DR.VAXHID SEJDIU: UKSHIN HOTI DHE ҪËSHTJA SHQIPTARE NË IRJM!

Zürich, 20. 06. 2015 – Më 22 dhjetor të vitit 1991, profesor Ukshin Hoti, truri i Lëvizjes Kombëtare shqiptare nën ish- Jugosllavi do të marr pjesë në simpoziumin shkencor me titull “Shqiptarët e Maqedonisë”, i cili për shqiptarët e IRJM-së haptazi do të kërkonte “statusin e bartësit të shtetësisë së sanksionuar me kushtetutë në Republikën e Maqedonisë”. Ai atëherë do të ishte shumë i qartë, por për fat të keq injorantët nuk dinë se ç`është filozofia politike, ata zbatuan mashtrimin politik.
Atëbotë kjo kërkesë politike në vend që të bëhet moto e subjekteve politike shqiptare kaloi në heshtje, si diçka e zakontë. Kasta politike shqiptare në IRJM që thirrej në pluralizmin politik, në reformat demokratike kënaqej me kërkesat minimale: siç janë kërkesat zyrtarizimi i gjuhës shqipe dhe përdorimi i simboleve kombëtare. Askush dhe asnjëri nuk e mori këtë ide historike (të U. Hotit) për shqiptarët për ta bërë pjesë të platformës politike, askush dhe asnjëri nuk e bëri formulë të pagëzimit për shqiptarët për të trokitur në dyert e të gjitha institucioneve të IRJM apo institucioneve ndërkombëtare, me të vetmin qëllim që çështja e pazgjidhur shqiptare në IRJM të marrë drejtimin duhur.
Edhe pse shqiptarët zhvilluan tri palë zgjedhjesh parlamentare më 1991, 1994 dhe më 1998, përfaqësuesit e tyre në vend që t`i vënë në rend dite kërkesat e popullit shqiptar në IRJM, ato ekskluzivisht u morën me veten dhe interesat e tyre grupore, gjë që solli devalvimin dhe anashkalimin e kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar. Koalicionet partiake LSDM-PPD apo VMRO-PDSH, përfunduan në një qeveri teknike më 2001, ku PDSH dhe PPD hynë si kufomat e gjalla me partitë politike sllavo-maqedonase: VMRO dhe LSDM. Kjo strukturë politike e cila ishte fajtore kryesore për fatin e popullit shqiptar asnjëherë nuk kërkoi falje për gabimet e bëra, asnjëherë nuk u tërhoq nga veprat e ndyta mbi popullin shqiptar, asnjëherë nuk pushoi së krijuari procese të montuara për shqiptarët, si dhe për asnjë çast nuk e ndalën hovin e politikave antishqiptare, kurse shteti që mbante mbi supe mbishkrimin IRJM kaloi në një shtet diktatorial të kohëve më të errëta të ekzistencës së tij. Në këtë drejtim jo vetëm që nuk pamë ndonjë luhatje qëndrimesh të strukturave sllavo-maqedone, por as te përfaqësuesit e shqiptarëve, bile politikanët shqiptarë shpeshherë i shohim që krekosen gjoja për ato “ditë të lavdishme” të pushtetit të tyre.

E gjithë kjo politikë shkel e shko për interesat e shqiptarëve 1991-2001 kaloi duke e sjellë IRJM-në përballë të drejtave të shqiptarëve të cilat as ato më minimale nuk u realizuan ndonjëherë. Dhe ky presion politik mbi shqiptarët shpërtheu më 2001 me luftën e lavdishme të Ushtrisë Ҫlirimtare Kombëtare, bijve dhe bijave më të mira të kombit të cilët kapën pushkën për të luftuar për të drejtat e tyre. Ata nuk ishin në fronin e luftës, në Kumanovë, Shkup, Tetovë dhe gjetiu as për Ali Ahmetin dhe as për të tjerët, por ata iu kishin përgjigjur thirrjes së popullit shqiptar që ndëshkohej nga aparati policor i Shkupit në të gjitha pikëpamjet. Dhe kjo gjendje e padurueshme i kishte bërë bashkë ata, të cilët përballë forcave policore dhe ushtarake të Millosheviqit kishin qëndruar heroikisht.
Periudha pas UÇK-së
Edhe pse atëherë U. Hoti, kishte uruar që këto ngjarje politike në Ballkan të përshpejtohen me qëllim që të ndryshohet statusi i shqiptarëve, status i cili në mënyrë teorike (në letër) mori rrugë me të ashtuquajturën “Marrëveshja e Ohrit”, por vizioni politik i profesor Hotit nuk u vë për asnjë çast (as nga ata që thirreshin në emër të U. Ç. Kombëtare) në sprovë. Ushtria Çlirimtare Kombëtare e kishte fituar betejën në të gjitha anët, por kujt do t`i shkonte mendja se ata të cilët depërtuan në krye të saj, do ta devalvonin duke filluar që nga viti 2002 e deri në ditët e sotme, duke mos iu lënë luftëtarëve të lirisë as një ditë të shijojnë lirinë. Të gjithë ata që i kuptojnë të drejtat dhe liritë e një populli, që lindi dhe jeton në vatrat e tij stërgjyshore, e kuptojnë se fjalia e thënë nga U. Hoti përmblidhte të gjitha kërkesat e mundshme politike. Por ja që në ballë të strukturave politike ashtu sikurse para edhe pas vitit 2001, filluan të emërohen njerëz me dosje antishqiptare, njerëz të dyshimtë, njerëz të korruptuar, njerëz analfabetë dhe të paaftë dhe të gjitha proceset përfunduan kështu siç përfundojnë të gjitha ata që fatin e popullit shqiptar e lidhën dhe e lidhin për interesat e tyre personale dhe grupore, apo edhe më keq me fatin e njerëzve që janë peng të marrëveshjeve dhe privilegjeve politike.
E themi këtë sepse jo vetëm që nuk u realizua “Marrëveshja e Ohrit”, e cila ishte marrëveshja më modeste në krahasim me interesat e shqiptarëve, por kryetari i BDI-së dhe kryetari PDSh-së vazhduan me marrëveshjet e tyre private qofshin me LSDM-në apo me VMRO-n, duke krijuar një anarki politike, sepse populli shqiptar asnjëherë nuk kuptoi se për çka ata në fakt bënë marrëveshje. Ende të freskëta i kanë shqiptarët:
– Marrëveshjen mes LSDM-BDI më 2002,
– “Marrëveshjen e Marsit” midis PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së më 2006, dhe
– “Marrëveshjen e Majit”, në mes VMRO-BDI-së të vitit 2008, të cilat në fakt janë marrëveshje antishqiptare.
Po ashtu, kësaj klase politike i faturohet përgjegjësia, jo vetëm për paaftësi, por edhe për bashkëpunim me qeverinë dhe strukturat vrasëse mbi shqiptarët. Pas vitit 2001 jemi dëshmitarë të një varg procesesh të montuara politike, vrasjeve, kurtheve dhe intrigave qeveritare të cilat përfunduan me vrasjen e dhjetëra e qindrave shqiptarëve.
Nëse politikanët shqiptarë nuk e kuptojnë:
– Ja një pyetje të thjeshtë, pse të gjitha këto procese të montuara politike ndodhin vetëm në vendbanimet shqiptare?
– A keni dëgjuar ndonjëherë për sulme policore mbi vendbanimet sllavo – maqedonase ?
– A keni dëgjuar për ndonjë vrasje, ekzekutime mbi sllavo – maqedonasit?

Atëherë përgjigja është saktë se këto qeveri të themeluara edhe me votat e partnerëve shqiptarë të koalicionit janë qeveri vrasëse ndaj shqiptarëve dhe përfaqësuesit e tyre janë bashkëpunëtorë të tyre.
Profesor U. Hoti simbol i vetëdijes kombëtare në të njëjtin simpozium do të deklaroj “se shqiptarët në përgjithësi, as nuk mundin dhe as që dëshironin t`i injoronin vlerat e gjakut të derdhur të bijve të vet.”
Dhe, unë do të bërtas me gjithë fuqinë që kam, me gjithë zërin që kam, profesor kjo nuk është e vërtetë, se ata që dolën nga duart e popullit shqiptar dhe u thirrën në “emër të vlerës së gjakut të derdhur” shkelën me të dy këmbët mbi të. Profesor unë nuk pajtohem me ty, sepse gjatë viteve 2002- 2015 u rrënua çdo gjë shqiptare, sa që u nëpërkëmbën edhe të drejtat e shqiptarëve të cilët ishin me kushtetutën e ish- Jugosllavisë të vitit 1974. Profesor nuk pajtohem me ty, sepse me sytë tanë shohim shqiptarë që u ngritën nga gjaku i dëshmorëve dhe sot bashkëpunojnë me qeveritë më kriminale ndaj shqiptarëve si ajo e Nikolla Gruevskit, Grodana Jankullovskës apo Sasho Mijallkovit. Nuk pajtohem se në ballë të popullit shqiptar janë njerëzit më të dobët që përfaqësojnë ekzistencën e tyre.
Shqiptarët sot jetojnë në mes një diskriminimi absolut nga qeveria sllavo-maqedone dhe të një mashtrimi politik (BDI-PDSH), të cilët jo sot me ngjarjet e Kumanovës, por shumë më herët iu kanë dalë të gjitha ngjyrat.
Jam më se i bindur profesor, se sot po të shkruani për “Shqiptarët e Maqedonisë” do të shkruani dhe do t`i evidentoni defektet politike shqiptare në IRJM, të cilat janë sëmundje të një vasaliteti të pashoq në historinë e politikës së njerëzimit, kurse për partitë shqiptare do të shkruani një miliona veprime antishqiptare, të cilat përbëjnë medaljen e turpit.
***
Në historinë e krijesës së IRJM nuk dihet asnjë rast, në kuvend, në qeveri apo në institucionet shtetërore qendrore dhe lokale që partitë shqiptare, deputetët apo zyrtarët të cilët u emëruan për ta përfaqësuar popullin shqiptar të kishin vënë në rend dite ndonjë kërkesë shqiptare.
Që 25 vjet shqiptarët mashtrohen me të gjitha mjetet politike dhe apolitike. Mbi shqisat e popullit shqiptar është derdhur një arsenal i vazhdueshëm propagandistik, një makineri fjalësh, pamjesh dhe ngjyrash, të cilat vihen në veprim me të gjitha mjetet më të sofistikuara kundër shqiptarëve dhe në fakt përbëjnë strukturën e mashtrimin politik të kastës shqiptare, e cila e zënë peng nga projektet antishqiptare nuk mundi kurrë ta kaloj Urën e Gurit, nuk mundi të realizoj kurrë të drejtën e gjuhës amtare, nuk mundi kurrë të realizoj kërkesat e ligjshme të popullit shqiptar në IRJM, për të cilat kërkesa në vendet e Bashkimit Evropian as që bëhet kërkesë zyrtare.
Këtyre fjalive iu shtohet edhe një gjë, a kërkuan ndonjëherë partitë shqiptare gjatë ekzistencës së tyre në institucionet e shtetit të IRJM, apo në adresë të organizatave ndërkombëtare të drejtat e tyre?
– Në historinë e krijesës së IRJM nuk dihet asnjë rast, në kuvend, në qeveri apo në institucionet shtetërore qendrore dhe lokale që partitë shqiptare, deputetët apo zyrtarët të cilët u emëruan për ta përfaqësuar popullin shqiptar të kishin vënë në rend dite ndonjë kërkesë shqiptare. Koalicionet qeveritare LSDM-PPD, VMRO-PDSH, LSDM-BDI, VMRO-PDSH, VMRO-BDI dhe VMRO-BDI nuk kanë sjellë asnjë të mirë për shqiptarët përveç dhunës, terrorit dhe plagëve të njëpasnjëshme. Edhe pas 25- viteve në shtetin e IRJM dominon dhuna shtetërore e tipit të Millosheviqit, edhe pas 25-viteve të pluralizmit politik kasta politike shqiptare i shërben diktaturës. Dhe në këtë katrahurë mungon fjala e prof. U. Hotit, fjala e tij e gjallë për ta dëbuar terrin dhe për ti demaskuar politikat antishqiptare. Mungon frymëmarrja e tij politike, për ta ringjallë frymëmarrjen e popullit shqiptar të nëpërkëmbur.
Dhe sot pas ngjarjeve të Kumanovës, në të cilën ngjarje për të satën herë u dalluan qartë dy anët e medaljes, e mira dhe e keqja, sakrifica dhe kolltuku, liria dhe mashtrimi politik.
Me sytë tanë pamë familje shqiptare që u rrënuan për tokë nga forcat policore, që dhjetëra burra u arrestuan dhe shumë prej tyre u ekzekutuan pas arrestimit të tyre. Po ashtu me sytë tanë pamë njerëz që u lidhën për pushtetin e shkretë, për pushtetin vrasës të njerëzve të pafajshëm që na i përkujton kolltukofagët e Nolit të Madh. Ata krimba të verdhë që ushqehen me plagët e popullit shqiptar të përvuajtur ndër shekuj, dolën në sipërfaqe më 9 dhe 10 Maj të vitit 2015 duke i sjellë popullit shqiptar edhe një tragjedi kombëtare.
E ardhmja dhe Krimi
Ukshin Hoti në simpoziumin shkencor më 22 dhjetor të vitit 1991, në Shkup, do të deklaronte “se luftërat nuk zhvillohen për interesa ideologjike por për interesa vitale të zhvillimit.” Edhe kjo fjali më ka tronditur jashtë mase sepse në gjitha strukturat politike – partiake të shqiptarëve në IRJM nuk gjeta, jo luftë por as përpjekje, as angazhim, për interesa vitale të zhvillimit të kombit. Për fat të keq gjeta sakrificë deri në tradhti kombëtare për interesat personale dhe grupore. Në mesin e një mori mendimesh të shfaqura në filozofinë politike të U. Hotit, lexuesi gjen një mori xhevahiresh të mendimit politik shkencor. Për fat të keq njerëzit e ditëve të sotme nuk e lexojnë U.Hotin por i përkushtohen kurtheve të tenderave, mashtrimeve politike dhe degradojnë jo vetëm veten por edhe gjithë shoqërinë ku jetojnë shqiptarët. Për fat të keq i madh është numri i atyre që kujdesen për vizionin antishqiptar dhe nuk kujdesen për fatin e popullit shqiptar, për realizimin e kërkesave të ligjshme të tij.
E kam thënë disa herë dhe do ta them edhe në vazhdimësi se po sikur arsimin shqip t`ia kishin lënë në dorë njerëzve më antishqiptarë nuk do ta kishin bërë kaq keq. Po sikur t`ia kishin lënë menaxhimin e shkollave fillore, të mesme e deri në universitet nuk do të kishte degraduar kaq keq arsimi shqip, sepse ata nuk kishin arritur t`i preknin nyjet e kulturës dhe identitetit kombëtar. Sot ofendimi, nënçmimi dhe përbuzja kolektive që iu bëhet shqiptarëve nëpërmjet institucioneve të arsimit i tejkalon të gjitha përmasat. Një varg përpjekjesh që falsifikojnë historinë dhe kulturën shqiptare, një varg përpjekjesh që mundohen të futin elemente antishqiptare dhe një gjellë e tillë antishqiptare iu ofrohet nxënësve shqiptarë në të gjitha nivelet shkollore. Në mes kërkesave të ndaluara shqiptare dhe politikave false arsimore rriten fëmijët shqiptarë dhe pasurohet klasa politike shqiptare. Dy universitete (Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i UEJL-it) që heshtin për mijëra dhe mijëra ligje, nene antishqiptare të shoqëruara me procese të montuara politike, me projekte antishqiptare dhe një varg skenarësh të politikave të përzgjedhura të Çubrilloviqit dhe të tjerëve mbi popullin shqiptar. Për fat të keq në asnjërin prej këtyre universiteteve nuk e gjetëm zërin dhe reagimin e U. Hotit për të drejtën shqiptare, por takuam nënshtrimin, servilizmin dhe pranimin e politikave pushtetare. Siç shihet as profesorët e universiteteve apo të shkollave fillore dhe të mesme (me ndonjë përjashtim të vogël, shumë të vogël, por e përsëris shumë të vogël) nuk e morën mësimin e tij. Dhe jam i bindur se kjo është arsyeja se pse populli shqiptar e ka fatin e ditëve të sotme.
Ai mendonte se “krimi, derisa e pjell vdekjen, nuk pjell dot lindjen.” Kjo fjali që në fakt do të duhej të ishte moto e subjekteve politike shqiptare (në vend të atyre se: “Me ne jeni faqebardhë”, “Ne e mbajmë fjalën”, Bashkë më mirë”, Ecim drejt” dhe një mori fjalish që flasin të kundërtën në veprimet e tyre, na bëjnë të vjellim përballë fushatave të tyre politike, përballë verimeve të tyre në qeverinë e IRJM dhe të gjitha këto dëshmohen në përgjimet e fundit që po i bën opozita në IRJM. Dhe pas këtyre përgjimeve mendoj se e ka të qartë çdo shqiptar se para syve tanë janë të qarta ngjarjet e Sopotit, Brodecit, Radushës, “Monstrës”, Kumanovës dhe një varg ngjarjesh të tjera që morën vetëm jetëra njerëzish të pafajshëm.
Ukshin Hoti e kishte lënë mundësinë e hapur “për të luftuar kundër vdekjes si krim”, por për fat të keq ata të cilët iu shërbenin të tjerëve, projekteve antishqiptare, asnjëherë nuk arritën të çlirohen nga veprimet e tyre, të cilat e sollën në vendbanimet shqiptare krimin si vdekje.
Edhe në fjalorin e gjuhës shqipe ashtu sikurse edhe në fjalorët e gjuhëve tjera gjejmë këtë definicion për fjalën krim, po e japim origjinal siç është shkruar “veprim i keq e i dënueshëm që dëmton rëndë dikë a diçka dhe që është në kundërshtim me arsyen e shëndoshë e me qëndrimin e një njeriu të ndershëm e të drejtë”.
Por, këto mendime filozofike që ndërlidhen me qëndresën dhe angazhimin e shqiptarëve ndër shekuj, jo vetëm Ukshin Hotit por as luftëtarëve të lirisë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe as veprimtarëve të çështjes kombëtare nuk iu kishte shkuar ndërmend se pas shumë ndryshimeve politike në Kosovë, në IRJM, dhe në mbarë Ballkanin, pas 14-vitesh nga U. Ç. Kombëtare, kasta politike shqiptare jo vetëm që do t`ia bëj varrin vetes por edhe fatin e popullit shqiptar do ta hedh në humnerë.
Sot, pas kësaj politike, pas kësaj vetëvrasje kombëtare që ia bën vetes partitë shqiptare (shih përgjimet që po i publikon opozita në IRJM) të shpresojmë që kanë mbetur njerëz që dinë dhe që mundin t`i nxjerrin mendimet e Ukshin Hotit, si lajtmotiv të zhvillimeve politike në të ardhmen.

– Kontakti me autorin: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura