ILJASA SALIHU: GOJA E KAOSIT!

Kumanovë, 03. 06. 2015 – Nëse mbizotëron kaosi në trafik, atëherë më të gjindshmit prej ngasësve janë ata që shkaktojnë kaos në emër të zhdërvjelltësisë së tyre. Vetëm pasi t’i thyejnë hundët në ndonjë aksident, lirohet dhe rregullohet trafiku! Po të ishim në luftë, të paktën ose do të luftonim, ose do t’i shërbenim në ndonjë mënyrë luftëtarëve. Po të ishim në paqe, atëherë të paktën do t’i shërbejmë mirëmbajtjes së paqes dhe do t’i nderonim si duhet ndërtuesit e saj. Për fat të keq, jemi më keq se në luftë, ngaqë nuk jemi as në luftë të armatosur dhe as në paqe të paktën të syrgjynosur. Nuk është se nuk jemi asgjëkund. Jemi diku. Jemi pikërisht aty ku nuk do të duhej të ishim. Jemi aty ku nuk duam të jemi. Jemi në kaos, ku pështjellimi i madh dhe rrëmuja kanë fjalën kryesore, mirëpo fjala pështjellim dhe rrëmujë as si fjalë anësore nuk thuhet. Jemi këtu, ngaqë nuk arritëm të bëhemi faktor, ku ta paktën do ta përcaktonim vendin se ku do të duhej të ishim, qoftë edhe ai vend jo aq i lakmueshëm. Se ku jemi, shpejt e mësuam, por ku duam të vemi?
Faik Konica thoshte se njeriu ynë, para se të merret me politikë duhet të emancipohet, kurse për t’u marrë me patriotizëm duhet ta njoh vetveten. Ç’të thuash kur njeriu ynë hyri në politikë për t’u emancipuar dhe nuk hyri i emancipuar. Ndonëse pas tetë vjetëve filloi të emancipohet, por atë kohë shoqëria ishte bërë anemike dhe armike mes veti, ngaqë ky sikurse të jetë shushunjë ia kishte thithur gjakun dhe sikurse të jetë një dhelpër, kishte ndezur fitilin e përçarjes. Me të hyri në pushtet, njeriu ynë u josh tej mase pas shtetit e pushtetit, duke harruar se kush ishte dhe kush është, prandaj asgjë nuk i mbeti prej patriotizmit. Shpejt harroi se kush ishte, si ishte dhe për çka ishte aty ku ishte! Në qerthullin e kësaj amullie, ata së bashku edhe me shoqërinë e manipuluar prej tyre, krijuan kaos, duke qenë të vetëdijshëm se vetëm në këtë luginë mund të përzihen me ujqërit origjinal sa për t’u mbrojtur po prej ujqërve. Mbase edhe ashtu ata kishin mundësi të bëheshin ujqër, siç thoshte Alija Izetbegoviçi se ata (serbët) u bën ujqër për shkak se ne (boshnjakët) lejuam të bëhemi dele. Kësisoj, rrodhi kaosi i vërtetë, sepse në të vërtetë nuk dihej se kush ishte realisht ujk e kush dele!

Rrjedhimisht, kaosi shkaktohet prej atyre që nuk janë në gjendje dhe të aftë të fitojnë, përparojnë dhe të jetojnë në kushte normale. Vetëm në kaos rrushin e kalbur mund ta shesin për rrush të tharë. Ju mund të shisni broçkulla dhe në shkëmbim të kësaj të fitoni para të majme. Ju mund të pasuroheni shumë, që lëni të kuptoheni se keni nevojë të pastroheni shumë pas kësaj periudhe apatie. Në kaos ju mund ta kapni në dorë politikën, në këmbë biznesin, në shpinë policinë, në kokë shërbimin sekret dhe në shpatulla tregtinë me çiltërsinë e popullit. Kaosi është një gjë e mirë për ata që nuk duan të mësojnë, ngaqë fare pa mësuar bëhen të atillë që dërgohen për t’i mësuar të tjerët. Kaosi prodhon intelektual të varur prej politikës dhe fare të varur prej librave. Në kaos vlera e librit matet me gjasën e librit për ta nisur zjarrin sa më shpejtë. Kaosi fashitë peshën e fjalës. Mund të flasësh ç’të kujtohet, sepse askush nuk ta var veshin, përpos në ndonjë rast kur fjala jote i duhet politikës për t’ia tërhequr vëmendjen shoqërisë prej jashtëqitjeve të tyre. Kaosi bëri që ne të krenohemi me servilët, të cilët kanë goxha tituj e libra, por që besnikërisht i shërbejnë pushtetit keqbërës, përderisa lexojmë se grekët krenohen me Eskilin, italianët me Danten, anglezët me Shekspirin, gjermanët me Gëten, francezët me Balzakun, personalitete këto të cilët nuk u mitizuan, as nuk i vunë si stoli në histori, por testamenti i tyre – dituria u përdorë për ta ndërtuar sa më mirë të ardhmen, kurse pikërisht në këtë kohë të kaosit, shqiptarët duhet të krenohen me ata që po i shkruajnë elegji për së gjalli shkaktarëve të këtij kaosi. Kaosi shpalosi edhe disa fytyra, që dikur i njihnim si fytyra vetëm me një fytyrë. Me pak fjalë, kaosi është i mirë për njerëzit e këqij, ashtu siç është i mirë mishi i ngordhësirës për hienat.
Kaosi nuk është diçka e përjetshme, ashtu siç nuk është e përjetshme vetë fjala përjetësi në këtë botë të përkohshme. Kaosi do t’ia mbathë për në shpellën e turpit. Kjo është e sigurt. Po kur? Atëherë kur prurësit e kaosit do të fillojnë ta hanë njëri-tjetrin porsi kafshë grabitqare. Kaosi do të rrëzohet prej vetë atyre që një gjë të tillë e sollën. Kaosi do të shembet prej atyre që e ndërtuan këtë ngrehinë, duke pasur për qëllim shkatërrimin e saj, por edhe shpëtimin prej kësaj shembjeje, të cilët vetëm në këtë të fundit nuk ia qëlluan. Sa i ngjashëm është kaosi me ata që kurorëzohen vetëm sa për t’u shkurorëzuar! Ata që u pasuruan në kohë krize, vetëm pasi t’ia mbathë kaosi do të bien në krizë të rëndë; jo vetëm në atë financiare. Vetëm një gjë duhet pasur shumë kujdes kur është fjala për kaosin, gjegjësisht për këtë periudhë të zymtë. Kaosi i ha dhe i harxhon njerëzit e drejtë dhe të përgatitur. Ata nuk duhet të futen me tërë trupin e tyre në zjarrin e ndezur prej keqbërësve. Ata duhet të jenë të kënaqur, sepse puna e tyre sado e vogël, bëri që zjarri të del sheshit dhe t’i djeg ata që deri në një kohë ishin munduar ta mbajnë të fshehur zjarrin. Ata duhet të jenë me energji pas kësaj periudhe të rëndë, sepse pastaj kërkohen njerëz të ndershëm e të ditur. Të atillë që dinë se si ta ndërtojnë paqen, duke mos lënë në këtë kala frëngji për gjuajtje me pushkë. Shkurt e qartë, të atillë që para se ta mendojnë luftën, do të mësohen njëherë e përgjithmonë se si ta ndërtojnë dhe ruajnë më së miri paqen. Kësodore, nuk ke nevojë të lodhesh së kërkuari luftën, mjafton të dështosh në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes!  

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura