GENC KASTRATI: ELEKTRO – DHAMPIRËT E ELEKTRO – KOSOVËS

Prishtinë, 26. 09. 2014: Qytetarët e Kosovës, kohëve të fundit kanë vërejtur diçka në lidhje me KEDS, një kopil turk i KEK-ut “kosovar”. Kanë vërejtur se nuk ka ndryshuar asgjë. Jo pa qëllim përmenda në titull Elektro-Kosovën e dikurshme. Që nga vitet e ’90-ta nën sundimin e Sllobodan Millosheviçit, e deri më sot, në shtëpitë tona vazhdimisht është e njëjta skenë: një llampë vajguri ose një qiri që bën dritë mbi tavolinë, për të kryer punë nga më të rëndomtat. Dhe si për ironi çmimi i energjisë elektrike vetëm sa ka shkuar duke u rritur. Me një fjalë, secilin qytetar e lëshojnë nervat, kur sheh se gjysma e pagës do të shkojë në pagesë të energjisë elektrike, ndërsa reduktimet kanë qenë të vazhdueshme, dhe më tepër pa rrymë se sa me të. Paratë e shumta që jepen për energji elektrike, janë para që u nevojiten fëmijëve tanë për një jetë normale, dhe si duket askush nuk mërzitet në lidhje me këtë çështje, ndërkohë që të njëjtit njerëz për nevoja mediale bëjnë fushata promovimi për të drejtat e fëmijëve.
Kurse ajo që mua më bie në sy është pavullneti i qytetarëve për t’u ngritur kundër kësaj sëmundje të quajtur KEDS. Ka patur protesta të ndryshme për të drejta kombëtare, kundër denigrimit të vlerave tona historike etj. Por me përjashtim të një proteste jo-efektive kundër KEK-ut para ca kohësh, nuk ka pasur asnjë goditje të vërtetë kundër këtij gjigandi dhampiresk. Gjithashtu jam përballur shpesh dhe me njerëz që e mbrojnë KEK-un me arsyetimet se “tash është shteti jonë, duhet me pagu” ose që “rryma është sikur buka, duhet me pagu” por që nuk ishin në gjendje të japin një përgjigje për papunësinë e madhe në Kosovë.
Problemi i reduktimeve është trashëguar nga e kaluara, kur miliarda euro donacione të qeverisë dhe të ndërkombëtarëve janë dhënë për KEK-un që të kryejë riparimet në “prishjet” e supozuara, ndërkohë që ato para janë gëlltitur në mënyrë të padukshme nga “krokodilët” e KEK-ut dhe “krokodilët” vendorë e ndërkombëtarë.

Reduktimet nuk janë pasojë e ndonjë prishjeje. Reduktimet shpesh janë bërë me qëllim që rryma të drejtohet në ”tregun e zi” të jashtëm, që qarqet e caktuara që e kanë gjigantin ekonomik në kontroll, të përfitojnë dyfish, nga një anë duke i detyruar qytetarët të paguajnë një çmim të shtrenjtë i cili në fakt paguan njëkohësisht rrymën që është shpenzuar dhe atë që nuk është shpenzuar, si dhe të ardhurat nga rryma që shitet jashtë shtetit.
Shtrenjtimi i rrymës i kombinuar me varfërinë dhe papunësinë e madhe në Kosovë, ka pamundësuar shlyerjen e detyrimeve nga pjesa më e madhe e popullësisë, d.m.th. kategoria më e varfër. Reduktimet kanë bërë që një pjesë e popullësisë nga ata që kanë mundësi, të mos e paguajnë fare energjinë elektrike, një shërbim i cili si i tillë (me reduktime), asnjëherë nuk mund të shfrytëzohet si duhet. Energjia nevojitet në kohën e caktuar që t’a shfrytëzosh, çdo ndërprerje e energjisë mund të lërë një punë në gjysmë, dhe të shkaktojë dëme, të cilat asnjëherë nuk paguhen. Një gjë e tillë do ta dekurajonte edhe gjermanin ose holandezin për të paguar energjinë elektrike, e ata e dinë këtë gjë, prandaj nuk bëjnë reduktime.
Tashmë borxhit prej miliardash qeveria i gjeti zgjidhje: t’ia shesë turkut, në mënyrë që qeveria të marrë paratë që i nevojiteshin mbase për nevoja të fushatës elektorale, kurse turku pastaj të marrë borxhin nga qytetarët me ndihmën e gjyqit.
Çfarë na kujton kjo metodë e qeverisë për të zgjidhur problemin e pagesës së detyrimeve?
Na kujton saktësisht “sipërmarrjen e taksave” në periudhën osmane, kur një kriminel i hurit e i litarit, mblidhte rreth vetes 20-30 harambashë, dhe blinte nga shteti të drejtën për të mbledhur taksa në një rajon të caktuar, dhe pastaj mblidhte sa donte vet duke ‘ua pirë gjakun’ shqiptarëve saqë shpesh i detyronte të bënin kryengritje. Me një fjalë jemi kthyer në mesjetë me metodat që përdor shteti ndaj tatimpaguesve.
Për mendimin tim problemi i borxhit nuk ka zgjidhje për deri sa papunësia vazhdon të mbetet ajo që është, kurse borxhi vjen vazhdimisht duke u grumbulluar. Këto probleme rrjedhin nga mendësia e gabuar se prodhimi i energjisë elektrike është një biznes privat e jo shërbim ndaj qytetarit. Një borxh që nuk është paguar me vite të tëra dhe nuk i ka shkaktuar asnjë pengesë prodhimit të energjisë, nuk ka pse të kërkohet tani, por borxhi kërkohet ende, për arsyet e lartcekura, pra që ndërmarrja e distribuimit u shit për nevoja partiake.
Sa jemi në gjendje ne si popull që të lejojmë një gjë të tillë, që për nevojat e ngushta partiake të kujtdoqoftë, të “na pijnë gjakun anadollakët” ashtu siç kanë vepruar për 500 vite rresht?
Në kohën kur do të duhej që njerëzit gjenialë nga mesi ynë, të zgjeronin prodhimin dhe shpërndarjen e pllakave solare apo aeromotorëve, për prodhim të lirë të energjisë elektrike, dhe për këtë të kishin ndihmën nga ana e shtetit, në fakt ndodh e kundërta: ne thjesht po bëjmë regres, duke përdorur metoda mesjetare të faturimit dhe pagesës, duke pretenduar që të hymë në BE pikërisht me masa të tilla anadollake.
Zgjidhja ideale do të ishte dëbimi i turkut nga sipërmarrja që ka blerë. Natyrisht që kjo ka koston e vet, sepse për t’a bërë këtë, së pari duhet hulumtuar se ku i ka lënë qeveria paratë, i duhen sekuestruar ato para, të cilat pastaj i duhet dhënë turkut, që t’i kthehet ajo që ka paguar. Vlen të përmendim se Kroacia i ka pezulluar të gjitha privatizimet, duke qenë se i ka cilësuar si të dëmshme për popullin dhe shtetin e vet. Edhe qeveria e Shqipërisë e ka dëbuar kompaninë çeke për “ngecje të investimeve dhe keqtrajtim të qytetarëve”.
Si masë e parë duhet të jetë detyrimi i “mafiozve të mëdhenjë” dhe serbëve të paguajnë shpenzimet e tyre, pastaj KEDS-i, të kompenzojë dëmet që po ia shkakton ekonomive familjare dhe biznesve për shkak të ndërprerjeve të shpeshta, e si shtesë do të ishte falja e borxheve të gjithë konsumatorëve (amvisërive), për arsyen e thjeshtë se borxhet janë bërë barrë e padurueshme e familjeve të varfëra që përbëjnë një pjesë të madhe të popullit të Kosovës dhe se nuk është KEK-u një shitore private ku shitësi kërkon borxhin, por është një shërbim ndaj qytetarëve, dhe duke qenë se ka mundësi t’a fillojë nga e para (nga zeroja) atëherë duhet t’a bëjë këtë gjë.
Por gjithashtu masa të tilla duhet të shoqërohen me punësim masiv, dhe me masa që rrisin të ardhurat e njerëzve, se përndryshe nuk ka ndonjë efekt afat-gjatë. Nëse vazhdojmë me këtë papunësi, atëherë borxhet mund të falen edhe dhjetë herë tjera e mund të grumbullohen edhe dhjetë herë tjera, por asnjëherë nuk mund të paguhen nga një kategori e popullësisë e cila thjesht e ka të pamundur të paguajë.
Le t’i pëkujtojmë lexuesit tonë, se KEDS-i ka kohë që është duke kërcënuar me gjyq borxhlinjtë por nuk e bën këtë gjë, sepse e din shumë mirë që të pasurit gjejnë mënyra për t’i ikur shlyerjes së borxhit, kurse të varfërit nuk kanë çfarë t’i japin.
Nuk jam ndonjë simpatizant i së majtës, jam për pronë private, por kjo duhet të ketë kufizime të caktuara që të mos zhvillohet në kurriz të popullit tonë, duke u bërë burim të këqijash e vuajtjesh për dy milionë njerëz. Një aktivitet i tillë ekonomik si prodhimi i energjisë elektrike për amvisëri, duhet të bëhet nga një organizatë në pronësi shtetërore, e madje vetë fakti se ne po e shohim se privatizimi nuk solli asgjë të re por vetëm probleme, na dëshmon se s’ka asnjë arsye të privatizohet rryma elektrike e cila prodhohet nga shqiptarët, me thëngjillin e nxjerrë nga toka jonë, ndërkohë që pikërisht këtë energji elektrike na e shet turku, me një çmim 6-7 herë më të shtrenjtë se sa e shiste pushtuesi serb në kohën e apart-hejdit më të padurueshëm.
Këshilla drejtuar popullit është që të jenë më vigjilentë ndaj plaçkitjes ligjore që po u bëhet duke ua marrë kafshatën e gojës për energji elektrike. Tani është koha që protestat të bëhen më tepër për nevoja materiale, se mjaft kemi protestuar për “vlera” duke e lënë anash problemin e plaçkitjes ligjore.
Këshilla drejtuar ndërkombëtarëve është që donacionet të jepen për të shlyer borxhet e konsumatorëve dhe jo për riparime fiktive, të cilat vetëm kanë mbushur përkohësisht “gushën e krokodilëve” shtetërorë.
Vetëm kur shteti me veprën e vet, e dëshmon që është në shërbim të qytetarit, vetëm atëherë mund të besojmë se është i tillë. Unë në këtë shkrim i numërova disa masa që mendoj se duhen ndërmarrë për të dëshmuar se shteti është në shërbim të qytetarit, përndryshe premtimet e thata elektorale duke ngritur gishtin e madh përpjetë, nuk kanë asnjë efekt pozitiv në zhvillimin e vendit, por vetëm regres dhe kthim në kohën e homo-erectusëve.

……………………………………………………………………………….

(Ilustrimin e përgatiti pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura