FAMILJA SHKRELI …

FAMILJA SHKRELI …

Familja Shkreli, vendstrehim i sigurt  i  afro  80  kosovarëve  në kohën  e gjenocidit serb

Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 28 Prill 2022

Forcat serbe gjatë luftës 1998-1999, kishin dëbuar me forcë  popullin e Kosovës nga shtëpitë e tyre. Vala më e madhe e refugjatëve ishte shpërngulur  në Shqipëri. Viti ’99 kujtohet si dramë e madhe. Mali i Zi,  Shqipëria dhe  Maqedonia e Veriut  mbetën simbol dhe shembull  i solidaritetit njerëzor. Qeveritë e tyre  bënë diçka të jashtëzakonshme. Ato gjatë eksodit të shqiptarëve nga Kosova ishin një me Kosovën dhe hapën kufijtë e shteteve të tyre.  Me këtë rast mijëra familje nga këto tri shtete fqinje dhanë kontributin e tyre, duke   hapur dyert e  shtëpive të veta  për rreth një milion shqiptarë nga Kosova të cilët u detyruan të  lëshojnë trojet e veta nga forcat paramilitare serbe.

Për të kujtuar ditët e shpërnguljes  me dhunë të kosovarëve  nga shtëpitë e veta  dhe vuajtjet e tyre  nga regjimi  i egër e barbar i Sllobodan Milosheviqit, dhe për të treguar bujarinë dhe mikpritjen e familjeve shqiptare ndaj  refugjatëve  nga Kosova po  veçoj veprimin njerëzor  të familjes së Anton Shkrelit, i njohur në Shtoj të Ulqinit si Noshi i Lacit. Ai në shtëpinë e tij në vitin 1998  pranoi dhe strehoi  disa familje nga Peja të njohura e të panjohura. Të gjitha u  bënë bashkë. Po ashtu  një vit më vonë, në muajin mars,  familja Shkrela  ndau  një kulm shtëpie edhe me familje të tjera nga Kosova,  të cilat qëndruan aty deri në muajin qershor, kur ato kur morën vesh se  Kosova ishte e lirë.  Në këtë familje  të njohur  për mikpritje e bamirësi  gjetën strehim,  dashuri e respekt vëllazëror  afro 80 kosovarë në njërin prej momenteve më të vështira të historisë së tyre. Përveç kujtimeve Prenë Shkrelit i ka mbetur vetëm një foto, kjo që po e shihni me fëmijë të vegjël kosovarë,  në oborrin e shtëpisë së saj, të cilën e ruan me shumë kujdes.

Personalisht kam pasur rastin disa herë t’i vizitoj  këto familje kosovare ( fëmijë të vegjël,  të rinj e të reja, gra e burra të moshuar),  të shoqërohem e të bisedoj me to për hallet dhe përjetimet e tyre  rrëqethëse nga eksodi serb, të cilat  të shqetësojnë shpirtin e të prekin thellë në zemër.  Ata  ndjeheshin  shumë mirënjohës  ndaj familjes Shkreli, dhe të gjitha familjeve tjera  shqiptare në Mal të Zi, Shqipëri e Maqedoni që ua kishin hapur dyert me shtëpive të tyre  në kohë kur  ata ishin larguar nga Kosova për shkak të represionit serb.

E bukura është se familjarët e Anton Shkrelit, 23 vite më pas, kanë mbetur miq të vjetër, të dashur e të sinqertë  me  këto familje kosovare, që nga koha e luftës. Të gjithë së bashku  e dinë se janë vëllezër dhe do të jenë vëllezër gjithmonë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura