EPIDAMN ZEQO: SHQIPËRIA – DILEMA E KONSOLIDIMIT TË SHTETIT

Londër, 12. 01. 2015 – (Problemet kundrejt Premtimeve) – Shqipëria është në mes të ndryshimeve të mëdha. Qeveria e re e koalicionit të Partisë Socialiste (PS) – e udhëhequr nga Kryeministri dhe ish-Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama – dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) – e udhëhequr nga kryetari i Parlamentit dhe ish-Kryeministri Socialist Ilir Meta – u votua nga një shumicë dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme një vit e gjysëm më parë për “rilindjen” e ekonomisë, të shtetit, dhe për të përmirësuar standardet e jetesës së shqiptarëve. Kryeministri Rama gjeti një ekonomi të shkatërruar dhe një shoqëri gati pa shtet.
Trashëgimia komuniste dhe tranzicioni i ashpër post-komunist pjesërisht mund të fajësohen për këtë situatë. Në 2012, në një artikull unë e kam karakterizuar ekonominë shqiptare si një ‘zombi’: rritja e prodhimit të brëndshëm (PBB) që nga 2011 ka qenë i parpërfillshëm në 1-2% (nga 6% mesatarja në 2001-2010); çdo treg është duke përjetuar transaksionet minimale dhe ka presione të forta deflacioniste; papunësia mbetet kokëfortësisht e lartë dhe krijohen shumë pak vende të reja pune; dhe, kredia është e paarritshme nëse ju nevojitet dhe e papagueshme nëqoftëse e keni. Ekonomia ‘zombi’ gjithashtu vazhdon hemorragjinë në çdo sektor.
Kjo gjendje e tmerrshme për një ekonomi të vogël në zhvillim e vendosur në cepin perëndimor të Ballkanit, është shkaktuar fillimisht nga goditjet e jashtme që erdhën nga krizat e borxhit sovran në Greqi dhe Itali, partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë. Kryeministri në atë kohë, Sali Berisha, themelues i Partisë Demokratike (PD), udhëhoqi një koalicion të panatyrshme me LSI-në e Metës. Ekonomia ‘zombi’ u la të vdesë nga mosveprimi i qeverisë Berisha, ndërsa tani duket se po reagon, për më mirë apo më keq, ndaj hyperveprimit të kryeministrit Rama.

Edi Rama – idhtar i forcimit të shtetit, e pastaj i zhvillimit ekonomik!

Qeveria e re ka një shumicë të plotë në parlament dhe ka kaluar tashmë reforma të thella: së pari, taksa e sheshtë 10% u zëvendësua me një taks progresive 15% +; së dyti, reforma e re territoriale uli me efekt të menjëhershëm numri e bashkive nga 100 në 61; dhe tani, me po të njëjtën shpejtësi Kryeministri Rama është duke reformuar sektorin e energjisë dhe ujit, gjithashtu duke rritur faturat me 10%. Institucionet financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore kanë kushtëzuar këto masa ‘shoku’, por gëzojnë mbështetjen e plotë të qeverisë.
Shteti kundrejt Ekonomisë
Pikënisja për diskutimin e konceptit të shtetit vazhdon të jetë përkufizimi i teoricienit gjerman, Max Weber, i cili e përkufizon atë në terma të “përdorimit legjitim të forcës fizike.” Por historia bashkëkohore e shtetit ka një komponent të mëtejshëm kritik, sidomos në marrëdhëniet e saj me komunitetin dhe rolin e shtetit në nxitjen e rritjes ekonomike. Në thelb, zhvillimi ofron stimuj për qytetarët të japin legjitimitet. Rritja gjithashtu formon bazën për mobilizimin e burimeve (taksimi), e cila mund të përkthehet në investime fizike dhe sociale, për rrjedhojë përforcojnë legjitimitetin e shtetit.
Ekonomia ‘zombi’ e Shqipërisë mbetet më e varfëra e Europës, me PBB’në më të ulët për frymë në rreth 28% të mesatares së BE-28. A nuk është kjo një krizë në vetvete? Për më tepër, rreth 1/4 e ekonomisë është ‘gri’. Kryeministri Rama thotë se qeveria e tij do të përfundojë formalizimin e ekonomisë në dy vitet e ardhshme nëpërmjet çdo mjeti, duke përfshirë dënime të gjata me burg për shkelësit e ligjit dhe prishjen e pronës private. Po bëhet e qartë se prioriteti i tij nuk është që të nxisë ekonominë, por për të fuqizuar shtetin. Në më pak se dy vite, politikat e tij i kanë marrë ekonomisë ‘zombi’ qindra million euro për të mbështetur buxhetin e shtetit. Po buxhetet e asgjësuar shtëpiake!? Dikotomia Sheti dhe Ekonomia kërkon një harmoni dhe jo një përballje in extremis.
Masat e deritanishme kanë qenë të rëndësishme për te ruajtur stabilitetin makroekonomik, por këto politika kanë bërë pak për të “rilindur” ekonominë në periudhën afat shkurtër dhe afat mesëm. Edhe pse këto reforma janë potencialisht të dobishme në të ardhmen, ato janë duke krijuar një përzierje toksike që mund të ndalojë ekonominë tërësisht dhe të shkaktojë një recesion tranzitor. Stabiliteti ekonomik është një domosdoshmëri, por mund të arrihet më mirë në qoftë se strategjia është e orientuar në atë që së pari të nxitet rritja ekonomike, dhe që reformat strukturore të zbatohen gradualisht.
Ritmi i shpejtë i konsolidimit të shtetit, pa investime të konsiderueshme publike dhe kompensuese, mund të minojë legjitimitetin e qeverisë dhe të shtetit. Rregullat kolektive janë thelbësore për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm, por a duhet zbatimi i plotë i tyre të ndërmerret me një shpejtësi të tillë në kontekstin e ekonomisë ‘zombi’? A është e justifikueshme për një qeveri të re që të bëjë gati asgjë për të rritur kërkesën agregate të konsumatorve apo investimet publike? Ne po e shohim se çfarë ka bërë kjo qasje e gabuar, ‘big bang’, për shoqërinë greke.
Ndryshimi është i nevojshëm
Dilema e konsolidimit të shtetit në Shqipëri është: të bëhet shpejt apo gradualisht? Kjo dilemë nuk është artikuluar nga politikë-bërësit apo opozitë-bërësit, dhe qartësisht nuk ka ndikim tek politikat. Edhe pse vizioni i kryeministrit Rama është i mirë, ai po e zbaton atë shumë shpejt. Në artikuj të mëparshëm unë kam argumentuar se, çelësi për një qasje graduale do të ishte që së pari të rritet ekonomia me çdo mjet, fiskal dhe monetar, që të ri-kthehet rritja 6%. Unë e kam identifikuar tregun e banesave për të arritur këtë nëpërmjet skemave kredit-lehtësuese, dhe kam kërkuar një mandat të ri intervencionist për Bankën Qendrore të Shqipërisë.
Kjo është për shkak se, simptomat e krizës, pavarësisht rritjes së taksave, të çojnë te deflacioni për shkak të kolapsit të fuqisë blerëse të konsumatorëve, niveleve të larta të borxhit të keq, etj. A është deflacioni i mirë për një ekonomi në zhvillim? Kryeministri Rama ka identifikuar me të drejtë një numër të madh problemesh, që ai i quan ‘kancerat’ në vend, dhe ai është duke i operuar të gjitha njëkohësisht. Por, një shpejtësi e tillë për çudi nuk ka lehtësuar asnjë simptomë, por po i përkeqësojnë ato. Le të kujtojmë se, reformat strukturore janë subjekt i problemit të mospërputhjes kohore: kërkon që aktorët të pranojnë humbje në periudhën afat shkurtër për premtimet afatgjata të përfitimeve, një situatë që shumë shqiptar nuk mund të përballojnë.
Qeveria e re ka marrë tashmë votëbesimin nga komuniteti ndërkombëtar; së pari, pas dy viteve refuzimesh të përsëritura, Këshilli i BE-së ra dakord për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vëndit te kandidatit. Së dyti, një marrëveshje gjysmë miliardë euro është arritur me FMN-në për të shpëtuar shtetin, dhe një marrëveshje e ngjashme është dakortësuar me Bankën Botërore për të shpëtuar sektorin e energjisë.
Por çështja është, a kanë mbështetje në popull këto reforma të thella dhe të shpejta?
Sa e informuar është shoqëria civile në lidhje me rezultatet e këtyre ndryshimeve?
Kryeministri Rama pranon se ai do të ketë kosto politike si rrjedhojë, por mbetet sfidues. Në mendjen e tij nuk ka dilemë – shteti duhet të konsolidohet tani ose kurrë. Një sondazh i bërë në zonat urbane se fundmi, tregon që mbështeja ndaj qeversisë pas vitit të parë ka rënë me dhjet pikë, nga 58% në 48%.
Pse nuk ka pasur një periudhë mjalti me këtë qeveri?
Për të përmbledhur, në kontekstin e ekonomisë ‘zombi’, këto reformat e nevojshme strukturore priten t’i bëjnë gjërat shumë më keq përpara se t’i bëjnë ato më mirë. Megjithatë, egziston një alternativë për të kufizuar kostot e tyre kalimtare: së pari, Kryeministri Rama duhet të jetë më i ndjeshëm dhe ta artikulojë dilemën; së dyti, ekonomia ka nevojë për një nxitje të konsiderueshme; dhe së fundi, ndryshimet strukturore duhet të zbatohen më gradualisht.
– Autori është diplomuar në London School of Economics dhe në Universitetin e St Andrews, Skoci. Jeton dhe punon në Londër.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura