ELIFE PODVORICA JASHARI: NJË DITË GUSHTI NË ORLLAN!

Prishtinë, 03. 09. 2016: …Oh sa u gëzova, duke kërkuar një stilolaps dhe një copë letër, e gjeta mini-laptopin tim, të cilin e kisha harruar se ekzistonte diku! “Mini” le që më shkaktoi gëzim, por edhe shumë nostalgji! Derisa po përfundoja një Master qejfi në Tetovë – për Diplomaci dhe Mardhënie Ndërkombëtare, ‘mini’ ishte shoqëruesi im, që mi ruante punimet seminarike! Do ta veçoja këtu punimin e parë seminarik për Diplomacinë e Skëndërbeut, në kohën e lavdishme të tij! E pata punuar me zellin më të madhë, duke lexuar një dyzinë librash dhe shkrimesh të autorëve të huaj për Heroin tonë Kombëtar. Ka më shumë se 1000 vepra artistike që janë krijuar në kohë të ndryshme në nderim të Figurës së tij madhore! Të mundësh një Perandori të fuqishme siç ishte Perandoria Otomane, ishte vërtetë meritë e veçantë për popujt e Europës, ndërkohë që shumë popuj të orientit vuanin okupimin otoman! Dhe të bashkosh një grushtë popull, siç e bëri Skënderbeu, ishte një mrekulli e rrallë! Sot, pas 600 vjetësh, kur populli shqiptar është i rrezikuar nga tjetërsimi i identitetit të tij, ka nevojë për një Skënderbe!…
***
Nejse! Nuk kisha për qëllim të shkruaja për të bëmat e Skëndërbeut, por përmes shembullit të tij doja të vë në spikamë dashurinë dhe respektin që kemi sot, ndaj tokës dhe bukurive të rralla të vendit tonë, që Zoti na i ka falur…Nuk e kisha një ide të tillë, në momentin kur vendosa të udhëtoja për tek liqeni, atje – ku buzë tij në thellësi të malit, gjindet shtëpia ime e bukur! Bile, nën tingujt e “muzikës – tallava”, as që kishe shancë të mendoje diçka, e lëre më të mirresha edhe me ide të ndryshme! Kështu që vendosa të përhumbesha në kujtimet e mia, të sodisja pamjen jashtë dritares së autobusit, i cili zhurmshëm vazhdonte rrugën e tij…

…U zgjova herët, sepse doja saktësisht të realizoja planin që kisha bërë! Dhe teksa ngjitesha rrugës që gjarpëronte malit përpjetë, isha e rënduar edhe me një grumbull kujtimesh të cilat më çonin nëpër cepat e secilit vit me radhë! Dhe së bashku ishin plotë pesëmbdhjetë vjet! Kryesisht me vinin në kokë zërat e fëmijëve të mi dhe gjithë atyre të tjerëve që më bashkangjiteshin gjatë ndejës sonë këtu në muajt e verës! Dhe ja si në një ëndërr zërat e buzëqeshja e tyre duket se është ngjitur nëpër degët e drunjëve të trashë, nëpër fëshfërimën e fletëve të dendura që mbushin dëng kurorën e tyre-drunjë këta që sipas trungut të tyre, duket të kenë moshën shumë më të vjetër se sa të fëmijëve, të cilët gjatë këtyre viteve në shkuarje, kishin qenë banorët e pyllit! Por, ja që të gjithë pothuaj janë rritur dhe kanë ikur secili në rrugëtimin e tij jetësor! Arta – artiste, Visari shkencëtar në Berlin, Gresa arkitekte, Giti inxhinier – në Frankfurt, Valoni, Hana në Mainz, Vanesa e Wiesbaden këtu midis nesh, e shumë të tjerë …
Nga kujtimet u shkunda në momentin që kisha arritur në maje të rrugës, sepse rruga gjarpërore që kalon midis drunjëve të malit, të shpie gjer në pikën ku puqet horizonti! Ndërsa tani në orën gjashtë të mëngjesit, aty takon fytyrën e përgjumur të diellit, i cili me salltanët të madhë çfaqet ngadal dhe me tisin e tij shëndritës I thotë mirëmëngjesi çdo gjallese të pyllit, duke puthur majat e drunjëve, duke ngrohur zërin e zogjëve që cicërojnë në korin e pyllit, duke hequr çarçafin e dendur të mjegullës me të cilin është mbështjellur liqeni gjatë natës! Dhe veçanërisht duke përshëndetur ritualin e lejlekëve të shumtë, të cilët në atë kohë janë buzë liqenit dhe ashtu të mëdhenjë siç janë, me krenari shikojnë e i gëzohen një dite tjetër të re! Shtëpia e tyre, është liqeni i gjërë, iI cili kur merr pamjen e përflakur në sipërfaqen e tij, vërtetë të përkujton sa e bukur dhe magjike është jeta!
Pasi u ktheva nga pylli, mora biçikletën e re që më preferoi bashkëshorti, dhe pas disa ushtrimeve të vogëla me te, mora guximin që të dilja dhe të shëtisja përgjatë liqenit, e cila rrugë të shpie edhe brënda në katund, aty ku janë banorët e tij që nga kohëra të lashta! Por para se të dalësh në rrugë, duhet të kalosh nëpër lagjen ku janë të renditura bukur njëra-pas tjetrës shtëpitë me oborret e tyre të punuara me mjeshtëri artistike! Më interesante se shtëpitë, kanë qenë banorët e tyre! Posa të bëjë hapat e parë nga oborri im, duhet të kaloj bregut përpjetë, mu buzë një livadhi të gjërë. Pronari i tij është “Lum-Lumi”! E kush nuk e di historinë tij, të shkruar nga poeti llapjan Vehbi Kikaj! Dhe është e pamundur që në atë ngjyrimin e laryshtë të luleve në te, të mos të kujtohet ajo storie që të ndalë frymën! Pastaj, rrëshqet tutje dhe shtëpia e parë që duhet të kalosh përbri oborrit të saj, është shtëpia ku ka pushuar e krijuar z.Agim Çavdërbasha! Pothuaj ngjitur me kopshtin e tij me skulpturë, është shtëpia e Anton Çetës! Këtu Ai ka kaluar shumë kohë me miqët e tij, duke kuvenduar e duke marrë energji e frymëzim për “Pajtimin e Gjaqeve” të famëshme që u bë në kohën kur populli shqiptar, në vend se të konsolidohej e të luftonte me Sërbinë, ai kishte problemet e veta me gjakmarrjen e cila e kishte përcjellur ndër shekuj! Për ta arritur suksesin që A.Çeta e arriti në at kohë, duhej të kishe vullnetin e “Dithiramb’it” të Dragobisë! Por, ai me miqtë e tij, disa prej të cilëve i kishte brenda lagjes këtu në Orllan, arriti të bënte mrekulli me popullin!
Pak hapa më tutje, ishte shtëpia e Bahtir Shehollit! Shqipëria e kishte një Ramadon Sokol, ndërsa Kosova e pati një Bahtir Sheholl, që e deshti traditën dhe vlerat e çmuara unike të kombit! Ai me punën e tij të palodheshme intelektuale, arriti që popullit të tij dhe popujve të tjerë, t’u dëshmonte se kombi shqiptar ka origjinalitetin e vlerave të tij të fisme, shumë shekuj më parë! Aq më parë, sa ardhja e sllavëve në trojet tona, e të cilët me barbarinë e tyre, janë munduar që popujt etnik siç ishte populli ynë, t’i zhvlerësonte dhe ti kompleksonte duke u munduar ti bindte, se ne nuk kishim asnjë vlerë, se nuk e meritonim të jetonim normal në trojet tona…! Dihet historikisht, se ky avaz i është shitur kogja mirë sërbve politikanë e diplomatë të rryer, nëpër Konventat e ndryshme të Europës!

***
…Kështu pra, sot gjersa po kaloja kah shtëpitë e tyre, më ngjallën një mozik ngjarjesh, ndenjash, e të folurash, në kohën sa ishin ata gjallë! Më dukej, se në gjethet e luleve të kacavjerrura mureve të shtëpisë, shihja atë buzëqeshjen karakteristike të A.Çetës! Ndërsa në plepin e gjërë e të degëzuar në dy degë të mëdha drejt qiellit të kaltër, më tingëllonin në vesh ngjarjet e z.Bahtir, kur më fliste me përpikëri për kohën e studimeve të tija në Rusi dhe për punën e çelikt që duhej të bëje atje si student shqiptar! Bile, s’di pse sot mu kujtua në detaje ai momenti kur e ka rrah shokun e tij rus të dhomës në konviktin që ka banuar, për arsye se në debat e sipër me te, ai ia kishte fyer Figurën e Nënës Tereze!…” dhe pa një, pa dy, i ka fshikulluar një flakareshë nga ana ime, që as vet s’e dinte nga i erdhi”- më tingëllonin fjalët dhe zëri i tij, i cili nga mungesa e njërës anë të mushkërisë, ndërpritej shumë herë, duke lënë fjalën e copëtuar në mes. Eh!Sa kishte vuajtur Bali i ngratë gjatë rritës e shkollimit të tij! Është histori më vete, ashtu siç është edhe vullneti i tij në atë kohë, vetëdija e tij prej çuni jetim, se duhej dikush nder shqiptar të mblidhte dhe të ruante e të përpunonte profesionalisht vlerat e kulturës dhe traditës sonë të lashtë! Jetonte në kohën kur kishte shumë pengesa për ta bërë atë. E gërryente pozita e tij e vobekët financiare, si dhe rrebeshi i egër politik i kohës! Këtu nga skllavëria sërbe që përjetonim, ndërsa në Shqipëri, nga pamundësia që të shkoje normal dhe të takoheshe e bashkëpunoje me kolegët shqiptar atje!
Histori më vete, është edhe shkuarja e parë pas tre dekadash, e një ansambli muzikor nga Kosova të cilën Bal-Bahtiri me gjindshmëritë e tij e kishte arritur ta realizonte pavarësisht presionit këtej e andej kufirit! I pari e kishte sjell dhe mundesuar edhe vizitën e kolegut të tij nga Tirana, z.Ramadan Sokoli! Ishte Bali që ia kishte realizuar ëndërrën e tij” që mos më marrtë zoti shpirtin, pa e parë Kosovën”, i kishte thënë sa ishte ky në vizitë atje. Dhe e kishte ftuar jo në mënyrë Institucionale, por në mënyrë vëllazërore, dhe ashtu me atë këmben e tij të çalë, i kishte organizuar shumë vizita nëpër qytetet e ndryshme të Kosovës! E rrëfente këtë kujtim me shumë krenari Bali, sepse kishte qenë i vetdijshëm që derisa institucionet e Kosovës së pasluftës të kthjelleshin për Figurat e tyre kombëtare, ai do të përshëndetej nga jeta! Sikur të ishte gjallë, me siguri se sot do të pinim çaj bashkë këtu në ballkonin e tij të gjërë e të rrethuar me lule ngado! Sa do të gëzohej kur të kuptonte se pas ca ditësh, nipi i tij, do të shkonte në Vatikan me Filharmoninë e Kosovës, dhe do të këndohej shqip Hymni për Nënën Tereze, me rastin e shenjtërimit të saj nga Papa në Vatikan! Do të këndohej e flitej për herë të parë në gjuhën amtare të saj, para një milion të ftuarish aty!
Ç’ti bësh jetës! Ai nuk ishte më! Shpirti i tij prehet diku në paqe….
…Por, kështu i kishte rënë hise asaj elite intelektuale të Kosovës së shumë viteve të paraluftës! Të ishin ylli ndriçues i kombit për shumëçka në ngjarjet e tija histoike, dhe për shumëkë!
***
Edhe për komshiun e tyre të ri, që banonte në brendësi të katundit-Zahir Pajazitin, i cili sot vërtetë që shndëriste nën rrezet e arta të diellit mëngjesor, teksa ngadal e me emocion po i afrohesha Obeliskut në të cilin madhështor qëndron Shtatorja e tij, ashtu siç ishte madhështore trimëria e guximi i tij prej çuni, të cilin për 15 vjet me radhë, zor se mundi ta frigonte dikush, apo ti dilte në rrugë akcioneve të tija të famëshme, që e trazonin gjithë Ballkanin, jo vetëm Sërbinë, të cilit i zgjonte tmerr me hijen e tij kudo që ia msynte!…. Gjer në momentin, kur Zahiri i 15 vjetëve trimni, më në fund u mund dhe ra në prit, pak ditë para Agimit të Lirisë, të cilin ai e solli jo vetëm me luftën e tij! Ca mëngjese para Diellit të Lirisë, ai na e fali edhe gjakun e tij të njomë, pa iu trëmbur qerpiku! Sepse, kishte ardhur dhe shkuar nga kjo botë, me vullnetin e Zotit, që shqiptari të jetonte i lirë dhe ta donte e çmonte Tokën të cilën ia kishte dhuruar!
Teksa kthehesha prapa nëpër qetësinë e thellë të fshatit, më ra ndërmend që të kthehesha edhe tek shtëpia e banorit të parë të ardhur! Pra, i pari i të parëve “ardhacak”, ishte doktori i famshëm Ali Sokoli!
A thua kush nga rinia shqiptare e ka të njohur sot Figurën e tij? A thua i ka shkuar në mendje ndonjë Institucioni vendor që shtëpinë e tij ta kthente në muze, apo në Sanatorium, ashtu siç e çmonte ai këtë vend!

Ja se si vlerësohen sot “Sanatoriumet”e doktorit A.Sokoli nga qytetar vrasës të papërgjegjshëm! Në gjithë botën dhe në të gjitha vendet që duhet e respektohet vendi dhe e ardhmja e fëmijëve te tyre, nëse pritet një dru pa kurrëfar marrëveshje profesonale nga ekspertët e pyjeve, dënohet pothuaj barabar me një vrasje njeriu!
– A thua shtëpia e A.Çetës, duhet të rrijë kështu e mbytur nën heshtjen e saj?
– A thua biblioteka e Balit që shtrihet anë e përtej katër mureve të dhomës së madhe nën kulmin e shtëpisë, duhet ta mbulojë pluhuri I kohës?
– Gjithë atë thesar materialesh e librash me vlerë, a thua duhet të mbetet vetëm kënaqësi dhe amazing e ndonjë miu – kalimtar nëpër to??
***
I sillja nëpër kokë këto mendime, gjersa vazhdoja rrugën që të çonte përtej katundit, aty ku sipër kodrinës së vogël janë të renditura varret e gjithë familjes Jakupi, që u masakruan ngo dora e paramilitarëve sërb! Ato gjithmonë më kujtuojnë kalvarin e luftës së fundit, kur nëpër këto rrugë, përmes këtyre maleve e kodrinave, në mesin e dhjetëra e qindra familjeve të dëbuara nga shtëpitë e tyre, ecnin ”ku sytë-këmbët”,edhe të trembëdhjetë anëtarët e familjes sime, pa e ditur as vet se ku po shkonin dhe ku do të ndaleshin! Njëri nga ata, ishte profesor në shkollën e Orllanit! Ai u nis, por nuk u kthya më…Vazhdoja dhe më dukej që po shkelja nëpër gjurmët e hapave të tyre, ndërsa herë-pas here, fillova të ndalesha teksa shumë i gjallë më vinte zëri i nënës sime kur më rrëfente fije për pe ikjen e tyre nga shtëpitë! Ngjarjet e peripetitë e shumta, në njërën anë nga përndjekja sërbe, në tjetrën anë nga rrebeshi i shiut, që atyre ditëve nuk ndalej as ditë as natë! Si nëpër film më kalojnë momentet e treguar nga ajo, kur paramilitarët sërb zbrisnin nga automjetet djemtë dhe i pushkatonin para prindërve të tyre – rrugës për në fshatin Koliq! Ndërsa kur rrëfente se si i zbrisnin vajzat dhe nuset e reja dhe i dërgonin “diku”, i mbyllja sytë gjer në dhimbje dhe i shtërngoja fortë grushtat gjer në shtangim, nga tmerri i asaj që mund të imagjinoja…
Nga trishtimi i kujtimeve të zgjuara lugat në shpirtin tim, desha të shkundesha dhe me rrëmbim mora rrugën e liqenit në kthim! Por…Sa herë i lëshoj sytë në liqenin e qetë përbri shkollës, më duket se e shoh në anije vëllaun tim, në ato fotot që i kishte bërë pak para se të shkonte në botën e përtejme… me atë buzëqeshjen e tij të veçantë!
Po!!….Ngjanë në një ëndërr të trishtë,por është realitet!
***
Roli i secilës gjeneratë nëpër stuhitë që populli ynë i kaloi, kishte qenë histori më vete! Dhe nuk mund të ankohemi, se nëpër këto periudha nuk kishte burra e gra trimëresha, intelektuale si banorët e lagjës sime këtu, luftëtarë e dëshmorë që kishin dhënë jetën e tyre për këto male, për këtë vend e këto rrugë nëpër të cilat unë sot po shëtisja lirshëm! Por, dashuria dhe respekti që kishin ata për kombin dhe tokën e tyre, ishte shuuumë dukshëm më ndryshe nga pamjet e një realiteti që do të ua ofrojë, gjatë rrugetimit tim sot nëpër lagjet dhe rrugët kur dikur e një kohë jetonte elita intelektuale e kësaj lagjeje dhe shtëpive të renditura, të mbuluara nga harresa, e të mbështjellura nën fjalët e heshtura të përditshmërisë sonë shqiptareske!
Fjalë e ankesa për këtë sjellje të papërgjegjshme të qytetarëve që vijnë të bëjnë pushim buzë liqenit, ka edhe atletja e famshme jo vetëm e katundit të saj, por edhe e gjithë Kosovës! Goca e vogël e rritur dhe e përkundur nën qetësinë e liqenit të gjërë, e ndriçuar nën dritat e ylberit që përthyhen në sipërfaqe të liqenit sa herë që bie shi, ishte bërë notuese e dalluar qysh në moshën e saj të njomë! Të gjithë ne banorët e Orllanit e dimë, se fjala është për maratonisten Naime Dërguti, e cila arrit që me aftësitë e saj të mirrte pjesë në shumë gara të notit të organizuar këtu në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu! Në vitin 2004 ajo u shpallë edhe sportistja e vitit në Komunën e Besianës!

 

***
Është e pamundur që sa herë i dal karshi liqenit, të mos më bie ndërmend romani “Elsa” dhe ardhja e saj, këtu pas një rruge të gjatë gyrbeti…. Menjëherë pas kësaj, edhe mikja ime – autorja e romanit, Sadete Zhitia,së cilës me gjithë aftësitë intelektuale që ka, dhe sakrificat e shumta për kauzën tonë kombëtare, nuk iu krijua hapësira e nevojshme për të dhënë kontributin e vetë në Kosovën e pasluftës…

***
Dhe gjersa mali që shtrihet buzë liqenit, është përmbysur në sipërfaqen e tij ujore, si reflektim i diellit në perëndim, më ngjanë me shpirtin e saj, i cili vuan e jeton këtu diku në thellësitë e këtyre valëve, të cilat ajo shpesh i ka subjekt të poezive e vargjeve të saja, të cilat kanë rënë në syrin dhe shijen e vlerësimin e lartë të kritikës së shumë shkrimtarëve shqiptarë andej e këndej kufirit!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura