FAHRI DAHRI: ROLI I VLERAVE MORALE TË QEVERISJEVE NË ZHVILLIMET SHOQËRORE

Pashtriku.org, 26. 04. 2016: (Pjesë nga libri: “Kur shteti vret në emër të fésë”) – Të gjithë, dikush me parë e dikush më vonë, mund të ndodhen në nji vend ku komuniteti që bën pjesë, ose nji komunitet tjetër, bëjnë përpjekje për të përballuar sfidat e jetës, ose ndryshe për të mbijetuar përballë pengesave të ashpra të kundërshtarëve, të cilët përdorin në vazhdimësi dhe periodikisht vrasjet, dëbimet masive, dhunën, gënjeshtrat, shpifjet, pushtetshmërinë dhe arrogancën për të injoruar kombësinë, identitetin dhe ndërrimet e besimeve fetare.
Duke jetuar në Gadishullin e Ballkanit, në nji prej shteteve të tij, historitë e ndodhura gjatë afro mbi 2.500 viteve, më ndihmojnë të kuptoj disa të vërteta jetike dhe konkretisht:
Një e vërtetë është se disa kufinj janë krijuar duke hequr vija në hartë, si rrjedhojë e të bazuarit tek fuqia, forca, interesat në ruajtjen e ekuilibrave të disa shteteve të fuqishme, ndodhi këto kryesisht gjatë Luftës së Parë Botërore. Kufijtë shtetërorë janë krijuar kryesisht me shfaqjen e identiteteve kombëtare, të cilat më pas kërkojnë që bindja fetare, aspekt i ndërgjegjes, të zbresë në vend të dytë, dmth pasi është siguruar ngrohtësia familjare, siguria e vendosjes në hapësira territoriale, afërsia e fisit, gjakut, gjuhës etj. Në këndvështrimin tim, bazuar në përvojën ballkanike dhe më gjërë, demokracia do të jetë e brishtë, bile me trishtim, por mendoj se do të jetë edhe e rrezikuar nga vendet ku kombësia kushtëzohet me besimin fetar.

E vërtetë tjetër shqetësuese, është se shtetet që vendosin besimin fetar për kombësinë, përbëjnë kërcënim serioz për rendin politik, për shkak se ato shtete vendosin fenë mbi kombësinë si test për përkatësinë. Vendosja e identitetit mbi baza fetare, ka sjellë dhe sjell dasira, armiqësira ndërmjet fiseve, dhe aktualisht mes shteteve me përkatësi shumicë popullsie të njërit apo tjetrit besim fetar. Nga ana tjetër, dihet se edhe kufijtë shtetëror, që në disa raste emërtohen edhe kufinj kombëtarë janë të rëndësishëm dhe të patjetërsueshëm, me përjashtim të rasteve kur vendoset bilateralisht për ndonji bashkim ose ndarje. Ky përcaktim është i konsoliduar dhe i çmuar për deri sot. Mendoj se shoqëria njerëzore e civilzuar, larg ambicjeve dhe kundërshtive ndërmjet besimeve të ndryshme fetare, racave dhe etnive, në të ardhmen duhet ti drejtohet edhe vlerësimit të qytetërimit, i cili përcakton dhe vendos kufijtë kombëtarë të perceptueshëm mbi vlerat civilizuese, siç është kombësia në SHBA.
Për ta kuptuar sa sipër, së pari dhe mbi të gjitha duhet që njerëzimi të çlirohet nga kundërshtitë ndaj besimeve të ndryshme, të krijojë bindje të ndërgjegjshme që secili besim fetar është e drejtë e secilit person, fis, komunitet, apo popull dhe nuk duhet të ketë qëllime epërsish mes tyre, gjithashtu tepër e rëndësishme mendoj është të përcaktuarit e çdo besimi, krahas atij fetar, të marrë trajtat e kulturave të ndryshme mes shteteve, kombeve dhe popujve. Duke u trajtuar dhe cilësuar si kultura të ndryshme, kërkohet të arrihet në këmbimet e ndërsjellta mes tyre, për të huazuar më të mirat e secilës kulturë. Konceptimi i tillë, i trajtuar nga shtetet në shkallë horizontale dhe vertikale, do të siguronte arritje, mirëkuptim, rritje të bashkëpunimit dhe respekteve reciproke, do të evitohen dallimet etno-fetare dhe mbeten pa vlera ekspansionizmat.
Për të argumentuar sa sipër, lind domosdoshmëria që në vija të përgjithshme, të ndalemi në njohjen dhe lindjen e feve të ndryshme. Nga informimet e marra rezulton se shoqëria njerëzore karakterizohet nga disa besime, ndërmjet tyre më të mëdha dhe të rëndësishëme, në kontekstin botëror, përmenden: Krishterimi, Islamizmi, Hinduizmi, Budizmi, Konfucianizmi, të cilat kanë sektet përkatëse të tyre. Në shtjellimin tonë, do të përqëndrohemi kryesisht tek besimet kryesore të Europës. ***
Kristianizmi ka dy sekte kryesore, atë të katoliçizmit dhe të ortodoksisë. Sipas Dr. Detering, Krishterimi në origjinën e tij nuk ishte gjë tjetër veçse një lëvizje mesianike hebre. Jezusi ishte një simbol dhe personifikim i mendimeve që arriti të bënte progres të plotë në shekullin e dytë. Në një datë të mëvonshme të asamblesë një Mesia skeptik, dyshues (gnostik) u takua në asamblenë e vjetër hebre me Mesian krishterë. Gjatë viteve 70-135 pas Krishtit, të dy grupet kishin qenë rivalë dhe në armiqësi të ashpër. Vetëm në mes të shekullit të II-të pas Krishtit, të dy grupet u pajtuan. Grupi i parë kishte Pjetrin si përfaqësues dhe grupi i dytë Palin. Rezultati i këtij procesi të pajtimit ishte katoliçizmi.
Kisha Katolike, gjithashtu e njohur si Kisha katolike Romake. Është kishë e krishtere me kryeqendër Vatikanin, e cila drejtohet dhe udhëhiqet nga Papa i Romës. Kisha katolike pretendon të jetë kisha e themeluar nga Jezus Krishti, të cilit i përkasin të gjithë të krishterët e pagëzuar, si edhe ata që janë në bashkim të plotë me kishën katolike dhe kishat e tjera të ndara prej saj. Emërtimi katolik rrjedh nga greqishtja (καθολικός), që do të thotë gjithëkufinj, botëror, universal. Kjo kishë, midis kishave të krishtera, është më e madhja nga numri i besimtarëve në nivel botëror, me një përfaqësim të lartë në Evropë dhe në Amerikën jugore. Sipas Librit vjetor Statistikor të Kishës, Kisha Katolike në vitin 2005 kishte 1,114,966,000 besimtarë, që përbëjnë 1/6 e popullsisë botërore. (Dy besimet e tjera katolike dhe protestante kanë 1,027milionë dhe 316 milionë besimtarë).
Kisha ortodokse është një prej besimeve të krishtera e përhapur në afro 225-300 milionë adhurues, si në Lindje dhe në Perëndim. Në Lindje ortodoksia greke bashkon mbi 11% të besimtarëve. Kishat ortodokse të kombeve të ndryshme janë autoqefale, të pavarura, do të thotë se vetdrejtohen, por pranojnë një kryetar nderi, atë të Patriarkanës së Konstandinopolit. Kishat më të rëndësishme ortodokse janë ato greke, ruse, serbe dhe rumune. Emërtimi “ortodoks” vjen nga greqishtja”órthos”, fjalë për fjalë do të thotë “besim i drejte, i vërtetë”. Lindja e ortodoksisë, mund të datohet rreth fundit të shek. II-të, kur filloi të largohej nga modeli hebraiko-ikrishtere dhe kur nisën të mbahen këshillat e para të mëdha ekumenike, pasues të atij të Jeruzalemit. Por, emërtimi “ortodoksi” u përdor vetëm pas Skizmës (përçarjes) së Lindjes në vitin 1054, për të dalluar kishat lindore me Kishën romake.
Islamizmi, lindi në vitin 610 të erës sonë. Profeti Muhamed ka lindur ditën e hënë më 20 Prill 571 në Mekë të Arabisë dhe filloi predikimin e fesë islame në moshën 40 vjeç, të vitit 610 pas Krishtit, pas rreth 480 vjetëve nga kisha katolike dhe gadi 400 vjetë para predikimit fetar ortodoks (1054), në këto kushte predikuesi islam ishte njohës i besimeve protokristiane dhe i besimit katolik, prandaj predikimet e tij mbështeten tek predikimet e besimit katolik. Profeti Muhamet është vetëm një i dërguar. Para tij ka patur të dërguar të tjerë të ndryshëm, dhe nga të gjithë të tjerët Muhamedi ështe me karakteristika më të përbashkëta me profetin Musa (Moisiu). Muhameti nuk është i ati i ndonjërit, por ai është i dërguari i Zotit dhe vula e profetëve, dmth. vërtetuesi i profetëve të mëparshëm ose profeti i fundit. Në këto rrethana rezulton se islamizmi i njeh dhe i respekton të gjithë profetët paraardhës dhe librat e shënjta, si të thuash feja islame është njikohësisht trashëgimi dhe përsosje e predikimeve paraardhëse. Islam do të thotë: besimi në një Zot dhe nënshtrim ndaj Tij. Të besuarit në urdhërat e Zotit dhe në porositë e Profetit Muhamed. Feja Islame është themeluar mbi dy parime të mëdha të besimit: 1. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe 2. Muhamedi është i dërguari i Zotit si profet për tërë njerëzinë.
•••
Qytetërimi ose kultura kristiane ka qenë e aftë të pranojë ndryshimet e mëdha dridhëruese për ‘të, nëpërmjet pranimit që vjen nga sakrifica, e cila është mesazhi i arritur nga shumë përpjekje dhe punë të vlefshme të kësaj kulture. Aktet e rrëfimit dhe të faljes, sipas traditës së krishtere, përbëjnë pranimin e sakrificës. Rrëfyesit gjatë rrëfimit sakrifikojnë krenarinë e tyre, ndërsa falësit sakrifikojnë duke hequr dorë nga diçka e shtrenjtë për zemrat e tyre.
Falja mund të realizohet vetëm në disa kushte dhe kultura e faljes është ajo që kultivon vetë këto kushte në shpirtin e secilit. Njeriu mund t’i falë ata që e kanë lënduar, plagosur ose vrarë, vetëm nëse ata e pranojnë gabimin e tyre. Ky pranim bëhet me anë të pendimit, kompensimit, ballancimit të dëmtimit. Duke mbajtur parasysh aktin pendues dhe përunjësore, gabimbërësi shkon tek viktima e tij dhe rivendos barazinë morale, nga e cila bëhet e mundur akti i faljes. Këto akte, në traditën judeo-kristiane përfshihen në sakramentet e kishës katolike, në ritualet dhe liturgjinë e Yom Kippur (E njohur edhe si Dita e Shlyerjes (Pendimit), është dita e shenjtë e vitit në judaizëm (hebraizëm). Tema qëndrore e saj janë shlyerja dhe pendimi.
Populli hebre tradicionalisht e respekton këtë ditë të shenjtë me një të përafërt, periudhën 25-orëshe të agjërimit dhe lutjes intensive dhe shumicën e ditës ta kalojnë në shërbimet sinagoga. Kultura kristiane ka trashëguar rrëfimin e gabimeve tona, shlyerjen e tyre ndaj viktimave dhe përgjegjësinë e secilit. Edhe në praktikën e islamit dhe në moralitetin e Kur’anit, falja ka një vend të rëndësishëm, po ashtu dhe sakrifica, e cila kushtëzohet me periudhën 30 ditëshe të agjërimit dhe të lutjeve në xhami. Pranimi i vazhdimësisë së riteve fetare nga islamizmi, qëndron në përkushtimin ndaj betimit të bërë, siç është rituali i kurban bajramit, e cila simbolizon realizimin e besës së dhënë Zotit nga profeti Ibrahim (Abraham) për therjen e djalit, Ismailin. Siç e shikojmë kemi nji lidhje midis këtyre virtyteve dhe trashëgimisë judeo-kristiane dhe trashëgimisë islame, kultura të cilat janë përqëndruar, përgjatë shekujve, në virtytet e faljes, pendimit, rrëfimit (llogaridhënies), përkushtimit ndaj fjalës së dhënë (besës).
Qoftë përvoja e vendi tonë dhe ajo europiane, bile dhe botërore, krijojnë bindje, se për të na udhëhequr duhet të fitojnë vetëm qeveritë e përgjejshme të cilat veprojnë për të drejtuar përmes respektit të ligjit, vullnetit shpirtëror të zgjedhësve dhe përmes kulturës së rrëfimit (llogaridhënies).
Në këndvështrimin e politikës, këto elemente të gjendjes njerëzore janë mohuar nga sistemet totalitare të shekullit XX-të, si Lufta e Parë Botërore, Luftrat Ballkanike, Lufta e Dytë Botërore, Sistemi komunist, pa lënë mënjanë dhe luftën e Ftohtë mes shteteve. Dukuri për mohimin e elementeve të mësipërmë, duke i kushtuar pak kujdes, i shikojmë edhe sot në sulmet, apo shpërthimet e ndryshme të emocioneve antikristiane të Bashkimit Europian dhe “diktaturën” e disa prej parisë së saj. Kjo dukuri politike e kohës tonë, në asnjë mënyrë nuk është rrjedhojë e besimeve fetare, qoftë e besimit të krishterë, qoftë e besimit islam, por është shumë më personale. Siç e kemi përsëritur, pavarësisht bindjeve fetare dhe personale të popujve të Europës, kërkohet ndërgjegjësim nga të gjithë, se besimet fetare, në fund të fundit, konkretizohen me kulurat tona, të gjithë sëbashku trashëgojmë çdo arritje të vlefshme, të çmuar që na kanë lënë paraardhësit, sikundër do të lëmë vlerat e mira të krijuara gjatë periudhës tonë, të cilat duhen ruajtur, mbrojtur, për tua lënë trashëgim pasardhësve tanë, pikërisht kësaj duhet ti shërbejë edhe politika, e cila nuk duhet lejuar të ndërhyjë në ndikimin e asnji besimi fetar. Me këtë këndvështrimi arrijmë se përcaktimi i kombit nuk mund të jetë absolut mbi baza fetare, por përpjekjet të bëhen në drejtim të vlerave, civilizimit të popujve, emancipit dhe zhvillimit të tyre, të synohet drejt respektit, bashkëpunimit dhe bashkërendimit mes popujve, pavarësisht nga raca, besimi, apo ideje dhe vendi.
Në Siri po mbushen 4 vjet që ka shpërthyer nji luftë me slogane fetare, në të vërtetë ajo nuk mund të konsiderohet e tillë, pasi forcat përballëse përbëhen me elementë nga të dy besimet fetare. Lufta në Siri, fillimisht nisi mes palës qeverisëse mbretërore dhe asaj opozitare me synime demokratike për tu çliruar nga diktatura. Nga shtypi i përditshëm informohemi me lloje interesash nga më të ndryshmet ndërmjet shteteve fqinj ose jo me Sirinë. Sigurisht nuk marr përsipër të analizoj ngjarjet e tmerrshme në Siri, nuk është ky objekti i shkrimit, por konstatojmë mendime nga më të habitshmit, siç mund të citojmë: “Ndërkohë armiqtë turq të miqve tanë kurdë janë në një farë mënyrë aleatët tanë fisnikë. Krahasoni qëndrimin tonë të pazakontë ndaj armikut tonë të tmerrshmit Bashar Al Assad, por që njëkohësisht është edhe kundër ISIS”.
Më pas, nga këto përballje, nuk mbeten pa u përfshirë edhe interesa të kundërta të shteteve të tjera, gjë që krijoi dhe fantazmën shtetërore që në emër të fesë, shkatërron gjithçka edhe vetë fenë dhe thesaret e trashëgimisë kulturore, shkatërrohet kultura dhe, popullsia e gjendur para kaosit, tmerrit dhe varfërisë, merr rrugët e mërgimit dhe i drejtohet shteteve europiane. Disa krerë europianë, institucione sociale dhe segmente përfaqësuesish krishtere, me qëndrimet e tyre arrijnë pa e kuptuar në antivlerat e krishtere, duke dalë haptazi me predikime dalluese fetare, me preferenca pranimi vetëm refugjatë të besimit krishterë. Situata tragjike e krijuar kërkon aftësia për të shpjeguar dhe analizuar shkaqet e ngjarjeve, kuptimin e tyre ose ideve, arësyet për ndërmarrjen e veprimeve ose qëndrimeve të caktuara, të ndash diçka në pjesët përbërëse të ngjarjeve, për të kuptuar shkaqet e tyre, pjesët përbërëse dhe pasojat e ideve, të proceseve të caktuara shoqërore, politike ose ekonomike. Në zgjidhjen e situatave tragjike, për shoqëritë që mbartin vlera, qofshin të krishtere apo islame, domosdoshmërisht kërkohet ndërmarrja e këtyre veprime dhe aspak të pranueshme mendimet, idetë dhe aq më keq veprimet për diferencime fetare, racore, etnike apo ngjyre ndaj refugjatëve të cilitdo vendi. Për rastin konkret, lipset pastrimi i vendit nga helmi i hedhur në atë tokë, duke u bashkërenduar vendimmarrjet e Fuqive të Medha, me distancime nga preferencat si ato pro dhe kundër njërit apo tjetrit krah, të ndalet vringëllimi i armëve në kokat e popullsisë së pafajshme, e krishtere apo islame qoftë, kur i gjithë ai vend është kthyer në tmerr, skëterrë dhe shkretëtirë. Pas arritjeve të marrëveshjeve për armpushim, të ndihmohet dhe të sigurohen kushtet që vendi të kryej zgjedhje të ndershme.
Keqardhje të theksuar dhe të pabesueshme shpreh edhe për informimin e bërë me shkrimin e datës 03/10/2015 në gazetën Shekulli, se ekziston nji organizëm i emërtuar: “Bashkim ortodoks ballkanik kundër Shqipërisë së Madhe”. Sipas autorit të shkrimit, ky organizëm fetar na qenka trembur, mbasi, sipas tyre: “Nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’i mbështesin plotësisht shqiptarët dhe Bashkimi Evropian qëndron në heshtje për projektin e të ashtuquajturës Shqipëri e Madhe, atëherë mund të krijohet një bashkim ortodoks midis Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë”. (Kështu raportonte televizioni maqedonas “Sitel”). I njëjti version jepet edhe nga Agjencia bullgare “Fokus”. Ndërsa analisti Vit Klima shkruante para pak kohësh në “aktualne.cz” se: “nëse rusët do të arrinin të krijonin perandorinë ortodokse në Europën Lindore dhe Jugore, ata do të ndryshonin rrotën e historisë. Nuk duket rastësi që presidenti rus, ka folur për ndikimin dhe vlerat e ortodoksisë dhe bile për familjen e popujve ortodoksë”. Këtë instrumentalizim të ortodoksizmit… të ambicieve globale të Rusisë, e ka denoncuar edhe ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt (personalitetet nga më të shquarit e diplomacisë europiane), i cili ka bërë paralajmërimin: “Linja e re antiperëndimore e Vladimir Putinit bazohet në konservatorizmin e thellë të ideve ortodokse. Ortodoksia është rreziku kryesor për civilizimin perëndimor”.
Kështu bashkimi ortodoks i cituar më sipër, na u tremka se territoret e shqiptarëve, dikur të pushtuara prej tyre, do të përfshihen në shtetin amë, dhe për të mos ndodhur kjo, sipas tyre garancia na qenka “bashkimi fetar ortodoks”. Pra, bashkimi fetar ortodoks ka shpallur luftë fetare, duke ringjallur Kryqëzatat, të cilat u zhvilluan në shekujt XI deri në atë të XIII-in, të cilësuara Luftëra të Shenjta. Emërtimi “kryqëzatë” mund të përdoret për të treguar çfarëdo lufte të shpallur për shkaqe (shtysa) fetare. Nga tetë Kryqëzatat, ajo e fundit e zhvilluar në vitin 1270, ishte më e rrezikshme. Fundi i Kryqezatave ishte viti 1291.
Mos vallë shoqërisë njerëzore po i kanoset Lufta e tretë Botërore, e inspiruar mbi baza fetare?. Nuk e di, por Euroatlantikët duhet të rrisin vigjilencën mbarë botërore.
•••
Ka disa shtete, sidomos ballkanike, që ushtrojnë trysni ndaj popujve me besim të ndryshëm fetar në drejtim të ndërrimit të identitetit duke kaluar në besimin ortodoks dhe akoma më shumë përvetësojnë ortodoksinë duke e konsideruar se besimin ortodoks e përfaqesojnë vetën ata. Nji sipërmarje e tillë e gabuar, ka krijuar çarje të mëdha mes popujve fqinjë, megjithatë ata e vazhdojnë me fanatizëm këtë rrugë duke krijuar tensione politike, fetare, kombëtare, gjatë shekujve edhe konflikte të armatosura.
Për të pushtuar territore të popujve fqinjë, shteti Grek, krahas kriterit fetar se ortodoksia krijon kombin grek, ka përdorur mashtrimet, shpifjet, gënjeshtrat dhe forcën ushtarake për të diktuar besimin dhe zgjerimin e territorit, sidomos gjatë dhe pas luftrave Botërore dhe Ballkanike. Le të njihemi me nji shembull tipik, atë të genocidit grek ndaj çamëve myslimanë (jo se nuk ka shembuj të tjerë), i cili saktësisht vërteton përdorimin e ortodoksisë për të ç’identifikuar çamët myslimanë dhe jo vetëm ata.
Gramatikonjtë grekë, për të poshtëruar çamët myslimanë, në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XX-të dhe në vazhdim, predikonin me forcë se çamët ishin fise të lashta greke, “por ata tradhëtuan kombin e tyre me konvertimin në islam në shkallë të parë dhe duke idenifikuar veten e tyre në një komb alien në sekondë”. Trajtimi i tyre me këto epitete prej mësuesve grekë, bie ndesh me letrën e Lord Byronit, i cili i dërgonte Zonjës Byron nga Preveza (qyteti jugor i Çamërisë), në 12 Vjesht’ e tretë 1809, dmth para 104 vjetësh (me vitin 1913), ku ndër të tjera i shkruante: “Shqiptarët nuk i japin rëndësi fesë”. Nga kjo shprehje e Lordit Byron, kuptohet se ekzistonte ndërgjegja kombëtare dhe çamët identifikoheshin shqiptarë shumë më përpara se viti 1913. Të identifikosh diçka do të thotë ta dallosh atë nga diçka tjetër, ta klasifikosh ose ta gruposh sipas ngjashmërisë, pikërisht këtë dallim çamët e vërtetuan edhe ndërkombëtarisht. Nga ana tjetër rezulton se çamët, pavarësisht nga ndërrimi i fesë, nuk e fetishizonin atë. Personalitete të huaj që kanë vizituar krahinën edhe para Lordit Byron, kanë pohuar se krahina nuk shquhej për ndjekjen e riteve fetare edhe në kohët para osmane. Besoj se shpifjet dhe gënjeshtrat greke nuk kanë vlerë për të çmoralizuar çamët, por ato epitete nuk ishin edhe pavlerë, sepse vlera qëndronte në krijimin e atmosferës armiqësore ndaj tyre si myslimanë dhe me etni shqiptare, për ti vrarë, dëbuar dhe tjetërsuar territorin e Çamërisë, siç vepruan edhe me etnitë e tjera gjatë dhe pas Luftërave Botërore e Ballkanike.
Jemi të ndërgjegjshëm se ka shtete të cilët jetojnë ende me ndërgjegjen e shekujve të bizantit, apo të otomanit, të shekullit të XX-të i cili krijoi dy luftëra botërore, luftrat ballkanike, krijoi sistemin komunist dhe luftën e ftohtë, që të gjitha së bashku penguan seriozisht përparimin shoqëror të njerëzimit dhe pa asnji mëdyshje nuk u kryen në favor të besimeve fetare, por në interes të kupolave drejtuese përkatëse. Janë pikërisht këto përvoja që duhet të synojmë drejt nji shoqërie njerëzore të civilizuar, të emancipuar, që kultivon vlera morale. Të arrijmë të përputhim Ndërgjegjen, e cila ka mbetur tek disa shtete shumë prapa Qënies, në të cilën ndodhemi aktualisht. Shembuj të qytetërimit, civilizimit dhe emancipit të popujve, e kemi të gatëshme dhe e gjejmë tek popujt e racave, etnive dhe besimeve të ndryshme në Shtetet Bashkuara të Amerikës.
•••
Aktualisht jetojmë në rrethanat ku opinionet e popujve, sidomos në ato të Ballkanit, ende nuk janë çliruar nga perceptimi i shoqërisë dalluese mes besimeve fetare (mbajtje qëndrimesh dhe përcaktimesh në bota krishtere dhe bota islame), të cilat u trajtuan pak më sipër. Nga ky ambient politiko-shoqëror, nuk mund të shkëputesh aq lehtë, besoj dhe shkrimtrari Ismail Kadare në artikullin “Ballkani, mes Perandorisë Osmane dhe Europës” të datës 25 Shtator 2015, prandaj shkruan: “Turqia, bërthama e Perandorisë pushtuese, ajo që me shpatë dhe Kuran kishte bërë çnuk e çmos për t’i kthyer ballkanasit nga europianë në otomanë, e nga të krishterë në islamikë, në mbarim të kacafytjes përfundoi ajo vetë në një shtet laik e republikan”. Më pas vazhdon: “Është e vërtetë se popujt e Ballkanit i bënë qëndresë Perandorisë, por po aq e vërtetë është se ata u bënë pjesë e saj, pra pjesëtarë në trofetë, në bëmat dhe në krimet e saj”.
Studiuesit, historianët, shkrimtarët, apo analistët, në arritjet e ideve, përfundimeve dhe shkrimeve të tyre, pavarësisht nga rrethanat dhe ambienti, në misionin e tyre duhet të mbështeten në analiza të plota, të mundohen ti shmangen rutinës së kohës që jetojnë, pasi analizat për periudha të pjesëshme, dhe me këndvështim të njëanshëm, siç është rasti i marrjes në analizë vetëm periudha e Perandorisë Osmane, riskohemi të rezultojmë me përfundime të cunguara dhe nuk arrijnë qëllimin e duhur. Nëse analiza do të shtrihej edhe me Perandorinë Romake, e cila me shpatë e zjarr dogji mbi 70 qytete në Epir, shkatërroi çdo qytetërim të arritur, mori me vete 150.000 epirotë duke i shitur si skllevër, apo në gjithë Ilirinë ku shkatërroi gjithçka deri edhe në shpërbërjen e saj. Ishte ajo perandori që luftoi paganizmin dhe vendosi kristianizmin. Ashtu si popujt e Ballkanit i bënë qëndresë edhe perandorisë osmane, sikundër u bënë edhe pjesë e saj, i njëjti qëndrim i popujve të Ballkanit ndodhi edhe në Perandorinë Romake. Të njëjtën rrugë ndoqi në qëndrimet e saj ndaj të pushtuarve edhe Perandoria Bizantine që shkatërroi dhe skllavëroi popujt, u ndërroi identitetin dhe toponimet në çdo vend që shkeli, diktoi besimin ortodoks, edhe në atë perandori, ballkanasit i bënë qëndresë, por dhe u bënë pjesë e saj.
Në përfundim, duke qenë se të gjitha perandoritë ishin as më pak e as më shumë njëlloj të dhunshëme ndaj të pushtuarve, analiza e plotë na qartëson se faktorët që ndikojnë tek pushtuesit nuk udhëhiqen nga besimet fetare, por nga individualiteti i instiktit kafshëror të diktatorëve, që priren drejt pushtetshmërisë dhe ekspansionizmit, duke shfrytëzuar, sipas rrethanave, predikimet fetare. Për ne shqiptarët nuk është e vështirë të kuptuarit e kundërshtarit, sepse kemi histori mijëravjeçare përballëse me ‘ta. Të gjitha perandoritë tek ne synonin në likuidimin e etnitetit tonë, sepse dihej që ishim pasardhës të Ilirëve, prandaj ata kanë përdorur fshirjen ndaj nesh, na kanë shkatërruar librat, kulturën dhe historinë. Duke fshirë historinë, kulturën dhe shpërbërjen Ilire, nuk mund të lejonin rilindjen e saj me vazhdimin e shkrimeve, kulturën dhe historinë me kompaktësinë e fiseve të tronditura ilire, të shpërndarë e mbetur thellësive dhe largësive, prandaj deri në fillim shekullin XX-të, ndaj etnisë shqiptare u ushtrua dhunë shkrimit, me mos hapjen e shkollave shqipe, dhunë kulturës dhe historisë pelazgjiko-ilire.
Krahas hapave për likuidimin e paraardhësisë tanë, ata filluan dhe shkruan libra të reja, ndikuan në krijimin e kulturave të tyre për ne, përmes dhunës së ndërrimit të besimit, shpikën histori të reja, duke na luftuar me ashpërsi në mohimin dhe humbjen e identitetit, nëpërmjet shpifjeve, gënjeshtrave, mashtrimeve të cilat janë shtretër të shtruar prej perandorive dhe që na shoqërojnë dhe sot nën fshehtësi me gjoja ortodoksinë-komb-grek. Të gjitha mjetet dhe metodat e përdorura prej tyre, nuk arritën plotësisht në suksesin e dëshiruar për likuidimin tonë si popull, mbasi kjo etni bazohet pa u lëkundur në ruajtjen e kujtesës për përkatësinë e gjuhës, farë e fisin, gjakun, territorin, zakonet, traditat; të cilat mes dallgëve të dhunshme historike kanë bërë të mundur mposhtjen e tyre dhe dalëngadalë po arrihet në rilindjen e Ilirisë, në zbulimin e kulturës, shkrimit, historisë së saj nga sa dhe bota sot ka filluar të tronditet prej marrëzive të përdorura. Kohët që kanë kaluar dhe që priteshin me shumë dëshirë prej armiqëve, nuk arritën në harresën e kombit tonë. E dimë ç’farë kemi qenë, ç’farë jemi dhe se ku shkojmë..
Nëse ne, popujt e Ballkanit, përpiqemi për tu bërë anëtarë të Bashkimit Europian, në mendimin tim, nuk udhëhiqemi nga besimet fetare, as jemi arratisur dhe as kemi ndonji “shenjë” për tu bërë të huaj për racën tonë europiane. Ne jemi në vendin tonë, kemi identitetin tonë, kemi kombin tonë. Ne ndryshojmë nga disa të tjerë, ku kanë rënë viktimë edhe individë apo turma individësh nga farë e fisi ynë, në dy kritere tepër domethënës, në atë që kombin e përcaktojmë nga gjuha, vendi, traditat, zakonet, pra nisemi nga arësyet objektive, ndryshe nga percaktimi i kombit nga besimi fetar, pra nuk nisemi nga arësyet subjektive dhe e dyta, rrjedhojë e së parës, nuk mendojmë dhe nuk pranojmë që ndërrimi i besimit fetar shpie në ndërrimin apo tjetërsimin e identitetit.
Mendimet për ndryshim nga ky kriter, për të hequr “shenjën dalluese”, siç “tregohet në prrallën me shpendin”, atëhere do të binim pré e propagandave armiqësore që synojnë me epërsira besimesh fetare, shtrirjen e hapësirave territoriale, ekspansionizmin. Pra, në rastin tonë konkret, do të pranonim predikimin se besimi ortodoks përbën kombin grek dhe gjithë territori shqiptar, që ka në përbërje qytetarë të identitetit shqiptar me besimin ortodoks, përfshi dhe ata qytetarë shqiptarë që do të pranonin ndërrimin e besimit duke u kthyer në besimin ortodoks, kuptohet qartë se kombi me identitet shqiptar do të shuhej, dhe do të identifikoheshim–komb grek, qëllim ky shekullor i fqinjëve tanë.
Nëse “shenja jonë”, e shprehur në mos ndërrimin e besimit, nga e cila familja nuk e pranon më shpendin e kthyer, ne i përgjigjemi se jemi në vendin tonë, nuk jemi arratisur askund dhe nëse përpjekjet për bashkimin politik europian, kushtëzohen nga dikush me ndërrimin e shenjës, përsëri përgjigjemi se pikërisht kjo shenjë dalluese na ruajti identitetin, prandaj simboli i shpendit që trashëgojmë na bën të dallueshëm nga të tjerët (qofshin grekë, serbë, turq, apo alienë), krahas kësaj nuk mund ta konceptojmë hyrjen apo mos hyrjen në Bashkimin Europian me tregëti të elementeve subjektivë. Në gjykimin tim, nuk duhet ta shikojmë Bashkimin Europian si të krishterë, por si nji organizëm europian që ka dhe jep vlera civilizuese, toleranca fetare, etnike, prosperitet dhe zhvillim të vazhdueshëm të shoqërisë njerëzore, jashtë kufizimeve kushtëzuese fetare.
Virtyte këto që njihen botërisht të pranishme, jo si vlera të kultivuara, por si vlera natyrore të popullit shqiptar.
•••
Nji aspekt tjetër me rëndësi të veçantë, më shtyn të bëj të njohur disa nga përfundimet shkencore të Adam Smithit (1723-1790) filozof skocez, përmendet si babai i ekonomisë moderne dhe ende sot është ndër mendimtarët më me ndikim në fushën e ekonomisë. Në librin “Pasuria e Kombeve” (1776), vepra më e madhe letrare dhe puna e parë moderne për ekonominë, ai shkruan: “Në një ekonomi tregu dhe në një vend ku ligji sundon në mënyrë të paanshme, interesi çon drejt shpërndarjes optimale të burimeve”. Smith nuk e sheh lirinë ekonomike si thelbin (shumatoren) e politikës, sikundër nuk beson se interesi është i vetmi ose më e rëndësishmja devizë (moto) që administron ose qeveris sjelljen tonë ekonomike. Një treg mund të prodhojë një shpërndarje racionale të të mirave dhe shërbimeve vetëm kur ka besim mes pjesëmarrësve dhe besimi ekziston vetëm kur njerëzit marrin përgjegjësi për veprimet e tyre dhe ju japin llogari atyre me të cilët kanë marrëdhënie. Ndërsa tek “Teoria e Sentimenteve Morale”, Smith thekson se “besimi, përgjegjësia dhe llogaridhënia ekzistojnë vetëm në një shoqëri që i respekton ato dhe vetëm atje ku fruti spontan i simpatisë njerëzore lejohet të piqet. Atje ku simpatia, detyra dhe virtyti kanë vendin e tyre, atje interesi çon, me anë të dorës së padukshme, në rezultate nga të cilat përfitojnë të gjithë. Në çdo shoqëri ku interesi ka sukses, në themel të saj gjendet vetë sakrifica”. Përfundimisht nga sa sipër na jepen mundësitë teorike për të kuptuar se “rendi ekonomik është në vartësi të rendit moral”, teori të cilat duhen zbatuar rigorozisht nga çdo qeverisjeje për zhvillimin e shoqërisë.
U ndala tek këto konkluzione të arritura nga A. Smith para 239 vitesh, me qëllimin e vetëm për të gjykuar dhe analizuar gjëndjen ekonomiko-politike të shoqërisë tonë, duke i ballafaquar thëniet e tij me veprimet qeverisëse të vendit tonë. Tashmë duhet kuptuar prej të gjithëve, se qeverisjet tona duhet të respektojnë ligjin, të rrisin përgjegjshmërinë ndaj vendit dhe popullit si dhe të zëvëndësojnë debatet brutale në politikë e kudo, që japin të kuptojnë falsitetin e tyre në shërbim të ruajtjes së mëkateve të ndërsjellta (cilësohen jo morale) me llogaridhënie të sinqertë për ç’farë kanë qeverisur mes premtimeve elektorale dhe plotësimit të tyre (cilësohen morale).
Duke u ndodhur para këtyre dukurive, personalisht dëshiroj që shtetet në Ligjet themelore të tyre të miratonin kritere bazë për përcaktimin e kombit “Farën”, vendin autokton, gjuhën, traditat, zakonet; ose vlerat civilizuese, toleruese, emancipuese, të cilat qëndrojnë mbi identitetet fetare, si pjesë e ndërgjegjes që duhet të jetë në vendin e dytë të renditjes, gjithashtu mendoj se e ardhmja e shoqërisë njerëzore duhet të dërtojë marrëdhëniet mes popujve, jo duke u bazuar tek besimi fetar, por tek marrëdhëniet mbi bazën e përfitimit, duke mësuar prej njëri-tjetrit dhe të përgadisim brumin për nji kombësi të civilizuar, të emancipuar, larg emocioneve të së shkuarës, pa përjashtuar edhe ato fetare.

Fahri Dahri – Bergamo, më 12/11/2015

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura