FATBARDHA DEMI: TRE EMRAT E GJUHËS TONË: ARBËRESH – SHQIPTAR – ALBAN, MISHËROJNË HISTORINË ZANAFILLORE TË EUROPËS

Tiranë, 17. 05. 2012 («Duhet të përçohet sejcila fjalë, që në këtë vënd ajo kurrë të mos shuhet» Ptahhotepi, 4000 pk) – Nuk besoj se ka vënd në botë, që emërtimi i popullit, i vëndit, i gjuhës, simboli i flamurit, të ketë vetëm një përfaqësues, siç është rasti i Kombit shqiptar. Po kështu, edhe në histori, folklor, etnografi, arkeologji, monedhat e lashta, zbukurime armësh, djepi, vegla muzikore, besime, etj, të ketë po këtë përfaqësues dallues: SHQIPONJËN! Sot, sipas albanologëve, emërtimi “shqipëtar” nuk e tejkalon periudhën e mesjetës, dhe lidhet me lashtësinë, me gojdhënën e Pirros kur u drejtohet nënshtëtasve të tij, se «ata ishin bijt e shqiponjës».

FLAMURI 1914 – 1920

_____________________________________

Në shkrimet e Historianëve të parë dhe Mitologji, figura e shqiponjës është e pandashme nga Kryeperëndia e Olimpit-Zeusi, dhe çuditërisht, që të dy këto simbole, nuk janë lidhur me historinë e Kombit dhe gjuhës së shqiptarëve, ndër më të lashtët në Europë. Përse vallë?
Në letrën dërguar Karl Reinholdit në vitin 1857, gjuhëtari dhe atdhetari arbëresh Panajot Kupitori shkruan: «shum’u gëzuashë, çë më kultove e më shkruajte edhe ndë gjuhë të zogut, undrë si thonë Arbëreshtë … (1857) (1)
Kjo shprehje, më shtyu të gjurmoj këtë lidhje të emërtimit të gjuhës së shqiptarëve, me Oborrin mbretëror të Hyjnive Pellazgjike dhe zanafillën e Shkencës së Lashtë.
Në zanafillë, të gjithë flisnin një gjuhë, prandaj ajo nuk emërtohej.
Njoftimet e para historike, nuk japin emërtimin e gjuhës së folur, por vetëm të fiseve (Homeri), sepse të gjithë popujt e lashtë flisnin të njëjtën gjuhë (“pellazgo-shqipen”), por në dialekte të ndryshme të kuptueshme për të gjithë.
Dallimi i parë historik për gjuhën (flasim per “Europën Pellazgjike”), i takon periudhës së shkrimit dhe ushtrimit të sistemit ezoterik të Mistereve, në Egjiptin e Lashtë dhe Degët e tij, me përdorimin e gjuhës artificiale priftërore të pakuptueshme për njerëzit e thjeshtë.
Studiuesi C.H.Vail (“Misteret e Lashta”) pohon: «Kemi të dhëna që Sistemi Egjiptian (Pellazg-shën im) i Misterit, përdorte mënyra të gjuhës së folur, të cilat mund të kuptohesh vetëm nga Initiades. (nxënësit e shkollës së Mistereve)» (2)
Historianët e Lashtësisë që shkruan në greqishten e vjetër, që nuk ishte ajo e Mistereve të Lashta, duke folur për fiset Ilire, Epirote, Maqedonase dhe Thrake pohonin se ata flisnin «të njëjtën gjuhë», duke e përcaktuar si «gjuhë barbare».
Sidomos gjuha e ilirëve dhe e maqedonëve është pothuaj e njejtë – Sami Frasheri (3)
Besoj se këtu duhet bërë një sqarim. Në rradhë të parë, duhet të kemi parasysh se «greqishtja e lashtë» (emërtim i shk19), nuk është greqishtja e sotme: «Gjuha minoike nuk është tjetër veç arvanitase e sotme» (4) Po të heqim zanoret dhe mbaresat nga «shumica e fjalëve homerike të greqishtes së vjetër, e nga fjalët e latinishtes së vjetër, mbeten fjalë arvanitase të qarta». (5)

___________________________________

Së dyti, duhet sqaruar, në se flitej gjuha priftërore nga banorët athinas, spartanë, e të shumë qytet-shteteve të lashtësisë, apo nga një pakicë sunduese dhe fetare? Pra, «gjuhën barbare» e flisnin popuj të tjerë, apo qe një përcaktim ndarës i shoqërisë, të së njejtës popullsi? Mendoj se cilësimi «gjuhë barbare», nuk donte të thoshte thjesht: “gjuhë e një populli tjetër”. Ishte një dallim dhe përçmim, për të gjithë ata që nuk e flisnin gjuhën “misterioze” priftërore, por gjuhën e popullit, brënda apo jashtë vëndit. Në këtë kuptim, gjuha bënte një ndarje klasore të së njejtës shoqëri. Arsim Spahiu na e pohon këtë fakt: “Disa gjuhëtarë dhe historianë mendojnë ende njësoj si Dionisi i Halikarnasit (XX,I) i cili thoshte se fjala “barbar” në këtë rast është përdorur në kuptimin – i pazhvilluar, i pagdhëndur” (6) Kjo dukuri qe shumë e përhapur edhe në Europën Mesjetare, e deri në shk 19, si në shtetin helen: «Gjuha Hieratike apo gjuhën e klerit…që sot e quajnë greqishte dhe Demotike, gjuhën e populli, të sotmen të quajtur arvanitase » (7)
Studimet, gjatë shk 19-20, dëshmuan se gjuha “barbare” e fiseve të shumta Ilire, ishte e njejtë edhe me gjuhën e fisve Etruske, Trojano-Dardane, Frige, Hitite etj. Xhuzepe Katapano jep një pasqyrë të fjaleve hitite (7000 vjet pk), të njëjta me të shqipes. (8) Sami Frasheri, të gjithë këta popuj i quan «shqiptare», sepse flisnin “gjuhën shqipe” (dmth të njejtë me shqipen).
Në shekullin e 21-të, bashkjetojnë tre emërtime për gjuhën tonë: “shqipe”, “arbërishte” dhe “albaneze”. Që të treja janë të lashta, dhe mendoj se lidhen me periudhën zanafillore të racës sonë. Këtë mendim e bazoj tek emërtimet e popujve të parë, të farës Pellazge dhe llogjikës botkuptimore të tyre, gjatë rrugës së krijimit të «Fjalëve».
Problemi nuk është i lehtë për t’u trajtuar, sepse gjurmimet arkivore historike për Kombin tonë dhe gjuhën e tij, pothuajse janë të pashfrytëzuara dhe të penguara për arësye politike (sidomos pas shk.19 dhe sot), dhe të dhënat, veçanërisht për gjuhën, janë kryesisht të bazuara në materialin “familiar” dhe në popull (dialektet dhe trashëgimija gojore).
Rol vendimtar në zbulimin e gjuhës së Lashtësisë, kanë patur studimet shqiptare.
Përse pikërisht studimet shqiptare?
Për arsye se gjuha u lind dhe u zhvillua krahas njeriut. Duke qënë një dukuri e zhvillimit mendor të tij, duhet studiuar zhvillimi botkuptimor dhe i gjuhës së para-ardhësve tanë.
Studiuesi i Universitetit të Kembrixhit, Colin Renfrew, në librin e tij “Archeaology and Linguistics” (1989), shkruan: “Pasuria gjuhësore e popujve është arkivi i vetëm dokumentar i pakundërshtueshëm, sidomos kur mungojnë prova të tjera, por veçanrisht, është dëshmia kryesore e krijimtarisë njerëzore”.
Studiuesit e huaj, kanë patur mangësi në të dy këto drejtime: si të njohjes së zhvillimit botkuptimor të Kombit tonë (besimeve dhe traditës), ashtu edhe të gjuhës sonë (dy dialekteve bazë, Toskërishtes dhe Gegërishtes.
Po sjell një shëmbull: Sipas Frankfort (“Aventura Intelektuale e Njeriut të Lashtë”), Perëndia egjiptiane (pellazge) Atum, do të thotë i vet-krijuar… (9) ndërsa Xh.Katapano, e zbërthen në: “at=baba u=unë m=mëmë” (10) Që të zbulojmë origjinën e tre emrave të gjuhës sonë (arbërishte, shqipe dhe albaneze) duhet të zbulojmë rrugëtimin me të lashtë, mendor (botkuptimor) dhe gjuhësor (dy njësi të pandashme), të të parëve tanë.

_______________________________

Si u krijuan fjalët në Lashtësi?
Christian Jacq, drejtor i Institutit Ramses, thekson se: «Asgjë nuk ju la rastësisë sepse përçuese e kësaj shprehije qe një gjuhë e shenjtë, hieroglifet, emri egjiptian i të cilëve është “medouneter ”… Medouneter – “fjala” ka kuptimin “shkop”, “bastun”: me fjale të tjera, hieroglifet janë shkopinjtë ku mbeshtetet njeriu për të ecur në rrugën e dijes» (11) Ky përcaktim, për krijimin e fjalës, i vërejtur sakt, por i shpjeguar gabim, nga studiuesi francez, zbërthehet qartësisht me gjuhën shqipe. Kemi faktin se «fjala» nuk u krijua rastësisht. Gjithashtu ajo emërtohet «medouneter» Po ta ndajmë në pjesë, kemi: me(n)do-un-e tërë. Kjo fjalë ka një frazë të tërë brënda saj: foljen «me(n)do(j)», e realizuar nga njeriu «u-n», si ndërmjetës apo zbatues i «e Tërë». Sipas Xh.Katapanos, «Ngaqë Zotit nuk mund t’i jepet një emër, që të shprehte thelbin e tij, realitetin përmbajtësor, Thoti e emërton: TËRË: i tëri, i ploti, absoluti.» (12) I thjeshtëzuar, ky emërtim mund të përkthehej: «Fjala» është një krijim i Perëndisë!
Duke qënë Fjala, një krijim hyjnor, në botkuptimin e njeriut të lashtë, ajo shënohej me një yll (13). Siç na e sqaron studiuesja NerminVlora, fjala „yll“ përfaqëson elementin hyjnor dhe gjëndet vetëm tek gjuha jonë: „fjalën „yj“( yj-yjnor – hyjnëron) nuk e kam gjetur në asnjë gjuhë tjetër me perjashtim të shqipes…megjithëse ishte e përhapur në të gjitha mbishkrimet e lashtësisë, nga Egjeu deri në Atllantik„ (14)
Gjenialiteti i studiuesit Xh.Katapano qëndron, jo vetëm që zbuloi alfabetin fonetik të hieroglifeve egjiptiane nëpërmjet gjuhës shqipe, por duke e marrë FJALËN, si një prodhim „hyjnor“, në botkuptimin e njeriut, tregoi rrugën e krijimit të saj.
«Jam marrë me fjalën, si mjet i shprehjes së mendimit të zakonshëm, por edhe e domethënies “ezoterike”(besimit), pasi në zanafillë, kjo ishte ana më e rëndësishme e fjalës. Tek fjala mund të gjejmë, nëse studiohet në thellësi… jo vetëm domethënien e zakonshme të saj, por edhe magjinë e pushtetit të saj krijues. Për të aritur këtë, DUHET TË NJIHET ÇELËSI I FJALËS, të dihet se në çfarë mënyrë ndërtohej fjala në zanafillë» (15)
Po kush ishte «çelësi» i fjalës?
Janë tingujt (germat) apo rrokjet simbole, që përmbajnë brënda tyrë një “histori”. Me të drejtë mund t’i emërtojmë si Historinë (apo «Iliadën») e parë të shoqërisë njerëzore.
Në këtë Histori, përshkruhet botkuptimi zanafillor (hyjnor dhe shkencor) i njeriut mbi formimin e Natyrës dhe proçesin krijues të tij. Nga Lashtësia na kanë ardhur shumë legjenda për Krijimin, një nga të cilat është edhe ajo e sjellë nga Katapano, lidhur me gërmën e parë të krijuar nga Zoti: «i» – «Që duall nga Adhami i çuditur/ për sa pa gjithësinë të ndritur » (16). Sipas studiuesit, gërma «i», «në doktrinën e Thotit, përfaqëson Fuqinë Krijuese të Zotit… është vetë FJALA…Jo rastësisht pikërisht rrënja «i» qëndron e pandryshueshme në të gjitha fjalët shqipe që përmbajnë konceptin e dritës, me të cilën identifikohej vetë Zoti. (17)
Hieroglifi që përfaqëson gërmen «i», paraqitet në formën e pendës. Besoj se ajo i përket Shqiponjës, si zog i hapsirës qiellore pakufi (Lirisë) i ndodhur ndërmjet Diellit (Krijuesit-Dritës–Dijes) dhe Tokës.
Gjithashtu, jo pa kuptim është fakti se Dija që përvetesohet edhe sot nëpërmjet Alfabetit (leximit, fjalës), në të gjithë Europën, fillon me germën «A» që në shkrimet hieroglifike përfaqësohej me figurën e shqiponjës, në arbërisht: AIN.
Me germën «i», emërtohet shqiponja në dialektin çam «Ipe». Dh.Pilika na sjell një këngë çame të lashtë, «të thinjur», siç e emërtonin vëndësit: «Pirro-Burri, vetëipja e qiellit… me flamurin me ipe në ballë». (18) Sipas mendimit tim, duke patur parasysh se shqiponja është zog i lartësive të mëdha, afër Diellit dhe e trajtuar si zëdhënëse e Zeus-it, fjala « ipe » duhet të jetë formuar nga «i» + pe dmth:
Krijuesin, (ti) e pe.
Në flamurin e përdorur në vitin 1914-1920 në Shqipëri, Shqiponja mban në kthetra shigjeta rrufeje (dritën e Qiellit). Po kështu edhe Sfinksi etrusk, paraqitet me krahë shqiponje, që (sipas mendimit ezoterik) i duhet njeriut që të mund të ngrihet në hapsirat më të larta të DRITËS, drejt Qiellit . (19)
Tek Sami Frashëri, fjala «të lirë» na jepet « të dlirë» dhe për Shqiptarët: «Ilyrianet a të Lirëtë (të Dlirëtë),… » (20) një bashkim kuptimplot i gërmës «d»-i (“di” e barazvlefshme me “dritë”ne dialektin çam) dhe «liri». Këtë e pohon edhe studiuesi Katapano: «Ilir dmth Shqiptar, dmth bir i Lirisë dhe i Dritës». (21)
Si përfundim: Arbërit, duke e pranuar gjuhën e tyre, si një krijim HYJNOR, e lidhnin me Shqiponjën, “Zogun e bekuar të Hyjit” – sipas S.Frashërit (22) – që ishte simbol i Dritës, Dijes dhe Lirisë. Prandaj Xh.Katapano “Fjalën”, lëndën përbërëse të gjuhës shqipe, e quan “Fjala-Dritë” dmth Fjalë-Hyjnore: “Thoti krijuesi i parë i doktrinës së FJALËS – DRITË”. Emërtimi i gjuhës sonë, e ka zanafillën tek Miti i Shqiponjës i lidhur me Perëndinë-Diell, dhe nuk është i periudhes së Mesjetës. Mbledhesi i folklorit arberesh Anton Belushi, na sjell një këngë nga Piana degli Albanesi (1985): “Na t’i falemi t’yn’ Zoti/ po me gluhen çë na dha/si dhe i falej Kastrioti/e gjëria nga rrjedhim na” (f107 “Ricerke e studi tra gli arberori dell’ Ellade”1994)
Si përfundim: Kuptimi i saktë i emërtimit «Gjuha Shqipe », është «Gjuha Hyjnore » apo “Gjuha e Dritës-Hyjnore” ( Perëndisë Diell). Ky emërtim është historik dhe shkencor, dhe i përket zanafillës së zhvillimit botkuptimor (ezoterik e mitik), të njeriut europian. Emërtimi “Gjuha Shqipe” nuk buron nga fakti, se flitet nga një popull që jeton në male, ku e ngre folen shqiponja. Studiuesi Xh.Katapano e thekson veçanrisht këtë: “« Jam marrë me fjalën, si mjet i shprehjes … së domethënies “ezoterike”(besimit), pasi në zanafille, kjo ishte ana më e rëndësishme e fjalës“(23)
Dëshmi të natyrës hyjnore dhe ezoterike të gjuhës shqipe, e kemi edhe në ditët e sotme tek emërtimi i dyfishtë: “AT+dhe” dhe “MËMË+dhe”, për hapësirën tokësore të Kombit tonë. Sipas Mitollogjisë, Pellazgët lindën nga Dheu. Në teorinë Memfite, “Krijuesi – ATEM, Zoti At dhe MËMË në të njejtën kohë … përfaqësonte, bashkimin e së « përjetshmes mashkullore » dhe të « përjetshmes femërore» tek Zoti, dy veti hyjnore thelbësore dhe koresponduese “ (24)
Arbërit – Albanët – Shqiptarët dhe gjuha e tyre
Fakti që edhe në shk. 21 bashkjetojnë tre emërtime për të njejtin popull dhe gjuhën e tyre, përbën një problem, deri më sot të pa trajtuar shkencërisht. Duhet të kemi parasysh se emërtimi i gjuhës, është në vartësi të emërtimit të popullit që e flet atë.

_______________________________

_________________________________

Sipas Eqrem Çabeit “Emri i ri, Shqiptar, na shfaqet në fund të shk. 17 në gadishullin ballkanik, si emër familjeje dhe bëhet emër Kombëtar krahas atij “arbër”. (25) Duhet vërejtur se Pr.Çabei, nuk e trajton origjinën e emërtimit “shqiptar” dhe kush familje e ka mbajtur këtë emër. Në këngët “e thinjura“ (te vjetra) çame, nga trevat e Thesprotisë kemi një ngjarje që lidhet me figurën historike te Pirros. Kur qe i vogël, e çuan tek mbreti i Shkodrës: “O mbret i nderuar/ t’u rritet nami e rrofsh e klofsh sa malet/ Kaha Iperoja (nga Shqiperia) na të kemi ardhur/ të t’besojmë kët zok të ipes / të na rritet ipje e vërtetë”. (26) Të bie në sy, që vendi emërtohet “Iperia” që dëshmon se ky emërtim qe i përhapur në popull. Se sa larg shkon në kohë dhe sa shtrirje ka ky emërtim, është një problem i hapur.
Në rast se emërtimi “gjuha shqipe” është me zanafill botkuptimor (ezoterik-fetar), ai “arbërishte” dhe “albaneze” për gjuhën e “arbërve” dhe të “albanëve”, është mirëfilli historik. Eqrem Çabei , pohon se në lashtësi, janë përdorur nga të huajt, si emertimi “arbër” edhe “alban” dhe ka qënë i përdorur dikur përgjithsisht si emër populli edhe në tokën shqiptare prej vëndësve. (27). Sipas gjuhëtarit, përdorimi më i vjetër i emrit, tek latinët dhe bizantinët ka qënë trajta “arb” (për popullin Arbanenses-1166 dhe Arbanum,për vëndin 1204) nga koha e Anzhuve (1271) u përdor kryesisht rrënja “alb”. (28)
Përse mendohet se rrënja “arb” është më e vjetra ? Sot, studiuesit shqiptarë e trajtojnë emrin “arbër” apo “arban” si fjalë të përbëre: dmth “ai që punon arën” (ar + bën), pra një popull bujqësor. Filozofi dhe gjuhëtari gjerman Maks Myler (shk19) provon, se emrat e shumicës së popujve arianë (pellazgë-shën im) janë të përbërë prej fjalës “arë” (29)
Sipas Mark Tirtës, ritet, zakonet e besimet e karakterit bujqësor e blektoral ishin shumë të rëndësishme për Arbërit dhe janë të njejta në të tërë trevat ku ata banonin. Gjithashtu “parmënda, është një element mitologjik thjesht shqiptar, që nuk e ndeshim tek popujt e tjerë…parmënda ishte arm e Zeusit”. (30)
Studiuesi Niko Stillo në librin e tij “Etruskishte Toskërishte”, arrin në përfundimin se: “Në zanafillë të Farës Pellazge “nuk kemi emra, por karakterizime nga veprime të ndryshme të tyre” (31) Pra, emërtimi “arbëresh” mund ta pohojmë si më të lashtin sepse tregon një nga “profesionet” e para të njeriut primitiv. Emërtimi “gjuha arbëreshe” bashkjetonte, me vlerësimin ezoterik të gjuhës, si “gjuhë Hyjnore” apo “gjuha e Zogut”. Rilindasit, që e njihnin mendimin ezoterik të Lashtësise, e kanë emërtuar shpesh kështu, dhe për këtë janë akuzuar nga disa “analiste”te paditur te medias, për “romantizëm” jo shkencor. Kohët heroike, veçanrisht të shekullit 15 në trevat autoktone, i dhanë përparësi emërtimit të pasardhësve te Pirro Burrit, si bij të Shqipes (Ipes së Dritës-Diturisë-Lirisë) dhe gjuhës -“Gjuha Shqipe”.
Po emertimi “alban”, ku e ka zanafillën ?
Sami Frasheri pohon se emërtimi “Albania” është përmëndur nga gjeografet e Greqisë së vjetër dhe të Romës, për krahinat e Dagestanit dhe të Shirvanit në Kaukaz. Por edhe Skocia (e Anglise) emrin e lashtë e ka «Albani» ose «Albania» (32) Po kështu edhe Qëndra fetare (e priftërinjve) të eolëve pranë Romës, më parë quhej Alba Longa dmth Albania e mërguar. (33)
Siç dihet, të gjithë Mbretërit Pellazgë të Lashtësisë, popujt dhe vëndin ku jetonin apo e pushtonin, i emërtonin me emrin e tyre (Aleksandri i Madh la pas vetes, afro 70 qytete me emrin e tij). Me qënëse rrënja “alb” haset si toponime në disa kontinente, duhet kërkuar një Kryembret, që ta ketë emrin ALBAN ose me rrënjën ALB.
Studiuesi i shquar i pellazgollogjisë, shqiptare dhe botërore, Niko Stillo, pohon se “Albani-Ari-Floriri, themelues i kësaj dinastie (të albanëve) rrojti në shk. 21 pk. Emri i vërtetë i tij është Momfeu, mbret i Çamërisë (në greqisht Thesprotia dmth Vëndi i Parë). Ky vënd më vonë u quajt Epir… Në shkrimet etruske, me alfabetin e sotëm shkruhet Alpanu dhe Alpan, grekët „p“ e ndruan me „v“ dhe latinët me „b“, për rrjedhoj kemi emrin Alban… Ndërsa për Albanët, nga historianët antikë grekë e latinë ka të dhëna, për prijësin Alban nuk gjejmë as një citat. Natyrisht kjo s’ka ndodhur rastësisht .“ (34)

……………………………

______________________________________

Përdorimi i rrënjës „alp“ dhe me vone „alb“nga latinët, (Vargmalet e Alpeve te Europes dhe Shqiperise) ruajti të njejtin kuptim ezoterik, me kuptimin e Dritës diellore dhe Bardhësise. Pra emrin pellazg të Mbretit Momfeu apo Alpan, mund ta përkthejmë Mbreti-Diell, siç e mbiquanin veten Faraonët dhe Mbretër të tjerë ne Lashtesi. Në mbretërinë e Albanit, në Çamëri, ndodhen të tre mbretëritë ezoterike: ajo Qiellore (në malin e Olimpit), ajo Tokësore (Dodona, faltoria e parë Pellazge) dhe Nëntokësore (Hadi apo Ferri i Dante Aligerit). Në të treja sundoi Albani dhe bijtë e tij. Kjo familje hyjnore çame, i dha europianëve gërmat që përdorin, dhe me të cilat ata shkruan Historine e tyre, copëzat e së cilës lexohen sot nën emrin e Homerit (“Iliada” dhe “Odisea”) si dhe shumë shpikje, një prej të cilave lidhet edhe me emrin e sotëm të Europës. Ky emer i takon mbesës së Alpanit, që ne e njohim me emrin Athina, por që emërtohej edhe Europa, sepse ndërtoi urën mbi lumin Eufrat (E UY UR PA dmth “te parën ure shikoi” ). (35). Kjo Histori familjare e Albanëve ,e mitizuar dhe adaptuar për nevojat e feve të reja, ndodhet edhe në dy librat e shenjtë, tek Bibla dhe Kurani (“Etruskishte Toskerishte”). Emrin e Mbretit-Diell dhe simbolit hyjnor të tij – Shqiponjës, sot e ka gjuha dhe Kombi ynë, pasardhës të Dinastisë Pellazge të Albanëve.
Për çdo njeri, mbetet mister se përse ALBANI, u fshi nga Historia e Lashtësisë. Por po të rradhisim disa nga emrat qe i përkasin këtij mbreti pellazg të Çamërise, e gjithë Historia e Lashtësisë europiane që studiohet sot, do të bjerë si një kështjellë rëre. Ja disa nga emrat e Albanit: Joni, Osiris, Elini (Heleni), Egjipti etj. Gjithashtu ai ishte baba i dy Mbretërve luftarakë dhe shpikës: Sharrias dhe Nakos edhe këta me shumë emërtime, ndërmjet të cilëve Sheshosi, Kadmi, Finiku, Prometeu, Zeusi, Dionisi, At-i, Mino (mbret i Mikenës), Oqeanos, Danai, etj. Historia e Lashtësisë, këto emërtime të shumta të Kryembretit çam, ALBANIT (Alpanit), të dy bijve të tij të famshëm dhe familjes së tij, si copëzat e kristalit, i ka thërmuar në mbretër të shumtë e pa asnjë lidhje midis tyre. Jam e bindur se eshtë e afërt dita, kur studiuesit shqiptarë, do ta zgjidhin përfundimisht, këtë lëmsh shekullor të Historisë së Lashtë europiane.
Natyra e dyfishtë (ezoterike dhe historike) në emërtimin dhe krijimin e gjuhës sonë, që zbulon zhvillimin botkuptimor (mitik dhe shkencor) të njeriut mbi Tokë, nuk gjëndet tek asnjë gjuhë tjetër.
Si përfundim: Kjo Histori zanafillore e Europës dhe më gjërë, ndodhet brënda tre emrave të gjuhës që flasim, arbereshe – shqipe – albaneze dhe të Kombit tonë, Arbëresh – Shqiptar – Alban.
Fatbardha Demi, Tiranë – Maj 2012

_________________________

Referencat:
(1) – f311 “Netët Pellazgjike të Karl Reinholdit 1850-1860” K&B Tirane, 2005
(2) – f221 George G. M. James “Trashëgimi e vjedhur” Plejad, 2009
(3) – f241 Sami Frashëri vellimi II, Tirane, 1988
(4) – f312 Niko Stillo “Etruskishte Toskërishte”
(5) – f.139 Aristidh Kola «Gjuha e Perëndive»
(6) – Arsim Spahiu “Kufiri ndarës mes epirotëve dhe grekëve të vjetër” floripress.blogspot.com/
(7) – f139 Niko Stillo (po aty)
(8)- f.199 Xhuzepe Katapano “Thoti fliste shqip” Botime Enciklopedike,Tiranë 2007
(9) – f244 George G. M. James (po aty)
(10) – f49 Xh.Katapano (po aty)
(11) – f11, «Mësimet e Ptahhotepit, Libri më i lashtë i botës», Logoreci, 2006
(12) – f176 Xh.Katapano (po aty)
(13) – f21 « Mësimet e Ptahhotepit, Libri më i lashtë i botës »
(14) – f 43 Nermin Vlora Falaski „Prona Gjuhësore dhe Gjenetike“ 1997
(15) – f196 Xh.Katapano (po aty)
(16) – f101 (po aty)
(17) – f22 (po aty)
(18) – f39 Dhimitër Pilika “Pellazgët, origjina jonë e mohuar” Botimet Enciklopedike,Tiranë, 2005
(19) – f52 Xh.Katapano (po aty)
(20) – f 21,24 S.F Vepra 2 Rilindja,Prishtinë,1978
(21) – f28 Xh.Katapano (po aty)
(22) – f22 S.Frasheri (po aty)
(23) – f196 Katapano (po aty)
(24) – f49 Katapano (po aty)
(25) – f18 Eqrem Çabei “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes” Çabei, 2002
(26) – f38 Dhimëter Pilika (po aty)
(27) – f10 Eqrem Çabei (po aty)
(28) – f10,11 (po aty)
(29) – f237 S. Frashëri vëllimi II, Tiranë, 1988
(30) – f273 Mark Tirta “Mitollogjia ndër shqiptarë”
(31) – f61 N.Stillo (po aty)
(32) – f259 S.Frashëri (po aty)
(33) – f19 N.Stillo „Iliriada“ Athinë, 2005
(34) – f7 (po aty)
(35) – f315 Niko Stillo “Etruskishte Toskerishte”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura