GJEKË GJONAJ: TEATRI I KUKULLAVE NGA TIRANA NË ULQIN – NJË EKSPERIENCË E RE DHE MJAFT EMOCIONUESE

Ulqin, 21 mars 2019: Fëmijët e vegjël të qytetit të Ulqinit shumë kohë do ta mbajnë mend mbrëmjen e 11 marsit të këtij viti. Pikërisht atë mbrëmje të bukur salla e Qendrës Kulturore të Ulqinit u mbush pothuaj plot e përplot me fëmijë të vegjël. Ata ishin aq të lumtur, saqë vrap njëri pas tjetrit nxitonin për t’u ulur nëpër karriget e sallës së QK-ës. Bashkëbisedonin me njëri tjetrin. Qeshnin dhe prisnin me padurim që shfaqja “Dasma Shqipëtare” të fillonte. Kjo shfaqje, e cila erdhi për publikun e vogël si muzikal nën regjinë e Paolo Comentale dhe nën interpretimin e shkëlqyeshëm të Shegushe Bebetit, Jorida Marsit dhe Elidon Alikës, i lumturoi këta spektatorë të vegjël, por të çiltër. Teatri i Kukullave nga Tirana bëri bashkë prindërit dhe fëmijët e këtij qyteti. Ishte kjo një shfaqje që kishte munguar prej vitesh në këtë qytet. Një eksperiencë e re, e bukur dhe sigurisht mjaft emocionuese. Një ekpseriencë e paprovuar më parë, e veçantë për mënyrën e realizuar, ndërsa shihje fëmijë që gëzojnë dhe shoqërojnë me kureshtje gjithë shfaqjen.
Pavarësisht se zhurma ishte e pranishme në sallë, ndërsa u afroheshe për t’i pyetur ata nuk nguronin të tregonin kënaqësitë e tyre, që kishin ardhur në këtë shfaqje. Kishte edhe nga ata të cilët ishin të shoqëruar nga prindërit apo familjarët e tyre, por të gjithë ishin njësoj, të lumtur. Edhe pse ndoshta ky publik i vogël por i mrekullueshëm i fëmijëve mund të mos ketë parë ndonjëherë më parë teatër kukullash në një sallë teatri dëshmoi se e do këtë gjë. Fëmijët sa kohë që zgjati shfaqja jetuan me artin dhe kulturën. Arritën ta përjetojnë, ndiejnë e shijojnë atë. Të njihen me muzikën, elementet muzikorë. Morën emocione nëpërmjet artistëve të mrekullueshëm në skenë, e jo nëpërmjet teknologjisë.

Fëmijët vërtet u kënaqën shumë. E duartrokitën shfaqjen. Ata jo vetëm se përfituan nga rasti që t’i shohin kukullat drejtpërdrejt, por duke parë elementet e futura në këtë shfaqje të kërcimit folklorik tradicional shqiptar, ishte një mënyrë shumë e mirë për të mësuar se cilat janë këngët shqiptare, vallet shqiptare, kostumet shqiptare dhe trevat shqiptare. Kjo ishte edhe një risi e kësaj shfaqje e cila shpresoj se do të zgjojë interesim po kaq të madh edhe në qytete të tjera. Dhe vërtet, është e pabesueshme mjeshtëria me të cilën aktorët e Tiranës atë mbrëmje i dhanë jetë kësaj shfaqje, duke u futur në depërtimin e imagjinatës dhe vëmendjes së fëmijëve parashkollorë e të nivelit fillor.
Prurjet e këtilla skenike në Ulqin janë shumë të rëndësishme, të dobishme dhe të domosdoshme, nëse dëshirojmë që brezin e ri ta edukojmë në një frymë të re artistike. Sepse pikërisht kukullat e kanë magjinë e vet që ta krijon në momentin që ti e shikon apo në momentin kur ti e prekë dhe behet më e prekshme dhe më e gjallë. Magjia e teatrit u jep mundësi fëmijëve që për një çast të largohen nga ekrani i televizorit, telefonit, tablatet dhe të shkëputen nga interneti. T’i shohin kukullat drejtpërdrejt (live) në skenë. T’i prekin ato. Të kënaqen me personazhet dhe t’i shijojnë nga afër.
Thuhet se teatri me kukulla ka lindur që në prehistori kur njerëzit e shpellave arritën të vërenin një fenomen që i mahniti dhe i bëri kureshtarë; atë të shfaqjes së hijeve në mure. Kështu filluan të krijonin forma të ndryshme me anë të duarve dhe lindën në këtë mënyrë shfaqjet e para me kukulla. Kukullat janë pjesë e historisë dhe jetës sonë të përditshme. Në forma të ndryshme ato arrijnë të joshin mosha të ndryshme, ndërkohë që përfaqësojnë zakone dhe tradita të vlefshme e edukative. Janë zbavitëse dhe magjepsëse. Fëmijët arrijnë të besojnë dhe po ashtu të gjejnë veten te kukullat. Ata arrijnë të futen dhe të eksplorojnë një botë kreative që kukullat i krijojnë.
Rëndësia e shfaqjeve të këtilla konsiston edhe në faktin se edukimi i fëmijëve përmes teatrit të kukullave u mundëson atyre të marrin porosinë shumë më direkt se sa përmes televizorit. Prandaj pa tjketër dhe pa hezitim duhet mbështetur nismëtarët e këtij bashkëpunimit të parë premtues mes Teatrit të Kukullave nga Tirana dhe Qendrës Kulturore të Ulqinit. Kjo rrugë e filluar bashkëpunimi hap shtigje që në të ardhmen të sjellin në Ulqin edhe shfaqje të tjera të bukura me kukulla.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura