GËZIM MEKULI: KOMUNIKIMI POLITIK PAMOR DHE RETORIKA

Oslo, 4. 6. 2016: Fotografia dokumenton, argumenton, dramatizon, përcakton rendin e ditës, ndërton imazhin e politikanit, frymëzon emocione, krijon lidhshmëri me simbolet kulturore-sociale dhe largon audiencën e tij në kohë dhe hapësirë. Fotografitë, filmi “dokumentar”, hartat historike e topografike dhe libri, që nga fundi i vitit 1999, kanë në shënjestër publikun. Veçanërisht kur kemi të bëjmë me ikonat dhe simbolet e kulturës shqiptare, retorika pamore është në ofensivë.
Unë gjithashtu do të tregoj shembuj të komunikimit pamor politik, që jo vetëm se vërteton atë që ne tashmë e dimë, por apeli i tyre mund të jetë edhe më sfidues dhe më serioz sesa që ne e mendojmë atë. Në këtë analizë retorike do të bëhet fjalë për përdorimin e fotografisë/filmit si mjet i komunikimit politik. Fotografitë janë të shumëkuptimëshe. Ato janë polisemike (gr. Poly = shumë dhe semike = domethënie). Zakonisht fotografitë janë me më shumë kuptime sesa fjala. Kur shikojmë një fotografi, jemi ne ata që e vlerësojmë se çfarë do të thotë ajo dhe se çfarë porosie ka fotografia.
Funksioni i parë retorik i polisemisë është se ajo i lejon pranuesit/publikes që të jetë bashkësajues i shprehjes dhe komunikimit pamor. Dhe, kur vështruesit e fotografisë janë aktivë në konstruksionin e domethënies së fotografisë retorike, atëherë këta, njëkohësisht, kontribuojnë që ta bindin edhe vetveten. Njëkohësisht është me rëndësi të theksohet se shumëkuptueshmëria e fotografisë është aq e kufizuar saqë pranuesi/publikja, faktikisht, është i detyruar ta bëjë “leximin” e fotografisë/filmit sipas qëllimeve të retorikës.

Që herët retorikasi Bitzeri nënvizonte se ndodhitë retorike krijojnë ndryshime duke ndikuar në mendime, vendime dhe veprime te personat. Këta persona mund të kontribuojnë në krijimin e ndryshimeve. Logjikisht, retorika kërkon gjithmonë publikun.
Nuk mund të kemi një situatë retorike po qe se nuk e kemi publikun. E, publiku retorik përbëhet gjithmonë nga personat të cilët mund të ndikohen nga retorika e dërguesit dhe mu këta, pra publiku, janë ata që kontribuojnë për t’i ndërmjetësuar planet dhe ndryshimet.
Thënë më ndryshe, publiku është një “sajesë”, i cili është i ndërtuar nga fotografitë dhe fjalimet politike. Secili folës/folëse me vetëdije mendon tek publiku, që do të thotë se retori, nëpërmjet fjalimeve politike dhe fotografisë, dëshiron të bindë këta njerëz. Pra, përmes publikut, i cili është në gjendje të funksionojë si ndërmjetësues i ndryshimeve politike, tentohet të shkohet tek ideologjikja dhe tek politikja.
Retorika pamore si strategji
Përdorimi i komunikimit politik nëpërmjet fotografisë dhe filmit ekziston edhe te ne. Vetëm nëpërmjet analizës retorike mund të zbërthejmë, se si po përdoret retorika pamore përmes fotografisë dhe filmit. Me ndihmën e analizës retorike mund të kuptojmë se si publiku do të pranonte një ndikim, një reagim e një ndryshim të paramendueshëm nga “dikush”. Paramendim ky, i prodhuar dhe i lansuar nga dërguesi.
1. Fotografia dhe konteksti
Fotografitë që do të analizohen këtu janë të shkëputura nga emisioni humoristik “Stupcat” dhe seriali televiziv, “Familja moderne”. Serialet janë shfaqur në të gjitha televizionet e Kosovës, duke përfshirë edhe atë publik, RTK-në.
Pse kjo analizë?
Analiza është e nevojshme dhe e detyrueshme sepse serialet humoristike janë të popullarizuara dhe kanë një shikueshmëri të lartë. Fotografitë retorike të këtyre serialeve u bënë objekt i analizës sepse u vu re se, pas luftës, e veçanërisht pas shpalljes të pavarësisë së Kosovës, në prodhimet televizive vendore, nga “dikush”, u fut në përdorim, si rekuizitë e si mjet, flamuri: Flamuri i kombit shqiptar dhe flamuri i Kosovës. Si rrjedhojë logjike shtrohet pyetja: A është qëllim apo rastësi përdorimi i flamujve? Dhe të tjetra, si po përdoren këto simbole në këto seriale? Ku është i plasuar flamuri i kombit shqiptar, e ku ai i shtetit të Kosovës? Vlerësimi i tyre? Nderohen në mënyrë të barabartë këto dy simbole? Cili është komunikimi politik e porosia që i dërgohet publikut përmes flamujve?
Pjesa e analizës së fotografisë
Denotacioni dhe konotacioni janë të rëndësishme si për analizën e fotografisë e, po ashtu, edhe për analizën e fjalës. Denotacioni është domethënia “e parë” apo “kuptimi i drejtpërdrejtë”, ndërsa konotacioni është domethënia “indirekte” apo “diçka tjetër”. Më thjesht: Denotacion është e tëra ajo që ne shohim, ndërsa konotacioni është ajo që ne e kuptojmë dhe e interpretojmë.
Kur ne “skanojmë” një fotografi/film, atëherë ne do të shohim vetëm kuptimin e drejtpërdrejtë të saj. Sepse kur ne shikojmë një fotografi, ne jemi në gjendje për të parë se çfarë është në të, duke mos interpretuar se çfarë do të thotë kjo. Kjo është e zakonshme në çdo kulturë.
Për shembull, po shikuam fotografitë më poshtë (prej nr. 1 deri në 10), vëmë re se ka një përshkrim për diçka. Shikojmë diçka që është konkrete: Shohim se ka kundërshtime dhe joharmoni të ngjyrave dhe të objekteve. Nuk ka estetikë. Dhoma është e mbingarkuar me afishe, fotografi familjare, flamuj dhe ka njerëz brenda, ku e theksuar është plisi i burrit.

Fotografia 1.

Fotografia 2.
Në këto fotografi secilën herë shohim një flamur (herë të vogël, herë-herë të madh). Flamuri, herë i ndrydhur e herë gjysmë i rrëzuar, ka ngjyrat kuq e zi. Në këtë ambient shohim njerëz të leckosur e të papastër, të cilët flasin një gjuhë shqipe me shumë gabime e me shprehje të ndyta: Fitohet përshtypja se, ndoshta, këta personazhe që e duan flamurin janë me probleme psikike.

Fotografia 3
Në këto fotografi shohim një shtëpi të vjetër, diku në një fshat të varfër. Ka një rrëmujë në oborrin e saj. Flamuri, sipas filmit dhe fotografisë, është kudo në këto ambiente të kësaj shtëpie. Ky flamur kuq e zi gjendet kudo nëpër dhoma të shtëpisë së varfër, në dhoma të shkatërruara dhe në muret e jashtme të shtëpisë. Bilës, diku, mbi kulm e atje në largësi, shohim dy flamuj.

Fotografia 4
Fotografia na paraqet një zog me dy koka, me sfond të kuq, ku zogu ka ngjyrë të zezë. Ky vizatim i pashije është punuar në një mur të një shtëpie fshati apo të një kolibe katundi. Shohim se shtëpia është e varfër, është gjysmë e rrënuar, e vjetër, ndoshta e shekullit XIX. Oborri i kolibes/shtëpisë është hallakamë: Plot e përplot me shpezë, një tavolinë e një karrige e vockël e hedhur diku atje. Ka një bunar të ngjyrosur me të kuq, mu në mes të hyrjes së kolibes/shtëpisë prej balte e të shkatërruar nga koha. Bunari pengon edhe hyrjen te kolibja!

Fotografia 5
Afër flamurit ka persona që mbajnë revole në duar, (ilegale kuptohet). Flamuri i vogël, e që mezi shihet nga errësira, është i vendosur fare afër armëve të varura në murin e vjetër prej dheu. Flamuri është pranë mjeteve të punës si: sharrës, çekanit e mjeteve të tjera të bujqësisë por, gjithsesi këto janë mjete pune primitive dhe joelektrike bashkëkohore. Aty është edhe një mësues nga fshati me banane në dorë!

Fotografia 6
Publiku shef flamurin afër stufës prej llamarine e të demoduar të druve. Mbi të edhe një «gjygym çaji». Flamuri me ngjyra kuq e zi gjindet pranë gotave të «çajit të rusit». Ka filxhane dhe gjeze «alla turke» afër dhe nje tufë lule livadhi, të futura në një gotë të marmelatës apo hajvarit. Pamja e parë kur publiku «takohet» me këtë familje, e që e do flamurin shumë, është shtepia e fshatarëve të varfër, që janë të mbërthyer nga emocionet e ju mungon arsyeja.

Fotografia 7
Në fotografi gjithashtu shifet një burrë, i cili në trikon e tijë të kuqe, ka të ngjitur një zog të zi. Ka edhe një zignjirë të çuditshëm rreth qafës. Shofim se ky burrë është i dhunshëm sepse rreth qafës ka poashtu armë të ftohta të sportit luftarak, karatesë. Ky burrë duket si fëmijor, i varfër, naiv, fatkeq dhe, gjithsesi, me të meta fizike dhe psikike. Por ky burrë e do flamurin: E bartë kudo me vete. Jeton me të e për të, gjithsesi sipas fotografisë/serialit humoristik.

Fotografia 8
Ndërsa kur shikojmë fotografitë e mëposhtme (a, b dhe c) shofim diçka tjetër. Një botë tjetër. Në fotografinë (a) vërejmë një dhomë supërluksoze, e mobiluar me shije dhe aty është një përson me titullin « amkademik ». Libri është mbi tavolinë. Këtu ka art dhe kulturë. Shkëlqen estetika si në veshje të përsonazheve e po ashtu edhe në interierin e banesës së qytetit. Fitojmë përshtypen se këtu jeton një familje që ka shëndet, arsimim, ekonomi dhe lumturi: Por në këtë banesë mungojnë flamujt. Nuk shofim flamuj fare.
Në fotografitë (b dhe c) shofim një dhomë moderne, të rregulluar me shije dhe me plot harmoni. Orienditë janë luksoze, të pastra, shkëlqejnë dhe janë me ngjyra shumë. Aty, pranë librave dhe afër dekorve artisitke, brenda në raft, gjindet i vendosur nje flamur: Ka ngjyrë të kaltër në sfond dhe një hartë të Kosovës me ngjyrë ari. Flamuri është vendosur me respekt dhe plotëson të gjitha elementet estetike. Edhe njerëzit që jetojnë në këtë banesë qyteti janë të pastër, (flokët e tyre shkelqëjnë nga pastërtia) janë të veshur bukur e me shije. Gjuha shqipe flitet pak më bukur e pak më pastër!

Fotografia a

Fotografia b

Fotografia c

Konotacioni
Kur të kemi përshkruar fotografitë dhe të kemi parë se çfarë ka në to, më pas mund të përdorim si ndihmë përceptimin e shenjave dhe simboleve që të kuptojme fotografitë me sytë dhe mendjen tonë. Tek më pastaj do të arrijmë të kuptojmë se çfarë duan të thonë këto fotografi. Do të kuptojmë se çfarë porosie e çfarë qëllimesh kanë këto fotografi e këto seriale televizive. Sepse fotografia, filmi, videot muzikore dhe filmat e vizatuar mund të lexohen njësoj ashtu sikurse që lexohen shenjat e komunikacionit, pejsazhi, arkitektura, libri etj.

Për shembull kur shkruajmë një artikull ne përdorim fjalët dhe fjalitë. Kur regjisorja e filmit Leni Rifenstal dëshironte të tregonte madhështinë e nazizmit ajo përdori fotografinë. Kur një politikan debaton ai përdorë fjalët dhe « aktrimin » për të bindur. Pra përdorimi i zërit, mimikës, gjestikulacioneve, si dhe i veshjes, janë pjesë të retorikës formuese. Shofim se në të tri rastet një retor komunikon me publikun përmes shenjave, qoftë kjo përmes fjalës, përmes përdorimit të fotografisë apo « aktrimit ». Pra, ne mësojmë botën dhe komunikojmë përmes shenjave. Janë tre grupe kryesore të shenjave në semiotikë.
Shprehja pamore përmes këtyre serialeve dëshiron të kapë vëmendjen e pranuesve, të përçoj konotacione të caktuara që mund të zgjoj interese për produktin dhe në fund që detyroj pranuesit që të (mos) pëlqëjnë produktin e reklamuar.

Fotografitë (1-10) janë shenja konkrete të kësaj ndodhie dhe na drejton tek ajo që po ndodhë. Ndodhia është e reprezentuar përmes ngjasimit (janë të njejta). Sepse vizatimi i zogut me dy krerë, në sfond të kuq, të shtëpisë së vjetër e të pist fshati, i përngjanë flamurit të kombit shqiptar. Kështu, ky vizatim i deformuar, përmes shenjës ikonike, tek pranuesit, prodhon një kuptim. Shiquesi, pra publiku, kupton se ky është flamuri i shqiptarëve. Poashtu, vizatimi i zogut tek muri i vjetër prej balte e i plasaritur, shtëpia e vogël dhe e shkatërruar, oborri dhe i tërë ambienti i shtëpisë si dhe armët ilegale aty, mund të nënkuptohen si simbolike. Menjëherë publiku kupton se në këtë shtëpizë fukaraje jetojnë njerëz të varfër e primitiv, të paarsimuar, të harruar, të egër, kriminelë dhe, ndoshta, edhe të çmendur.
Por si është të kuptuarit me flamurin e Kosovës? (Shiqo fotografitë b dhe c) Çfarë konoton ky simbol? Fotografia kryen nje funksion. Ajo ka një detyrë retorike. Për flamurin e Kosovës publiku ndërton një botëkuptim tjetër sepse, ky flamur është i rrethuar nga njerez të pasur, të arsimuar, nga librat dhe nga një shtresë tjetër sociale. Jo sikurse flamuri kombëtar i cili ishte i rrethuar nga armët, balta, filxhanat, gjygymat, koftori dhe balonat e vitit te ri. Publiku ka konotacione pozitive për këto dy fotografi (b dhe c) sepse flamuri i Kosovës është i trajtuar me nder e me respekt dhe, është i vendosur me kujdes në oriendi që është e kushtueshme: Jo si flamuri kombëtar që është i vendsour në errësrë e pranë mjeteve të punës bujqësore. Njerëzit që posedojnë flamurin e Kosovës nuk janë të dhunshëm. Ata janë të arsimuar, të logjikshëm. Ata në vend të armëve kanë libra dhe, nuk janë mashtrues e as kriminel.
Përfundim

Në këto fotografi ka një përzierje djallëzore të shenjave ikonike, simbolike dhe indeksikale
Shenjat indeksikale tregojnë gjurmë të varfërisë, kurvërisë, të skamjes e të prapambeturisë. Kjo përshtypje bëhet më e qartë dhe më e dukshme tek fotografitë e mëposhtme (nr. 9 dhe 10).
Në këto fotografi që u analizuan shofim edhe shenja të frigës, të keqtrajtimit të gruas nga mashkulli, të dhunës fizike dhe verbale, të mjerimit dhe të josinqeritetit. Gjatë tërë serialit të «stupcave», saherë që shfaqet flamuri kombëtar i shqiptarëve, pranë tijë gjinden njerëzit e mjerë, të paedukuar, të dhunshëm dhe që ofrojnë zgjidhje të problemeve vetëm me dhunë. Afër flamurit kombetar gjindet revolja, njeriu agresiv, tradhëtar, lavire dhe i humbur psiqikisht. Flamuri kombëtar është kudo aty ku ka varfëri, dhunë, baltë, pluhur, mashtrime, dhe jomoralitet.
Fotografitë, përmes tri shejave semiotike së bashku: ikonike, simbolike dhe indeksikale përforcojnë njëra-tjetrën dhe shkojnë në një drejtim të caktuar. Shenjat komunikojnë vizualisht në mënyrë retorike dhe përforcojne qëllimet e porosisë.

Fotografia 9.
Shenjat retorike
Pamorja është e qartë. Në fotografi e në seriale është flamuri i kombit shqiptar. Shtepia/koliba, armët, njerëzit që e duan flamurin, statusi i tyre, joarsimimi i tyre, shporeti i druve, gjygymat dhe gotat e çajit të rusit, të gjitha këto bashkë konotojnë dhe simbolizojnë prapambeturi dhe mesjetë. Sfondi i ndyrë, ku është vizatuar flamuri kombëtar reprezenton shenja indeksikale ku kuptojmë se në këtë ambient ka dhunë dhe emocione. Nuk ka logjikë. Çdo gjë duket e shkatërruar. E harruar. Ambienti është i izoluar nga bota përparimtare.
Afërsia retorike
Për mua si shqiptar këto fotografi shkaktojnë dramë, dyshime, shqetësim dhe njëkohësisht afërsi. E afërmja, këtu, ndikon me fuqishëm. Kjo sepse egziston një lidhshmeri e ngushtë në mes të afërsisë, rëndësisë dhe veprimit që shofim ne këto fotografi të shkëputura nga serialet. Sa më e afërt të jetë diçka, aq më shumë na prek ajo. Aq më e rëndësishme na duket ajo për ne dhe, aq më fuqishëm na fton ajo për veprim. Dhe, pikërisht se kjo fotografi, kulturalisht, është e afërt, retorika pamore, përmes simbolikes dhe ikonave, tenton të na largoj nga kjo afërsi që kemi ndaj flamurit kombëtar. Komunikimi politik pamorë e retorik dëshiron që publikut shqiptar të Kosoves t’i gërditë flamurin kombëtar duke e njejtësuar atë, duke e afruar dhe duke e ndërlidhur atë me simbolet e primitivizmit, sjelljeve agresive, dhunës dhe statusit të mjerë social.
Fotografia 10.
Qëllimi i komunikimit të tillë pamorë e retorik, si duket, është që flamuri i kombit shqiptar të jetë i pranishëm në publik dhe kjo të keqpërdoret përsëri dhe përsëri derisa në hapsirën publike dhe në mentalitetin tonë kolektiv të ndërtohet një fotografi përjashtuese ndaj tijë dhe, të formësohet një lidhje e ngushtë, e menjëhershme dhe, vetëkuptohet, një lidhje e fortë në mes të flamurit – krimit –dhunës – primitivizmt dhe – të kombit shqiptar.

Ndërsa, në anën tjetër, duket se, qëllimi i komunikimit politik vizuel me fotografinë e flamurit të Kosovës, është që ky të mirëpërdoret për të ndërtuar nje fotografi pranuese dhe një lidhje të logjikshme dhe të shëndoshë, e të shpejtë, në mes të flamurit të Ahtisarit – edukimit – mirëqënjës – harmonisë dhe – të «kombit kosovar».
Lexues të nderuar,
Shiqoni më poshtë se si trajtohen flamujt nacional, si për shembull norvegjez dhe amerikan nga të gjitha shtresat e shoqërisë:

Faleminderit që patët kohën dhe interesimin për të lexuar analizën e vonshme por të domosdoshme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura