GJEKË GJONAJ: MOZAIK I BUKUR KULTURASH NË ULQIN

Ulqin, 9 korrik 2017: Artdashësit ulqinakë dhe mysafirët e tjerë të gjinisë së folklorit, sidomos vlerave të pakontestueshme të trashëgimisë kulturore e shpirtërore, jo vetëm kombëtare, por mbi të gjitha evropiane për dy mbrëmje me radhë, më 28-29 qershor, ndoqën me mjaft interesim vallet popullore plot ritëm, dinamizëm, lirizëm e epizëm të grupeve dhe ansambleve folklorike nga Ukraina, Bullgaria, Litvania, Rumania, Slovenia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Njëherazi edhe këngë të bukura, ritme të mrekullueshme dhe kostume mahnitëse plot ngjyra e ornamente të bukura. Artistët pjesëmarrës të popujve të ndryshëm të Ballkanit me defiletë e tyre nëpër rrugët e këtij qyteti dhe me prezentimin dinjitoz, me shumë dashuri e pasion të kulturave të tyre, krijuan një atmosferë feste të vërtetë popullore, e cila u përcoll me ovacione e duartrokitje nga publiku vendas dhe të huajtë.
Ky mozaik kulturash të ndryshme është një kontribut për ruajtjen dhe pasurimin e vlerave të trashëgimisë kulturore e shpirtërore dhe për të përcjellë imazhe pozitive në rrugën e integrimeve. E veçanta e edicionit të katërt të “Dolcinium internacional festival” i organizuar me sukses nga Organizata lokale turistike, në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, afaristët vendas dhe OJQ “Porta di Danza”, ishte ndërthurja e qëlluar e turizmit natyror me atë kulturor. Po ashtu shërbeu si një mundësi promovimi, njohje e lidhjesh të gjera të grupeve dhe ansambleve nga vendet e rajonit.

Nga ana tjetër pjesëmarrësit e këtij manifestimi kulturor janë vizitorët e parë turistikë këto ditë përcëlluese të sezonit veror, edhe pse jo lajmëtarët e parë të ofertës turstike të këtij qyteti, i cili gjithmonë ka qenë, është dhe do të mbetet qytet bregdetar shqiptar me traditë të lashtë turistike, detare, kulturore e historike.
Vërtetë është diçka e bukur dhe me vlerë kur shikon dhe përjeton një atmosferë e frymë miqësie si kjo, ku ansamblet shqiptare bashkë me ato të popujve tjerë, përveçse shpalosin flamujt dhe kulturat e tyre, janë shprehje e integrimit, bashkëjetesës, tolerancës dhe shkëmbimit të vlerave të përbashkëta, në një kohë kur nga vende të ndryshme vijnë lajme tronditëse që duan pikërisht të prishin atmosferën e jetesës së popujve në qetësi e harmoni. Kjo shenjë bashkimi dhe larmie kulturash, na ndihmoftë të kuptojmë se rruga e vetme e paqes është të bashkohemi, duke respektuar ndryshimet.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura