GAZMEND ZAJMI INTELEKTUAL I JASHTËZAKONSHËM E GUXIMTAR

Gazmend Zajmi intelektual i jashtëzakoshëm e guximtar

Nga Nuhi Bytyçi

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe Zotërinj,

Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrje në këtë promovim, sepse kështu po nderoni veprën madhore të akademik Gazmend Zajmit dhe punën time në përgatitjen e kësaj monografie për këtë figurë të veçantë intelektuale të botës shqiptare dhe jo vetëm.

Vendimi për përgatitjen e kësaj monografie për jetën dhe veprën shumëdimensionale të akademik Gazmend Zajmit, nuk ka qenë i lehtë, sepse ishte përgjegjësi e madhe që t’i hyjë këtij obligimi tejet të madh dhe me përgjegjësi.

Mirëpo, pas realizimit të dy episodeve të filmit dokumentar me titull “PROJEKTUESI I SUBJEKTIVTITETIT SHTETËROR TË KOSOVËS” kushtuar veprimtarisë pedagogjike, kulturore, shkencore dhe atdhetare këtij intelektuali, figure shumëdimensionale, poliedrike, vlerësova se me që nuk ishte botuar asnjë monografi e tillë për të, të filloj që ta konceptoj dhe përgatis atë.

Akademik Gazmend Zajmi, padyshim ishte intelektual në kuptimin e plotë të fjalës, me vlera të veçanta si profesor universitar, si udhëheqës i Universitetit të Prishtinës, i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtar i parë nga Kosova i Akademisë Evropiane të shkencave dhe arteve, intelektual në shërbim të plotë të interesave të vendit në vazhdimësi. Ai sidomos në rrethana të vështira dëshmoi aftësitë e tij profesionale, juridike dhe politike, si dhe guximin e duhur për të argumentuar shkencërisht të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje, për shtet të pavarur dhe sovran.

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe Zotërinj,

Simboli ynë i lirisë Adem Demaçi menjëherë pas lirimit nga burgu në një tubim në Lubjanë kishte shprehur preokupimin e tij se si do të sillet inteligjenca shqiptare në raport me gjendjen tejet të rëndë të popullit shqiptar në Kosovë dhe ish-Jugosllavi dhe sa kjo shtresë elite e shoqërisë do të jetë në shërbim të lirisë e të pavarësisë së Kosovës.

Demaçi kishte të drejtë të shprehte këtë shqetësim real, për arsye se në shumë momente historike një pjesë e intelektualëve shqiptarë që ishin në krye të institucioneve të Kosovës nuk ishin vënë në shërbim të aspiratave për liri dhe pavarësi të Kosovës. Madje i luftonin të gjithë ata të rinj e të reja intelektualë që guxonin të punon seriozisht për lirinë e Kosovës. Demaçi këtë e kishte përjetuar rëndë mbi supet e tij.

Por, gjithmonë edhe në mesin e intelektualëve shqiptarë të Kosovës, ndonëse në numër jo të madh, gjatë viteve ‘70-ta dhe ‘80-ta kishte edhe kuadro të dalluara intelektuale, kuadro të cilët kishin vendosur dijen dhe guximin, zemrën dhe mendjen në shërbim të interesave të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi.

I tillë ishte akademik Gazmend Zajmi, i tillë profesor Ukshin Hoti, i cili edhe u burgos nga regjimi jugosllav, i tillë ishte profesor Ejup Statovci dhe disa kuadro tjerë, pa kontributin dhe motivimin e të cilëve nuk do të organizohej as rezistenca paqësore, e as lufta çlirimtare për të realizuar ëndrrën shumëshekullore – pavarësinë e Kosovës.

Këtë gjë e potencoj edhe për faktin, se fati ka dashur që unë bashkë me disa kolegë të mi gazetarë, të jemi dëshmitarë të historisë më të re të Kosovës, dëshmitarë dhe kontribuues të rezistencës sonë gjithëpopullore për liri, ku duhet veçuar edhe roli i pazëvendësueshëm i diasporës shqiptare këtu në Gjermani, në Zvicër, Austri, në vende tjera evropiane dhe në Amerikë.

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe Zotërinj,

Për monografinë nuk më takon të flas më shumë unë. Fjalën e keni ju, lexuesit, që do të mund të jipni vlerësimet tuaja.

Me këtë rast falënderoj përzemërsisht Ministrinë e Kulturës, si dhe mikun tim Milaim Abdullahu, për mbështetjen në botimin e kësaj monografie.

Po ashtu dua të falenderoj edhe redaktorin e monografisë Prof. Arsim Bajramin, recensentët Prof. Gjyljeta Mushkolaj dhe Prof.Agim Zogajn, si dhe redaktorin gjuhësor Jonuz Fetahun, dizajnerët Valon Fetahun, Lyra Gazmend Zajmi dhe Luan Tashin, si dhe panelistët Faruk Tsholli, Dibran Demaku, Pal Sokoli, Sabri Shehu dhe folësit e tjerë në këtë promovim.

Falënderoj posaçërisht mikun tim Lazim Destani dhe Skender Xhakaliun dhe Meti Avdiun për mbështetjen e pa rezervë për organizimin e këtij promovimi, si dhe mikun tim Naser Januzin, pronarin e agjencisë “Barileva turist”, i cili më ndihmoi që ekzemplarët e monografisë të jenë në duart tuaja.

Të gjithëve ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen dhe kontributin tuaj në këtë promovim!

Gëzuar 16 vjetori i pavarësisë së Kosovës.

Fjala e autorit të monografisë “GAZMEND ZAJMI NJË JETË PËR KOSOVËN”,

Nuhi Bytyçi në promovim në Dusseldorf, më 24. 02. 2024

______________

GAZMEND ZAJMI – NJË JETË PËR KOSOVËN

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura