FATMIR GRAIҪEVCI: HIPOKRIZIA E EULEX-it DHE E KRERËVE TANË POLITIKË E INSTITUCIONAL

Prishtinë, 16. 06. 2013 – Një ndër veset më të këqija të njeriut dhe më të kritikuara nga librat e shenjtë për shkak të rrezikut që paraqet për shoqërinë, është edhe hipokrizia. Në Bibël dhe në Kuran me dhjetëra herë ju tërhiqet vërejtja besimtarëve që të jenë të vëmendshëm ndaj hipokritëve, sepse ata ndryshe deklarojnë kur janë në mesin e besimtarëve e ndryshe sillen dhe veprojnë pas tyre.
Të paktën, të gjithë njerëzit në mënyre deklarative këtë veti e gjykojnë si të keqe dhe të dëmshme. Vështirë se do të gjejë njeriu ndonjë person me mendje të shëndoshë që të pohoj se hipokrizia është e dobishme për shoqërinë. Por pavarësisht kësaj, janë me mijëra, miliona e mbase miliarda njerëz që janë hipokritë. Ndryshe deklarojnë e ndryshe veprojnë. Deklarohen demokrat e në thelb janë komunist, deklarohen besimtarë e bëjnë jetë ateisti, propagandojnë ide nacionaliste e bëjnë jetë internacionaliste, hiqen si altruist e jetojnë si egoist e kështu me radhë.
Një shembull tipik të hipokrizisë paraqet edhe misioni EULEX dhe drejtuesit e zyrtarët e tij si dhe të tjerët që ia mbajnë ison. Për të thuhet se është mision i Bashkimit Evropian për vënien e Rendit dhe Ligjit në Kosovë por pavarësisht kësaj që thuhet, EULEX-i mbyll sytë para krimeve që bëhen në pjesën veriore të Kosovës, ku nga bandat kriminale serbe pamundësohet edhe liria elementare e njeriut, ajo e lëvizjes së lirë. Për ta kompensuar këtë dështim, ky mision tani e sa vite duke keq shfrytëzuar tolerancën e popullit shqiptar tregohet tejet i ashpër kundër të gjithë shqiptarëve për të cilët shfaqen dyshime se mund të kenë keqtrajtuar ndonjë qytetar gjatë viteve të luftës.

– Hipokritët –

Psiko-analisti i shquar, Zigmund Frojdi do të thoshte se zyrtarët e këtij misioni po e stërpërdorin jashtëzakonisht mirë mekanizmin e kompensimit. Por ky mision deri më tani nuk ka treguar vullnet për të zhvilluar hetime për vënien para drejtësisë të atyre personave që kanë marrë pjesë në vrasje, dhunime dhe dëbime të popullit shqiptar.
Aksionet e deritashme të këtij misioni dhe të UNMIK-ut dikur, t’i sjellin në kujtesë poezitë për të cilat mendon se ju ka ikur koha, poezi të cilat me anë të gjuhës së fabulave vënë në pah padrejtësinë dhe logjikën e mbrapsht të dënimit të viktimave dhe lënien në liri të kriminelëve.
Por hipokrizia nuk merr fund këtu. Personat që mishërojnë këtë veti të rrezikshme i gjejmë ngado madje edhe nëpër pozita tejet të rëndësishme në shoqërinë tonë. Janë të shumtë njerëzit që nuk pushojnë së deklaruari se Kosova është tokë e shenjtë e sidomos kur gjenden para masës, mjeteve të informimit apo fushatave elektorale dhe të njëjtit pak çaste më vonë veprojnë ndaj kësaj toke sikur të ishte e mallkuar, duke pështyrë mbi të, hedhur mbeturina e çka jo tjetër. Ç’hipokrizi! Athua nga kanë ardhur gjithë këto mbeturina që çdo ditë e më shumë po i mbulojnë sipërfaqet e bukura të Kosovës!?
Jo rrallë ndodhë të dëgjojmë njerëz duke folur për rëndësinë e luftës çlirimtare dhe vlerën e lirisë por ndryshe veprojnë ndaj kësaj lufte dhe bartësve të saj. Janë të shumtë të tillët që mbajnë leksione për pastërtinë e luftës çlirimtare dhe bartësve të saj por kur ka aksione për njollosjen e saj dhe drejtuesve të luftës çlirimtare, ata bëhen sikur struci i cili kur vlerëson se një situatë është e rrezikshme fut kokën në rërë apo ku të mundet.
Ç’hipokrizi.
Janë të shumta rastet kur dëgjojmë kërkesa të arsyeshme dhe humane që Serbia të kërkoj falje për krimet që ka bërë kundër popullit shqiptar dhe këto kërkesa mandej riprodhohen edhe nga të ashtuquajtur historian, analist e studiues që gjatë defilimeve nëpër medie tona dënojnë krimet e Hitlerit, Sadamit, Gadafit, Millosheviqit, të cilët tani më kanë vdekur dhe nuk janë të rrezikshëm për shoqërinë dhe na tregojnë se sa humanist që janë por kurrë nuk gjykojnë edhe veprimtarinë e shërbyesve të regjimeve të tyre, disa prej të cilëve janë ende gjallë dhe gjenden edhe nëpër pozita kyçe në vendin tonë!!! Të tillët e ‘dojnë’ lirinë dhe demokracinë vetëm në rast se ajo ju sjell privilegje e përfitime të majme ashtu sikur ju ka sjellë dikur regjimi shqiptar’vrasës i Serbisë dhe komunizmi. Janë të shumtë shembujt anekënd botës ku mësojmë se personalitete të ndryshme i ka vrarë ndërgjegjja se pse nuk kanë bërë sa duhet për t’i dalë të keqes përpara apo pse kanë pranuar poste drejtuese nga qeveri të cilat më vonë kanë ndërmarr aksione antinjerëzore.
Një shembull të tillë paraqet edhe një ndër filozofët më të mëdhenj të Gjermanisë, Martin Hajdeger.
Ai gjatë viteve të ’30 nga nazistët ishte emëruar rektor i një universiteti në Gjermani ndërkohë që pas pak kohe kishte dhënë dorëheqje nga ai post ndërsa pas përfundimit të luftës së dytë botërore ishte tërhequr edhe nga mësimdhënia në universitetet publike. Por kjo ka ndodhur me personalitete që kanë dinjitet dhe ndërgjegje por nuk ndodhë edhe në botën shqiptare. Janë me qindra e mijëra persona që janë treguar indiferent ndaj vrasjeve, torturave, burgosjeve dhe dënimeve drakonike të djemve dhe vajzave që kërkonin të drejta, liri dhe demokraci për popullin shqiptar, disa madje edhe kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në dënimet dhe torturimet e tyre por ata asnjëherë nuk kanë kërkuar falje për këto vepra djallëzore. Përkundrazi, ata sot janë përfituesit më të mëdhenj të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës. Njerëz të tillë të pandërgjegjshëm dhe të pa moral gjatë regjimit të ish Jugosllavisë asnjëherë nuk kanë rrezikuar privilegjet e tyre që ju ofronte ai regjim dhe të ngritin zërin kundër robërisë, padrejtësisë, komunizmit por bënin të kundërtën ndërsa sot janë më të zjarrtit kur flasin për vlerat sikur janë liria, drejtësia, demokracia, nacionalizmi, patriotizmi e vlera të tjera sepse tani gjuha dhe deklaratat e tilla ju sjellin përfitime e jo se këtë e ndjejnë thellë në qenien e tyre. Frojdi do të thoshte se edhe këta janë duke e stërshfrytëzuar mekanizmin e kompensimit ngase atë që nuk e kanë bërë kur duhej po provojnë ta bëjnë tani.
Ç’hipokrizi!
Por hipokrizi e shkuar hipokrizisë është kur arrestimet, burgosjet dhe dënimet që po ju bëhen frymëzuesve, drejtuesve, komandantëve, eprorëve dhe pjesëtarëve të përkushtuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës quhen aksione kundër individëve të caktuar.
Sipas kësaj logjike i bije se as Serbia nuk ka luftuar kundër popullit shqiptar por vetëm kundër individëve të caktuar sepse gjatë viteve të luftës forcat policore e ushtarake serbe nuk kanë vrarë dy milion shqiptar por vetëm 15 mijë, se Serbia nuk ka bërë gjenocid në Bosnjë e Hercegovinë sepse nga rreth 3 milionë boshnjak mysliman ka vrarë dhe masakruar vetëm 250 mijë prej tyre e as krimet e nazizmit dhe Hitlerit nuk janë krime kundër njerëzimit sepse nga mbi dy miliard banorë sa ka pasur bota në vitet e ’40, gjatë luftës së dytë botërore janë vrarë vetëm 60 milionë njerëz.
Se deri ku ka arritur hipokrizia mund të konstatohet edhe nga gjuha që përdorin zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe një numër i konsiderueshëm i të ashtuquajturëve politikanë, analisë, historianë, humanistë e çka jo tjetër, kur flasin apo shkruajnë për vitet 1998-1999.
Luftën armatosur në mes të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës dhe ushtrisë dhe policisë së Serbisë e quajnë herë konflikt e herë luftë, varësisht nga konteksti. Kur është fjala për arrestimin, njollosjen dhe poshtërimin e ndonjë pjesëtari të UÇK-së, këtë e bëjnë me pretekst për pjesëmarrje në krime të luftës, ndërsa sa here ngritet zëri për të kërkuar llogaridhënie nga Serbia për dëmet që ia ka bërë Kosovës dhe popullit të saj gjatë luftës dyvjeçare kemi reagime të menjëhershme se nuk ka pasur luftë por konflikt.
Duket se kjo kritikë tani ka filluar ta shpërlaj edhe trurin e atyre që dikur me krenari flisnin e shkruanin se kanë qenë bartës të luftës çlirimtare, ndërsa tani na flasin e shkruajnë se Kosova e Serbia duhet ta lënë prapa konfliktin në mes tyre dhe të shiqojnë kah e ardhmja sepse, sipas tyre, ky është interesë i qytetarëve të të dyja vendeve. E kjo nuk është në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj por në interes të Serbisë dhe qytetarëve të saj. A nuk është kjo edhe një hipokrizi e radhës!?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura