Pashtriku.org, 01. 02. 2017: SHTETI është centralizimi politik brenda kufijve territorialë. Dy karakteristikat e rëndësishme të shtetit (të organizimit shtetëror), janë: monopoli formal mbi përdorimin e forcës/dhunës dhe sovraniteti (pavarësia formale nga jashtë dhe një qendër legjislativi nga brenda). Shteti nuk është vetëm një nga organizatat apo një nga institucionet tjera në shoqëri. Shteti është organizata më gjithëpërfshirëse e shoqërisë, ngase të gjitha organizatat dhe institucionet tjera funksionojnë në kuadër (të legjislativit) të shtetit, dhe ekzistojnë për aq kohë sa lejohen nga shteti.
Tipologjia e shtetit (ose shtetformimeve) karakterizohet nga:
1. shteti si pushtet,
2. shteti si ligj (shtetit i së drejtës) dhe
3.shteti si legjitimitet.
1. Shteti si pushtet është i bazuar në realizmin politik (Machiavelin etj.), dhe në formën e vet më ekstreme nënkupton se shteti është i gjithëfuqishëm.
2. Shteti si ligj (shteti i së drejtës) është i bazuar në teorinë liberale për shtetin dhe nënkupton garancitë kushtetutare kundër keqpërdorimit të detyrave të shtetit nga shtetarët. Me fjalë të tjera, shteti i së drejtës përcaktohet nga rregullat me ligj, dhe nënkupton qeverisjen e bazuar në rregullat që zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, si për qytetarët ashtu edhe për shtetarët.
3. Shteti si legjitimitet është i bazuar në bashkimin vullnetar të qytetarëve. Legjitimiteti i shtetit karakterizohet nga lidhja në mes të qeverisurve dhe qeveritarëve, në kuptimin se ekzistenca dhe qëllimet e shtetit e kanë mbështetjen nga poshtë (nga të qeverisurit/qytetarët).
PUSHTETI është kapaciteti për të prodhuar efektet e dëshiruara. Pushteti mund të ushtrohet nëpërmes dënimit dhe shpërblimit ose nëpërmes ndikimit apo të bindurit. Tipologjia e pushtetit karakterizohet nga: pushteti në konfliktet e hapura, pushteti i padukshëm mbi agjendën dhe pushteti mbi mënyrat e të menduarit/pikëpamjet.
Pushteti në konfliktet e hapura nënkupton manifestimin e konfliktit në mes dy palëve (ose më shumë palëve) me interesa të kundërta (në konflikt) me njëra tjetrën. Një shembull për këtë janë kundërshtitë për futjen e çështjeve të caktuara në agjendë. Pushteti kristalizohet kur një konflikt përfundon me rezultatin; kur njëra palë duhet të lëshoj pe si rezultat i presionit, kërcënimit ose si rezultat i të bindurit, nga pala tjetër.
Pushteti i padukshëm mbi agjendën nënkupton se gjatë ndërveprimit në mes grupeve të rëndësishme në shoqërinë si tërësi, me kalimin e kohës formohen mostrat sociale nga të cilat dikush përfiton, ndërsa të tjerët nuk përfitojnë. Me fjalë të tjera, në një gjendje të tillë sociale, elitat e fuqishme pushojnë së vepruari në mënyrë aktive për të depërtuar me realizimin e interesave të tyre, sepse paraprakisht janë përkujdesur që rregullat në shoqëri të ju përshtaten dëshirave të tyre. Një shembull për këtë është se rregullat e etabluara në shoqëri vendosin se cilat çështje duhet të futen në agjendë dhe cilat çështje nuk duhet të futen në agjendë.
Pushteti mbi mënyrat e të menduarit/pikëpamjet, nënkupton, jo vetëm pushtetin mbi çështjet e caktuara që marrin vëmendje ose pushtetin mbi rezultatin përfundimtar për çështjet e caktuara, por edhe pushtetin mbi opinionet që formësohen për çështjet e caktuara. Me një formulim paksa ekstrem mund të themi se kjo nënkupton se pushteti “programon” mendimet e të tjerëve. Rezultati mund të jetë se shumë njerëz nuk veprojnë për të mirën e tyre, sepse janë të ndikuar që të mendojnë në një mënyrë që të tjerët të përfitojnë nga ta.
Resorët e pushtetit janë karakteristikat e individëve dhe grupeve, që e lehtësojnë imponimin e vullnetit të tyre. Resorët e pushtetshëm të grupeve, janë mbështetja e madhe (nga anëtarët, lexuesit, etj.), pozitat e rëndësishme, kontrolli mbi informacionin, dituria dhe kompetenca, resorët ushtarak (teknologjia, personeli etj.), kontrolli mbi resorët ekonomik, aftësia ndikuese religjioze dhe politike. Resorët e pushtetit nuk janë e njëjta gjë sikurse pushteti, prandaj resorët e pushtetit duhet ti shohim në ndërlidhje me qëllimet afatshkurtra dhe afatgjata të aktorëve.
AUTORITETI është e drejta për të udhëhequr, dhe realizohet kur të udhëhequrit e pranojnë të drejtën e eprorëve të tyre për të ju dhënë urdhra. Tipologjia e autoritetit karakterizohet nga autoriteti tradicional, autoriteti karizmatik dhe autoriteti juridiko-racionalë.
Autoriteti tradicional nënkupton udhëheqjen në bazë të trashëgimisë, e cila si formë e vjetër e autoritetit i vështirëson ndryshimet në shoqëri dhe ndarjen e pushtetit.
Autoriteti karizmatik është i bazuar në karakteristikat personale dhe kualitetet e liderit siç janë karizmi, shkëlqimi etj. Autoriteti karizmatik është i rëndësishëm për mobilizimin politik, por është njëkohësisht autoritet primitiv dhe jo-stabil, ngase është i lidhur me individin e veçantë dhe është e vështirë për ta transferuar dhe transformuar.
Autoriteti juridiko-racional është i bazuar në ligj dhe drejtësi. Udhëheqja është e lidhur me rregullat që japin autorizimin. Kjo formë e autoritetit konsiderohet si më e avancuara.
Autoriteti është ekuivalent me pushtetin dhe anasjelltas, dhe mund të thuhet se influenca (ndikimi) qëndron në mes autoritetit dhe pushtetit. Autoriteti pranohet vullnetarisht ndërsa pushteti i imponuar ka më pak legjitimitet. Sovraniteti është forma më e lartë e autoritetit brenda shtetit.
Mund të thuhet se në rrafshin empirik: variacionet tipologjike për shtetin, pushtetin dhe autoritetin janë prezente tek çdo vend në botë, por duke variuar në kohë e hapësirë dhe në kualitet e kuantitet.
Fatmir Lekaj, politolog.
_____________________
FATMIR LEKAJ: ZGJERIMI I DOMENIT SHKENCOR POLITOLOGJIK
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=6019