FEHMI RAMADANI: LISTA SERBE, THIKË NË KURRIZ TË KOSOVËS!

Prishtinë, 19. 02. 2015 – Ndryshimi i Pakos së Ahtisarit, përkatësisht ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës, me ç’rast do të shkrihet “vetoja” politike serbe do të ishte hapi i domosdoshëm që duhet të ndërmarrë faktori politik i Kosovës në të ardhmen. Fleksibiliteti dhe aplikimi i dy standartshmërisë politike të faktorit ndërkombëtar, veçmas ndaj pakicës serbe ka krijuar një presedan dhe kompleksitet në shtetndërtimin e Kosovës. Kjo qasje politike, duhet të ndryshohet, nëse vërtet për synim është paqja, stabiliteti, zhvillimi i njëmendët shoqëror dhe ekonomik, ndryshe do të përballemi me kriza të vazhdueshme dhe procese të panjohura politike në Kosovë dhe rajon.

***
Pas marrëveshjes qeverisëse në mes dy partive më të mëdha të Kosovës, PDK dhe LDK, si dhe përfshirjes së Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës, padyshim se paraqet një sfidë të re të skenës politike kosovare.
Hyrja e Listës Serbe si “kushtëzim” politik në qeverisjen e re të vendit mund të konsiderohet si futje e thikës në kurriz të shtetit të Kosovës, kur tashmë është e qartë se ky subjekt politik është formuar direkt nga Beogradi, i cili punon e vepron nën ndikimin dhe kontrollin e tyre.
Se vërtet është kështu, qysh në fillim ka treguar rasti i vizitës së fundit të kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq në Graçanicë, me ç’rast zv/kryeministri i Qeverisë së Kosovës Bojan Stojanoviq kishte deklaruar se është i pari serb që kishte inauguruar bustin e mbretit Millutin në “tokën serbe” të Kosovës. Pas këtij skandali, rasti tjetër i veprimit të ministrit Jabllanoviq, po të njëjtës Listë serbe, i cili kishte fyer rëndë nënat gjakovare duke i quajtur egërsira për shkak se nuk kishin lejuar serbët lokal (të dyshuar për krime lufte) të pelegrinojnë në kishën e qytetit të Gjakovës.

Kjo ngjarje, më pas kishte kulmuar me protesta të ndryshme nëpër gjithë vendin, duke u shndërruar në protesta të dhunshme me tentim të destabilizimit të Kosovës. Beogradi e kishte planifikuar këtë lojë mirë duke gjuajtur në dy drejtime; me një të goditur dy të qëlluara. Pra, Beogradi, në njërën fiton benefite nga BE-ja, ndërsa në anën tjetër ka arrit të fut në lojë ndikimin e vet politik në Qeverinë e Kosovës duke i përdorë gjithmonë këta për interesa të tyre dhe destabilizim të Kosovës. Kurse, Prishtina me pranimin e këtij subjekti politik në Qeveri, vazhdimisht do të jetë e sprovuar, do t’i lindin probleme të reja dhe do të përballet me sfida të paparashikueshme.
***
Pa dyshim se bashkëpërgjegjës për faktorizimin e politikës serbe në Kosovës, në radhë të parë është vetë faktori politik i saj, i cili për 15 vite rresht të veprimit të tyre politik nuk kishte arritur të investojë, ose së paku të ndihmojë në formimin e një partie, apo lidershipi të përgjegjshëm politik serb të Kosovës.
Politika shqiptare nuk ishte e vëmendshme për pasojat e lejimit të vazhdimësisë së konceptit fashist dhe nacionalist serb, sidomos të mbështetura nga Serbia në Kosovë. Lista serbe është një organizim i pareformuar nacionalist serb, i mbështetur dhe financuar nga Beogradi, por edhe nga Prishtina, pse jo edhe nga politika ndërkombëtare.
Ndërsa, faktori ndërkombëtar është përgjegjësi i dytë i lejimit të një koncepti të tillë fashist në Kosovë, i cili nuk ndërmori masa të duhura për të ndaluar këtë koncept politik, sepse kjo politikë ishte një filial e mirë e konceptit fashist serb ndaj Kosovës dhe në të kaluarën jo të largët është përgjegjëse për krime të rënda që janë bërë, si në Kosovë dhe ish-hapësirat e Jugosllavisë. Ndërkombëtarët, me atë fleksibilitetin e tyre të tepruar politik në vend që të riparojnë gabimet e së kaluarës, po tentojnë të mbulojnë gjurmët e tyre e një politike krimogjene, sepse dëshirojnë t’i përdorin për interesa të tyre.
Ndërkombëtarë me çdo kusht dëshirojnë, që serbët e Kosovës të bëhen pjesë integruese e shoqërinë kosovare, por jo edhe të shtetit të Kosovës.
Faktori ndërkombëtarë, me këtë qasje shumë fleksibile ndaj tyre, por jo vetëm i tyre ndaj politikës fashiste të Listës Serbe ka për të sjellë edhe deri te pasojat edhe më të mëdha në të ardhmen në Kosovë. A nuk ishin veprimet e kësaj politike shkas për protestat e dhunshme dhe tentim shndërrimin e Kosovës në një vatër krize të vazhdueshme me provokime dhe inskenime të ndryshme, si pjellë e kësaj politike?
Provokimet e reja të Listës Serbe, padyshim se do të vazhdojnë në të ardhmen, sidomos kur kihet parasysh rasti i shndërrimit të FSK-së në Ushtri Mbrojtëse të Kosovës, por edhe rasti i Trepçës, Brezovicës dhe resurseve të ndryshme të vendit, politikë kjo e cila në vazhdimësi do të krijojë pengesa dhe probleme.
Qeveria e Prishtinës është futur në “ngërç”me “bekimin” e vet vetes dhe miratimin e politikës ndërkombëtare, e cila ende nuk po mund të lirohet nga interesat e ngushta të tyre dhe të njëanshme kundruall interesit të shtetndërtimit të Kosovës.
Politika ndërkombëtare duhet të kuptojë se vazhdimi i politikës së tyre me standarde të dyfishta nuk i ndihmon shtetndërtimit të Kosovës, por të kundërtës, andaj kjo qasje politike e tyre duhet të përfundojë sa më parë dhe përgjithmonë.
***
Tashmë është e njohur, se Plani i Ahtisarit ka qit në sipërfaqe dobësi dhe pengesa të ndryshme, të cilat po cenojnë shtetndërtimin e Kosovës dhe funksionimin normal të tij. Ky Plan nuk po tregohet i zbatueshëm, sidomos kur këtij Plani më vonë iu shtua edhe Plani i Brukselit, përkatësisht disa pika shtesë, çka nënkuptojnë Planin AhtisariPlus për pjesën veriore të vendit, atëherë nuk do mend se faktori politik serb është shndërruar në faktor autonom dhe me interesa të veçanta, kështu duke e vulosur ndikimin e tyre politik në rrjedhat e mëtutjeshme të Kosovës.
Me dashje, apo pa dashje, politika e Kosovës, tashmë është futur në një labirint me shumë pengesa dhe të panjohura, si dhe në një ndërlikueshmëri të panevojshme politike.
Politika e Prishtinës, seriozisht duhet të bindë faktorin ndërkombëtar se ka ardhur koha kur duhet të rishqyrtojë Marrëveshjen e Vjenës, përkatësisht Planin e Ahtisarit dhe të bëjnë në radhë të parë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila nuk i përmban standardet e një Kushtetute moderne e demokratike. Nga kjo Kushtetutë duhet të hiqet e ashtuquajtura “vetoja” politike serbe, si kusht për shtetndërtimin e Kosovës. Ky “kushtëzim” politik serb është thikë me dy teha në shpinën e Kosovës dhe kjo duhet të mënjanohet nga Kushtetuta e saj. Ky ndryshim duhet të ndodhë sa më parë, sepse në radhë të parë është në dobi të vetë minoritetit serb, meqë kjo Kushtetutë do të duhet t’i trajtonte si të barabartë me qytetarët tjerë dhe jo të gëzojnë ndonjë “status special” dhe “bllokues” në Kosovë. Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë integruese, demokratike dhe ajo duhet të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve të saj pa dallim përkatësie nacionale.

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura