheu dhe Shqipëria jonë.
S. A. Tiranë, më 25.10.2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura