GJOKË DABAJ: SFERA VICIOZE E EKONOMISË DHE KRIZA NË FILOZOFI

Pashtriku, 27 dhjetor 2020: Zakonisht përdoret shprehja rreth vicioz, me kuptimin rreth i prishur, rreth i parregullt, rreth i çoroditur. Por unë po them sferë vicioze, duke e përafruar vizualisht me rruzullin e planetit Tokë.
Le të përfytyrojmë, pra, një të këtillë sferë vicioze ekonomike, mbështjellëse të planetit tonë, të prishur, të parregullt dhe të çoroditur, e cila nga çasti në çast mund të çahet e të shpërthejë si një flluskë sapuni, për shkak të kontradiktavet, kundërshtivet që përplasen dhe që e fryjnë nga brenda.
Më një anë prodhimi i madh, i mbushur me padurimin për t’u shitur sa më shtrenjtë dhe sa më parë, në anë tjetër detyrimi me forma të ndryshme (opinione, reklama etj) për ta blerë atë prodhim, detyrim, i cili gjithsesi e ka një fund.
Prodhimi duhet të shitet, sepse përndryshe mbetet stok dhe falimenton industria. Por tregu është aq i tejmbushur, sa s’është në gjendje ta konsumojë krejt atë prodhim që e nxjerr industria.
Le të marrim disa shembuj.
Industria e automobilavet nuk mund të mbijetojë asnjë ditë, po nuk iu shitën automobilat. Por shihni sa është mbushur e gjithë bota me automobila! Shihini autostradat, rrugët e qytetevet, kryqëzimet, mbikalimet, nënkalimet ! Mizëri automobilash, aq sa, në shumë raste, njeriu do të mbërrinte te vendi ku është nisur, më parë më këmbë se me veturë. Megjithatë, ai është detyruar të ngjitet pas timonit. Në miliona raste, vetura 5-vendëshe ka vetëm një njeri: vetëm shoferin. Ose dy njerëz, shoferin dhe një tjetër pranë tij. Dhe ata rrinë me orë tëra në rreshin e gjatë, sepse ashtu e do indutria e veturavet. Industria e veturavet nuk mund të mbijetojë pa prodhuar vetura dhe miliona njerëz kanë iluzionin se pa vetura nuk mund të jetohet. Vjen kështu një ditë kur, megjithatë, veturat do të mbeten pa u shitur dhe industria e automobilavet do të pësojë kolaps… Shihini edhe varrezat e automobilëvet sa plot janë mbushur!
E njëjta dukuri do të ndodhë: Me tjegullat, me tullat, me çimenton, me lavatriçet shtëpiake, me makinat enëlarëse, me tenxheret, me pjatat, me filxhanët, me gotat e qelqëta, me shishet, me pastën e dhëmbëvet, me buzëkuqin, me këmishët, me bluzat, me fustanet, me pantallonat, me këpucët, me televizorët, me avionët, me telefonat celularë… Shihini tregjet sa plot janë me të gjitha këto dhe shihini, për shembull, edhe grumbujt e rrobavet të nxjerra para kohet jashë përdorimit! Industria e tekstilevet ka nevojë për shitje, ndaj edhe nxiren jashtë përdorimit miliona rroba ende pa u grisur.
Le të bëjë teknologjia sa të dojë ndryshime e përsosje të telefonavet, ajfon e përtej ajfonit! Le t’i ndryshojë tipat e tyre deri në kulmin e përsosmërisë! Do të vijë një ditë që ata telefona të mos mund të shiten më.
Le të automatizohen veturat deri në atë shkallë sa, shoferi i zoti i veturës, të mos ketë nevojë as ta prekë me dorë timonin, do të vijë një ditë që veturat të mos shiten më!
Ky është realiteti, realitet tepër i zymtë, për cilindo njeri që shqetësohet, qoftë edhe për nipin e vet, të cilin kurrsesi nuk do të dëshironte që t’ia përvëlojnë tollovitë e krizavet të përbotshme.
Ndërkohë, filozofia dhe veçanërisht sociologjia, me sa duket, nuk po merren fare me këto punë. Me këto punë po merren vetëm teknologjia dhe politika, për t’ua siguruar pushtetin atyre që prodhojnë dhe për t’ua ngushtuar deri në privim pushtetin atyre që konsumojnë. Ata që prodhojnë janë dhe duhet të jenë të babëzitur e të pangopshëm, ata që konsumojnë duhet të jenë të etur dhe të aftë vetëm për të konsumuar dhe, që të gjithëvet, duhet t’u duket sikur çdo gjë po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ushqimi, për t’i shtuar sa më shumë fitimet e prodhuesvet dhe të tregtuesvet, po pëson edhe ai aq “përsosmëri”, sa që po shndërrohet, jo në ushqim, por në helm! Helm joshës! Helm që nuk kuptohet si i tillë dhe, edhe në u kuptoftë, punë madhe! E kërkon ashtu industria ushqimore! Ajo nuk mund të kënaqet me mënyrat natyrale të mbjelljes, mbirjes dhe korrjes së bimëvet, por është e detyruar t’i shpejtojë të gjitha këto dhe, me ndihmën e kimisë e të shkencavet të tjera, ta dhjetëfishojë apo qindfishojë prodhimin, në mënyrë që edhe fitimi të dhjetëfishohet apo qindfishohet. Konsumuesi ka detyrë vetëm të konsumojë. A s’i mjafton atij që e ka ushqimin me bollëk, por dashka ta ketë edhe bio!? Ul kryet e ha ç’të jep industria!
Viçi nuk mund të lejohet më për t’u rritur natyrshëm. Ai duhet të fryhet në një kohë sa më të shkurtër dhe të arrijë, madje ta tejkalojë peshën e një kau të madh, ende pa i mbushur 6 muaj. Pulat po kështu duhet të rriten me ndihmën e shkencës, në sasinë që të mos mungojnë askund dhe me cilësinë: ndaç ta hanë, ndaç ta hedhin në përrua. Ha pula! Mbushe barkun e mos pyet me se janë ushqyer!
E kërkon ashtu ekonomia vicioze dhe ashtu do të ndodhë, deri sa një ditë, as pulën, as qengjin, as viçin, të mos ketë kush t’i blejë (në sasinë që e kërkon pangopësia e prodhuesvet) dhe atëherë krjet industria ushqimore do të falimentojë.
Filozofia dhe veçanërisht sociologjia nuk duhet të merren fare me këto punë. Ato, edhe në u marshin, duhet t’i konsiderojnë krejt të natyrshme dhe të shpjeguara njëherë e përgjithmonë dukuritë dhe lëvizjet brenda sferës dhe askujt nuk duhet t’i shkojë mendja që kjo është një sferë ekonomike vicioze, e cila mund të plasë nga çasti në çast. Ashtu siç është e verbër ekonomia, ashtu duhet të jetë e verbër edhe filozofia!
Prodhimi i ilaçevet tashmë nuk e ka problem parësor shërbimin ndaj të sëmurëvet. Problemi kryesor, problem parësor i industrisë farmaceutike është realizimi i qëllimit për të cilin është krijuar ajo industri: Fitimi! Njëlloj siç është qëllimi i industrisë mekanike, qëllimi i industrisë ushqimore apo i cilësdo degë tjetër të ekonomisë. Kur një ilaç mbetet pa u shitur, atij pa tjetër i duhet gjetur rruga që të shitet. Qoftë edhe të hiqet prej vendit ku nuk po shitet e të çohet dikund ku mund të shitet. Le të sëmuren njerëzit, le të vdesin, le të mos shërohen nga ilaçet që u shesim ne, kryesorja është që ilaçet tanë të mos mbeten pa u shitur dhe këtë politikë tonën mundësisht të mos e marrë vesh askush. Të gjithë duhet të mendojnë që ne po duam t’i shërojmë njerëzit.
A është e mundur të mos i shohin këto gjëra filozofët dhe veçanërisht sociologët?! A është e mundur që filozofisë t’i jetë zënë aq keqas fyti, sa ajo të mos mund ta thotë asnjë fjalë?! A flitet për këto dukuri në katedrat e fakultetevet të filozofisë?! A ka libra të filozofisë dhe sociologjisë që i trajtojnë këto dukuri dhe që e orientojnë njerëzimin për t’iu shmangur, jo rrëziqevet të rëndomtë e të kalueshëm, por katastrofavet, prej të cilavet, po nuk u dha alarmi në kohën e duhur, njerëzimi do ta ketë të pamundur të dalë gjallë?!
Nëse filozofët e kohës sonë nuk po i shohin këto dukuri, kjo do të dëshmonte qartë që filozofia e këtij çerekshekulli të 21-të është krejt jashtë misionit të vet. Nëse jeta në planetin Tokë do ta shohë veten një ditë në rrukullisje të pakthimtë, një pjesë të madhe të fajit do ta kenë pikërisht filozofët dhe sociologët e sotëm, të cilët nuk po e shohin të nevojshme t’i bien asnjë kambane.
Gjokë Dabaj, Durrës 18-22 tetor 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura