GJOKË DABAJ: ADNAN ABRASHI – MBETET NJË SHENJTOR NË GAZETARINË SHQIPTARE

Durrës, 08. 11. 2013 – Adnani nuk ka qenë një gazetar që shkruante për interesa të vet. Nuk ka shkruar kurrë as edhe 1 rresht, as për të bërë emër, as për të vënë pasuri. Ka shkruar vetëm atë çfarë mendonte se duhet shkruar, në dobi të vendlindjes, Prizrenit të tij, prej të cilit s’u largua kurrë, në dobi të Kosovës, në dobi të krejt Atdheut tonë, ose edhe për interesa më të gjërë gjithnjerëzorë. Në këtë pikëpamje, Adnani mbetet një SHENJTOR në gazetarinë shqiptare. Një njeri i SHENJTË, pikërisht aty ku s’është lehtë të jesh i shenjtë!
Kur e kam takuar për herë të parë Adnan Abrashin, aq sa e kam ndier veten mirë që po njihesha me një njeri të tillë, aq më ka ardhur keq që s’e kisha njohur më parë. Ka qenë një i atillë burrë, që gjithkush do të dëshironte ta kishte mik. Fliste ngadalë dhe qetë. Nuk gabonte kurrë në të folur. Të gjithë ne të tjerët gabojmë, edhe në të folur, edhe në të vepruar. Ai nuk gabonte kurrë. Gjykimi i tij ishte i atillë, që i imponohej bashkëbiseduesit, për ta vlerësuar dhe për ta pranuar. 

I kthjellët në shikimin e situatavet, me vëmendjen kryesore te interesi kombëtar i shqiptarëvet. I kthjellët në qëndrimin ndaj politikavet të botës rretherrotull, ndaj Kosovës, ndaj Republikës së Shqipërisë, të mëparshmes dhe të sotmes, i qartë në vlerësimin e figuravet tona historike, midis të cilavet edhe të Enver Hoxhës, vlerësim që, në vitet pas 1990-s, është gati sensacion ta hasësh gjëkundi.
* * *
Adnani nuk ka qenë një gazetar që shkruante për interesa të vet. Nuk ka shkruar kurrë as edhe 1 rresht, as për të bërë emër, as për të vënë pasuri. Ka shkruar vetëm atë çfarë mendonte se duhet shkruar, në dobi të vendlindjes, Prizrenit të tij, prej të cilit s’u largua kurrë, në dobi të Kosovës, në dobi të krejt Atdheut tonë, ose edhe për interesa më të gjërë gjithnjerëzorë. Në këtë pikëpamje, Adnani mbetet një SHENJTOR në gazetarinë shqiptare. Një njeri i SHENJTË, pikërisht aty ku s’është lehtë të jesh i shenjtë!

Prizren, Janar 2013: Me mendjendriturin e pashuar – Adnan Abrashi!

* * *
Një ditë, pata marrë vesh që ia kish arrestuar djalin policia e Prizrenit. “Djali im bëri detyrën që duhej ta bënte: Hoqi te Lidhja disa flamuj që s’kanë të bëjnë fare me Lidhjen.” Tha Adnani. “Policia zbatoi urdhërat që nuk duhej t’i zbatonte.” Fliste me ton aq të qetë, sa mund të mendoje se po flet për gjërat më të zakonshme e jo për të birin që e kish në burg, në një kohë kur Kosova quhej “e çliruar”.
* * *
Korrektësia, që shumë prej nesh e kemi të mangët, ka qenë një ndër vetitë më të çmuara të tijat. E gjetëm njëherë, Fadil Cukaj dhe unë, me ca thasë gëlqereje e bojrash, që i duheshin për të lyer shtëpinë. “Shko dhe mbaro punën!” I thamë. “Jo.” Tha ai. “E kemi lënë të takohemi në këtë orë. Lyerja e shtëpisë mund të presë.” Më pat rezervuar 2 intervista në “TV – Opinion” dhe i realizoi me një kujdes dhe mirësjellje për t’u admiruar. Nuk dija si ta falenderoja, në një kohë kur, televizione të tjerë, pa qenë i shumënjohur, ose i shumëpasur, as që ta hapin derën. As që denjojnë të përshëndesin.
* * *
E pat lexuar librin tim “Strategjia e shqiptarëvet” dhe e njihte platformën time mbi Përkujdesjen Gjithshqiptare. E pranonte si një alternativë të domosdoshme për Kombin tonë, në rrethanat aktuale historike, por e shihte tepër të vështirë për t’u realizuar. Ashtu siç janë, në të vërtetë, të gjitha punët e domosdoshme: Tepër të vështira.
* * *
Gazetaria jonë ka humbur shumë me Adnan Abrashin. Jo në bujë e në zhurmë, por në urtësi dhe në trajtim mençuror të temavet për të cilat kanë shumë nevojë ky vend e ky komb, të cilin shumëkush, edhe sot, po kërkon ta marrë nëpër këmbë. Tv Opinion ka humbur një nga drejtuesit, të cilin do ta ketë shumë vështirë për ta zëvendësuar. Në mos, të pamundur.
* * *
Në fund, ndoshta do të duhet të them edhe diçka që dhemb më shumë se një vdekje: Gazetaria shqiptare humbi një gazetar, të cilin, për së gjalli, s’i ka pasur kohën dhe vullnetin e duhur për ta vënë diku në ballë, por që do t’i bëjë shumë mirë, t’i njohë, t’i vlerësojë dhe t’i PËRVEHTËSOJË, pas vdekjes, veprën dhe virtytet e tij. Sa për mua, si person, tani e tutje, sa herë të shkoj në Prizren, do ta ndiej mungesën e bashkëbisedimit me Adnan Abrashin. Por edhe Prizreni, besoj, do ta ndiejë tani e tutje mungesën e fjalës së Adnanit.
Gjokë Dabaj – Durrës, 8 nëntor 2013

=========================

NDËRRON JETË PUBLICISTI I SHQUAR ADNAN ABRASHI
http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2063

*  *  *

HUMBJA E PUBLICISTIT ADNAN ABRASHI,

VARFËRON KULTURËN DHE ARTIN SHQIPTAR
http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2064

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura