FATOS BAXHAKU: TË FSHEHTAT E VRASJES SË ZIJA DIBRËS

(Tiranë, 16. 10. 2012) – Një të diel të janarit të 1925 gazeta “Indipendenca Shqiptare” lajmëronte në faqen e saj të parë: “Zija Dibra u vra. Ish-kapiten Zija Dibra, ministër tjetër herë në kabinetin e Pandeli Evangjelit, i akuzuar për çështje bolshevike, tek internohej në Berat, duke kaluar katundin Harizaj të Qarkut të Kavajës, u mundua të arratisej e t’ikë prej duarsh nji aspiranti, i cili e shoqnonte deri në Berat. Kështu, duke qenë i hypur në kalë, atë e ngau me gjithë fuqinë përpara. Aspiranti i bërtiti nja dy herë të qëndronte, por mbasi s’e dëgjoi, e qëlloi në kokë dhe e rrëzoi të vrarë prej kalit”. Zija Dibra, figurë e njohur e politikës shqiptare të fillimshekullit XX u vra në të njëjtën ditë kur në Tiranë shpallej republika me president Ahmet Zogun tashmë të kthyer triumfator nga Jugosllavia. Vetëm pakkush e besoi versionin zyrtar të vrasjes. Zija Dibra, njihej si kundërshtar i vendosur i Ahmet Zogut, ai vetë kishte marrë pjesë si ushtarak në kryengritjen e drejtuar nga Hasan Prishtina në 1921. Në 1923-in bënte pjesë në një organizatë antizogiste të themeluar në Vjenë nga Aqif pashë Elbasani. Në qershor të 1924’s kishte luftuar me armë në dorë në krah të kryengritësve, pastaj ishte vendosur në garnizonin e Shkodrës. Në 1924 Noli e kishte dërguar Zija Dibrën për t’i mbushur mendjen Elez Isufit që të mos bashkohej me Zogun. Dibra ia arriti t’i mbushte mendjen Isufit duke u kujtuar dibranëve armiqësinë e kahershme me serbët dhe duke përdorur edhe një shumë të majme parash. Njerëzit e Zogut i kishin të gjitha arsyet për ta hequr qafe, por jo vetëm se ishte fanolist…
Një pikëpyetje e madhe
Si shumë politikanë të tjerë të përzier me ngjarjet e qershorit 1924, edhe Dibra ishte nisur për në udhën e mërgimit. Në 23 janar ishte parë duke udhëtuar mbi një kamion me targa të Durrësit së bashku me Sulejman Delvinën dhe Sejfi Vllamasin, i pari ish-ministër i punëve të jashtme, ndërsa i dyti, anëtar i Këshillit të Lartë. Vllamasi kujton ta ketë pyetur nëse do të shkonte bashkë me ta matanë detit, apo do të qëndronte në Shqipëri. “Jo nuk do lëviz, për jetën time më ka dhënë garanci Myfit bej Libohova”. Kështu Dibra nuk shkon në Itali si qindra të tjerë, por përfundon, nuk dihet sepse në Vlorë. Myfit bej Libohova, po marshonte në Jug për t’u ardhur në ndihmë forcave të Zogut që zbrisnin nga Veriu. Pikërisht këtu Zija Dibra arrestohet dhe niset i shoqëruar me një xhandar për në Berat ku do të mbahej i internuar. Se çfarë ka ndodhur saktësisht atë ditë të ftohtë në afërsi të Harizajt të Kavajës këtë e dinte vetëm xhandari “pa emër”.

AHMET ZOGU

………………………………………

Krerët kosovarë dhe Ahmet Zogu
Zija Dibra ishte shumë i lidhur me figurat drejtuese kosovare, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Bedri Pejanin, Hoxha Kadrinë, me ata që përbënin zemrën e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me qendër në Shkodër. Pesë vjet para vrasjes së Dibrës, në 1920, poeti dhe politikani italian, Gabriele D’Anuncio, organizoi në Trieste një mbledhje të të gjitha organizatave nacionaliste, popujt e të cilëve kishin mbetur nën sundimin serb, tashmë në Jugosllavinë e porsakrijuar. Përfaqësues i kosovarëve dhe i Komitetit të Shkodrës, sipas Eqrem bej Vlorës, në këtë takim ishte “atdhetari i vjetër Beqir Vokshi”. Në këtë mbledhje D’Anuncio u premtoi kosovarëve armatim me qëllim që këta të nisnin “çlirimin e Kosovës” duke sulmuar nga ana e Kukësit.
Vapori me armë mbërriti në Shëngjin në verën e 1920. Asokohe Lufta e Vlorës ishte në kulmin e saj. Ushtria jugosllave u bë gati për ndërhyrje në anë të Bunës. Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm në atë kohë ishte kundër shkarkimit të armëve të D’Anuncios në Shqipëri. Ai, por jo vetëm, mendonte se një sulm i kosovarëve ndaj Jugosllavisë do ta vinte Shqipërinë e brishtë në konflikt të hapur me Jugosllavinë, një luftë të cilën, sigurisht Shqipëria nuk ishte e gatshme ta përballonte, në atë kohë, por me sa duket edhe më vonë. Për ta zgjidhur çështjen Zogu dërgon në Shkodër Sejfi Vllamasin dhe Xhemal Naipin. Me vete kishin edhe 20 mijë franga ari. “… Në orët e vona – kujton Vllamasi – u takuam me Bajram Currin për ta bindur atë, pasi ishte më i arsyeshëm se të tjerët. E diskutuam çështjen nga çdo pikëpamje, por nuk mundëm ta bindnim Currin, pasi influencohej nga Bedri Peja, që ishte në favor të shkarkimit të armëve. Atëherë po atë natë shkuam në prefekturë, ku na prisnin ndihmësprefekti Sulçe Bushati me komandantin e xhandarmërisë Malo Bushati për të marrë vesh përfundimin e bisedimeve. Pasi të gjitha përpjekjet me anë bisedimesh dështuan, u vendos për masa ushtarake. Malo Bushati, nën komandën e kapiten Hasan Bushatit, dërgon një forcë xhandarësh në Shëngjin për ta ndaluar me forcë shkarkimin e armëve…”. E çara e parë e fortë mes krerëve kosovarë dhe Ahmet Zogut kishte ndodhur.
Zinxhiri i vrasjeve
Zija Dibra shërbente si ndërlidhës mes liderëve kosovarë dhe krerëve nacionalistë maqedonas të VMRO, Teodor Aleksandrov dhe Petar Çaulev. Në 1924 konsulli jugosllav në Shkodër i kishte raportuar disa herë Beogradit mbi planet për të sulmuar Jugosllavinë. Çaulev kishte takuar Hasan Prishtinën, ndërsa Aleksandrov Bajram Currin. Zija Dibra, madje u akuzua nga jugosllavët edhe si organizator i një takimi Noli-Aleksandrov, por ky takim u përgënjeshtrua nga Tirana zyrtare. Brenda pak muajsh, agjentët jugosllavë arritën të vrasin krerët e VMRO, Aleksandrovin në gusht të 1924 dhe Çaulevin, në dhjetor të 1924 teksa e kishin ndjekur deri në Milano, pas kthimit të tij nga Shqipëria.
Një tjetër nacionalist antijugosllav që kishte lidhje me kosovarët e Shkodrës ishte malazezi Marko Raspopoviç. Ky bashkë me dy malazezë të tjerë kishte marrë pjesë madje me armë në dorë në ngjarjet e qershorit të 1924-s. Në fillim të 1925-s malazezët ishin ende në Shkodër. Një dëshmitar i kohës, Asim Kopliku, ka rrëfyer: “Mua më thirrën në konsullatën jugosllave të Shkodrës. U paraqita te konsulli jugosllav, i cili më kërkoi t’u dorëzoja Raspopoviçin bashkë me dy malazezët që kisha nën komandë. Konsulli tha se tre malazezët ishin armiq të rrezikshëm të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë… Në kazermë bisedova gjatë me Marko Raspopoviçin. Ai e fliste mirë shqipen. I tregova rrezikun që e kanoste dhe ramë dakord që unë ta nxirrja nga Shkodra, ta përcillja deri në Bërdicë e pastaj të shkonte në Shëngjin e të hidhej në Itali. Por në Shëngjin Marko Raspopoviçin e kapën. Treshja malazeze iu dorëzua Ceno bej Kryeziut, i cili e vari Marko Raspopoviçin në Krumë”.
Pak muaj më vonë Ceno bej Kryeziu do t’i deklaronte një gazete të Beogradit: Unë e kam zënë dhe unë e kam vrarë armikun tuaj, Marko Raspopoviç. Unë kam vrarë Zija Dibrën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, për paqen tuaj e tonën…”. Të ketë qenë një deklaratë e sinqertë apo vetëm një mburrje në ngazëllim e sipër? Historia nga një herë nuk është edhe aq e qartë sa do të donim.
Në 1925 komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” nuk ekzistonte më praktikisht. Një pjesë e liderëve u vranë, pjesa tjetër u fsheh në emigracion.
(Për këtë shkrim u përdorën materiale nga: Eqrem bej Vlora, Kujtime, vëllimi II, SHLK, Tiranë 2001; Bernd J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Çabej, Tiranë 1984; Hazis Gjergji, Myslim Peza, dëshmitar dhe protagonist 1912-1939, Tiranë 2008; Sejfi Vllamasi, ballafaqime politike në Shqipëri, Neraida, Tiranë 2000).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura