ABDIRAHIM IDRIZI: FRIKA DHE LIRIA

Prishtinë, 17. 04. 2015 – (“Vetëdije e kushtëzuar do të thotë ta jetosh jetën duke u ndjerë fajtor për të shkuarën dhe në ankth për të ardhmen, duke mos qenë kurrë në gjendje ta jetosh të tashmen”. Russell Targ) – Do të ishte e drejtë nga Zoti, por edhe nga populli, që shtetit t’i prijnë njerëzit e mirë por edhe të pasur njëkohësisht, në mënyrë që vendi ta marr të mbaren. Për fat të keq në realitet dhe në praktikë po ndodh krejtësisht ndryshe, madje e kundërta!
Tranzicioni nga një ideologji në tjetrën, nga një sistem në tjetrin, veçanërisht te ne shqiptarët po zgjat shumë dhe po shoqërohet nga një luftë e egër për pushtet. Njerëzit tanë sikur i ka kapluar frika e të qenit të lirë! Liria vërtetë i ka dy anët e medaljes. Ajo është e mirë por edhe e rrezikshme njëkohësisht. Liri do të thotë t’i japësh llogari vetvetes.
Llogaridhënia vetvetes është shumë më e rëndë se sa llogaridhënia të tjerëve. Njerëzit që nuk janë përballur me vetveten, si ata fetarë ashtu edhe ata jofetarë, bien dakord në një gjë: se liri nuk ka. Njeriu nuk është i lirë, vetëdija e njeriut përcaktohet prej forcave të jashtme, nga tradita, nga rrethi i jashtëm! Kjo në fakt është logjike, është forca e jonë e jashtme, është statusi i jonë ekonomik.
Hegeli në konceptin e tij për të drejtën, shprehet se sjelljet njerëzore, duhet të kuptohen si veprime individësh, ku individi është i ndërgjegjshëm, për liritë e tij, dhe e shpreh atë nëpërmjet akteve të vullnetshme. Shtetin Hegeli e përshkruan, si një sintezë e së përgjithshmes me të veçantën, të familjes, dhe individit, ku mbrojtja e lirisë së individit, sipas tij do të bëhet nga shteti. Shteti është kështu, një organizëm i cili, kërkon të zhvillojë idenë e lirisë, në maksimumin e saj, dhe të arrijë liri objektive, vetëm në qoftë se anëtarët e tij individualë e bëjnë këtë. Në këtë mënyrë ligjet e shtetit, shfaqen si manifestim i rregullave racionale të sjelljes së qytetarëve.

Atë që Hegeli e quan shtet-trashëgimi, predikuesit e quajnë Zot, politikanët e quajnë Shoqëri… Të gjitha këto janë forca të jashtme, veprimi i të cilave ta kushtëzon lirinë. Kjo do të thotë se është e vërtetë që ti nuk je i lirë!
Pasi që lindim të lirë, pa asnjë kusht, ne duhet të përballemi me jetën, të mos i shmangemi përgjegjësisë, duhet të ballafaqohemi me të vërtetën. Sa më parë të pranojmë të vërtetën, aq më mirë është, sepse fillojmë të jemi vetvetja, të krijojmë unin tonë unik.
Njeriu lind vetë, por jeton me të tjerët, kuptimin e ka brenda vetes. Kuptimi i tij nuk është për të tjerët. Ai jeton për veten, duke shërbyer për të tjerët. Kudo që të jemi vetëm, nuk e ndjejmë veten mirë, e ndjejmë mungesën e rehatisë. Kërkojmë qetësinë (lirinë) në familje, në shoqëri, në punë, nëpër klube të ndryshme…
Të rrallë janë personat që në kohë të caktuar kërkojnë të jenë vetëm dhe të shpalosin vetveten. Të jesh vetëm është shumë vështirë, e pazakontë dhe e panatyrshme, sepse kur ti je vetëm, nuk kërkon të transformohesh, nuk kërkon të zbulosh veten.
Të jetosh do të thotë të jesh pronar i vetvetes, të jesh zot i vetvetes dhe familjes tënde. Jeta është një sfidë me shumë të papritura. Përditshmëria ta imponon të takohesh dhe të përballesh me shumë sfida, bukuria e kësaj është që të dish ta luash lojën e jetës.
Për mua, segmente të lojës së jetës janë tri: Të punosh, Të shijosh, dhe të bësh llogari! Duhet ta ruajmë personalitetin tonë, të mos bëjmë sjellje dhe vepra në dëm të tjetrit, vepra të cilat do të na lëndonin neve nëse na i bën dikush. Çdo gjë duhet ta transformojmë në disponim dhe në gëzim.
Njeriu pa dashuri mund të jetë i pasur, i shëndoshë, i njohur…, por ai nuk mund të jetë i arsyeshëm! Gjëja e parë që duhet të mësojmë është të jemi besimtarë, të guximshëm, të kujdesshëm, trima. Shtrohet pyetja pse na nevojiten pikërisht këto? Na nevojiten sepse jemi të rrethuar nga shumë rreziqe, nga shumë të papritura. Njeriu me besim të plotë dhe trim është i gatshëm ta dëbojë frikën. Të tillët e shijojnë jetën. Ja pra pse na u dashka besimi dhe trimëria. Frikacakët vetëm jetojnë, ata nuk arrijnë të shijojnë jetën, sepse e gjithë jeta e tyre është ngritur nga frika, ndërsa jeta në të cilën dominon frika, është një e keqe që të përcjellë deri në vdekje. Nëse nuk përballesh me të, ajo të ndjek. Grupe të ndryshme sekrete për interesa të caktuara kanë shpikur njëmijë e një formula për ta frikësuar njeriun, për t’ia futur frikën në palcë.
Njerëzit kërkojnë forma të ndryshme për ti ikë frikës por edhe për t’i arsyetuar dështimet. Disa kërkojnë ndihmë nga mjeku, disa disa shkojnë në xhamia apo kisha, disa pinë alkool, disa marrin drogë…
Personi që arrin te ngrihet në lartësinë e duhur nuk shqetësohet. Ai nuk është fatkeq, ai nuk i frikohet vdekjes, ai nuk merret me sende të vogla. Ai jeton jetën e plotë dhe me interesim të shprehur. Jeta e tij është e mrekullueshme, jeta e tij është plotë dashuri e lumturi.
Mendja, besimi të sjell lumturi, sjell qetësi bashkë me lirinë. Kjo qetësi është liria absolute. Kjo lloj qetësie transformohet në art, në dashuri dhe në krijimtari. Në botë vetëm njerëzit që kanë njohur veten mund të jenë të lumtur dhe të gëzuar.

– Autori është publicist dhe Ambasador i Paqes Globale. Kontakti: [email protected].

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura