FAIK SMAJLI: DEGRADIMI I KOSOVËS!?

(Londër, 29. 01. 2012) – Euforia jo racionale që kaploi gjithë popullin e Kosovës, që nga përfundimi i luftës e këndej, përfshirë edhe klasën primitive politike që u shfaq në horizont, sikur e ka zbehur luftën heroike e cila po degradon pashpjegueshëm dhe në një farë mënyre po na kthehet si bumerang. Edhe ekzaltimi euforik pas shpalljes formale të pavarësisë së Kosovës është vazhdimësi e euforisë dhe ekzaltimit të parë (pra të mbarimit të luftës dhe suksesit të saj) e cila po i sjell pasojat e veta, pos tjerash edhe një indiferentizëm të frikshëm të masës popullore ndaj zhvillimeve për rreth Kosovës dhe brenda vet saj!? Perceptime dhe sllogane të tilla si; më nuk ka luftë, mbaroi lufta, se tash çdo gjë do të ecë përpara vetvetiu, se nuk na duhen më heronj, se “Bac u kry” dhe nuk na duhet më patriotizëm e as farë lloj nacionalizmi (qoftë ai nacionalizëm pozitiv), mos u shqetësoni dhe fleni dathë se çdo gjë e kemi nën kontrollë, vetëm ne merremi me të gjitha (klasa politike), po na dalin, dhe s’ka si dalin ndryshe, përceptime të gabuara.
Janë perceptime të gabuar, sepse një shoqërie i duhen heronj dhe sakrifica në vazhdimësi, pa ndërprerë. Shoqëria duhet të jetë gjithmonë vigjilete dhe aktive, të reagojë me forcë kur gjërat nuk shkojnë mirë, kur gjërat shkojnë në dëm të saj! Qeveritë gjithmonë duhet mbajtur nën kontrollë dhe nën presion, përndryshe, ato bëhen ujqër e shoqëria shndërrohet në qengja…! Sepse nuk mbarojnë dhe nuk zgjidhen të gjitha me të mbaruar lufta, sidomos në rastin tonë, kur e dimë se si mbaroi lufta. Pas lufte mbesin pasoja dhe problem të shumta që kërkojnë zgjidhje e sakrifica shtesë. Si kur se në luftë që duhen heronj dhe heroizma, po ashtu edhe në paqe dhe gjysmëpaqe (siç mbretëron tek ne) duhet të ketë heronj të paqes që janë të gatshëm të sakrifikojnë në çdo moment, në çdo kohë dhe hapsirë.
Tashmë jo me armë se nuk ka luftë, por me qëndrim politik të vendosur në shërbim të lirisë dhe paqes, pa marrë parasysh pasojat. Nuk janë heronj vetëm ata që tregojnë trimëri e heroizëm vetëm gjatë luftës, por janë edhe ata që tregojnë menquri e vendosmëri dhe bëjnë sakrifica edhe në kohë paqeje, që mbrojnë lirinë, mbrojnë heroizmin dhe sakrificat e heronjve të luftës! Bile heronjt e paqes kanë dhe duhet të kenë përgjegjësi të madhe që të ketë sa më pak heronj të luftës, ose të mos ketë fare, duke e mbrojtur dhe siguruar paqen që të mos vijë deri te lufta.
Qeniet njerëzore ekzistojnë dhe i japin kuptim vetes falë edhe disa rregullave etiko -morale, duke u kujdesur për të miren e përbashkët, dhe po nuk u përfillen këto parime e rregulla etiko – morale, qenia njerëzore shndërrohet në qenie vetëm fiziologjike, që kryen procesin e vetëm – nga goja deri te anusi, proces që është karakteristikë e botës shtazore.
Njerëzimit nuk i duhen dhe nuk i hyjnë në punë qenie njerëzore që shndërrohen vetëm në qenie fiziologjike gojë-anus, aq më pak Kosovës. Kosovës i duhen gjithmonë heronj, që luftojnë dhe sakrifikojnë në emër të paqes, për paqe, por vetëm paqes së vërtetë pa marrë parasysh rrethanat dhe pasojat! Kur Kosova ende nuk është plotësisht e lirë e demokratike dhe pa sovranitet, e sëkendejmi nuk ka as paqe të mirëfilltë, mes tjerash, i duhen edhe sakrifica, sepse i mungon sovraniteti si garancë e lirisë së plotë. Sovrani jep vetëm urdhëra dhe nuk pranon urdhëra, dhe kjo gjë nuk po ndodhë me Kosovën! Përkundrazi!?
Pra, mungesa e sovranitetit dhe mungesa e luftës dhe sakrificave për ta arritur sovranitetin, po e sjellin Kosovën në pozitë të disfavorshme dhe në degradim të lirisë dhe të drejtave të saj. Klasa politike e tanishme e Kosovës dhe çdo klasë që të vijë në pushtet (por edhe opozita) është e obliguar që të luftojë për lirinë e Kosovës, ta mbrojë lirinë e saj me çdo çmim, ta sigurojë sovranitetin dhe ta bëjë Kosovën të denjë dhe të barabartë me shtetet tjera. Këta do të duhej dhe e kanë për detyrë që së pari ta bindin veten e tyre e pastaj edhe të tjerët që t’ia sigurojnë Kosovës ato që u thanë më lart!
Kjo klasë politike me të drejtë pohon se Kosova ka obligime ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por kurrë nuk duhet të harrojë se së pari ka obligim ndaj vetes, ndaj lirisë së vet. Ne nuk mund të ekzistojmë sipas parametrave dhe interesave të bashkësisë ndërkombëtare, por kryekput sipas interesave dhe vullnetit tonë, dhe kjo gjendje në të cilën ndodhemi nuk po përputhet me vullnetin tonë. Nuk duhet pyetur populli vetëm një ditë, ditën e zgjedhjeve e pastaj të veprojnë sipas interesave të tyre, por duhet pyetur në vazhdimësi për të gjitha çështjet që i përkasinë atij dhe vetëm atij. Shpërfillja dhe moszbatimi i vendimeve të sovranit detyrimisht të çon në gabime dhe vendime të dëmshme. Kosova nuk është dhe nuk guxon të jetë vetëm çështje numrash siç po përceptohet e po veprohet në Kuvend, sidomos kur dihet dhe po shihet se sa i pacipë dhe i neveritshëm është bërë servilizmi në skenën tonë politike, por është çështje e secilit prej nesh, është çështje e ekzistencës sonë, e lirisë sonë, e zhvillimit, përparimit tonë, është dhe duhet të jetë çështje e përgjegjësisë dhe llogaridhënjes të secilit. Kjo klasë politike ende nuk e ka arsyetuar me asgjë të qenit në politikë dhe në pushtet!?
Është fatale dhe e pafalshme shantazhimi që i është bërë dhe po i bëhet në vazhdimësi klasës sonë politike, qoftë nga brenda qoftë nga jashtë, i cili shantazh po na sjell pasoja të dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Dhe sikur nuk po mjaftojnë shantazhet e armiqve të jashtëm, kohëve të fundit është mbush Kosova me lloj – lloj akuzash e shantazhesh ndaj njëri – tjetrit, sidomos nga klasa politike. Gjen lloj – lloj akuzash e shantazhesh, në shumicën e tyre qesharake dhe banale. Ka akuza e shantazhe me “Llullë” e me “Kamish”, me duhan furtuz etj. etj.
Kur je i akuzuar dhe i shantazhuar, qoftë me të drejtë, qoftë pa të drejtë, dhe pastaj nuk je i gatshëm dhe nuk ke forcë morale të përballesh me to, detyrimisht, nuk je më vetja, por shndërrohesh në një mjet në duartë e tjetrit – shantazhuesit. Dhe pastaj një i shantazhuar, sidomos kur ka një pozitë vendimmarrës dhe ekzekutiv, është shumëfish më i dëmshëm.Ai e humb arsyen dhe të gjitha parimet etiko-morale, e humb integritetin dhe përsonalitetin e tij dhe shndërrohet në robot, në numër. Kur veç e ka pranuar rolin e shantazhuar, ai mundohet detyrimisht që të tubojë rreth vetes edhe të tjerë (sa më shumë) duke i bërë edhe ata të shantazhuar, dhe në këtë mënyrë bëhet një konglomerat shantazhues. I shantazhuari pastaj edhe me arrogancë bën presione të forta dhe të pa arsyeshme ndaj të tjerëve që nuk pajtohen me të në mënyrë që ta shpërndajë përgjegjësinë sa më gjërë… Ai tani më nuk zgjedh mjete e metoda për të mbijetuar sa më gjatë që të jetë e mundur…!
Siç e dimë, shumica e klasës politike në pozitë kanë dosjet e tyre të ndryshme dhe jetojnë e veprojnë nën presionin e tyre. Bashkësia ndërkombëtare (sidomos ajo proserbe), kanë arritur që ta kenë në dorë mjetin e fortë shantazhues ndaj disa funksionarëve kyç të politikës kosovare. Për këtë ka punuar shumë dhe pandërprerë Serbia…! Presidenti serb Boris Tadiq pat deklaruar para zgjedhjeve të fundit në Kosovë, se nëse ndërron skena politike kosovare në pushtet, nuk do të ketë bisedime. Pra Serbia e ka zgjedhur kryeministrin aktual Hashim Thaçin partner për bisedime, sepse arriti paraprakisht perms Dik Martit ta shantazhojë dhe këtë akuzë – shantazhi ta bëj edhe vendim të KE. Ndjekja, fajësia ose pafajësia e tij dhe disa të tjerëve rreth tij varen shumë edhe nga elasticiteti, dë gjueshmëria dhe kompromiset që do të bëjë ai në emër të Kosovës me palen serbe dhe atë ndërkombëtare. Prandaj kryeministri aktual dhe partia e tij është dashur që në çdo mënyrë t’i fitojnë zgjedhjet e fundit, qoftë duke i vjedhur ashiqare, sepse Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare duhej patjetër ta kishin Thaçin e shantazhuar partner në bisedime, dhe për këtë shkak i pranuan të gjitha parregullsitë e zgjedhjeve.
Dhe si gjithmonë klasa sunduese kujdeset që t’i ketë edhe njerëzit e oborrit të cilët i ka shantazhuar e joshur me bisht të pushtetit dhe me para e të cilët pastaj u shërbejnë përulshëm padronëve të tyre pushtetarë. Ata i kanë gjithmonë “emisarët” e vet kudo për t’i bindur të tjerët (pra popullin) se pushteti po punon dhe po kujdeset shumë për ta dhe të gjitha vendimet që po i marrin janë vetëm në interes të tij!? “Telallët” e pushtetit gjithmonë në gadishmëri janë të pa kompromis dhe bëjnë zhurmë të madhe deri në neveri për plasimin e politikave pushtetare. Këta e kanë për detyrë që edhe ata që nuk pajtohen me veprimet e padronëve të tyre, t’i diskreditojnë, t’i përqeshin e t’i paraqesin si të rrezikshëm për interesat e Kosovës. Atëherë kur nuk bëjnë punë “telallët” e tyre, nuk përtojnë ta përdorin edhe kërbaçin!?
Mjerisht, të paktë janë ata njerëz që u qëndrojnë deri në fund parimeve
dhe idealeve të tyre. E Thaçi me disa të tjerë po shihet që nuk janë në gjendje të sakrifikojnë as karrigën e pushtetit e lëre më më shumë…!? Populli e ka në dorë se si dhe sa do të lejojë që të shantazhohet edh më tutje në kurriz të tij. Kjo që po ndodhë është e padrejtë, e dëmshme, jo humane dhe jo demokratike…
Gjithsesi, Kosovës i duhen politikanë drejtues të pa shantazhuar, të menqur, të vendosur dhe të gatshëm për sakrifica nëse kërkohen ato…! Dhe të gjithë sëbashku e kemi për detyrë të mos shndërrohemi vetëm në krijesa fiziologjike që i përmenda më lart…!
– Autori është kryeredaktor i portalit albaniapress.com.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura