GLAUK KONJUFCA: KOSOVA UDHËHIQET NGA TREKËNDESHI THAҪI – GRABOVCI – VESELI

(Prishtinë, 06. 12. 2012) – Këtë javë opinioni publik dhe qytetarët e Kosovës u tronditën me plot arsye nga një skandal i llojit të vet në të cilin protagonistë janë figurat më të larta të Qeverisë dhe PDK-së. Ajo që e mësoi populli nga këto biseda të ulëta ishte ajo që dihet nga shumica prej nesh. Dallimi ishte që kësaj radhe e dëgjuam nga vetë goja e tyre. Kryeministri i kërkon llogari shefit të Grupit Parlamentar të partisë në pushtet se a janë duke qëndruar urtë deputetët, kurse ky i fundit në shkëmbim të servilitetit i thotë Kryeministrit a ma ke rehatuar dajën.
Po të njëjtën ia kërkon edhe Ministres së Integrimeve Evropiane. Dëgjojmë aty po ashtu Adem Grabovcin tek i raporton Kadri Veselit. Në media kemi dëgjuar se si ish shefi i SHIK-ut tash është vetëm anëtar i thjeshtë i PDK-së. Me të vërtetë e çuditshme: shefi i grupit parlamentar të partisë më të madhe në Kosovë i raporton një anëtari të thjeshtë të partisë për integrimet evropiane dhe takimet në Bruksel! Por këto janë gjëra që pak a shumë dihen nga secili prej nesh.
Qytetarët nuk janë tronditur nga fakti se aty vërtetohet konkretisht mënyra se si punësohen njerëzit në Kosovë. Apo se Kosova udhëhiqet realisht nga trekëndëshi Thaçi-Grabovci-Veseli: nga shefi politik, komandanti i deputetëve robotë dhe nga nëntoka. Këto dihen. Por populli dhe shoqëria jonë u tronditën më shumë nga dyfytyrësia dhe gjuha e pashembullt e komunikimit për nga niveli i perversitetit.

Trekëndëshi: Thaçi-Grabovci-Veseli.

……………………………………………

Adem Grabovci i shanë me nanë të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. 
Dhe vjen sot në Kuvend ulet në ulësen e deputetit të Kuvendit pa kokërr marre. Pastaj fyhet në mënyrën më denigruese Kryetari i Kuvendit tonë. Ditën na thonë se si kanë respekt për deputetët e opozitës, bile disa prej tyre nga dashuria e madhe që kanë, i ftojnë edhe në koalicion bashkëqeverisës. Kurse prapa shpinës i shajnë në mënyrat më të gërditshme. Ditën na thonë për Kryeparlamentarin se si e respektojnë dhe se si ai është sharmi i demokracisë dhe i të menduarit ndryshe. Kurse natën shprehen për të me shprehjet më të paturpshme.
Krejt ky spektakël i turpit bëhet nga ata që na japin çdo ditë leksione të gjuhës së kulturuar, duke i akuzuar të tjerët për gjuhë fyese. Dhe që hipokrizia ta marrë ironinë e saj të plotë, dalin dhe na thonë se përgjimet janë të paligjshme. Ndërkohë që jo më shumë se para disa javësh Ministri i Punëve të Brendshme personalisht e pranoi se përgjohet Lëvizja VETËVENDOSJE! E Prokuroria tha se nuk ka dhënë ndonjë urdhër për përgjime. Kur po ndodhte kjo Kryeministrit nuk i shkoi ndërmend t’i shkruante zonjës Ashton. Tash që u përgjua vetë po kërcen përpjetë nga mllefi. Pastaj del Kryeministri dhe e akuzon VETËVENDOSJE!-n se qenkemi kundër EULEX-it dhe kundër BE-së.
Kurse menjëherë pas përgjimeve del partia në pushtet dhe thotë se do t’ia ndërrojmë mandatin EULEX-it. Domethënë në çdo veprim që bën kjo Qeveri na tregon se kjo është Qeveri e përfaqësimit të vetvetes dhe jo e mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe popullit të Kosovës.
Dhe se e mbron vetëm vetveten dhe askënd tjetër. Tash kjo puna e përgjimeve, po zhvendoset prej përmbajtjes së tyre te privatësia. Është e vërtetë që të flasësh për dajën është privatësi.
Ama të flasësh me Kryeministrin dhe të kërkosh nga ai të ta punësojë dajën në një post që do të paguhet prej parave të qytetarëve, zonja dhe zotërinj, kjo tashmë nuk është privatësi. Tek e fundit, edhe nëse është privatësi, le të kapen shkelësit e ligjit. Por kjo nuk i heq bash asgjë faktit se prej çfarë njerëzve po qeverisemi. Tash po e kuptojmë edhe më mirë pse nuk kemi shtet të së drejtës. Sepse kemi kësi njerëz të padrejtë në krye të shtetit. Tash po e kuptojmë pse nuk kemi arsim cilësor. Sepse i kemi këta njerëz të paedukuar që e organizojnë arsimin në Kosovë. Tash po e kuptojmë pse kemi shëndetësi të mjerueshme. Sepse kemi udhëheqës të sëmurë për pushtet. Këta njerëz nuk e meritojnë të vendosin asgjë për popullin dhe qytetarët e Kosovës.

– Fjala e Glauk Konjufca në seancën e sotme parlamentare – 06.12. 2012.

…………………………………………………

LEXONI: JU FLET ADEM GRABOVCI&COMPANY
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=1050

*  *  *

BISEDA E SHEFAVE TË PDK&CO.

=================================

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura