Shteti i Kosovës edhe një herë pritet të përballet me Serbinë. Kësaj radhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së, ku kuvendi i botës në sesionin e 64 të radhës, në shtator, do të diskutojë projektrezolutën që Serbia e deponoi kundër pavarësisë së Kosovës të shpallur legjitime nga GJND’ja, më 22 korrik të këtij viti. Gjithsesi kjo do të jetë edhe humbje e radhës për Serbinë, nga vet fakti se ajo vet e kërkoi mendimin këshillë dhënës të GJND’së, lidhur me legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, të cilin pastaj nuk e respektoi! Teksti i projektrezolutës serbe, ku nuk është respektuar vendimi i GJND’së, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka kërkuar Serbisë ta modifikojë atë ose ta tërheq fare nga A.P.
Njohja e shtetit të Kosovës nga 69 shtete të botës në krye me SHBA-në, dhe legjitimimi i tij nga GJND’ja, pa dyshim se e ka fuqizuar subjektivitetin shtetëror të Kosovës, karshi bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është një ndër arsyet e para që Asambleja e Përgjithshme nuk do të miratojë çfarëdo rezolute çoftë, që do të binte ndeshë me legjitimitetin e shtetit të Kosovës. Pastaj edhe mendimi këshillëdhënës për pavarësinë e Kosovës dhënë nga GJND’ja, ishte përgjigje ndaj kërkesës së parashtruar nga A.P e OKB’së. Kjo është arsyeja tjetër për çka Asambleja e Përgjithshme, legjitimitetin e shtetit të Kosovës as që do ta diskutoj.
Por, ditëve të fundit janë shtuar zërat për mundësinë e modifikimit të tekstit të projektrezolutës nga ana e Serbisë, sidomos aty ku nuk respektohet vendimi i GJND’së dhënë për Kosovën. Këto zëra janë dëgjuar pas vizitës që ministrit i Jashtëm gjerman Guido Vestervelle i bëri rajonit, duke përfshirë Serbinë edhe Kosovën. Deklarata e ministrit gjerman drejtuar Qeverisë serbe për pavarësinë e Kosovës, ishte më shumë se e qartë. ”Pavarësia e shtetit të Kosovës dhe integriteti i saj janë realitet”, tha ai, duke saktësuar se ”harta e Evropës tashmë është e vizatuar”. Ky deklarim që në një apo mënyrë tjetër përfaqëson edhe mendimin e diplomacisë së lartë evropiane, e definoi, duke e përmbyllur përfundimisht pacenueshmërinë e shtetit të Kosovës.
Ministri i Jashtëm gjerman edhe njëherë dëshmoi, përkrahjen kontinuele të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës shprehur nga diplomacia gjermane, duke na bërë të kujtojmë kohën e para bombardimit të Serbisë nga forcat e NATO’s, kur ministri i atëhershëm gjerman Joshka Fisher, kishte shkuar në Serbi për ta këshilluar Millosheviqin që të tërhiqej nga Kosova, duke e porositur se ” nuk do ta fitonin kurrë SHBA’në, ashtu siç nuk e kishte fituar as Gjermania në dy luftërat e zhvilluara, përveç përjetimit të katastrofës kombëtare”. Si do që të jetë, porosia e diplomatit gjerman drejtuar këto ditë zyrtarëve në Serbi, shigjetoi edhe dimensione tjera të politikës serbe, sidomos kur kemi parasysh problematikën e firmave gjermane në Serbi si ajo e grupit mediatik WAZ, por dhe publikimin e Raportit nga Fondacioni gjerman Friedrich Ebert, nga autori Michael Ehrke, ku shpjegon për oligarkët në Serbi, të cilët nga nëntoka i kontrollojnë dhe financojnë të gjitha partitë politike, njashtu sikurse edhe Partinë Demokratike të presidentit serb Boris Tadiq.
Serbia, gjendet në katrahurë të pa alternativë, ku grupet mafioze nga nëntoka, dirigjojnë e kontrollojnë edhe institucionet më të larta të shtetit. Është e futur edhe në krizë të madhe ekonomike, që sipas ekspertëve të kësaj fushe llogariten rreth 23 miliard euro borxhe të jashtme dhe të brendshme. Prandaj dhe nuk do të hezitoj të pranoj çfarëdo oferte të ofruar nga Brukseli për ta modifikuar tekstin e projektrezolutës, nën arsyetimin se gjoja po e bënë në këmbim të avancimit të të drejtave të serbëve në Kosovë. E në fakt Serbisë as që i interesojnë serbët kosovar. Ata shfrytëzohen nga Serbia në mënyrën më të pamëshirshme, duke i instrumen – talizuar sa here që ajo ka nevojë, apo sa here që politika atje e ndjen pushtetin e luhatur. Serbia do ta pranoj ofertën e Brukselit, për ta modifikuar projektrezolutën, por në asnjë mënyrë si kusht për t’i avancuar të drejtat e serbëve kosovar, por për t’u nxjerr nga përmbytja prej valës së bandave mafioze, të cilat në çdo kohë pritet t’ i shpërthejnë ”bombat” e larjes së hesapeve mes tyre. Si do çoftë këto janë çështje që i përkasin Serbisë. Kurse sa i përket Kosovës, çfarëdo që të ndodh me projektrezolutën serbe, në asnjë mënyrë, asgjë, asnjëherë, dhe askush nuk do të mund ta pengojë rrugëtimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës. Përpjekja qindvjeçare e shqiptarëve për lirinë dhe të drejtën e tyre sot është shpërblyer. E drejta jonë u shpall e drejtë legjitime nga institucioni më i lartë juridik i botës, siç është Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi. Sot shteti i Kosovës është shteti më i legjitimuar në botë, siç edhe tha kryeministri ynë. Kurse shqiptarët janë populli më i favorizuar se kurrë ndonjëherë më parë. Andaj dhe këto ditë, kur Kosova pret të përballet edhe një here më diplomacinë e egër serbe, përkundër asaj se të gjitha kahet e gërshetojnë fitoren e Kosovës, Qeveria dhe të gjitha institucionet e vendit, më shumë se kurrë duhet të tregohen të përgjegjshme, fleksibile dhe vigjilente, që ta mbrojnë vullnetin e popullit në çdo cep të shtetit. Me çdo kusht duhet mbrojtur liria e popullit në Kosovën e bashkuar.
Prishtinë – 30. 08. 2010
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY , Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.