(Prishtinë, 17. 10. 2012) – Zyrtarisht, intelektual është kushdo që ka diplomë. S’ka rëndësi ku e ka gjetur dhe a ka dije. Puna e diplomës që të bën intelektual më kujton atë episodin te “Magjistari i Ozit”, ku ky i fundit i jep zgjidhje kërkesave të dordolecit për të fituar tru, me një letër diplome që e kthenin zyrtarisht këtë në ”intelektual me tru”. Normalisht, intelektual dihet që është dikush me njohuri të gjerë, edhe po s’pati bërë shkollë, edhe nëse s’bën punë prej intelektuali.
Mund të jetë autodidakt. Nëse ke një dyqan ku shet presh, por ndërkohë kërkon me këmbëngulje njohuri, qoftë nga librat e qoftë me burime të tjera informacioni, dhe je i aftë të shprehesh qartë e bindshëm në shumë fusha, s’ke asgjë më pak se një intelektual. Intelektual është një njeri që sigurisht nga njëra anë ka përgatitje të lartë profesionale dhe kulturë qytetare, po nga ana tjetër vret mendjen vazhdimisht për të rritur dijet e tij dhe për të sjellë diçka të re dhe me vlera në shoqëri. Intelektuali ka sy kritik, zemër patriotike dhe kërkon të pasurojë trurin e tij me dije.
………………………………………
Intelektuali është njeri i rregullt – i rregullt edhe me ligjet, nuk mund të jetë injorant ose kryemafioz. Truri i tij është i pasur, shpirti i tij është kërkues, mendja e tij shumë herë ikën nga kufijtë që vë shoqëria e një vendi. Gjuha që përdor është e pasur, e pastër nga fjalë të huaja dhe e kuptueshme – jo si gjuha që përdorin parlamentarët në Shqipëri e Kosovë – ai vetë ndihmon në pasurimin e gjuhës mëmë. Intelektual quhet një njeri “i shkronjave”, njeri që ka mbaruar një shkollë, njeri që ka dije dhe ka shkruar diçka me të cilën mund të jetë bërë i njohur.
Intelektual quhet ai person që ka një intelekt të zhvilluar shumë të saktë dhe të mprehtë në profesionin e tij. Zgjuarsia, dijet, horizonti dhe kultura të gërshetuara së bashku japin personin intelektual. Një intelektual i plotë është pikërisht ai që idetë e tija janë të veçanta nga shumica e masës. Dhe Shqipërisë Etnike, intelektualët e mirëfilltë nuk i mungojnë, përkundrazi! Mos të ngatërrojmë kushtet në të cilat jetojnë këta intelektualë të Shqipërisë Etnike. Ata nuk kanë ku t’i lëvrojnë idetë e tyre në atë shoqëri ku mbizotëron korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi, injoranca etj, etj… Në atë shoqëri që kudo vihet i paafti, intelektuali i vërtetë del në asistencë, sepse nuk është i asaj rryme politike që është në pushtet.
Shqipëria Etnike nuk vuan për intelektualë, por për një politikë të drejtë. Problemi tek ne është që politika e mbrapshtë dhe kriminale, injorantët i ka bërë të sillen si ”intelektualë”. Ata po i marrin dhe po i bëjnë gazetarë disa fëmijë shkolle sa për t’u dhënë një copë rrogë të ulët, dhe atyre u duket vetja intelektualë e që kanë të drejtë të bëjnë analiza të thella. Ky problem ka nisur që nga koha e komunizmit, por që nga paslufta është bërë shumë i theksuar. Kap karrocierë e bëji shefa. Kap shitësa preshi e bëji gazetarë. Kap kriminelë e bëji politikanë. Këta duhej të shisnin presh apo të ishin në burg, por çfarë të bësh… ata sot po fluturojnë…!
(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të ”ALEANCA KUQ E ZI”)