DY LETRA TЁ SABRI NOVOSELLЁS PЁR FARIDIN TAFALLARIN (31 JANAR 1984 DHE 10 MAJ 1984)

Nga arkivi i LRSHJ-ës, 1984

DY LETRA TЁ SABRI NOVOSELLЁS PЁR FARIDIN TAFALLARIN (31 JANAR 1984 DHE 10 MAJ 1984)

31. 01. 1984

I nderuari vëlla e shok F! (Faridin)

Letrën tënde bashkë me dy letra të Heroit Sokol (Jusuf Gërvalla – shb) i mora dhe i lexova me kënaqësinë më të madhe. Letrat e Heroit Sokol m’i përkujtuan letrat e tij nga të cilat kemi mësuar të gjithë sa herë që na kanë ardhur. Kurse letra jote e sinqertë dhe me dëshirat më të mira për unitet të plotë më gëzoi shumë.

Çështja e bashkimit është çështje e kryer. Askush nuk mundet ta shkatërrojë këtë bashkim. Ju lutem edhe njëherë, lexojini materialet që ju kanë ardhur nga ana e KQ (Komitetit Qendror të LRSHJ-së – shb) e që jua dërguam ne. Ju lutem t’u përmbaheni fjalëve të Heroit Sokol që i paska thënë edhe në këtë letër të tij: “Materiale të tilla nuk bën të lexohen vetëm si artikuj gazete a si roman. Ato duhet të lexohen, të përvetësohen, në mos në tërësi së paku pikat kryesore duhet të zotërohen patjetër”. Duke lexuar këto materiale do të shohësh se çfarë dallimi ka në mes atyre që thotë Uka (Xhafer Shatri – shb) në ZK, artikuj të shkruar nga Uka, dhe materialeve të KQ që të kanë ardhur e do të vijnë vazhdimisht. Është e vërtetë se ne kemi gabuar kur e mbrojtëm Ukën që në fillim, kur na u dhanë faktet se Uka është i qitur nga serbët. Atëherë nuk deshëm ta besojmë se kush është Uka (ty personalisht dhe shokut S., /Xhafer Durmishit – shb/ si edhe mua dikush na i ka thanë ato fjalë që në fillim). Ne nuk i morëm fjalët e Engjëllit (Engjëll Koloneci, zyrtar i ambasadës shqiptare në Vjenë – shb) e të kolegëve të tij si fakte që duhet t’u përmbaheshim, por ato fjalë na shërbyen kundër atyre që na i thanë. Ky është gabimi ynë më i madh që kemi bërë ndonjëherë. Na është dashur që atëherë me i vu gishtin kokës dhe mos me e leju Ukën të bëjë marrinat që i ka bërë vazhdimisht dhe krijoi, atje ku është, frymën kundër shtetit tonë, ashtu si e ke parë vetë. Të gjithë ata që janë kundër tyre janë edhe kundër kombit shqiptar, me siguri edhe kundër Kosovës; në veçanti Uka është armik i tyre dhe i tërë kombit shqiptar, ashtu siç janë edhe Lekë Zogu e të tjerët si ai. Uka flet me fjalët që i dëshiron UDB-ja. UDB-ja na akuzon se duam ta shkatërrojmë Jugosllavinë e Uka vazhdimisht thotë këto fjalë në vend që të thotë se Lëvizja është duke luftuar për Republikë në kuadrin e Federatës.

Rrenat e Ukës se po punoka 12 orë në ditë në makinë janë të poshtra. Uka nuk ka çka të punojë nga 12 orë në makinë, pasi ZK po del një herë në dy muaj nga 16 faqe, shumica me materiale të gatshme, përveç atyre poshtërsive që thotë në emër të Lëvizjes pa u konsultuar me askënd dhe krejtësisht kundër Lëvizjes. Sa për atë që paska thënë se paska vuajtur edhe për bukën e gojës, ajo është poshtërsia më e madhe që mund ta thotë vetëm një njeri si Uka, pasi Uka i ka pasur dhe i ka të gjitha mjetet që mblidhen për ndihma për Kosovën. Deri më sot këto ndihma ai i ka keqpërdorur pa u konsultuar me ty dhe ka manipuluar me ty si ka dasht, gjoja se të ka konsultuar për ato ndihma duke të dërguar ndonjë vërtetim se sa para kanë ardhur. Ai zotëri ka dërguar edhe armë në Kosovë, për çka kemi fakte të sigurta. Ai ka thënë para më se 400 punëtorëve se R. Mala dhe N. Berisha kanë qenë të armatosur me armët më të përsosura që ka sot Evropa. Atëherë kush ua paska dërguar ato armë dhe kush e paska autorizuar zotin Ukë t’ua dërgojë ato armë???

Edhe për këtë Uka ka me dhanë llogari si për të gjitha poshtërsitë e tij të tjera. Uka jeton në banesë komforte dhe me mobilje komforte, të cilat janë blerë me djersën e punëtorëve. Ai shëtit me veturë lluksoze e cila udhëton me benzinën që blehet me djersën e punëtorëve. Kurse deri më sot asnjë frangë nuk u ka dërguar atyre për të cilët mblidhen ndihmat për Kosovën, përveç ndonjë shoku të vet me të cilin manipulon në mënyrë të poshtër. Kur e pyeta unë se pse vepron kështu, Uka më thotë se nuk ditka asgjë për këto, por për to ditka vetëm F, (Faridin Tafallari – shb) i cili është i ngarkuar me ato punë. Kur pyeta S. (Xhafer Durmishi – shb) ai më tha se F. i dërgojnë vetëm disa vërtetime të pagesave dhe asgjë tjetër. Mirë shoku F. po të pyes se kujt i paska dërguar Uka ndihma në Kosovë nga ndihmat që janë grumbulluar për atje përveç ndonjë shokut të Ukës? (nuk ka nevojë me tregu emrat e njerëzve, por vetëm sa vetave). Edhe për këto ka me dhanë përgjigje zoti Ukë e do mundohet me të përlye ty. Të lutem të jesh i kujdesshëm dhe mos e lejo të manipulojë me ty.

Përsa i përket M. Hotit, (Musa – shb) me të kemi mbajtur korrespondencë edhe unë, edhe Uka vazhdimisht dhe jemi munduar që sado pak të kthejmë njerëzit në rrugën tonë. Për atë që thua se M. Hoti qenka kriminel, unë mundem me thanë se gjyqi ndërkombëtar i Hagës nuk e liroi atë si kriminel, por si njeri të pafajshëm, i cili e ka kryer veprën në vetëmbrojtje të domosdoshme; për këtë ekziston dokumenti i gjyqit të Hagës. Domethënë se edhe Sokolit (Jusufit – shb) që vret kriminelët e UDB-së paska pas me i thanë dikush se qenka kriminel. Ju lutem mos më keqkuptoni, sepse e di që këto fjalë nuk janë tuajat por të IK (Ibrahim Kerlmendit – shb) të cilin nuk e dimë çka është, por të gjithë e dimë se është ngatërrestar, e ti këtë e di më mirë. Pështjellimet që po bën atje IK janë ato poshtërsi ku po mundohet zoti Ukë me më futë edhe mua. Por edhe kjo do të shihet se çka është. Përsa i përket asaj që thua për vëllaun e M. Hotit, me siguri duhet të jetë e vërtetë, se më tepër të besoj ty se kujtdo tjetër. Për të edhe M. Hoti më ka thënë se nuk ka asgjë prej tij, por po mundohemi me e kthye në rrugë të mbarë. Kur keni shkuar ju atje, sikur asgjë mos paçi arrit me ba, keni krijuar një frymë të mirë dhe keni futur frymën e Lëvizjes, gjë që ka ndikuar shumë në frymëzimin e njerëzve me atë frymë. Kurse IK dhe Uka kanë pështjelluar vazhdimisht atje. Uka mban lidhje direkte me Enver Hadrin dhe me Gani Azemin, gjë që nuk e kemi parë si të keqe, sepse kemi menduar se po mundohet me i qitë në rrugë të mbarë; por si ka me i qitë në rrugë të mbarë kur ai vetë ishte në rrugë të gabuar.

Përsa i përket asaj që Uka nuk ka punuar kundër shokëve tanë atje, i kemi faktet në dorë. Uka u thotë njerëzve me përzanë rromet shokun S. në qoftëse shkon edhe njëherë atje, kurse shoku S. ka qenë i ngarkuar me atë detyrë. Uka u mundua njëherë me na i shkatërru edhe shokët e Komitetit Qendror që veprojnë në Kosovë ashtu si shkatërroi Rexhep Malën, të cilit i dërgoi 2000 copë të ZK me njerëz pa fijen e përvojës. Sapo ranë në dorë të UDB-së ata dy djem, me disa shuplaka i treguan njerëzit për të cilët ishin dërguar ZK, dhe ai njeri kishte qenë R. Mala. Këso poshtërsish mund t’i bëjë vetëm një njeri i krisur apo një agjent i UDB-së e askush tjetër. Si ka mujt me i dërgu gjithë ato materiale një njeriu si R. Mala, i cili ka qenë i liruar prej burgut vetëm para pak kohësh dhe në çdo hap ka qenë i ndjekur duke mos mundur të kontaktojë me njerëzit e caktuar për të shpërndarë ZK. Kështu donte t’ja bënte edhe shokëve të Komitetit Qendror e kërkonte t’i fuste në kontakt me ndonjë shok të tij, sigurisht me ata djelmoshat pa përvojë për t’i shkatërruar njerëzit. Edhe për këtë Uka ka me dhënë llogari.

Uka rren se shokët e Komitetit Qendror nuk kanë dërguar materiale në Redaksi. Vazhdimisht ata shokë, nëpërmjet meje, i kanë dërguar materialet dhe Uka asnjëherë nuk i ka botuar, pasi Uka ka qenë armik i Lëvizjes dhe ato materiale kanë qenë të shkruara për Lëvizjen e jo kundër Lëvizjes, ashti siç po shkruan zoti Ukë. Uka asnjëherë nuk ka shkruar ndonjë raport ku t’i njoftojë shokët për të gjitha ato para që mblidhen tek ai dhe për veprimtarinë e Redaksisë. Më ngjan se Redaksia as që ekziston, pasi Uka nuk ka dashur të ketë Redaksi, por ka dashur të jetë vetëm në Redaksi dhe ka manipuluar si ka dashur vetë, apo si e ka udhëzuar dikush që gjendet prapa tij.

I nderuar shoku F!

Dije se për ty dhe për çdo njeri të ndershëm nuk është e lehtë të përballohen këto gjëra, por çfarë t’i bëjmë, lufta është e tillë. Pa këto probleme nuk mund të ekzistojë lufta jonë ashtu si nuk mund të ekzistojnë luftrat e popujve të tjerë që po luftojnë për liri. Unë po të këshilloj të takohesh njëherë me shokun e Vjenës (Engjëll Kolonecin, në ambasadën e Shqipërisë – shb) dhe të bisedosh me të për këto çështje. Duhet ta dish mirë se të gjithë ata që janë kundër tyre do të përfundojnë me turp e unë një përfundim të tilë nuk ta dëshiroj ty ashtu siç nuk ia dëshiroj asnjë shokut tonë të ndershëm. Që në fillim çfarë na kanë thënë ashtu na ka dalë, çfarë nuk kemi dëgjuar keq na ka ra. Ne nuk i dëgjuam për rastin e Ukës që në fillim dhe po shihet si po na dalin punët. Kur ishim në banesën e Haxhiut ti the se të gjithëve kështu do na e bëjnë. Kjo nuk është e vërtetë. Ata deri më sot na kanë thënë vetëm për Ukën dhe i kanë thënë Sokolit për IK me e përzanë si qenin; për askënd tjetër nuk na kanë thënë asgjë të keqe. U pa se me të vërtetë mirë e paskan pasur. Të kishim vepruar si na thanë ata, nuk do të vinin të gjitha këto, por të gjitha këto do të përfundojnë si është më mirë dhe çdokush ka për të marrë atë që meriton.

Po e përfundoj këtë letër duke të porositur edhe njëherë që të takohesh me shokun e Vjenës dhe vazhdimisht të konsultohesh me të. Mbetem në pritje të letrës tënde të ardhshme. Ndërkohë ne do të vazhdojmë të punojmë në rrugën tonë të drejtë dhe në të ardhmen e afërt do të shihet se kush është zoti Ukë. Ne do të punojmë drejtë dhe e drejta do të dalë në shesh. Uka do të jetë i detyruar t’ia dorëzojë teknikën dhe mjetet atyre që u takojnë dhe me to do t’i shërbehet Lëvizjes e jo atyre që duan t’i manipulojnë ato.

Të fala të përzemërta dhe revolucionare

(S. Novosela) M.

***

10. 05. 1984

Shoku F! (Faridin)

Duke qenë i bindur se je njeri i ndershëm, ashtu siç është edhe H. Mala, i cili është i mashtruar, edhe ti je i mashtruar. Po ta shkruaj këtë letër me shpresë se do ta shohësh të vërtetën, por njëkohësisht më duhet të pastroj ndërgjegjen, së pari për hir të Heroit Sokol, pasi ke qenë shok i tij dhe gjithnjë ndjej obligim për t’i ndihmuar shokët e shokut tim; kurse ti vepro ashtu si ta merr mendja jote.

Po ta dërgoj këtë artikull të gazetave të Beogradit, ku do të shohësh me fakte se me çfarë punësh të liga është marrë Uka, pa u konsultuar as me ty me siguri, pasi edhe ti ke qenë anëtar i forumit. Ai duhej të ishte konsultuar edhe me ty, ashtu si me shokë të tjerë, gjë që nuk e ka bërë kurrë gjatë kryerjes së këtyre punëve të poshtra, të cilat e kompromentuan kaq shumë Lëvizjen dhe na solli kaq dëme të mëdha.

Siç shihet edhe në këtë artikull që po të dërgoj, citohet një artikull i Ukës ku thuhet: Istoria je osudilla Jugoslaviju na smrt, a sinovima Kosova pripada çast da zadaju posledni udarac (Historia e ka dënuar Jugosllavinë me vdekje dhe bijve të Kosovës u takon me ia dhanë grushtin e fundit). Domethënë, Uka ua dha rastin gjykatësve të Beogradit me na akuzu ashtu si kishin dëshirë ata vetë dhe me na shpall ashtu si dëshirojnë ata. Domethënë se, lufta jonë për Republikë ka qenë rrenë, por e vërteta qenka ashtu si po thonë serbomëdhenjtë dhe Zoti Xh. Shatri!!!

Poshtërsitë që bani ky njeri i poshtër dhe agjent i serbomëdhenjve po na kushtojnë aq shumë sa që UDB-ja edhe sikur të kishte dhënë miliona nuk kishte pas me na dëmtue kaq shumë, me siguri.

Sot shkruajnë të gjitha gazetat e botës se si LRSSHJ gjoja po dërgoka armë në Kosovë dhe materiale kompromentuese, kurse e vërteta është se kjo punë nuk është e Lëvizjes, por është vetëm e renegatit Ukë.

Po të njoftoj se së shpejti ka për të dalë ZK i vërtetë dhe ka me ia qit fytyrën në shesh renegatit Ukë; e ti atëherë ke me e pa të vërtetën. Renegati Ukë na e grabiti makinën e Sokolit me dinakëri. Këtë punë nuk kishte për ta bërë as një magjyp që e shet nderin me para e jo më një njeri që i thotë vetes shqiptar. Na i kindapoi ato mjete që i dërgoi populli për familjet e goditura dhe me to bëri punë që i interesojnë vetëm UDB-së e u mundua me e varros Lëvizjen me ato gjëra të ulta. Lëvizja nuk mundet me u varros, pasi ajo e ka bazën në Kosovë dhe populli do t’i gjykojë të gjithë tradhëtarët e renegatët si Uka. Unë po të them: largohu prej atij të poshtri sa nuk është vonë dhe bashkohu me shokët e Sokolit që i ke atje. Për të gjitha gabimet e tua merre vetë përgjegjësinë.

Përshëndetje Mërgimi (S. Novosela)

————–

(Ngas libri i autorit Faridin Tafallari: Dhimbje krenare, Tiranë 1998, faqe 249 – 253)

Sheradin Berisha © Pashtriku.org, shkurt 2025

———————————–

Gjurmë historike nga arkivi i LRSHJ-s 1983

BURGOSJA E 17 VEPRIMTARЁVE TЁ LЁVIZJES NЁ SHTUTGART (MЁ 11.11.1983) DHE NDIHMA PЁR DALJEN E TYRE NGA BURGU

https://pashtriku.org/burgosja-e-17-veprimtar%d1%91ve-t%d1%91-l%d1%91vizjes-n%d1%91-shtutgart-m%d1%91-11-11-1983-dhe-ndihma-p%d1%91r-daljen-e-tyre-nga-burgu/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura