FATON MEHMETAJ: KUFIZIMET, SFIDAT DHE PROBLEMET ME LIRINË E LËVIZJES NË TERRITORIN E KOSOVËS

Prishtinë, 04. 02. 2015 – Liria e lëvizjes është pjesë e garantuar me Kushtetutë tek ne, në shtetet e Europës dhe të botës, është një normë ombrellë që përfshinë më vete shumë traktate e konventa, që garantojnë dhe sigurojnë lirinë e lëvizjes. Pa liri të lëvizjes nuk ka shtet funksional. Cenimi dhe bllokimi i lirisë së lëvizjes e cënon sovranitetin e vendit. Ndërkaq, cënimi i sovranitetit ngërthen në vete probleme shumë më komplekse, ku mund të implikohen mekanizma të shumtë duke i përfshirë edhe ata ndërkombëtarë. Mosfunksionimi i lirisë së lëvizjes haset tek shtetet e dobëta, apo që janë në shtetndërtim e sipër, siç është rasti i Kosovës. Edhe tema ime, “Kufizimet, sfidat dhe problemet me lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës”, trajton problemet e lirisë së lëvizjes brenda territorit të Kosovës, vështirësitë që ka Kosova me lëvizjen e lirë, faktorët që determinojnë në pengimin e lëvizjes së lirë, rolin e KFOR-it, të EULEX-it dhe të mekanizmave të tjerë të sigurisë, në sigurimin e lirisë së lëvizjes e çështje të tjera që e plotësojnë këtë temë në tërësi.
Që nga viti 2000 e gjer më sot, Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme me lirinë e lëvizjes në disa pjesë të saj. Nuk do të hyj në detaje se a është përmirësuar liria e lëvizjes që nga ajo kohë apo jo, por nga hulumtimet që kam bërë në këtë punim del se problemet me lirinë e lëvizjes janë evidente edhe sot e kësaj dite në shkallë mjaft të lartë.
Në Kosovë problemet me lirinë e lëvizjes i ka komuniteti shumicë – shqiptarët, të shkaktuara nga pjesëtarë të minoritetit serb që jetojnë në Kosovë, të cilët fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të instrumentalizuar nga Beogradi zyrtar.

Fillimisht po përmendi Mitrovicën, që është rast i veçantë ku liria e lëvizjes për qytetarët shqiptarë në disa pjesë është e bllokuar pothuajse tërësisht që nga viti 2000 e këndej.
Pos problemit akut me pengimin e lirisë së lëvizjes në Mitrovicë, problem tjetër i kufizimit të lirisë së lëvizjes janë vendbanimet me shumicë serbe – enklavat, ku liria e lëvizjes për të gjithë qytetarët e komuniteteve të tjera nuk është e nivelit të kënaqshëm. Zakonisht qytetarët shqiptarë ndihen të frikësuar dhe nuk lëvizin nëpër vendbanimet me shumicë serbe.
Sa për ilustrim po përmendi këtu marsin e vitit 2004, ku për ditë të tëra serbët kishin bllokuar rrugën në Çagllavicë, kinse për shkak të plagosjes së një qytetari serb. Pastaj, kishte ndodhur mbytja mizore në lum e tre fëmijëve shqiptarë të Çabrës në lumin Ibër dhe një varg problemesh të tjera, që e ngritën në këmbë tërë popullatën shqiptare që për shumë kohë e vështirësoi lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës. Ky është një ndër shembujt më konkretë që tregon se nëse teprohet me pengimin e lëvizjes së lirë cilat mund të jenë pasojat.
Përveç këtyre, liria e lëvizjes është e kufizuar edhe në hapësirat territoriale që iu kanë dhënë disa manastireve ortodokse në Kosovë, që tashmë njihen si “eksterritore”.
Ndër problemet serioze që Serbia i ka shkaktuar Kosovës në aspektin e lirisë së lëvizjes është mosnjohja dhe mospranimi i dokumentacionit të qytetarëve të Kosovës për të lëvizur nëpër territorin e saj për në shtetet e ndryshme të Europës e botës. Pengesat fillestare të Serbisë në këtë drejtim janë bërë për arsye se Serbia nuk i ka pranuar dokumentet e Kosovës si valide. Kjo ka sjellë pengesa të mëdha në fushën e sigurisë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës. Me këtë rast qytetarët e Kosovës, sidomos shqiptarët janë përballur me sfida dhe probleme nga më të ndryshmet, të shkaktuara nga Qeveria e Serbisë. Të njëjtat probleme Serbia i ka shkaktuar edhe me refuzimin e tabelave të veturave të Kosovës ku qytetarët e Kosovës janë përballur me probleme të lëvizjes së lirë.
Një dimension tjetër ku liria e lëvizjes është e kufizuar, janë fshatrat e brezit kufitar përgjatë kufirit me Serbinë, Maqedoninë e Malin e Zi. Një pjesë e konsiderueshme e fshatrave shqiptare që gjenden në afërsi të kufirit me Serbinë u janë ekspozuar ekspeditave të vazhdueshme të xhandarmërisë serbe që hyn në brendi të territorit të Republikës së Kosovës pa kurrfarë pengese.
Edhe pse qytetarët shqiptarë të fshatit Karaçevë dhe të fshatrave të tjera përreth kanë bërë protesta të vazhdueshme, kundër hyrjes së xhandarmërisë serbe në fshat, duke e njoftuar edhe KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, problemi i tyre nuk është zgjidhur asnjëherë. Nga presionet e xhandarmërisë serbe, e cila ka shkaktuar pasiguri në masë, pengesat që u ka shkaktuar qytetarëve të kësaj ane për të lëvizur lirshëm në vendin e tyre dhe presionet e tjera të vazhdueshme i kanë detyruar të shpërngulën nga ky fshat mbi 135 banorë. Nga presionet e xhandarmërisë, banorët e këtyre fshatrave po shpërngulen çdo ditë, dhe shumë shpejt kjo pjesë mund të mbetet e pabanuar, apo me shumë pak banorë, siç ka ndodhur edhe me mbi 50 fshatra në Kosovë që janë mbetur pa banorë apo me shumë pak banorë në hapësira të ndryshme kryesisht kufitare.
Pak a shumë pengesa në lirinë e lëvizjes kemi edhe në disa fshatra të Gorës, në të cilat janë formuar struktura paralele, të influencuara nga qeveria e Serbisë. Me mungesën e lëvizjes së lirë janë përballur dhe po përballen edhe një pjesë e banorëve shqiptarë që jetojnë brenda enklavave serbe. Që nga viti 2000 e gjer në ditët e sotme, me mungesën e lirisë së lëvizjes janë përballur edhe pjesëtarët e KFOR-it, EULEX-i, UNMIK-ut, OSBE-së e të mos flasim për mekanizmat vendorë të sigurisë, si Policia e Kosovës, etj. Madje edhe pjesëtarët e mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë shpesh janë bllokuar nga pjesëtarët e komunitetit serb, madje janë sulmuar fizikisht, por ka pasur edhe raste kur janë sulmuar edhe me armë zjarri, duke pasur edhe të vrarë e të plagosur në radhët e tyre. Ky fenomen e ka ndërlikuar shumë konceptin e lirisë së lëvizjes dhe të sigurisë në përgjithësi, ngase KFOR-i, EULEX-i, Policia e Kosovës etj., si garantues të lirisë së lëvizjes dhe të sigurisë në përgjithësi nuk kanë mundur të japin garanci për lirinë e lëvizjes, sepse shpesh herë nuk kanë qenë as ata në pozita për ta siguruar as vetveten.
Përveç ofrimit të sigurisë nga ana e KFOR-it dhe policisë, është e domosdoshme që udhëheqësit kosovarë të ndërmarrin masa të qarta dhe të duhura për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjitha bashkësitë, duke i trajtuar njëlloj të gjithë penguesit e lirisë së lëvizjes, sepse kanë kaluar 15 vite e gjendja në rrafshin e lirisë së lëvizjes e shkaktuar nga segmentet që u përmendën më lartë asnjëherë nuk ka shkuar drejt përmirësimit.
Mendoj se për përmirësimin e kësaj gjendjeje duhet të bëhen studime, hulumtime, analiza, të merren mostra, të nxirren konkluzione, të bëhen udhëzime nga struktura të caktuara të ekspertëve ndërkombëtarë e vendorë për ta hartuar një platformë të zgjidhjes së këtij problemi njëherë e përgjithmonë.
(Kjo kumtesë është paraqitur në Konferencën Shkencore: “Liria e Lëvizjes në Kosovë – Sfidat dhe kufizimet e brendshme dhe rajonale”, organizuar nga Lëvizja Europiane për Integrime Ndërshqiptare (LEIN), më 27 janar 2015, në Prishtinë).

LEIN: ‘LIRIA E LËVIZJES NË KOSOVË – SFIDAT DHE KUFIZIMET E BRENDSHME DHE RAJONALE’
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=3555

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura