MANIPULIMET E RUZHDI SARAMATIT DHE E VËRTETA PËR “BETEJËN” E PËRGJAKSHME TË 31 MAJIT 1999 NË FSHATIN POGAJ TË GOROZHUPIT!

Në 22 vjetorin e Operacionit “Shigjeta”, Pashtrik

MANIPULIMET E RUZHDI SARAMATIT DHE E VËRTETA PËR “BETEJËN” E PËRGJAKSHME TË 31 MAJIT 1999 NË FSHATIN POGAJ TË GOROZHUPIT!

Nga Sheradin Berisha, Facebooku më 1 qershor 2021

Njohuri themelore për Operacionin “Shigjeta” dhe  ngjarjen e 31 majit 1999 në fshatin Pogaj…

“Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën”. Ciceroni (Mark Tul Cicero, 106 p.e.s – 43 p.e.s) historian dhe filozof i Romës antike

Njeriu mund ta përdor imagjinatën e tij në art, në pikturë, në skulpturë, në arkitekturë, në kompozime muzikore, pastaj në letërsi, në roman, në prozë, në përralla popullore, në anekdota, në poezi etj., por nuk mund ta përdor në histori, në trajtimin e ngjarjeve historike! Pse? Sepse imagjinata në shkencën e historisë, të gënjen, të çon drejt gabimeve të mëdha dhe në këtë mënyrë manipulohen faktet e vërteta arkivore!

Çka thonë dijetarët francezë për imagjinatën?

Filozofi francez, Michel de Montaigne (1533 – 1592) thotë: “Ai qё nuk ёshtё i sigurt nё imagjinatën e tij, nuk duhet tё lёshohet tepёr nё gёnjeshtra.” Matematicienti dhe filozofi francez, Rene Dekart (1596 – 1650) ka thënë: ‘Imagjinata është shkaku i gabimeve’. Ndërkaq fizicienti dhe filozofi tjetër francez, Blaise Pascal (1623 -1662) ka nënvizuar se: “imagjinata është mbretëresha e gabimeve”.

***

Operacioni “Shigjeta” në Pashtrik (maj – qershor 1999), pa dyshim ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës (UҪK-së)!

Deri më sot nuk kemi asnjë studim shkencor për Operacionin e UҪK-së “Shigjeta”, ndonëse ka pasur shkrime nëpër portale apo fjalime përkujtimore në përvjetorët e rënies së dëshmorëve dhe një dokumentar sipërfaqsor i shfaqur në RTK, në 20 vjetorin e këtij operacioni.

Për 22 vjet rresht, (në çdo 31 maj) në Gorozhup të Hasit, ku është ngritur një Memorial për Dëshmorët, janë organizuar manifestime përkujtimore, në emër të “brigadës 128 Sulumese”!

Organizatorët e këtij manifestimi, Ruzhdi Saramati (Komandant i “Brig.128”) dhe Avdi Ibrahimi (Shef i S2 të kësaj “brigade”) në shkrimet: “JEHONA E OPERACIONIT “SHIGJETA” NË PASHTRIK” dhe “NË 13 VJETORIN E OPERACIONIT “SHIGJETA” – PËRKUJTOJMË 15 DËSHMORËT E RËNË NË PASHTRIK”, të publikuar në portale, në maj 2012 e 2014 (dhe si fjalim në yuotube, në vitet 2014, 2015, 2016…), përkujtimin e dëshmorëve dhe gjithë historinë e Operacionit të UÇK-së “Shigjeta” në Pashtrik, e kanë reduktuar në një histori të rrejshme të “brigadës 128 me katër batalione të imagjinuara në vijën e frontit nga Drini i Bardhë deri në Qafë Prush”.

Në këto përvjetore përkujtimore kanë shpikur edhe slloganin “Epopeja e Gorozhupit – Brigada 128 bartëse e operacionit luftarak – sulmues “Shigjeta” në Pashtrik”!!!

Ruzhdi Saramati, (i cili në këto manifestime përkujtimore të inçizuara e publikuar në youtube ku është prezentuar edhe si “gjeneral brigade”), bashkë me Avdi Ibrahimin pa fije turpi përveçse e kanë shtrembëruar (manipuluar) tërësisht historinë e Operacionit “Shigjeta” i kanë manipuluar edhe biografitë e luftës dhe vendrënjen e 15 dëshmorëve në vijat sulmuese të Gorozhupit dhe jo vetëm.

I kanë manipuluar biografitë dhe vendrënjen e 8 dëshmorëve të TF’2-shit me komandant Fazli Berisha, biografitë dhe vendrënjen e 6 dëshmorëve të TF-3-shit, ku Ruzhdiu ishte komandant, si dhe biografinë dhe vendrënjen e një dëshmori të NJS DV TF-0 me komandant Fadil Zejnullahun, që ka luftuar në DT’2 (maja e Pashtrikut).

Dhe për më tepër në shkrimet e tyre dhe jo vetëm, përveç gjashtë dëshmorëve të TF-3 (ku ata ishin eprorë), edhe 9 dëshmorë të tjerë (8 dëshmorë të TF-2 dhe një dëshmor të TF-0) i bëjnë dëshmorë të “brigadës 128”! Madje emrat e tyre i kanë skalituar edhe në Memorialin e Dëshmorëve në Gorozhup!

Konkretisht, Ruzhdi Saramati dhe Avdi Ibrahimi i bëjnë dëshmorë të “Brigadës 128 S” të rënët e Njësisë TF-2, DT’3 – Gorozhup…:

1. Bafti Nexhip Haxhiu, 11.06.1955 – 26.05. 1999 nga Skifteri (ish-Gjylekari) i Vitisë;

2. Safet Zeqir Peci, 13.06.1974 – 31.05.1999 nga Mitrovica;

3. Xhelal Behlul Sopi, 21.11.1977 – 01.06.1999 nga Petrovci i Gjilanit;

4. Astrit Hekuran Suli, 15.04.1976 – 27.05.1999 nga Kuçova e Beratit;

5. Zejnullah Rrahim Zena, 27.07.1967 – 03.06. 1999 nga Sojeva e Ferizajit;

6. Aliriza Selman Selmani, 05.11.1973 – 27.05. 1999 nga Tetova;

7. Ejup Tafil Kosumi, 09.03.1977 – 31.05.1999 nga Stanovci i Epërm i Vushtrrisë;

8. Salih Halim Zenuni, 26.08.1979 – 26.05.1999 nga Lubizhda e Vitisë, dhe dëshmorin e Njësisë Speciale Diverzanto – Vëzhguese TF’0 (DT-2) (Maja e pashtrikut):

9. Florim Rrahman Rushiti, 02.04.1979 – 26.05. 1999 nga fshati Kapit i Medvegjës.

Binomi Saramati – Ibrahimi i kanë manipuluar edhe biografitë e luftës dhe vendrënjen e gjashtë dëshmorëve të Njësisë së tyre, TF-3:

1. Beran Muhamet Gashi, 12. 02. 1974 – 31. 05. 1999 nga Prizreni;

2. Gani Hamdi Saramati, 04. 01. 1968 – 31. 05. 1999 nga Petrova e Prizrenit;

3. Selver Bajram Maçkaj, 04. 01. 1967 – 31. 05. 1999 nga Malësia e Vërrinit Prizren;

4. Shpend Sefer Berisha, 27. 06. 1959 – 31. 05. 1999 nga Volljaka e Klinës;

5. Abdurrahman Xhylbehar Gërdellaj, 19. 11. 1974 – 02. 06. 1999 nga fshati Rrenc i Sharrit;

6. Sali Islam Saramati, 03. 04. 1963 – 31. 05. 1999 (më 6 qershor vdes në spitalin e Tiranës) nga Dobrushti i Prizrenit.

Lexoni shkrimet e njejta të Ruzhdi Saramatit e Avdi Ibrahimit, ku manipulohet në çdo aspekt historia e Operacionit “Shigjeta” në Pashtrik!

JEHONA E OPERACIONIT “SHIGJETA” NË PASHTRIK, Nga Ruzhdi Saramati 17 maj 2014

***

NË 13 VJETORIN E OPERACIONIT “SHIGJETA” – PËRKUJTOJMË 15 DËSHMORËT E RËNË NË PASHTRIK / Nga Avdi Ibrahimi, 31.05.2012

http://www.zemrashqiptare.net/news/27869/rp-0/act-print/rf-1/printo.html

=========

SI E MËSOVA VENDRËNJEN E PESË DËSHMORËVE TË NJËSISË TF-3, NË FSHATIN POGAJ!

Një ngjarje historike e luftës faktohet duke u bazuar në dy kritere themelore:

– në kohë dhe

– në hapësirë.

1. Koha shpërfaq, data, muaj, vite, paraditen, pasditen, mesnatën, mëngjesin e një date të caktuar, etj.

2. Hapësira shpërfaq, vendin ku zhvillohet ngjarja, duke e saktësuar emrin e fshatit, toponimin e vendit, mikrotoponimin, malin, kodrën, rrëzë malin etj.

***

Ruzhdi Saramati dhe Avdi Ibrahimi në të gjitha shkrimet e botuara në portale dhe në fjalimet e Ruzhdiut të mbajtur në manifestimet përkujtimore “Epopeja e Gorozhupit…”, përpara familjeve të dëshmorëve, përveç datës, muajit dhe vitit të rënies së dëshmorëve në fshatin Pogaj, (më 31 maj 1999), nuk e ka përfilluar asnjë parametër tjetër.

Ata pa e saktësuar vendin ku ranë dëshmorët kanë shkruar e folur se kanë rënë në Gorozhup. Gorozhupi nuk është një fshati! Gorozhupi është emërtim (toponim) i një treve, ku përfshihen disa lagje e fshatra!

Personalisht deri më 21 dhjetor 2017, kur e kam vizituar për herë të parë fshatin Pogaj, aty ku ranë pesë (5) dëshmorët:

– Selver Maçkaj,

– Sali Saramati,

– Shpend Berisha,

– Gani Saramti dhe

– Beran Gashi, nuk e kam ditur se kanë dhënë jetën në një lagje të këtij fshati! Këtë fakt nuk e dinin as familjet e dëshmorëve!

Ashtu sikurse familjet e dëshmorëve dhe jo vetëm, duke u bazuar në shkrimet dhe fjalimet e rrejshme e manipuluese të Ruzhdi Saramatit e Avdi Ibrahimit, kam besuar se pesë dëshmorët kanë rënë në vijën e parë të luftës në Gorozhup (përballë karaullës serbe te lagjja Martinaj, ku luftonte njësia TF-2), e jo në fshatin Pogaj, i cili shtrihet rreth 1.5 km larg vijës së luftimeve!

***

Më 21 dhjetor 2017, me interesimin e familjes së dëshmorit Selver Maçkaj, bashkë me ish eprorin e TF’3, Bedri Hoxhaj (bashkëluftëtar i dëshmorëve) dhe Florentin, djalin e dëshmorit Selver Maçkaj, vizituam vendin ku kishte rënë Selveri me katër bashkluftëtarët e tij: Saliun, Shpendin, Beranin dhe Ganiun.

Bedri Hoxhaj, gjatë operacionit “Shigjeta”, në Pashtrik, ishte komandant i Togut të III, të kompanisë së II, me komandant, Agron Llausha, në njësinë TF-3, (të cilën Ruzhdi Saramati dhe Avdi Ibrahimi e kanë rithënë publikisht se ishte Brigadë 128 me katër batalione, të cilat “luftuan” nga Drini i Bardhë e deri ne Qafë Prush…)

***

Gjatë kësaj vizite në fshatin Pogaj kam zhvilluar një intervistë me z. Bedri Hoxhaj, i cili me këtë rast ka evokuar gjerësisht ngjarjen e 31 majit 1999, duke treguar saktësisht vendet ku ranë dëshmorët, në mesin e shtëpive të një lagjeje të fshatit, përfundi antenës…

Me këtë intervistë Bedri Hoxhaj ka demaskuar plotësisht manipulimet e përvitshme (pas luftës)të Ruzhdi Saramatit dhe Avdi Ibrahimit, për “betejën” e përgjakshme të 31 majit 1999!

Me dijen e Bedri Hoxhaj, kjo intervistë është inçizuar nga Florenti, djali i dëshmorit Selver Maçkaj.

DËSHMI HISTORIKE PËR DËSHMORËT E RËNË, MË 31 MAJ 1999, NË FSHATIN POGAJ

Në këtë intervistë, Bedri Hoxhaj – nga vendi i ngjarjes (në fshatin Pogaj) i kujton dëshmorët:

– Selver Maçkaj – Zv.komandant i Ndërlidhjes,

– Sali Saramatin – komandant i artilerisë,

– Shpend Berishën – komandant i kompanisë I,

– Gani Saramatin, ushtar

– Beran Gashin, ushtar si dhe plagosjen e Shefit dhe zv.komandantit të shtabit të TF-3, Elmi Bytyçi, mjekut lir Rakaj, dhe të ushtarëve të tjerë të kësaj njësie.

Bedri Hoxhaj në rrëfimin e tij thotë:

“Këtu jemi në një pik nga kanë lëviz njësitet e UҪK-së. Jami nga një shteg ku kemi zbrit. Këtë mirë e fiksoj nga kjo luginë. Nga Kruma që kemi qenë kemi dal në Cahan. Prej Cahanit në fshatin Kishaj, dhe prej Kishajve kemi zbrit në kamë. Dhe deri në Kishaj kemi ardhur me makina ushtarake, makina të ushtrisë shqiptare, dhe prej atje kemi zbrit teposhtë në kamë.

Njësitet e UҪK-së kanë zbrit nga kjo pozitë (tregon me dorë).

Kurse njësitet tona, apo operacionet kanë qenë nga Moriqi, kjo pjesa këtu në Pogaj deri në pjesën poshtë te Drini i Bardhë.

Unë kam qenë në Kompaninë e III’të (bëhet fjalë për kompaninë e II’të – shb) komandant ka qenë Agron Llausha. Unë në atë periudhë kam qenë komandant i Togut (komandant i Togut III – shb). Kam udhëheq togun edhe…

Me Selverin (Selver Maçkajn – shb) kemi qenë së bashku. Ai ka qenë në njësinë e radiolidhjes. Edhe e mbaj në mend mirë, se më 31 maj (1999) që ka qenë një prej luftimeve të fuqishme ma të përgjakshme, ku kemi pas humbje apo rënjen e dëshmorëve në mesin e tyre edhe Selveri. Mbaj në mend se unë atje kam qenë i pozicionum apo i vendosun (tregon me dorë), në prapavijë me togun tem dhe disa togje tjera.

Ditën e 31 majit Selveri ka ardhë na ka marrë, na ka udhëheq 3 togjet dhe 2 kompanitë dhe kemi zbrit nga kjo (tregon me duar). Pastaj kemi lëviz në drejtim rreth antenës, për t’u pozicionu në vijën e frontit poshtë.

Pra kemi lëvizë nga kjo pozitë.

Në mbramje të datës 30 maj (1999 – shb) ishte hartu plani nga komanda, komanda sigurisht ka marrë urdhërin nga komanda e operacionit “Shigjeta” që me fillu operacionin, apo lufimet kundër armikut. Plani është ba në orët e mbramjes. Ka pas në plan që të lëvizim herët në mëngjes nga kjo pozitë, nga kjo pjesë, pastaj të zbresim në vijën e frontit.

Pra kemi lëvizë nga kjo pozitë ku jemi.

Ka qenë herët në mëngjes, po këtu në këtë pjesë ku jemi afërsisht ka qenë (ora) 7 e gjys 8…”

Në vazhdim Bedri Hoxhaj:

– rrëfen për lëvizjen e forcave të UҪK-së nga mali në drejtim të fshatit Pogaj nën breshërinë granatimit të artileria serbe;

– për vendin ku ranë dëshmorët: Selver Maçkaj, Shpend Berisha, Beran Gashi, Sali Saramati dhe Gani Saramati;

– Pastaj rrëfen gjerësisht për mënyrën se si është zhvilluar e gjithë ngjarja në hapësirën midis shtëpive ku kishin dhënë jetën dëshmorët, për ndihmën që ua dhanë të rënëve, eprorëve dhe ushtarëve të plagosur etj.

BISEDA ME DY BANORË TË FSHATIT POGAJ

Gjatë kësaj kohe derisa isha duke biseduar me Bedri Hoxhajn, vijnë dy banorë të fshatit Pogaj (bab e bir). Me këtë rast djali tregon se, në mëngjesin e 26 majit 1999 (kur filloj sulmi i parë i UҪK-së kundër forcat serbe në Gorozhup) bashkë me vëllain ka qenë tu kosit livadhin, dhe grat kur kanë shku me marrë ujë te kroni (qeshmja) poshtë në kufi, shkijet i kanë pyet ku i keni burrat … Pastaj Ai flet për luftimet që janë zhvilluar (më 26 maj 1999) në pjesën e sipërme të Gorozhupit afër Pashtrikut (përgjatë vijës kufitare) në drejtim të karaullës serbe dhe lagjeve Martinaj, Tejec, Binaj etj., në atë vijë sulmuese të TF2-shit, ku ranë dëshmorë: Bafti Haxhiu (më 26 maj), Astrit Suli, Aliriza Selmani dhe Salih Zenuni (më 27 maj), Safet Peci dhe Ejup Kasumi (më 31 maj), Xhelal Sopi (më 1 qershor) dhe Zejnullah Zejna (më 3 qershor 1999).

Në këtë vijë sulmuese (për të cilën fliste ky banor i fshatit Pogaj) luftimet i zhvillonte njësia e UÇK-së TF-2 me komandant Fazli Berisha. Përveç njësive të artilerisë (me të gjitha kalibrat e tpave dhe minahedhësve) që ishin të vendosur prapa Kullës së Vrojtimit, dhe vendkomandës te Antena (ku ishte dhe logjistika) në vijën sulmuese të Gorozhupit (nga mëngjesi i 26 majit) luftonin: Njësia Speciale Diverzanto Vëzhguese, tri kompani të këmbësorisë, Njësia e Xhenios, njësitë e Sanitetit, dhe njësitë tjera ndihmëse. Ndërsa nga 1 qershori (me urdhër të Komandës së Operacionit “Shigjeta” në Cahan) në përforcim të vijës luftuese shkon edhe një kompani me komandant Nexhat Kelmendi. Kjo kompani vjen nga bataljonit i dytë me komandant Dritan Durmishi, (që kishte ardhur nga QS e Fekenit). Ky Batalion me urdhër të komandës së Operacionit ‘Shigjeta’ në Cahan, ishte pozicionuar në DT-2 (maja e Pashtrikut…) aty ku luftonin (nga 26 maji): Njësia speciale DV – TF0 me komandant Fadil Zejnullahun – Lepurin, një skuadër e ardhur nga ZOP me komandantin Agim Leka, njësia e Brigadës.126 – Hasi, me Komandant Riza Aliajn – Hoxhën…)

VAZHDIMI I BISEDËS ME BEDRI HOXHAJN

– Në vazhdim Bedri Hoxhaj, rrëfen për vendin ku ka rënë dëshmor, Gani Saramati dhe tërheqjen e tij nga kjo lagje e fshatit…

Pastaj flet për ndihmën dhe bartjen e dëshmorëve dhe të plagosurve nga fshati Pogaj për në Spitalin e Kukësit, si dhe për tërheqjen e ushtarëve nga vendi i ngjarjes dhe riorganizimin e tyre pas disa ditësh …

***

Në vijim shikoni intervistën e zhvilluar më 21 dhjetor 2017, në vendin ku ranë dëshmorët më 31 maj 1999:

Bedri Hoxhaj: Kujtime historike për dëshmorin, Selver Maçkaj, Pogaj – Gorozhup:

***

Ndërkaq në vijim shikoni intervistën e Bedri Hoxhajt në 8 pjesë:

——–

Bedri Hoxhaj: kujtime për dëshmorin Selver Maçkaj, Pogaj 31 maj 1999 (pjesa 1)

***

Bedri Hoxhaj: kujtime për dëshmorin Selver Maçkaj, Pogaj 31 maj 1999 (pjesa 2)

***

Bedri Hoxhaj: kujtime për dëshmorin Selver Maçkaj, Pogaj 31 maj 1999 (pjesa 3)

***  

Bedri Hoxhaj: kujtime për dëshmorin Selver Maçkaj, Pogaj 31 maj 1999 (pjesa 4)

***

Bedri Hoxhaj: kujtime për dëshmorin Selver Maçkaj, Pogaj 31 maj 1999 (pjesa 5)

*** 

Bedri Hoxhaj: kujtime për dëshmorin Selver Maçkaj, Pogaj 31 maj 1999 (pjesa 6)

***  

Pogaj – 21 dhjetor 2017

Rrëfime lufte

Bedri Hoxhaj, gjatë operacionit “Shigjeta”, ishte komandanti i Togut të III, të kompanisë së II, me komandant, Agron Llausha, në njësinë TF-3 me komandant Ruzhdi Saramatin, DT-3 / Pogaj – Gorozhup…

Në pjesën e shtatë Bedri Hoxhaj, kryesisht flet për plagosjen e shefit te Shtabit Elmi Bytyçi dhe të disa ushtarëve si dhe për vendndodhjen e Komandantit Ruzhdi Saramati, më 31 maj 1999, në kohën kur po granatohej fshati Pogaj nga artileria serbe, ku me këtë rast bien dëshmorë edhe pesë luftëtarë…

Në pyetjen time se, përveç Elmi Bytyçit (si anëtar i shtabit) a ka pas edhe anëtarë tjerë të shtabit aty ku keni qenë ju, Bedri Hoxhaj përgjigjet si vijon: Nga komanda përveç Elmisë dhe dy komandantëve të Kompanive (Shpend Berisha dhe Agron Llausha) që kanë qenë aty, tjerë në atë pozicionin ku ne jemi vendos nuk ka pas.  Unë kam pyt ku ndodhet komandanti, e di dikush më ka thanë a këtu parti, gjindet në një bunker aty afër. Ruzhdiu vetë ka qenë diku me sa kam dëgju, por nuk e kam pa fizikisht, aty afër nuk ka qenë.” /

Bedri Hoxhaj: kujtime për dëshmorin Selver Maçkaj, Pogaj 31 maj 1999 (pjesa 7)

***  

Bedri Hoxhaj: kujtime për dëshmorin Selver Maçkaj, Pogaj 31 maj 1999 (pjesa 8)

***

NJË DËSHMI NGA SPITALI I KUKËSIT, QERSHOR 1999

Siçe theksova më lartë më 31 maj 1999 në Pogaj plagoset edhe Shefi dhe Zv.K-danti i TF-3, Elmi Bytyçi, i cili trajtohet ´në Spitalin e Kukësit.

Në Spitalin e Kukësit, të plagosurit vizitohen nga anëtarë të shtabit të qendrës mobilizuese në Kukës. Me këtë rast vizitohet edhe i plagosuri Elmi Bytyqi.

Më këtë rast Elmi Bytyqi flet për ngjarjen e 31 majit, para kamerës:

Ai thotë: “Unë quhem Elmi Bytyqi. Vijë nga Prizreni, nga qyteti i Prizrenit. Në vijën e parë të frontit kam qenë me Forcën TF-3, kam qenë zëvendëskomandant i kësaj force. Ndërsa pas fillimit të luftës më datën 31 maj (1999) kanë filluar granatimet nga tri pika, nga Zhuri, Vërmica dhe pjesa e epërme (Gorozhupi…).

Tërheqja e të plagosurve është bë me ndihmën e shokëve tanë të kësaj force, me anë të pizgauverit (shofer ishte Selim Rashkaj – sh.b). Mua dhe shokët e mi që kemi ardhur deri këtu na kanë transportuar me pizgauver, shokët tanë të cilët kanë qenë të destinuar për bartjen e të plagosurve. Trajtimi në Spitalin e Kukësit është i mirë me ato mjete që kanë. Mirë na kanë pritur, nuk kemi ndonjë vërejtje. Kushtet janë ato që janë. Nuk janë të nivelit që duhet, por përkujdesja është e mirë” – përfundon fjalën, Elmi Bytyqi.

Në vijim shikoni intervistën e Elmi Bytyqit:

Elmi Bytyqi, zëvendës komandant i TF3, Kukës – qershor 1999

Videoinçizimin e ka bërë ushatri i UҪK-së, Zijadin Hoxha.

Në spitalin e Kukësit, qershor 1999

***

Në këtë situatë të rëndë, për shkak të neglizhencës së komandës, sipas dëshmitarëve rreth 230 ushtarë ishin larguar nga kjo zonë, në drejtime të ndryshme për në Kukës. Nga data 1 – 8 qershor në Pogaj TF3 ka mbetur me një tog prej 40 e ca ushtarësh në krye me Ruzhdi Saramatin.

Veteranja e UÇK-së, Fatmira Dedari, e cila e ka përjetuar këtë ngjarje të rëndë, thotë se në Pogaj pas 31 majit kanë mbetur vetëm 46 ushtarë! Ajo ka qenë ushtare e një skuadre të sanitetit dhe bashkë me bashkulftëtaret tjera i ka ndihmuar të plagosurit.

Sipas raporteve të Shtabit të Operacionit “Shigjeta” me seli në Cahan, K-danti i TF3 Ruzhdi Saramati, nuk ka zbatuar urdhërin e datës 30 maj 1999 të lëshuar nga komanda e Operacionit në Cahan, për sulmin e datës 31 maj nga të gjitha TF’at në gjithë vijën sulmuese …

Nga një bisedë që kam zhvilluar me Shefin e Shtabit të Operacionit “Shigjeta”, Nexhip Hajdari, thotë se, pas përpilimit të urdhërit me datë 30 maj 1999, unë kam shkuar në Njësinë e TF2 te Antena për t’ia dorëzuar urdhërin për sulmin e datës 31 maj, ndërsa Zv.K-danti i operacionit, Musa Jashari të njejtin urdhër ia dorëzon edhe K-dantit të TF’3, Ruzhdi Saramati, ku kërkon që dy kompanitë e këmbësorisë (që kishin ardhur nga Kalimashi) t’i pozicionoj në vijat sulmuese të Gorozhupit ku ishin tri kompsnitë e TF2. Por R. Saramati nuk ka bashkëpunuar me TF2 në krye me K-dantin Fazli Berisha, dhe ka qëndruar në fshatin Pogaj, jashtë vijës luftuese të Gorozhupit. Në Pogaj s’ka pas vijë mësymëse (sulmuese) për shkak të terenit të zbuluar (me lendina) përballë forcave të armikut!

***

Më 8 qershor një pjesë dërmuese e ushtarëve që kishin ikur me 31 maj kthehen në fshatin Pogaj, dhe përfundimisht më 13/14 qershor, pasi njësitë e xhenios së TF2-shit (me komandant Vehbi Berisha) dhe TF3-shit (me komandant Valbon Ҫollaku) e kishin deminuar rrugën, në lagjet Martinaj, Tejec, Binaj … të Grozhupit futen njësitë e këmbsorisë dhe më pas të artilerisë të TF2-shit (në Lagjen Martinaj) dhe TF3-shit (në lagjen Binaj). Forca TF3, pastaj dislokohet në fshatin Nashec, ndërsa forca TF2 marshon dhe dislokohet në fshatin Gjonaj… dhe prej fshatit Gjonaj pasi marrin fletlëshimin nga K-danti Fazli Berisha, udhëtojnë nëpër komunat e tyre…

***

Kush luftoi në Gorozhup (DT3)?

Nga data 26 maj 1999 (kur filloi sulmi i parë mbi forcat serbe) deri më 9 qershor (kur u dha urdhëri për përfundimin e operacioneve luftarake, nga komandanti Bislim Zyrapi) në DT.nr.3 – Gorozhup, luftuan 3 kompanitë e njësisë TF2 me komandant Fazli Berisha, ndërsa nga 1 qershori kishte ardhur në përforcim (me urdhër të Komandës së Operacionit në Cahan) edhe një kompani (nga DT.nr.2) me komandant Nexhat Kelmendi.

***

(Autori është bazuar në të dhëna arkivore dhe dëshmitë e ushtarëve të operacionit “Shigjeta” në Pashtrik)

==============

SHTOJCË:

MANIPULIMI I “GJENERALIT” RUZHDI SARAMATI ME LUFTËN E UҪK-së NË GOROZHUP, GJATË OPERACIONIT “SHIGJETA” NË PASHTRIK, (MAJ – QERSHOR 1999) VIDEO /

Nga Sheradin Berisha, nga arkivi i FB, 15 Prill 2019

***

SHERADIN BERISHA: NJOHURI BAZIKE PËR MARSHIMIN LUFTARAK NGA ‘FEKENI’ DHE ‘KALIMASHI’ NË DREJTIM TË FRONTIT TË LUFTËS NË PASHTRIK, GJATË OPERACIONIT “SHIGJETA” MAJ – QERSHOR 1999!  

_________

ILUSTRIMET:

– Në foto me Bedri Hoxhajn, të skicuar edhe lëvizjen e TF3 nga mali deri në vendin ku u zhvillua ngjarja e 31 majit 1999!

– Harta satelitore të skicuar lëvizjet e njësive të TF3, më 31 maj 1999 dhe vendi në Pogaj ku u zhvillua ngjarja…

– Fotodëshmi nga arkivi i Operacionit “Shigjeta” në Pashtrik: Të Plagosurit dhe Dëshmorët e rënë më 31 maj 1999 në fshatin Pogaj:

***

Sipas dëshmive të bashkëluftëtarit të dëshmorëve Bedri Hoxhaj, në orët e paradites së datës 31 maj 1999, njësia e TF-3 me 240 ushtarë (për të cilën Ruzhdi Saramati thotë së ka qenë Brigadë 128 me 4 batalione me 1500 – 2000 ushtarë) pasi është zbuluar nga artileria serbe dhe kanë filluar të granatojnë, ka levizur nga pjesa e lartë malore nëpër këtë lëndinë për t’u futur në fshatin Pogaj. …
Granatimet e artilerisë kanë vazhduar pa pushuar dhe ngjarja e rëndë (ku ranë 5 dëshmorë e disa të tjerë u plagosën) është zhvilluar në këtë lagje të fshatit Pogaj (me rreth të kuq)….
Ngjarja e 31 majit 1999 është zhvillluar në këtë hapësirë të rrethuar me të kuq!

Në këtë foto, bazuar në rrëfimin e ish eprorit Bedri Hoxhaj kam evidentuar vendin në fshatin Pogaj ku kanë rënë saktësisht pesë dëshmorët më 31 maj 1999:
– Në rrugë në vijën me dy shigjeta anësore ka rënë: Shpend Sefer Berisha, 27. 06. 1959 – 31. 05. 1999 nga Volljaka e Klinës;
– Në rrethin e madh kanë rënë dy dëshmorë: Selver Bajram Maçkaj, 04.01.1967 – 31.05.1999 nga Malësia e Vërrinit Prizren; dhe Beran Muhamet Gashi, 12.02.1974 – 31.05.1999 nga Prizreni;
– Më lartë në gjysëm rreth ka ra dëshmor: Sali Islam Saramati, (03. 04. 1963 – 31. 05. 1999), nga Dobrushti i Prizrenit. Më 6 qershor vdes nga plagët e rënda në spitalin e Tiranës) nga Dobrushti i Prizrenit;
– Ndërsa te Shigjeta mbi kulmin e shtëpisë, diku 100 metra më tutje prej kësaj shtëpie ka ra dëshmor:
Gani Hamdi Saramati, 04.01.1968 – 31.05.1999 nga Petrova e Prizrenit.
Bazuar në dëshmitë e shumta – gjatë zhvillimeve të përgjithshme të luftës në Pashtrik, kjo është ngjarja më e rëndë e UÇK-së, në Operacionin e koduar “Shigjeta”.
Përveç dëshmive të tjera, inçizimet në këtë lagje të fshatit Pogaj, ku ranë dëshmorët – shpërfaqin në detaje këtë ngjarje të rëndë! 
Saktësisht në këtë hapësirë ka rënë dëshmor Selver Bajram Maçkaj. Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe lavdia për te!
Nga harta satelitore shikoni vendin ku është zhvilluar ngjarja e 31 majit 1999. Lëvizja e TF-3 nga mali…Pikat e verdha tregojnë vendin ku ranë 5 dëshmorët e lartpërmendur…TF-2 në vijën luftuese në Gorozhup!

Nga harta satelitore shikoni vendin ku është zhvilluar ngjarja e 31 majit 1999. Pikat e verdha tregojnë vendin ku ranë 5 dëshmorët e lartpërmendur…
TF-3 në Pogaj – rreth 2 km larg nga vija luftuese, TF-2 ne vijën luftuese në DT-3, Gorozhup…!

FOTO DËSHMI TË USHTARËVE DHE EPRORËVE TË RËNË DËSHMORË E TË PLAGOSUR, MË 31 MAJ 1999 – NË FSHATIN POGAJ!

***

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura