GAZMEND ZAJMI – NJË JETË PËR KOSOVËN

Në Dyseldorf, nga promovimi i monografisë „Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën“ me autor Nuhi Bytyçi

NJË VEPËR E MADHE PËR NJË INTELEKTUAL KOLOS E ATDHETAR

Nga Faruk Tasholli

Nuhi Bytyçi, gazetar me një karrierë gjysmëshekullore, qoftë në gazetrinë e shkruar apo të folur në mediat e shtypura dhe ato vizuele,duke iu afruar kulmit të karrierës aktive, iu qas edhe shkrimit të librave, duke përmbledhur pjesë të historisë së Kosovës brenda qarkut kohor të karrierës së vet. Sot jemi mbledhur këtu në Düsseldorf, pikërisht në hapësirat e një gjigandi ekonomik, si është kompania me renome ndërkombëtare Ecolog e familjes Destani,për të hapur një libër të ri të këtij autori me titullin  „Gazmend Zajmi, një jetë për Kosovën“. Si dihet, në historinë mediale, pos të tjersh, gazetaria është një histori e shkruar për ngut në jetën aktuale, e prodhon lajmin dhe ikën duke e lënë faktin pas vetes. Përpara këtij libri, ta quajmë monografik për intelektualin e lartë të Kosovës Gazmend Zajmin, Nuhi Bytyi realizoi edhe librin voluminoz me titullin „Libri i luftës“, të botuar në vitin 2019, ku përfshihen ngjarje, kronika, personazhe dhe  rrjedha“  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,që çuan drejt sendërtimit të një ëndrre sublime  të shqiptarëve, në realizimin e pavarësisë së Republikës së Kosovës,Nëse libri i parë u titullua „Libri i luftës“ me shumë personazhe, libri i dytë, që i referohet një protagonisti, që është Akademik Gazmend Zajmi, lirisht do të mund të quhej „Libri i paraluftës“. E them këtë, sepse rreth këtij emri të përvetshëm, bashkohen shumë emra të tjerë dhe ngjarje të bujshme, që njësinë kombëtare si ishte Kosova në Federatën Jugosllave, e futën në binarët e historisë bashkëkohore si subjektivitet shtetëror me një udhëtim të shkallshkallshëm drejt pavarësisë së plot, Një nga shtyllat e këtij udhëtimi të mençur që paraqet vitalitetin e shqiptarit në Ballkan, ishte edhe Gazmend Zajmi, një intelektual largpamës, më një krijimtari të lartë shkencore dhe me zbatim praktik. Këtë e thotë edhe biografia që kemi përpara, e realizuar nga Nuhi Bytyçi, ku Gazmend Zajmi ishte ajo dora magjike që sillte akrepat e saktë të kohës drejt rrjedhës së pandalshme të historisë, qoftë në themelimin e Universitetit të Prishtinës, qoftë në ngritjen e statusit autonom të Kosovës si njësi  e barabartë federale në ish-Jugosllavi me nxjerrjen e Kushtetutës së vitit 1974, por edhe në nxjerrjën e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, e cila juridikisht i hap rrugë Kosovës drejt shkëputjes nga federata jugosllave, si ishin edhe republikat e tjera të atij konstruksioni shtetëror.

Me një metodologji praktike dhe përshkruese, si dinë ta bëjnë gazetarët në kohë dhe hapësirë, i prirë edhe nga entuziazmi profesional, Nuhi Bytyçi na e sjell një monografi, që në fakt përmes një personazhi të vënë në spikamë, nxjerr në dritë edhe një pjesë të historisë së Kosovës, aq të rëndë e të mundimshme në një hapsëirë të ngushtë tokësore të mbjellur me sakrifica njerëzore që nuk i zë vetë kjo hapësirë nësë përdorim me këtë rast gjuhën poetike. Gjatë gjithë jetës së vet qoftë studentore, qoftë akademike , qoftë arsimore, qoftë shkencore apo kulturore, Gazmend Zajmi jo vetëm që ishte në anën e drejtë të historisë, por ai bëri histori për Kosovën në këto fusha që përmendëm, ani që jeta e tij ishte e shkurtër, pasi fizikisht u shua në moshën 59-vjeçare. Duke lexuar këtë monografi, duke shikuar fotografi të kohës këtu, njerëzit që kanë jetuar në kohën e veprimtarisë së Akademik Gazmend Zajmit, e shohin një panoramë besnike të kohës së kontrasteve të Kosovës, ndërsa ata të mëvonshmit një histori të çuditshme dhe të pabesueshme. Pse e them këtë? E them pasi Kosova në vitet shtatëdhjetë kishte një grusht intelektualësh të lartë dhe një grusht politikanësh që mezi kishin arritur të kryenin shkollën e mësuesisë në Normalen e Elbasanit, derisa vendi dergjej më varfëri të skajshme në një jetë rurale dhe me pasojat e skajshme të analfabetizmit, që kishin prodhuar pushtetet antishqiptare.Ani që veprimi ishte i ngushtuar nga hegjemonizmi serb, vitaliteti shqiptar, edhe pse i paguar shtrenjte në kohë dhe hapësirë, arriti ta drejtojë Kosovën kah popujt e përparuar, falë plejadës që i takoi Gazmend Zajmi. Autori Nuhi Bytyçi, me disiplinën profesionale, me durimin dhe me urtinë njerëzore, arrin të hedh dritë mbi veprimtarinë e një njeriu të përvetshëm, si ishte Akademij Zajmi, duke bashkëpunuar me bashkëkohanikët e tij, duke intervistuar ata, qofshin akademikë të kohës, punëtorë politikë, studentë e gazetarë të vjetër. Në një promovim si ky i sotmi, tregohet vetëm rruga e leximit të historisë së një personaliteti që është edhe histori e Kosovës, ndërsa fjalët mbesin të zbehta, për ta përshkruar gjithë përmbajtjen e librit. Te shtojme me këtë rast se Akademik Gazmend Zajmim, ishte në krye të Universitetit të Prishtinës në fund të viteve shtatëdhjetë kur po krijohej një brez i ri intelektualësh, kur ky universitet arriti shifrën e mbi 30 mijë studentëve.Ishte koha kur bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës kishte lulëzuar dhe ekspertë të atjeshëm shkencorë po ligjëronin në Prishtinë. Ishte koha kur albanalogët, artistët, shkrimtarët dhe ekspertët universitarë të shkencave ekzakte pas punëve të ditës po shëtisnin në shëtitoren e famshme të mbrëmjes në rrugën qendrore të Prishtinës. Ishte koha kur në vitin 1981 shpërthyen demonstratat studentore dhe u shfaq botërisht kërkesa pë Kosovën Republikë. Gazmënd Zajmi, pasi ngjarjet kanë zënë njëra tjetrën, pakkush e din se ishte në anën e kësaj kërkese thelbësore për mbijetesën institucionale të shqiptarit në këto troje. Këtë e shpalon libri i Nuhi Bytyçit detajisht. Por po ashtu, lufta politioke e gjithë jugosllavisë drejtohet kundër Kosovës me gjithë mekanizmat e shtetit federal, duke përfshirë edhe drejtësinë dhe policinë agresive kundër një populli liridashës, natyrisht të  nxitur nga estabilishment serb.Kjo luftë, mënjanoi shumë kuadra nga  jeta institucionale, qofshin ata politikanë apo akademikë si ishte Gazmend Zajmi, por edhe u hapën burgjet për shqiptarët, ku prej një milion e shtatqindmijë shqiptarëve sa i tregoi regjistrimi i popullsisë në Kosovë në vitin 1981, deri në vitin 1987 mbi shtatëqind mijë njerëz kaluan nëpër zyrat e torturës në duart e policisë së kohës, Duke iu afruar fundit të kësaj fjale, nuk bën pa përmendur figurën shumkëndshe të veprimtarisë së Gazmend Zajmit, që përpos  shkencëtar, ideolog dhe veprimtar kombëtar, ai ishte edhe një kompozitor i shkëlqyeshëm ku shkroi tekstet, i komponoi dhe i realizoi mbi 200 këngë të zhanreve të ndryshme të muzikës për fëmijë, të asaj popullore dhe argëtuese që nivelin e kësaj krjitarie e avancoi krahas kompozitorëve profesionistë në Kosovë, Por ai nuk u ndal vetëm te veprat e shkurtëra muzikore si ishin këngët. Bëri edhe baletin „Vallja pranverore“ që ishte vepër e rangut të lartë në fushën e muzikës.

Pas vdekjes së Akademik Gazmend Zajmit, kanë ndodhur shumë ngjarje dramatike, si ishte lufta e armatosur e shqiptarëve për çliorim fikzik kombëtar, ku edhe drejtësia ndërkombëtare ishte në anën e shqiptarëve me forcën më të madhe  ushtarake të globit si ishte NATO e cila edhe sot e mbron Kosovën. Janë bërë këngë e monografi për shumë personalitete të plitikës dhe të luftës kombëtare. Janë ngritur përmendore që mëpër rrugët e sheshet e Kosovës shpalojnë një histori të bujshme. Brezat e rinj kalojnë rreth atyre përmendoreve duke ditur shumë pak për figurat e skalitura në bronz. Por përmendorja e Gazmend Zajmit në librin „Gazmend Zajmi një jetë për Kosovën“ rrezaton shkëlqim dhe dije dhe mbetet kujtesë e pashlyer në çdo kohë.

Duke falënderuar për këtë vepër madhore, në fund të kësaj rezymeje, autorit Nuhi Bytyçit i dëshirojmë shëndet dhe sukses në projekte të radhës!

Faruk Tasholli,

Fjalë e mbajtur në promovim të monografisë Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën të autorit Nuhi Bytyçi

Düsseldorf, 24.02.2024

***

APOSTULLI I PAVARËSISË SË KOSOVËS GAZMEND ZAJMI NË DYSELDORF – GJERMANI

Shkruan: Pal Sokoli

Në lokalet e Wirtschaftsclub Düsseldorf u promovua monografia “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën” e Autorit Nuhi Bytyçi.

Me kujdesin e LSHAKSH- në Gjermani dhe në praninë e shumë dashamirëve të letersisë dhe të interesuarëve për jetën dhe veprimtarinë e Akademik Gazmend Zajmit sot promovuam një vepër të shkelqyeshme qe na afroj me veprën, me veprimtarinë edhe me jetën e Akademik, Gazmend Zajmit. Në hapje të këtij promovimi z. Pal Sokoli, sekretar i Lidhjes Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani i dëshiroj mirëseardhje gazetarit dhe publicistit Nuhi Bytyçi dhe e përgëzoi për punën e bërë dhe pastaj përshëndeti të gjithë të pranishmit e posaçërisht, Z. Arsim Gashin, birin e Heroit të Kosovës Xheladin Gashit,  Dr. Shaban Fetajn, Dr. Artan Pula, pinjoll i ish deputetit të Kuvendit të Kosovës Enver Pula, Kryetarin e LSHAKSH- ne Gjermani z. Dibran Demaku, shkrimtarin dhe publicistin Faruk Tasholli, shkrimtarin, publicistin dhe luftëtarin e lirisë z Martin Çuni dhe aktivistë të tjerë të pranishëm.

 Pal Sokoli, pas përshëndetjes u përqëndrua në pika të shkurtëra rreth biografisë se autorit të veprimatrisë dhe monografisë. “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën” Kjo është monografia e dytë pas asaj “Libri i Luftës” 2019 i autorit Bytyqi dhe dy filmave dokumentar “Mbijetesa” dhe “Mbijetesa dhe shkolla” e autorit Nuhi Bytyçi. Pal Sokoli vazhdoi “Për këtë Monografi “Gazmend Zajmi – një jetë për Kosovën” z. Nuhi Bytyçi ka bërë një punë të mrekullueshme, duke mbledhur dokumente, dorëshkrime e shkrime, foto e intervista nga bashkëpunëtorët dhe bashkveprimtarët e tij qe tanimë gjysma e më shumë e tyre nuk jetojnë më, analizimi dhe vlerësimi i tyre në kontestin kohor qe lexuesi ta njeh sot nga afër Gazmend Zajmin, një erudit një patriot, një apostull i pavarësisë së Kosovës qe për fatin e keq edhe pse ishte nismëtar dhe autor i shpalljes së pavarësisë saj nuk e përjetoi pavarësinë e plotë duke ndërruar jetë me 10 mars të vitit 1995. Albumi familjar dhe të dhëna të tjera në korelacion më veprimtarin e vet edhe foto më të tjerë janë një kapituj shumë sublim aq sa janë edhe vlerësimet që bëjnë sot edhe udhëheqësit tanë kurë promovojnë jetën dhe veprimtarinë e tij dhe autori Nuhi Bytyçi na i arkivon më shumë pedantëri nëpër kapitujt e kësaj monografie”. Pas përshkrimit të përmbajtjës se 23 kapitujve në monografi kushtuar veprimtarisë se G. Zajmit, meritat dhe kontributet e tij duke përfshirë edhe biografinë familjare të Akademik Zajmit, ngritjen intelektuale aktivitetët në fushën e drejtësisë, bashkëpunimin me intelektualët e kohës, kontributin e tij për Kushtetutën e vitit 1974 dhe 1990, në themelimin dhe avansimin e Universitetit të Kosovës dhe sidomos në këtë përiudhë kurë ishte më shumë interes edhe bashkëpunimi dhe bashkveprimi më Universitetin e Tiranës, mosdiferencimi nga demostratat e vitit 1981 dhe përkrahja në prapavij e të gjitha nismave dhe apeleve deri të Deklerata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, si dalëzotës i të drejtës kushtetuese të vetvendosjës se shqiptarëve të Kosovës. Fjalën kryesore për këtë monografi e mori, shkrimtari dhe publicisti, Faruk Tasholli. Z. Faruk Tasholli pasi foli shkurtimisht për veprimtarinë gazetareske të z. Nuhi Bytyçi dhe kurorëzimin e karierës së tij me shkrimet e përmbledhura pak vite më parë në monografinë “ Libri i luftës” Monografinë që po promovojmë sot “Gazmend Zajmi- një jetë për Kosovën” mund ta quajmë edhe “Libri i paraluftës” pasi rreth këtij emri të përvetshëm, bashkohën shumë emra të tjerë dhe ngjarje të bujshme, që njësinë kombëtare si ishte Kosova në Federatën Jugosllave e futën në binarët e historisë bashkëkohore si subjektivitet shtetëror me një udhëtim të shkallshkallshëm drejt pavarësisë së plotë. Një nga shtyllat e këtij udhëtimi të mënçur, largpamës dhe intelektual ishte edhe Gazmend Zajmi, dora magjike e të cilit sillte akrepat e saktë të kohës drejt rrjedhës së pandalshme të historisë qoftë në themelimin e Universitetit të Kosovës qoftë në ngritjën e statusit autonom të Kosovës si njësi e barabart e federatës jugosllave me kushtetutën e vitit 1974 por edhe me nxjerrjen e Dekleratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990 të miratuar nga Kuvendi i Kosovës që juridikisht hapi rrugë shkëputjes nga fadaerata jugosllave. Pasi përshkroi gjithë veprimtarinë e Akademik Zajmit si një veprimtari gjithmonë në të drejtë të historisë komnbëtar, histori qe bëri Kosovën duke u diferencuar nga padrejtësi qe kishin prodhuar pushtetët antikombëtare. Faruk Tasholli përshkroi veprimtarinë e akademikut nga kjo monografi edhe si histori të Kosovës. Veprimtaria e tij në kohën kurë lulëzoj Universiteti me mbi 30 mijë studentë, koha kurë albanologët dhe ekspertët nga Universitarë shqiptarë ligjëronin dhe vepronin nëpër Kosovë. Pastaj koha e demonstratave të vitit 1981, koha kur diferencimët politike nga mekanizmat politike, policore pushtetare jugosllave sulmuan intelektualët dhe patriotët shqiptarë dhe deri të kalimi i mbi shtatqindmijë shqiptarëve të Kosovës nëpër zyrat e torturës dhe dhunës policore të kohës. Nëpër gjithë këtë  dramatikë të ngjarjeve veprimtaria e Gazmend Zajmit si shkencëtar, ideolog dhe veprimtar kombëtar ishte në çdo veprimtari kombëtare. Z. Tasholli përshkroi me vëmendje të veçant edhe kapitullin kushtuar kontributit të Gazmend Zajmit në zhanrin e muzikës. Gazmend Zajmi ishte kompozitor i mbi 200 këngëve të zhanreve të ndryshme të muzikës.

“Sot brezat e rinj kalojnë rreth atyre përmendoreve duke ditur shumë pak për figurat e skalitura në bronz, por përmendorja e Gazmend Zajmit në librin qe po promovojmë sot rrezaton shkëlqim dhe dije qe do mbetët në kujtesë të pashlyer në çdo kohë” përfundoi fjalën e tij Faruk Tasholli.

Në emër të Lidhjes Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani të pranishmit i përshëndeti kryetari, Dibran Demaku. Z. Dibran Demaku evokoi kujtime për veprimtarinë e gazetarit dhe autorit Nuhi Bytyçi, kontributin e tij në situata të ndryshme vendimtare dhe në fund e përgëzoi për monografinë qe përsonifikon meritueshëm figurën e akademik Gazmend Zajmit. Shkrimtari, publicisti dhe luftëtari i lirisë z. Martin Çuni, pasi përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoj mikun e tij si gazetar dhe publicist foli për meritat e Gazmend Zajmit dhe plejadës së intelektualëve të kohës së tij. Martini lavdëroi edhe punën dhe kontributin e Nuhi Bytyçit në kohën e luftës. Nuhi Bytyçi ishte ndër gazetarët më të mirë të luftës dhe kontributi tij në informimin e mediave tona dhe atyre ndërkombëtare. Sabri Shehu lexoi disa fragmente mga Libri “Gazmend Zajmi – Një jetë për Kosovën” qe ishin me rëndësi të veçant ta kemi një pasqyrim të përmbajtjës së kësaj monografie. Në fund fjala ju dha edhe autorit Nuhi Bytyçi, i cili pasi përshëndeti përzemërsisht të pranishmit, falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e monografisë për një personalitet të madh siq ishte Gazmend Zajmi. Pas realizimit të filmit dokumentar për akademik Gazmend Zajmin e pava të arsyeshme ta realizoj këtë monografi në mënyrë qe të mbetët edhe në këtë formë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës, është kontribut i afër katër vitëve punë për ta realizuar këtë monografi, për çka falënderoj familjarët dhe bashkëpunëtorët dhe bashkëkohanikët e Gazmend Zajmit dhe të gjithë ata që në mënyra të ndryshme kontribuan në realizimin e këtij libri.

Pas fjalës përshëndetëse dhe rrëfyese për punën disavjeçare të autorit Nuhi Bytyçi, udhëheqësi i panelit Pal Sokoli hapi diskutimin rreth librit dhe pyetjeve qe mund ti drejtonin autorit. Diskutimët i hapi Dibran Demaku duke pyetur autorin se si Gazmend Zajmi qëndroi pas secilës nismë demokratike dhe juridike për Kosovën por nuk mori asnjëherë rolin udhëheqës. Autori e potencoi bashkëpunimin e Gazmend Zajmit më intelektualët tjerë të kohës e sidomos me akademik Fehmi Aganin, por pa marrë ndonjë post udhëheqës, ajo mvarej shumë nga modestia e tij. Në diskutime përshëndetje, e pyetje qoftë rreth librit apo edhe për figurat historike të kohës së gazmend Zajmit u kyqën edhe shumë pjesmarrës tjerë siq ishin: Muhamet Bytyçi, Besnik Kadriolli, Sabri Shehu, Misin Zekolli, Arsim Gashi, Dr. Shaban Fetaj, Dr. Artan Pula, Hakif Berisha, Nazmi Nuha, Gani Nuha, Dukagjin Shamolli etj.

Duke i përshëndetur të pranishmit dhe duke i falënderuar për pjesmarrje në emër të LSHAKSH- në Gjermani dhe organizatorëve të tjerë e posaqërisht të nikoqirit të ambjentëve të Wirtschaftklubit z. Lazim Destani të cilin e falënderuan edhe autori edhe pjesmarrësit, përfundoj promovimi duke kaluar në shpërndarjen me autografin e autorit në aneksin përcjellës të objektit.

Me përshtypjet më të mira të kësaj monografie qe edhe u quajt një përmendore historike për akademikun Gazmend Zajmi lindi edhe ideja e ngritjes së një përmendoreje diku në kryeqendrën e Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura